FETNETE RAMOSAJ: LIRIBËRËSIT NUK KANË NEVOJË PËR FALJE, AS PËR MËSHIRË, KANË NEVOJË PËR DREJTËSI

Deçan, 27. 11. 2012 – (Serbia e dominuar nga kriminelë lufte, e pa penduar dhe e pandëshkuar për krimet e gjenocidin dhjetëvjeçar trazon të tashmen dhe tenton të mbajë peng të ardhmen e rajonit) Sivjet kur po shënojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar jemi të vetëdijshëm se gjenocidi serb, krimet dhe terrori i ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare ka përmasa shumë më të mëdha sesa që e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e deritanishme. Vetëm në periudhën tetor 1912 – mars 1913, kur filloi pushtimi serb i Kosovës, sipas dëshmive autentike të Leo Friendrich te “Golgota Shqiptare”, në Kosovë u ekzekutuan dhe u masakruan mbi 25 mijë shqiptarë. Ndërkaq, sipas një raporti të fshehtë të përfaqësisë austriake në Shkup, dalin të dhëna edhe më tronditëse: vetëm gjatë vjeshtës së vitit 1912, nga ushtria serbe janë vrarë 47 mijë shqiptarë. “Masakrat që i bënë serbët në Kosovë, kapërcejnë çdo instinkt gjakpirës”, do të shkruante gazetari i “New York Times”-it, Pickthal, dëshmitar okular i këtyre ngjarjeve të llahtarshme. Tërësisht identike janë krimet dhe gjenocidi serb që e kryen gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Pikërisht, pas 100 vjetësh, presidenti serb, vojvoda çetnik Tomisllav Nikoliq, kalon në shtetet fqinje (siç është rasti me pjesëmarrjen dhe deklarimet serbomëdha në ceremoninë e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë Ballkanike në Zebërnjak të Kumanovës), për t’u thurur lavde krimeve e masakrave makabre mbi popullin shqiptar. Njëkohësisht vojvoda çetnik Nikoliq, mohoi edhe gjenocidin serb në Bosnjë e në Kroaci e të mos flasim për rastin e Kosovës. Për këto veprime serbomëdha e luftënxitëse të të parit të Serbisë dhe të tjerëve nuk kishte ndonjë reagim adekuat nga Brukseli zyrtar.
Zgjedhjet e sivjetme në Serbi pas dhjetë vjetësh ia çjerrën maskën “demokratizimit” aq të trumbetuar të Serbisë. Ardhja në pushtet e komplet garniturës së Millosheviqit, e cila në fillim të viteve ’90-të i shkaktoi dhe i zhvilloi katër luftëra gjenocidiale në ish-Jugosllavi, është tregues i qartë se mentaliteti në Serbi për asnjë milimetër nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj luftënxitës e serbomadh. Aparatura pushtetare e dominuar nga kriminelët e luftës, e udhëhequr nga tandemi Nikoliq-Daçiq, vërtetoi sërish atë që është dukuri historike në Serbi, e cila tradicionalisht i shpërblen kriminelët.

Kriminelët serbë në krye me Vidomir Shalipurin!

……………………………………………………….

Si dikur kryekrimineli i Ballkanit, Millosheviq, edhe sivjet, “Slloba i Vogël” – Ivica Daçiq, zëdhënësi i luftës i Millosheviqit, i fitoi zgjedhjet në Serbi, në saje të arrestimeve dhe keqtrajtimeve kundër shqiptarëve. Veç tjerash, në vend se të ndëshkoheshin nga drejtësia ndërkombëtare për krimet dhjetëvjeçare që i kryen në fundshekullin XX, ardhja në pushtet në Serbi e nomenklaturës kriminale të Millosheviqit, që ishte shkaktare e katër luftërave, në të cilat i kryen krimet e gjenocidin më të tmerrshëm në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, është edhe një tregues i qartë për dështimin e politikës ndërkombëtare në raport me Serbinë, e cila gjatë gjithë kohës u përkëdhel dhe u tentua të amnistohet për krimet e gjenocidin e shkaktuar. 
Veç kësaj, kontrollimi i shërbimeve të sigurisë dhe i mekanizmave të tjerë shtetërorë serbë nga kuadrot e vjetra të Millosheviqit, i kuadrove “të dëshmuara” në Kosovë, madje i kuadrove të komprometuara publikisht për përfshirje në krimet e luftës në Kosovë, që pa asnjë dyshim do të duhej të përgjigjeshin për krime lufte para Tribunalit Ndërkombëtar, është tepër i rrezikshëm dhe me pasoja. Mjafton të përmendim se kryeministri serb, Ivica Daçiq – “Slloba i Vogël”, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, e ka kontrollin mbi Policinë dhe Xhandarmërinë por edhe mbi Shërbimin Sekret Serb – BIA. (Shërbimi sekret BIA deri në këtë mandat ishte nën kontrollin e presidentit serb, ndërsa tani i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit të Serbisë). Aleksandar Vuçiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, zëvendës i Tomisllav Nikoliqit, të cilin e pasoi në krye të partisë, në kohën e Millosheviqit ishte ministër i Informatave, i njohur për qëndrimet e tij ekstreme gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) por edhe para saj. Qysh në vitin 1995, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Radikale Serbe (SRS), së bashku kryetarin e partisë, Vojisllav Sheshelin, Tomisllav Nikoliqin, dr. Nikolla Poplashenin, Maja Gojkoviqin, Ranko Dujiqin e Aqim Vishnjiqin e hartuan dhe e nënshkruan platformën antishqiptare – programin e “Drejtoratit Qendror Atdhetar të Partisë Radikale Serbe” (SRS), me titull “Si do ta zgjidhin serbët problemin e Kosovës”, i cili në detaje parashihte spastrimin etnik të Kosovës nga popullsia shqiptare dhe kolonizimin me gjysmë milioni serbë, parashihte që Prishtina të ishte kryeqyteti i Serbisë, që këtu të vendoseshin qendrat e forcave ushtarake e policore të Serbisë, që përqindja etnike e popullsisë me të gjitha mjetet të ndryshohej dhe sillej në shkallën 50:50, etj. Po ashtu, gjenerali serb Lubisha Dikoviq, i cili në vend që të jepte llogari për krimet e luftës, masakrat, dhunimet e qindra femrave shqiptare dhe spastrimin etnik që kreu ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës, ku Dikoviq e komandonte Brigadën e 37 të Motorizuar të UJ-së, ai sot gjendet në krye të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë (i emëruar nga presidenti i mëhershëm serb Boris Tadiq). Gjenerali i komprometuar Momir Stojanoviq, ish-kryeshef i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë (VBA), i cili preokupim kryesor del t’i ketë Kosovën dhe Sanxhakun, në vend se të përgjigjej për masakrën e Mejës (masakrën më të madhe në Kosovë) dhe për dhjetëra ekzekutime të tjera në masë gjatë luftës në Kosovë, është emëruar në Këshillin për mbrojtjen dhe sigurinë e Serbisë. Anëtar i këtij këshilli është edhe gazetari i dikurshëm i Radio Televizionit të Serbisë (RTS), Millovan Drecun, i njohur për veprimtarinë antishqiptare që nga fundi i viteve ’80-të. Ministër i Jashtëm i Serbisë, është Ivan Mrkiq, ish-shef shumëvjeçar i kabinetit të akademikut serbomadh Dobrica Qosiq, njëherësh njëri ndër figurat më të besueshme të Millosheviqit. I njohur si rojtari i “arkës së Sllobodan Millosheviqit”, emri i Mrkiqit lidhet me transferin e miliona dollarëve nëpërmjet postës diplomatike nga Beogradi në bankat qipriote. Zoran Stankoviq, njeri i afërt i Millosheviqit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë në krye të VMA-së (Akademisë Mjekësore Ushtarake), në vend që të jepte llogari për mbi 5 mijë obduksione të dyshimta mjeko-ligjore të kryera të VMA dhe të zbardhte dyshimet e bazuara për eksperimentimet që janë bërë me shqiptarët në vend të minjve në bodrumet nëntokësore të VMA-së dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së, pas posteve të ministrit të Shëndetësisë në qeverisjen e kaluar dhe të ministrit të Mbrojtjes në periudhën 2005-2007, tani jorastësisht gjendet në krye të Trupit Koordinues të qeverisë së Serbisë për komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.
Pa i përmendur me radhë të tjerët, duhet të ndalemi edhe te një fakt. Të paktën dy anëtarë të një njësiti sekret për likuidime, sot kanë pozita të larta në Qeverinë Daçiq (të tjerët në xhandarmëri e në polici).
Bëhet fjalë për anëtarët e të ashtuquajturës Drejtoria e Gjashtë (Šesto odeljenje Centra DB-Beograd) e njohur si “Drejtoria për Vrasje” (Odeljenje DB za ubistva), e formuar zyrtarisht por në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 1999 në kuadër të Qendrës së Sigurimit Shtetëror serb në Beograd. Për ekzistencën e saj dhe veprimtarinë kriminale shtetërore u bë e ditur fare pak dhe atë pas 12-vjetësh, pra vetëm në vitin 2011.
Nën përkujdesin e kësaj “drejtorie për vrasje” rezulton të jenë kryer krime të shumta monstruoze dhe ekzekutime enigmatike në Serbi dhe jashtë saj. Sipas kryeshefit të “Drejtorisë së Gjashtë”, Ratko Romiq, kjo drejtori sekrete ishte formuar “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit” (“za vođenje obaveštajno-operativnih aktivnosti u inostranstvu”).
Ndonëse “Drejtoria e Gjashtë – Drejtoria për Vrasje”, për shkaqe konspirative përbëhej vetëm nga pesëmbëdhjetë persona, kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë që të angazhonte në operacionet e saj çdo pjesëtar aktiv të Shërbimit Shtetëror serb, e në veçanti pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO). Krahas likuidimeve misterioze, ekipet e kësaj drejtorie njëkohësisht mësohet se janë marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë. Prandaj, vrasjet politike të pasluftës në Kosovë dhe tendencat për nxitjen e një lufte vëllavrasëse, por edhe rastet e vrasjeve të banorëve serbë, duke filluar që nga aksioni i parë i vrasjes së banorëve serbë në grunajat e fshatit Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999, duhet parë në prizmin e veprimtarisë së “Drejtorisë së Vrasjeve” të Serbisë. Serbia duhet të japë llogari për veprimtarinë e kësaj drejtorie.

Kopertina e librit – Fetnete Ramosaj  “Krimet serbe në Kosovë

– PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”

……………………………………………..

Në anën tjetër, dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje ajo ka shkuar edhe më larg, me të gjitha mjetet është përpjekur të shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Edhe proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me krime lufte në Kosovë, të organizuara nga UNMIK-u dhe EULEX-i, rezultojnë të jenë tepër të njëanshme. Raporti i të gjykuarve dhe i të dënuarve për krime lufte në Kosovë është 5:1. Pra pesëfish më shumë janë gjykuar e dënuar shqiptarë, edhe pse në asnjë rast nuk kanë mundur t’i argumentojnë akuzat kundër tyre. Krahas 12 mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, eshtrat e më shumë se 5 mijë civilëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve, u gjetën në varrezat masive në Serbi. Ka raste që për vrasjen e disave është akuzuar UÇK-ja, edhe pse eshtrat e tyre janë gjetur në varreza masive në Serbi (në Batajnicë, Peruçac, Petrovo Sello etj.) pikërisht në vendqëndrimet e mekanizmave qendorë të sigurisë së Serbisë.
Përderisa pas Luftës së Dytë Botërore, në Gjykatën e Nurembergut, njerëzimi pa të ndëshkohen shkaktarët e luftërave dhe mori frymë më lirshëm, gjashtëdhjetë vjet më vonë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ndodhi e kundërta. Në këtë gjykatë nuk u trajtuan vetëm përgjegjësit dhe shkaktarët e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, por mbizotëruan tendencat e padenja të drejtësisë ndërkombëtare për barazimin e krimeve dhe trajtimin e njëjtë të xhelatëve e viktimave!
Tani kur po pritet për së dyti vendimi për lirimin e ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneralit Ramush Haradinaj me bashkëluftëtarët Lahi Brahimaj e Idriz Balaj, në rastin e rigjykimit të pjesshëm (gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në gjithë historikun 20-vjeçar të Tribunalit të Hagës), Serbia është hedhur në ofensivë për të penguar lirimin e pashmangshëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në përpjekjet për të ndikuar në epilogun e këtij gjykimi të stërzgjatur, Serbisë i është bashkuar si zakonisht edhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, të cilës shumë më shumë do t’i shkonte përshtati të ishte në krye të Prokurorisë për Krime Lufte të Serbisë.
Duhet kujtuar se derisa ishte në krye të Prokurorisë së Hagës, siç dëshmojnë ish-bashkëpunëtorët e afërt të saj, Del Ponte krye në vete i ka ngritur dy aktakuzat kundër shqiptarëve. Këtë nuk e ka bërë pse ka pasur fakte, por për të tërhequr paralele për barazimin e krimeve, për t’ia bërë qejfin Serbisë apo “për të mos iu hidhëruar Millosheviqi”. Asnjëherë ajo nuk u shërbye me dëshmi e argumente (sepse natyrisht nuk i kishte) siç ia kërkonte profesioni, por me fyerje, thashetheme, pohime absurde dhe me shpifje ekstremisht të paqëndrueshme kundër shqiptarëve të akuzuar padrejtësisht dhe kundër popullit shqiptar përgjithësisht. Në saje të zvarritjeve të paarsyeshme që ish-kryeprokurorja Del Ponte i bëri në gjykimin pesëvjeçar të kryekasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, ai nuk u dënua fare nga Tribunali i Hagës. As Serbia nuk u gjykua për gjenocid, sepse ish-kryeprokurorja Del Ponte i fshehu dhe i shkatërroi dëshmitë e krimeve serbe të luftës në Bosnjë e në Kosovë. Del Ponte me çdo kusht tentoi të ndikonte edhe në epilogun e pritur të aktgjykimit lirues ndaj Haradinajt e të tjerëve në vitin 2008, kur nuk ishte më në krye të Prokurorisë së Hagës, me përrallën shesheliane për “trafikim organesh” nga shqiptarët.
Në dy shkallët e gjykimit në Tribunalin e Hagës ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe të tjerëve, kemi parë se si u dekompozuan shpifjet dhe fabrikimet e Serbisë. Kemi parë se siç nuk ka ndodhur në asnjë rast tjetër, mbrojtja e Haradinajt dhe të tjerëve nuk pati nevojë të thërriste asnjë dëshmitar të mbrojtjes për të dëshmuar pafajësinë.
Më 29 nëntor, populli i Kosovës pret nga Tribunali i Hagës vendim të drejtë e jo të ndikuar politikisht nga Serbia, e cila as nuk është penduar as nuk është ndëshkuar për krimet dhe gjenocidin dhjetëvjeçar. Pret fitoren e domosdoshme të drejtësisë mbi padrejtësinë. Pas tetë vjetësh pret lirimin jashtëzakonisht të arsyeshëm të gjeneralit Ramush Haradinaj, i cili është personi që gjatë kësaj kohe i janë bërë më së shumti padrejtësi. Haradinaj, Brahimaj e Balaj, nuk kanë nevojë as për falje, as për mëshirë. Kanë nevojë vetëm për drejtësi, e cila nuk guxon të mungojë!
– Autorja është msc. e Shkencave të Sigurisë, autore e dy vëllimeve të librave “Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”).

Kryekrimineli i Madh Sllobodan Millosheviq dhe Slloba i Vogël – Ivica Daçiq, sot Kryeministër dhe Ministër i Brendshëm!

……………………………………………………

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura