BASRI O.KODRA: SI U NJOHA ME AVDYL DURËN

Prishtinë, 25. 08. 2015: Avdyl Durën nuk e kam takuar nëpër librat shkollorë të historisë. As nëpër ligjëratat, qoftë të paautorizuara, të mësimdhënësve të historisë të viteve ’90-ta kur mësonim nëpër shtëpitë-shkolla. As në ndonjë emër rruge, bulevardi, sheshi, shkolle apo institucioni shoqëror, apo në ndonjë shtatore që do të duhej ngritur për te diku në ndonjë nga këto hapësira të qytezës së Kaçanikut. As nëpër akademi përkujtimore a mbledhje përurimi të ndonjë libri që do të fliste për te, nën përkujdesjen e institucionit të Kryetarit të Komunës. Jo vetëm sa qe gjallë por edhe për së vdekuri ai zyrtarisht qe i ndaluar. Çudia ndërkaq ndodhi që edhe pas largimit të Serbisë, ndalimi i tij institucional u pasua me harresë institucionale! Institucionet, as ato paralele pas rënies së komunizmit të viteve ’90-ta e as këto vasale të pas vitit 1999 nuk e njoftuan askënd fare me Avdyl Durën! Vetëm një njeri, i quajtur Ramadan Asllani, më 1998, me nismë private e me shpenzime private, do të përpiqet mrekullisht, ta njoftoj popullin, brezat e rinj, për këtë figurë madhore të historisë sonë duke shkruar një libër për te, bazuar kryesisht në rrëfimet e bashkëkohësve të heroit. Kjo është një vepër me vlerë të paçmueshme dokumentare. Ai mblodhi aty kujtesën e bashkëkohësve në mënyrë që bashkëkohësit të jenë gjithmonë me ne. Por megjithatë, ky për mua nuk do të jetë rasti i njohjes. Tashmë atë e njihja prej kohësh. Kur dhe si u njoha atëherë me te, do rrëfejë në vazhdim.
Avdyl Durën e njoh qysh se kam qenë fëmijë, prejse më lejonin burrat të qëndroja në odë. Ai vinte shpesh në odën tonë, në Kryenjevë. Vinte jo vetëm tek ne por edhe në odat tjera të asaj kodre malore të katundit, normalisht aty ku kishte besim dhe ku e prisnin. Kur vinte tek fqinjët, unë nuk e shihja, ngase babai nuk më merrte me vete sa isha i vogël – atje e kam parë vetëm pasi jam rritur. Ai vinte më së shpeshti si kaçak. Zakonisht vinte kur kishte mysafirë, por mund të ndodhte të vinte edhe kur ishim vetëm ne të shtëpisë. Kur qëllonte të kishim mysafirë, qëndronte më gjatë, ndërsa kur s’kishte mysafirë rëndom qëndronte më shkurtë. Dimrit vinte më shpesh dhe qëndronte më gjatë. Nuk mbaj mend të ketë ardhur i vetëm – zakonisht kishte dikë me vete, ndonjë kaçak a veprimtar me të cilët kishte rastin të vepronte, si Din Hoxha apo Sadik Tusha, Mulla Ismaili apo Arif Kapetani, e të tjerë. Ndërsa më së shpeshti vinte me Ramë Bekën. Madje mund të them se pa Ramë Bekën nuk ka ardhur asnjëherë. Ai vinte natën dhe ikte pa zbardhur dita. Sa herë që në dimër vinin e sa herë që shkonin, një pyetje e njëjtë më brente: përse i mbathnin opinga ashtu së prapthi – thembrën kah gishtat! Këtë tek vonë e kam kuptuar.

Kurrë s’mund ta largoj nga mendja figurën e tij: i madh si një kolos (ashtu si personaliteti i tij), mbase përfytyruar nga perspektiva e kujtesës fëmijërore, por edhe nga veshja e tij – guna e tij e madhe dhe e trashë, me lesh mbi supe e rreth qafe, e blerë në Sofie të Bullgarisë, takëmi i tij i sahatit me qostek që i varej në gjoks bashkë me dylbitë, qelibari dyzetë centimetra i gjatë ku thithte duhan, shoka e lidhur dredhë-dredhë që i shtrëngonte brezin përthekuar me një rrip lëkure që tutje nën gunë mbante armët e vogla, dhe sidomos pushka automatike e prodhimit gjerman e kohës së Hitlerit – të krijonte përshtypjen e një njeriu të pamposhtur fizikisht; qëndrimi i tij tepër burrëror dhe shumë hijerëndë – seriozitetin e impononin veç tjerash edhe mustaqet e tij, me formën, gjatësinë dhe madhësinë proporcionale jo vetëm me shtatin dhe kokën e mbuluar me plis të bardhë por edhe me rolin dhe detyrën që kishte marrë përsipër si dhe kohën në të cilën jetonte; vetullat e tija të ngrysura, në formë shigjete, plotësisht simetrike ndaj hundës së drejtë pak të ngritur në mes të syve përshkënditës, i jepnin fytyrës një shprehje që rrëfente njëkohësisht si vuajtjen dhembjemadhe për dramën familjare dhe kombëtare që i kishte ndodhur, ashtu edhe karakterin tepër të fortë e të pathyeshëm kurrënjëherë, që kishte!
Kur vinte Ai, më dukej vetja shumë më i sigurt, më të sigurt më dukeshin edhe konaku, edhe katundi. Qytet nuk kishte! Njëmendësia çuditërisht kurrë s’ishte qenë kështu. Nuredini i Mustafës dhe Ganiu i Halilit kishin mbajtur nga 18 muaj burg për shkak se kishin strehuar, mbajtur e ushqyer kaçakët kur qenë gjallë. Por edhe pse i dija të gjitha këto, prapë ndihesha më i sigurt. Paradoksalisht ata për mua krijonin atmosferë sigurie. I nxitur më shpesh nga gjyshi, por edhe nga babai e xhaxhallarët apo nga ndonjë prej mysafirëve, herë ai e më shpesh Ramë Beka, tregonin çfarë kishin përjetuar e ç’u kishte bërë vaki, qoftë ditëve të fundit apo edhe vite më parë.
Kështu për shembull, më kujtohet përshkrimi për luftën në Bukovik kur kaçakët qenë rrethuar nga forcat e milicisë dhe ushtrisë të cilët i udhëhiqte një oficer serb, dhe i cili fshihej pas lisave të trashë e të gjatë të Sharrit gjersa drejtonte njësitin duke kaluar nga një lis tek tjetri. Kështu do të vazhdoj derisa nuk do ta hetoj Ramë Beka i cili do tu thirr shokëve: ‘’Junankën vllazën, sillmani junankën!’’ (e kërkonte pushkën e gjatë të prodhimit grek), e të cilën dorë-mas-dore ia ofrojnë, e me të cilën Ramë Beka – ky shejtar i shkathtë, e plandosë për tokë komandantin që fshihej pas lisit pa qenë nevoja ta shënjestroj trupin e tij por vetëm trupin e lisit.
Një ngjarje tjetër që më ka lënë mbresë, e që është ngjarje që jep një porosi tepër të mençur për mendjemëdhenjtë, është ajo e rrethimit të kaçakëve në Gërlicë (afër Komogllavës). Një mëngjes herët tek sa komandanti i milicisë po përgatiste njësitin për një aksion në ndjekje të kaçakëve diku në rajonin e Hanit të Elezit, e dëgjon një milic shqiptar (ata ia thoshin edhe emrin) duke thënë ‘’O Zot, piqem sot në Avdyl Durën’’ e duke i ra pushkës në kondak me shuplakë të dorës gjersa shqiptonte këtë lutje me zë të lartë! Komandanti, i cili siç mund të kuptohet nga ngjarja ishte në dijeni të vendndodhjes së saktë të kaçakëve, por që nuk donte ta përballte xhandarmërinë me ta, kur e dëgjoi këtë krekosje të madhe të këtij njeriu që i kishte pas hyrë vetja fort në huj e po ia merrte mendja se mundet me nxënë aq lehtë udhëheqësin e luftës së Karadakut, nuk iu durua më dhe menjëherë dha urdhër për ndërrim objektivi për në Gërlicë, duke dashur njëkohësisht t’i jepte edhe një mësim të mirë këtij farë milici, ku dhe i thonë: ‘Nëse bash do me u taku me Avdylin unë ta bëjë të mundur por nuk besoj se ke me u da mirë me te’. Dhe ashtu ndodhi, kaçakët u rrethuan para agimit në Gërlicë, ndërsa pushka e parë e kaçakëve e kapë atë farë ‘trimin’ që kërkonte ‘me u pjekë’ me Avdyl Durën! Në këtë betejë Avdyli do të plagoset, ndërsa plumbin nga trupi do t’ia heq Rama, me thikë, në livadhin e Trenajve të Stagovës prej ku do vazhdojnë udhën për Drenovë (Drenogllavë).
Ka tepër shumë ngjarje që tregoheshin kur vinte në odën tonë Ai bashkë me Ramën, por i zgjodha këto dyja pak më interesante ndërsa kjo e fundit me porosi morale si ato të fabulave të La Fontenit.
Por vitet kaluan, si përherë, pa pushim, e bashkë me to edhe historia e vizitave që Ai si kaçak i bënte familjes sonë do të ndryshoj çuditshëm. Ai gradualisht filloi t’i pakësonte vizitat. Vinte gjithnjë e më rrallë. Sa më shumë që rritesha aq më rrallë vinte. Gjersa sot pothuajse nuk vjen kurrë! Edhe në ndodhtë të vjen ndonjëherë, vjen disi i shpërfytyruar, mezi e njoh, vështirë ia dalloj zërin, nuk ia shoh as shkëlqimin e syve dikur aq zhbirues. Edhe veshjen e ka tjetër lloj. Ashtu edhe armët. Madje ato shpesh herë edhe i ndërron. Tash nuk flet më si më parë por heshtë, heshtë duke qëndruar në skaj të dhomës i peshuar në njërin krah e i mbuluar me qyrk sikur të ishte sëmurë a plagosur. Edhe në ndodhtë që ndokush ta pyesë diçka, Ai mezi përgjigjet, si nëpër jerm. Më krijon përshtypjen se iu kanë shterur fort fuqitë, se iu kanë fshirë të gjitha ngjarjet nga kujtesa, ndërsa pyetjet ose nuk arrin t’i dëgjojë më ose nuk i bëjnë përshtypje ngase i duken fare të pavenda. Duket se e ka hetuar se kohanikët e tij nuk do të arrijnë ta bartin kujtimi për kohën e tij përtej ndalesës së porositur institucionale të pushtetit. Por, sigurisht, Atij kurrë nuk do t’i ketë shkuar në mendje se kjo kohë do të zgjatet edhe më tej duke u pasuar me kohën e harresës institucionale. Ta dinte – sa shumë do të ishte trishtuar!
Me vdekjen e gjyshin, babait dhe xhaxhallarëve të mi ka pushuar më të vij edhe Avdyl Dura me shokët e tij në konakun e familjes tonë.

Basri O. Kodra, 11. 08. 2015. Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura