Prishtinë, 12 janar2021: Kur me vetflijim i jep kuptim lirisë
Në kohën e vlimeve të mëdha historike , personalitetet e mëdha e që nuk pyesin për çmimin që duhet paguar për liri dhe bashkim kombëtar, kontribuojnë me një shkronjë apo edhe më shumë në plotësimin e kuptimit të fjalës liri . Ndër personalitetet e Shekullit të Shqiptarëve , që nga Rilindja Kombëtare e deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës , pa asnjë dyshim është edhe Rexhep Mala i cili , si degëzim i rrënjëve kombëtare të familjes Mala , nuk mund të zhvillohej ndryshe apo ta ketë tjetër përfundim si Rexhep Mala veç ashtu siç veproi dhe si përfundoi , një patriot i bindur , sakrifikues në çdo situatë që nuk njihte asnjë pengesë në rrugëtimin e vaprimtarisë kombëtare , deri në kohën kur u martirizua , bashkë me Nuhi Berishën në datën midis 11-12 janarit të vitit 1984 në Prishtinë , përkatësisht në Lagjen Kodra e Trimave e që më parë quhej Vranjevc. Rexhep Mala e kishte përnjëmend që e dëshmoi me jetën , veprën dhe sakrificen që e bëri. Rexhep Mala ishte njeri i madh , shqiptar i madh dhe patriot i madh , në kuptimin e plotë të fjalës. Ishte një vazhdimësi e përpjekjeve për ruajtje të identitetit dhe qenies kombëtare , nga ilirët e deri në çastin kur u flijua në një luftë të pabarabartë me policinë serbe ku , pa asnjë dyshim kishte edhe milicë serbë që flisnin por nuk mendonin apo frymonin shqip. Për fat të keq , këta bastardë ishin shqiptarë , me mendësi serbe ! Rexhep Mala kishte frymëzim luftën guerile të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut , Filozofinë politike dhe ushtarake të Hasan Prishtinës , guximin dhe gatishmërinë për sakrificë të Isa Boletinit , patriotizmin dhe vendosmërinë e Hoxhë Idriz Gjilanit dhe të Idriz Seferit sikur që , në një mënyrë apo tjetër identifikohej me Çerçiz Topullin ndërkaq që Bacën Adem Demaçi e kishte frymëzim të përhershëm , të pazëvendësueshëm dhe të pakundërshtueshëm. Mirëpo , për Rexhep Malën , Shqipëria ishte mbi të gjitha dhe se , nëse në prani të Rexhep Malës , edhe në mungesë të informatave për qëndrimin e tij për Shqipërinë e keni dhënë ndonjë kritikë , nuk keni shpëtuar lehtë nga Rexhepi , nëse keni shpëtuar fare! Në Burgun e Foçës , ku më dërguan në vitin 1981 , pasi më dënuan me 3 vjet burg për propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë , gjatë qëndrimit në karantinë , personi i parë që më vizitoi ishte Rexhep Mala i cili ishte , në atë kohë i burgosuri i vetëm politik shqiptarë në Foçë për faktin se Skender Kastrati dhe Agim Sylejmani ishin dënuar me izolim dhe ishin dërguar në burgjet e tjera të Bosnjes dhe Hercegovinës. Gjatë kohës së paraburgimit në Burgun e Qarkut në Sarajavë , një i dënuar që kishte ardhur në rigjykim nga Burgu i Foçës më tha se : “ në Foçë është një person i jashtëzakonshëm , edhe si njeri , edhe si i burgosur politikë shqiptarë e që ishte shembull për të gjithë të burgosurit e tjerë , Rexhep Mala ..”. Unë kisha lexuar shumë për burgje dhe kisha dëgjuar për shumë të burgosur politikë shqiptarë , mirëpo nuk kisha qenë më parë në burg prandaj më mungonte ajo ana emocionale e përjetimit të burgut . Sa kam qëndruar në karantinë ( afërsisht 40 ditë ) , Rexhep Mala më vizitonte disa herë në ditë për të më dhënë kurajo e që ishte me rëndësi të veçantë për një të burgosur , pa përvojë. Më vonë në Burgun e Foçës u kthyen Skender Kastrati dhe Agim Sylejmani . Që të tre ishin të jashtëzakonshëm në qëndrimet e tyre dhe vendosmërinë që , edhe nga mjedisi i burgut të kontribuojnë në zhvillimet politike në Kosovë dhe hapësirat ku jetonin shqiptarët. Që të tre kishin kaluar në torturat më të rënda të mundshme mirëpo në asnjë rast nuk i përmendnin ato për faktin se ishin të farkuar për çdo sakrificë që kërkohej nga ata . Rexhep Malën e kam parë vetëm një herë të “ ligështohej “ , përkatësisht kur kuptoi për vrasjen e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Në Burgun e Foçës kishte pak të burgosur politikë ; ishte kroati Nikolla Novakoviq , themelues i Partisë Fshatare Kroate , një farmacist që fliste rrjedhëm 9 gjuhë botërore dhe që përpiqej ta mësonte gjuhën shqipe ndonëse ishte mbi 76 vjeç. Para luftës së dytë botërore thoshte se kishte punuar si farmacist në Durrës dhe kishte mbajtur mend vetëm disa fjalë në gjuhën shqipe. Ishte aty edhe famullitari Jozo Zovko , i dënuar për faktin se në një pelegrinazh në Megjugorje , besimtarëve , disa dhjetra-mijëra , u kishte mbajtur një fjalim politik.
Burgu në Mostar
Pas demonstratave të vitit 1981 . një numër i të burgosurve politikë shqiptarë u transferuan në Foçë në ndërkohë që Skender Kastratin , Rexhep Malën , Agim Sylejmanin dhe mua na dërguan në Burgun e Mostarit për të mos ushtruar ndikim te të burgosurit politikë që do të transferoheshin në Burgun e Foçës. Gjatë qëndrimit në Burgun e Mostarit , kishim kontakt me shumë të burgosur politikë kroatë që dënoheshin për kundërvajtje shkaku se këndonin këngë nacionaliste apo angazhoheshin për pavarësinë e Kroacisë. Në mesin e tyre ishte një ish – futbollist i Velezhit të Mostarit dhe reprezentacionit të Jugosllavisë , Jadranko Topiq dhe klerikë kroatë. Nacioanlistët kroatë të Hercegovinës ishin patriotë të jashtëzakonshëm që u shquan në luftën atdhetare kroate e sidomos në mbrojtje të Dubrovnikut. Rasti i dytë kur e kam parë “ të ligështuar “ Rexhep Malën ishte data e 23 majit 1983 kur u lirua nga Burgu i Mostarit sepse aty mbetën në vuajtje të dënimit dy shokë të idealit , Skender Kastrati ( me të cilin ishte në një grup që u dënuan ) dhe Agim Sylejmani. Unë u lirova dy ditë pas Rexhep Malës , më 25 maj 1983. Rexhep Mala përshëndetej me shokë të idealit me : “ mirë u pafshim në betejat e radhës , deri në çlirim dhe bashkim kombëtar …”. Nuk kishte rrugë tjetër për Rexhep Malën sepse kuptimi i jetës së tij ishte lufta për liri dhe bashkim kombëtar . Për këtë qëllim kërkonte bashkëluftëtarë dhe bashkudhëtarë , mbrapa të cilëve kurrë nuk fshihej por gjithmonë ishte i pari në përballje me rrezikun. Ishte gueril i lindur dhe luftëtar i bindur . Me një trup muskuloz , me një mjekërr si Çerçiz Topulli , i vëmendshëm deri në perfeksionim , vështirë se do të mund të kapej nga organet ndjekëse të Serbisë dhe Jugosllavisë. Rexhep Mala ka mundur të kapej vetëm në saje të gabimeve të të tjerëve apo mungesës së kujdesit për aktivitete ilegale nga të tjerët. Pas daljes nga burgu , Rexhep Mala nuk e ka lëshuar Kosovën por se ka vepruar dhe mbijetuar në ilegalitet të thellë duke vepruar në hundën e armikut , në Prishtinë ku kanë qenë të përqëndruar hetuesit më të shquar të policisë serbe dhe jugosllave dhe ku ishte formuar një ekip i veçantë për kapjen e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës . Për aq sa e kam njohur Rexhep Malën , jam i sigurt se në asnjë rrethanë nuk do të binte i gjallë në duart e policisë apo UDB-së serbe dhe jugosllave.
Kosova pa dhe ne Rexhep Malën
Po të jetonte Rexhep Mala në Kosovën e sotit do të ndjehej shumë i dëshpëruar për faktin se kjo Kosovë , as si kornizë nuk i përmbysh qëllimet e Rexhep Malës. Nuk do ta pranonte dhe nuk do të pajtohej me këtë gjendje. Nuk do të mund të mbijetonte si pjesë e këtij moçali politik ku antivlerat dhe ata që e kanë futur në burg Rexhep Malën po bëjnë politika për Kosovën. Them se është shumë më dinjotoze rënia heroike e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës se jeta në këto kushte dhe në këto rrethana. Disa personalitete lindin , jetojnë , veprojnë dhe kalojnë në amshim sepse janë të përcaktuar ta përmbushin një mision historik , kombëtar dhe njerëzor. Për ta nuk është me rëndësi kohëzgjatja e jetës por me çka e përmbushin jetën e tyre. I tillë ishte Rexhep Mala . Ai nuk e pranonte lirinë e asaj kohe të shndërruar në robëri të jetueshme . Rexhep Mala nuk do të pajtohej as me këtë liri , që për dikend është bërë parajsë e grykësisë , do ta kundërshtonte me gjithë forcën sikur që nuk do të pranonte të jetonte me këta “ gjarprij të gjakut “ , pavarësisht nëse më parë i kishte shokë. Rexhep Mala e kishte zgjedhur vet rrugën e lirisë , rrugën e sakrificës për popullin dhe atdheun , jo se ia kishte imponuar dikush . Prandaj , jam i sigurt se Rexhep Mala , ndjehet shumë më mirë në shoqëri me Nuhi Berishën , Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin , Isa Kastratin , Agim Ramadanin , Sali Çekun , Ilaz Kodrën , Remzi Ademajn , Luan dhe Shkelzen Haradinajn , Zahir Pajaziti , Afrim Zhitia , Bahri dhe Fahri Fazliu e sidomos me dy komandantët të cilëve do iu shërbente me besnikëri dhe përkushtim të plotë ; me Bacën e Madh , Frymëzuesit dhe Sakrifikuesit për Liri , Pavarësi dhe Bashkim Kombëtar , Adem Demaçin dhe Komandantin Legjendar , Adem Jashari sikur me të gjithë heronjtë e kombit ( ata të vërtet ) , dëshmorët e kombit dhe ushtarët e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Rexhep Mala nuk do të duronte që shokët e idealit dhe të luftës t’i tërheqin zvarrë burgjeve të Kosovës apo t’i degdisin nëpër burgjet e shteteve të huaja shkaku që nuk e duan muzikën politike dhe shoviniste sipas notave të Vuçiqit dhe Sheshelit sikur edhetë disa grabitçarëve ndërkombëtarë!
Rexhep Mala ,në rrugëtimin drejt qëllimeve që ia kishte vënë vetes , shkoi deri në fund , nuk u lig e as nuk u dorëzua duke ia dhënë Kombit dhe Atdheut krejt ate që pati mundësi t’ia jepte , jetën e vet. Rexhep Mala e kishte dhe e ka një grua të jashtëzakonshme , Hanifen që ishte dhe është pjesë e pandashme e jetës dhe amshimit të Rexhës. E ka Fitoren , që fare pak e përjetoi dashurinë e babait Xhepës për të cilin më shumë ka dëgjuar nga shokët e Rexhepit. Edhe vëllai Hasani nuk iu nda kurrë në të gjitha përpjekjet e Rexhepit.
Rexhep Mala e bëri ate që kërkohej nga ai dhe nga çdo shqiptar që i ka borxh Kombit dhe Atdheut , lirinë dhe bashkimin kombëtar . Po ne që krenohemi se kemi qenë në burg me Rexhepin , që kemi qenë shokë të Rexhepit , ç’kemi bërë për ta arsyetuar kujtimin për veprën , jetën dhe sakrificën e Rexhepit. Disa kemi bërë shumë pak , disa të tjerë të kundërtën që e ka bërë Rexhep Mala duke u ndalur në fillim të rrugës.
Lavdia iu takon atyre që krijojnë vepra , turpi iu takon atyre që duan të përfitojnë nga vepra e të tjerëve ! Në Medalonin e Lavdisë , ana e Artë dhe e ndritshme e lavdisë është e tyre që krijuan vepra ndërsa ana e flakëruar e që i ka rënë shkëlqimi , deri në ndryshkje , jemi ne të cilët u ndalëm në gjysmë të rrugës apo u dorëzuam para lakmisë së parë, të postit apo asaj materiale!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA 11 janar 2021 Prishtinë
Postime të Lidhura
BEDRI TAHIRI: NJË MANIFESTIM I QËLLUAR, POR QË LA PËR T’U DËSHIRUAR
Prishtinë, 05. 07. 2012 – (Shkrim me shkas: Kujtesё e zvetёnuar historike) – Kishte ditё qё njё lajm…
LAVDIM HAMIDI: DËSHTAKËT E KOMUNAVE NË FUSHATË!
Prishtinë, 06. 06. 2014 – Agim Bahtiri kryen punë! Barrikada që ndan jugun nga veriu i Mitrovicës është…
ARTAN LAME: SI PO SHKATËRROHET TRASHËGIMIA JONË HISTORIKE?!
Tiranë, 07. 07. 2012 – Që kur është zënë bota, njerëzit janë përpjekur të mbrohen dhe për këtë…
AHMET QERIQI: IKANAKËT GJATË LUFTËS, MATRAPAZË E PROFITERË PAS LUFTËS!
Prishtinë, 26. 10. 2013 – Lufta e UÇK-së në Kosovë, (1998-1999) ka shumë veçanti, të cilat duhen parë…