KMDLNJ: MONITORON PROTESTËN E STUDENTËVE PARA REKTORATIT TË UP’së

Pashtriku.org, 30. 01. 2014 – Monitorues të KMDLNj’së 28 dhe 29 janar 2014 monitoruan protestën e organizuar nga organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim (SKV)” para Rektoratit të Universitetit Publik të Prishtinës. Protesta kishte filluar para orës 8.00 të. Studentët bllokuan hyrjen në rektorat për rektorin Gashi dhe të punësuarit e tjerë ndërkaq kërkesa ishte që rektori Ibrahim Gashi të jep dorëheqje, të nisë një hetim për stafin akademik të Universitetit të Prishtinës, sidomos pas skandalit të fundit të blerejes së titujve shkencorë si dhe që politika të mos ndërhyjë në punën e Universitetit nëpërmjet Këshillit Drejtues të UP’së.
Rreth orës 10:00 Policia e Kosovës ka ndërhyrë ndaj studentëtvetë cilët kishin bllokuar hyrjen kryesore të Rektoratit pas së cilës u arrestuan 25 studentë, prej të cilëve 2 kishin kërkuan ndihmë mjekësore dhe disa të tjerë të lënduar më lehtë gjatë tërheqjes zvarrë nga policia për t’i larguar nga dera e Rektoratit. Edhe disa policë kërkuan ndihmë si pasojë e gërvishjes apo ndrydhjeve gjatë përballjes me studentët që protestonin në mënyrë paqësore.KMDLNj vlerëson se ndëhyrja e policisë ka qenë kryesisht korrekte dhe në përputhje me ligjin përjashtuar dy raste kur policia , pasi ka prangosur studentët ua ka vu gjurin mbi gjoks apo i ka tërhequr zvarrë.

– Behxhet Sh.Shala, Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ’së –

Monitoruesit e KMDLNj’së ishin në vizitë edhe në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nga morën edhe informatat zyrtare dhe ku u konfirmua numri i 25 të të arrestuarve, prej të cilëve 2 ishin femra. Vizita në Qendrën e Ndalimit u bë në orër 13:00, ku në atë kohë aktivistët e SKV po merreshin në intervistë dhe në të njejtën kohë Prokurori Publik po verifikonte incizimet nëse për ndonjë rast kishte arsye për ndalim. Pas bartjes në Qendrën e Ndalimit vetëm njëri nga të ndaluarit kishte kërkuar ndihmë mjekësore dhe të cilit i ishte ofruar. Kurse që të gjithë kishin refuzuar ofrimin e mbrojtësve. Patstaj, pas procedurës së intervistimit të gjithë të arrestuarit janë liruar.
KMDLNj ka monitoruar gjatë gjithë kohës dhe rreth orës 12:15 kur Rektori Gashi hyri në oborrin e Rektoratit, aktivistët e kanë gjuajtën me vezë. Ata u shprehën se do të qëndronin para Rektoratit deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe se protestat do të vazhdonin edhe ditëve të tjera. Ata edhe më tutje kanë vazhduar ta mbajnë të bllokuar hyrjen kryesore të Rektoratit ndërsa një numë më i vogël i policëve ndodhet aty por nuk kishte ndërhyrje të tjera.
Më 29 janar 2014 studentët protestues, para orës 8.00 përsëri bllokuan hyrjen e rektoratit duke shpalosur kërkesat për dorëheqjen e rektorit dhe KD të UP-së. Numri i protestuesve ishte më i madh se dje ndërsa numri i policëve ishte më i vogël. Protestuesve iu bashkangjitën edhe një numër i qytetarëve , shoqërisë civile, politikanëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Deri në ora 13.30, kur KMDLNj po raporton sjellja e studentëve dhe protestuesve që iu bashkangjitën protestës është korrekte. Gjithashtu, sjellja e policisë është shumë korrekte. KMDLNj nuk sheh shenja të eskalimit të situatës.
KMDLNj, menjëherë pas zgjedhjes së z. Ibrahim Gashi në pozitën e rektorit pati reaguar duke e kundërshtuar këtë zgjedhje për shkak të ndërhyrjes 100% të politikës në këtë zgjedhje. Imponimi ishte politik , rektori ishte politik që prodhuan pasoja degraduese akademike duke e katandisur Universitetin e Prishtinës në një mjerim profesional dhe intelektual. Kemi pasur të bëjmë me kriminalizim të skajshëm të konkursit kur fituesi ka qenë i ditur para intervistimit dhe ku nuk janë krijuar mundësi të barabarta dhe jodiskriminuese për të gjithë kandidatët që kanë konkuruar! Prandaj, Universiteti i Prishtinës , në vend që të bëhet tempull i dijes u shndërrua në treg ku tregtohej me nota dhe tituj shkencorë. Në këtë kontekst KMDLNj kërkon shkarkimin e rektorit aktual, z. Ibrahim Gashi dhe përgjegjësve të tjerë, fillimin e hetimeve për gjendjen e krijuar dhe departizimin e Universitetit. KMDLNj, gjithashtu kërkon që politika të mos e instrumentalizojë këtë protestë duke e përdorur për qëllime politike. KMDLNj do të denoncojë çdo përpjekje që një politizim të Universitetit ta zëvendësojë me një politizim të protestave.
Shërbimi për Informim i KMDLNJ’së
Prishtinë, 29.01.2014

* * *
THOIRRJE POLICISË SË KOSOVËS

Edhe sot, në hapësirën kampusit të Universitetit të Prishtinës, Policia e Kosovës është e pranishme me njësitet e saj. Kësaj radhe, aty gjendet edhe vetë Komandanti Rajonal i Prishtinës, Rexhep Sijarina, i pa uniformuar. Siç duket, ai nuk është mjaftuar me brutalitetin e djeshëm, ndaj ka ardhur personalisht për ta udhëhqur operacionin e shtypjes se studentëve.
Ne, ia kujtojmë edhe një herë atij se detyra e tij është të zbatoj ligjin, dhe jo t’i ndjek verbërisht urdhërat e pushtetit. E për të zbatuar ligjin ai duhet t’i largojë policët nga Universiteti. Studentët nuk përbëjnë kurrfare kërcënimi për sigurinë. Përkundrazi, kercënim për sigurinë dhe për shoqërinë, janë ata që e kanë shndërruar Univërsitetin e Prishtinës në çerdhe krimi e korrupsioni.
Neni 13, pika 4 e Ligjit për Arsimin e Lartë
“Mjediset e bartësve të licencuar të arsimit të lartë gëzojnë paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe me ligje të veçanta.”

* * *
TA BËJMË UNIVERSITETIN!

Ta bëjmë Universitetin insitucion të dijes, e t’i kthejmë dinjitetin. Vatrës së dijes, t’i japim kuptim e arsyeshmëri. Universitet ku studiohet, ku ka libra e jo skripta. Ka profesorë me diplomë e jo diplomë pa profesor. Ka mensë që të ushqen, e jo që të mbushë barkun. Ka punime shkencore, e jo punime pa shkencë. Ka studentë që ngrisin zërin, e jo servil të qëllimshëm e të pa vesh.

Studentët kërkojnë :
1. Dorëheqjen e mënjëhershme të Rektorit, Ibrahim Gashi;
-Sepse rektori duhet të ndaloi publikimet shkencore në revista të rrejshme, e jo të publikojë rrejshëm punime shkencore.
2. Fillimin e mënjëhershëm të hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës, dhe ngritja e një mekanizmi për verifikimin e të gjithë titujve akademikë;
-Sepse duhet te ndalen turbotitujt shkencor e plagjiatet me pagesë, përmes një mekanizmi verifikues e transparent, në mënyrë që të kemi shkencë e dije.

3. Largimi i ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nepërmjet heqjes së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës;
-Sepse duhet të kemi Universitet të studentëve, e jo Universitet të pushtetarëve

Studentë të t’gjitha fakulteteve, të përbashkohemi. Universiteti është e ardhmja, të ardhmën e bëjmë ne sot.
Klubi Politik i Studentëve.
Lëvizja Studentore për Barazi, STUDIM KRITIKË VEPRIM
Studentët e Ulqinit në Universitetin e Prishtinës
Prishtinë, 29 janar 2014

* * *
Rron Gjinovci – student i Fakultetit Filozofik
Prishtinë, 28 janar 2014

Kundëreagim ndaj komunikatës së “Parlament Studentor” të datës 28 janar 2014.
Duke parë reagimin e të ashtuquajturit “Parlament Studentor” të Universitetit të Prishtinës kundër protestës së drejtë e cila kërkon 1. dorëheqjen e rektorit mashtrues; 2. zgjerimin e hetimeve dhe 3. heqjen e Këshillit Drejtues të UP-së; më duhet të ngris disa pyetje për këtë grup të vogël prej vetëm 17 deputetësh të këtij “Parlamenti Studentor”. Si student, dhe votues në zgjedhjet e fundit të studentëve të Universitetit të Prishtinës kërkoj të di nga “të zgjedhurit” e studentëve me cilën nga kërkesat e protestës nuk pajtohen dhe do të doja shumë të ma shtjellonin pse? Përse kolegët e mi të këtij grupi të vogël 17 vetësh të Parlamentit Studentor (disa herë numër më i vogël sesa i protestuesve para rektoratit) nuk pajtohet që rektori të japë dorëheqje? Pse nuk duhet të zgjerohen hetimet për Skandalet në UP? Pse të mos hiqet Këshilli Drejtues e të mos i kthehen kompetencat Senatit siç është në të gjitha universitetet publike në botë? Kur të jenë përgjigjur në të gjitha këto pyetje do të doja gjithashtu të dija: në cilën agjendë politike bënë pjesë ky grup i vogël i 17 deputetëve të “Parlamentit Studentor”?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura