BASHKIM KAJDOMҪAJ: GJUHA E PËRDORUR NGA RrOK-u ËSHTË E ULËT DHE S’JA VLENË TË MERRESH ME TA

Prizren, 22. 04. 2013 – (Reagim ndaj “Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Prizren” RrOK) – Për opinion publik më duhet të sqaroj si më poshtë: Aplikimi për anëtar të Këshillit për Trashëgimi Kulturore ka qenë publik, i shpallur nga Komiteti për Politik e Financa i Komunës së Prizrenit. Unë kam aplikuar dhe jam pranuar (e mora rekomandimin në Prishtinë). Jam votuar në Asamblenë Komunale nga shumica e asambleistëve, për çka i falenderoj të gjithë, si do që të kenë votuar.
Janë obligime ndërkombëtare, që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit (siç e dimë) si Kushtetuta ashtu edhe ligjet për pakicat, e në këtë rast njëjtë është edhe me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, ku si rrjedhojë është detyrimi, që të formohet Këshilli për Trashëgimi Kulturore, që s’është organ vendimarrës – ekzekutiv, por këshilldhënës dhe vëzhgues.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka dhënë mendimet e veta, lidhur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, para miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Ligji ka kaluar (është votuar) në Kuvendin e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuse s’ka dhënë mendim se ky mekanizëm është kundërkushtetues, – siç pretendon Rrok-u.

Bashkimi Kajdomçaj, koordinator i KMDLNJ-së për Rajonin e Prizrenit dhe anëtar i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit.

*  *  *

Por derisa të gjithë po thirremi në shtet ligjor, atëherë më shumë se kushdo shoqëria civile (qoftë edhe RrOK-u), duhet të respektoj ligjet e shtetit të Kosovës, madje të jetë shembull. Duhet të jemi institucionalistë dhe të respektojmë ligjet e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, Këshilli i Trashëgimis Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit, nuk është e vërtetë që është kundërkushteues. Unë jam konsultuar edhe me z.Kadri Kryeziu, nga Gjykata Kushtetuese dhe më ka thënë se: ‘s’ka asgjë kundërkushteuese’. Përndryshe, nëse nesër merret Kushteuesja dhe bie vendim të kundërt unë tërhiqem.
E vetmja e vërtetë që thotë “Rrok’u” është se nuk jam pjesë e këtij asociacioni. Ndërkaq, për fuqinë e saj, ata kurrë s’do të mund të maten me atë të KMDLNJ-së, jo në nivel qendror por atë lokal.
Gjuha e përdorur nga Rrok-u është e ulët që s’ja vlenë të merresh me te. Për kredibilitet, ne jetojmë këtu. Kemi pasur rastin të tregojmë vlerat. Jam krenar për të kaluarën time. Puna për shtetin nuk ndalet kurrë. E di që disa kanë qenë produkt i shumë mekanizmave qoftë partiak, dhe kanë zhvatë mjete në emër të shoqërisë civile dhe për shoqërinë civile. Por, kjo le të jetë në ndërgjegjën e tyre.
Do të mundohem që me përvojën time të jap më të mirën për qytetin e Prizrenit dhe qytetarët, që ta ruajmë trashëgimin e lashtë historike të qytetit dhe vlerat që ka, duke respektuar ligjet e shtetit të Kosovës”.
Me respekt,
Bashkimi Kajdomçaj, koordinator i KMDLNJ-së për Rajonin e Prizrenit dhe anëtar i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit
Prizren, 22. 04. 2013

================================

DEKLARATË

e Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Prizren në lidhje me emërimin e tre anëtarëve të parë të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit.

Prizren, 22 Prill 2013 – Përmes kësaj deklarate publike, Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren dëshiron të njoftojë publikun se personat e emëruar në Këshillin e Trashëgimisë Kulturore nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit si përfaqësues të shoqërisë civile, nuk e përfaqësojnë vullnetin e RrOK-ut dhe të anëtarëve të tij. Këta “përfaqësues të shoqërisë civile” të emëruar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit nuk përfaqësojnë asgjë më shumë se vullnetin e tyre personal, që nënkupton se edhe vendimet e tyre brenda Këshillit nuk do t’i marrin në emrin e shoqërisë civile. Së paku, jo në emër të Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Prizren, që është rrjet i mbi 20 organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në kulturë dhe trashëgimi kulturore në Prizren. Kjo është aleanca më legjitime dhe gjithëpërfshirëse e shoqërisë civile në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Prizren.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit para disa ditësh ka emëruar tre anëtarët e parë të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore, që buron nga Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit. Është thënë se këta persona janë përfaqësues të shoqërisë civile të Prizrenit në këtë Këshill. Në cilësinë e ekspertëve të trashëgimisë kulturore janë emëruar Vesel Hoxhaj dhe Shkodran Kryeziu, ndërsa si përfaqësues i tretë i shoqërisë civile është emëruar Bashkim Kajdomçaj. Në fakt, këta kanë qenë të vetmit që kanë konkurruar për këto tri pozita, që njëherit paraqet edhe degradim të institucionit të konkursit publik. Në anën tjetër, një numër kaq i vogël i konkurrimeve për këto pozita konfirmon fuqinë e thirrjes publike që Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren kishte bërë menjëherë pas shpalljes së konkursit, që shoqëria civile të mos bëhet pjesë e këtij mekanizmi kundër-kushtetues.
Jemi të vetëdijshëm se pushteti gjithmonë do të gjejë mundësi alternative që përmes njerëzve të dëgjueshëm dhe joparimor t’i shtyj proceset përpara dhe të krijojë përshtypjen se po respektohen parimet e vendimmarrjes demokratike. Këto veprime janë denigruese dhe fyese ndaj shoqërisë civile të Prizrenit dhe ne në RrOK nuk do të heshtim dhe nuk do t’i bindemi asnëherë këtyre lojërave.
Në emër të RrOK-ut,
Besar Haxhibeqiri, Koordinator i Rrjetit
Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren
Rr. Saraqët Nr. 5, 20000 Prizren
+381 29 222 771 & +386 49 526 516

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura