BEHXHET SHALA BAJGORA: SYNETIA E HASHIM THAÇIT PËRMES “KORIGJIMIT TË KUFIJVE“ ME SERBINË!

Prishtinë, 4 shtator 2018: (Larg syve , larg zemrës) – Njeriu duhet të mësohet edhe me humbjen e atyre që i ka dashur dikur shumë dhe se nuk ka hidhërim të përjetshëm. Jeta vazhdon dhe kujtimet mbesin. Dashuri të përjetshme nuk ka, vetëm interesi është i përjetshëm. Më duhet ta pranoj se kohëve të fundit po ndjehem shumë i shqetësuar sepse “ Shkëlqesia e Tij “ , Presidenti i Republikës së Kosovës , zotëri Hashim Thaçi më ka margjinalizuar aq shumë saqë edhe gjumin ma ka çrregulluar e mos të flasim për ëndrrat . Njeriu , pas humbjes së madhe , nëse arrinë t’i ruaj mendët në kokë , e vlerëson nëse vazhdimi i jetës ka kuptim , në rrethana të reja apo ….apo ?! E sheh me kend të ka zëvendësuar ai që , tash të ka flakur nga jeta dhe kujtimi , motivi pse e ka bërë këtë dhe pasojat apo përfitimet për kombin apo shtetin. Dhe nëse del se e mira e përgjithshme identifikohet me të zgjedhurin e ri , jo se nuk keni arsye të bëheni nervoz apo t’u mbetet hatri por se duhet të pranoni si përparësi duke e shndërruar në ngushëllim. Publikisht po e them se kurrë nuk do t’ia falja Hashimit “ tradhëtinë” duke më zëvendësuar me të tjerët , cilido qoftë ai kurse , në rastin konkret , pasi më zëvendësoi me Aleksandër Vuçiqin, falë i qofshin djathi i Shumadisë dhe përkthyesja e Daçiqit . E di unë sikur që e dini edhe ju, lexues të nderuar se Hashimi këtë e ka bërë , kurrsesi për shkaqe personale , përfitime materiale apo motive tjera por, pa asnjë dyshim e ka bërë për kombin dhe shtetin. Për cilin komb e cilin shtet ende nuk e kam të qartë, e shohim më vonë! Çka mund t’i ofroj unë Hashimit krahasuar me Vuçiqin ?! Asgjë dhe hiçgjë ! Po e shihni sa dorëlirë është Vuçiqi , pa një , pa dy po ia dhuron Hashimit Luginën e Preshevës përmes korigjimit të kufijve . Edhe Hashimi është i zgjuar , shumë i zgjuar, jashtëzakonisht i zgjuar ! Ka mundur t’ia marr Vuçiqit, kur të ketë dashur Luginën e Preshevës dhe ta zhveshte Aca Ujkun nga çdo ndikim në Serbi por e zgjodhi rrugën e duhur , edhe po e merr Luginën e Preshevës , edhe po e ruan Vuçiqin ! Kjo është politikë dhe jo ajo që po e bëjë unë që po llomotis për rrezikun e humbjes së territorit të Kosovës përmes “ korigjimit të kufijve “. Kadria e ka vërejtur këtë injorancën tonë që po e hapim çështjen e kufijve prandaj , me të drejtë po na quan se jemi serbë dhe rusë. Në këtë kontekst po del se serbi dhe rusi më i madh në Kosovë jam unë, madje më serb se Shesheli ( ai është melez nacional ) apo Putini ( ai është rus origjinal ) . Deri më tani , përveç Hashimit , asnjeri në Kosovë , kurrë nuk i ka përmedur kufijtë .

Të gjithë kanë dalë në mbrojtje të kufijve dhe njëri më ka bërë shumë përshtypje dhe që i besoj shumë , si mbrojtës i pakompromis i kufirit ( cilit , nuk e kam ende të qartë ) është Begja , Pacolli që nuk la vend të botës pa shkelur në mbrojtje të intereseve personale dhe biznesit që e ka , dikush po thotë ( unë nuk e them ) së bashku me Hashimin . Shteti i Kosovës i përkrahë ,me të gjitha mundësitë që i ka , por edhe që nuk i ka , qytetarët e saj që janë ambiciozë dhe që e përfaqësojnë Kosovën në mbarë botën qoftë edhe për qëllime personale prandaj Behgjetit të Pacollëve ia ka ndarë një rrogë modeste prej disa mijëra eurosh, i ka siguruar mbështetje logjistike dhe nuk i ka vënë vija ku mund të shkojë dhe ku nuk mund të shkojë , ia mbulon të gjitha faturat , e ka kartelën grithëse bankare me të cilën gjithmonë fiton sikur që ka mundësi të pijë çvepsa , sa të dojë dhe kur të dojë. Kur është puna te shvepsi , gjithmonë në kujtohet halla Mihri që kur vinte mysafire te ne gjithmonë kërkonte të pijë ç(sh)veps . Merreni me mend të jetonte vetën edhe pak dhe të takohej me Pacollin , çvepsi do të rridhte ujë. E dëgjova mbrëmë një intervistë të Blendit ( partneri i Batonit ) me Hashimin , me shumë kujdes dhe me kapacitetin intelektual , profesional dhe politik që e kam dhe e pranoj se në këtë drejtim jam shumë leshko ( injorant fare ) dhe mbeta pa mend ! Nuk është humbje e madhe mungesa e mendve , te ne është përparësi sidomos nëse mendon të ndërtosh një karrierë politike apo intelektuale . Aq ishte i bindur Hashimi se e ka në dorë Luginën e Preshevës dhe gati e rrahu Blendin kur kërkonte fakte shtesë që e mbështet këtë siguri saqë mbeti vetëm të caktohej data dhe dita kur do të prehej shiriti i inagurimit të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Më çuditi që Hashimi nuk e bëri publik faktin se për prefekt të Preshevës e ka emëruar Valon Muratin , të Bujanovcit Avni Klinakun dhe të Medvegjës Gani Jasharin. Nuk ka kuptim që territorin mos ta mbuloni me liderë të duhur. Edhe në një intervistë që Kadria e pati te Batoni ( Batoni është i hapur për të gjithë e sidomos për tereqët e politikës ) , kur ai i foli diçka për Mitrovicën , Kadria gati sa nuk e nokautoi. Edhe ashtu Batoni , i shtrembëruar si Kulla e Pizës në Itali ( nuk e di nëse e ka shkaku i boshtit kurrizor apo për shkak të ushtrimeve për ta mbajtur trupin fit ) ishte thuaja i shtrirë . Mjaftonte , jo një grusht i Kadrisë por lëshim ajri i intensitetit të ultë dhe të pa zë e që Batoni të shtrihej si Bar Rafaeli para Leonardo di Kaprios. Po të isha në vend të Kadrisë , atë intervistë te Batoni do ta shlyeja nga të gjitha arkivat dhe aspak nuk më habitë një këshilltar i Kadrisë kur tha se kjo ishte intervista më e mirë e të gjitha kohërave e Kadrisë. Jeta dhe ngjarjet më kanë disiplinuar që të mos reagojë ashtu siç e meriton naj kastravec, i veshur me rroba të këshilltarit politik , plus edhe i kollarisur ! Në atë intervistë Kadria më ka prekë shumë duke ma ngatërruar të kaluarën time kombëtare dhe patriotike , Hashimi do me i korrigjuar kufjtë , mua më konsideron serb dhe rus. Mua , që e kam prejardhjen nga Shala e Bajgorës përkatësisht nga fshati Kovaçiqë , trashigimi fisnore ( por jo edhe nga trimëria ) e Ukshin Kovaçicës , nga ana e babait , kurse stërnip i Cen Maxhunit dhe menxhiqëve , nga ana e nënës. Thuhet se nga beteri del Skenderi kurse nga Skenderi del beteri. Në rastin konkret , prejardhjen e kam nga dy skenderë dhe asnjeri beter dhe fort m’u ka prekur sed(t)ra patriotike. Plus , jam rritur në një oborr me Rada Trajkoviqin që po del të jetë më patriote se shumë politikaj kosovarë , këngën ; “ druzhe Tito , mi ti se kunemo e kam ditur përmendsh “ . E kam dëgjuar me pasion këngën patriotike : “ Fadil Hoxha në kali të bardhë …” . E pata shkruar një ese ekselent për patriotët e mëdhenj Ali Shukria , Sinan Hasani , Kol Shiroka etj. Pata bashkëpunuar ngusht me ish të burgosurin politikë Azem Vllasin . I kam lexuar të gjitha veprat e Vetonit. Dhe shumë të tjera që për shkak se jam prekur nga arteriskleroza dhe harresa e që do ta mbushnin kornizëm time puro patriotike nuk po jem në gjendje t’i shkruaj . Pas të gjitha këtyre fakteve e shkuar fakteve , të dyshojë dikush në patriotizmin tim , është mëkat , është blasfemi . Edhe në kohën kur nuk ma mori Aca Hashimin , Hashimi disi më pati futur në mesin e atyre që kanë deficit patriotik ( nuk kam dëgjuar asgjë më gjeniale deri sot ) e tash Kadria po më bënë kushëri me Vulinin dhe Çernomirdinin. Më në fund edhe Hashimi e mori hundëve , Aca as që ia vari në Bruksel. Mbeti Hashimi , pa dy , një ish mik dhe një mik të sotit , Pa Bexhën dhe pa Acën. Njëri më tha , as që brengoset për juve , ty ( Bexhën ) e zëvendëson me Begjën ( Pacollin ) kurse Acën e zëvendëson me Baton ! Ka logjikë këtu, shumë logjikë!
Diplomacia e sulmuar , shtetësia e dhunuar
Të jem i drejtë , i tillë do të duhej të jem , që nga koha e Haxhi Kudrës , Kosova kurrë nuk ka pasur diplomat më të zotin se Begjet Pacollin. Disa informata për personalitetein e Haxhi Kudrës në mënyrë që lexuesit ta kenë më të qartë krahasimin dhe rolin e këtyre dy personaliteteve shqiptare dhe kosovare në misionin diplomatik në të kaluarën dhe sot. Haxhi Haxhiu , me nofkën përkëdhelëse Haxhi Kudra ka qenë diplomat i shekullit të kaluar e që nuk ka lënë vend pa shkelur në Ish Jugosllavi dhe ish Serbi duke filluar nga stacionet policore , komitete komunale , krahinore , republikane dhe federative pa shkuar dhe pa dërguar informatat e nevojshme për shqiptarët që jo se flisnin por edhe pse ëndrronin kundër Jugosllavisë dhe Serbisë. Sipas emrit , del të jetë i gjinisë mashkullore dhe mund të quhej Haxhi Qeni por filozofia e popullit është mbi filozofin e Kantit , Hegelit , Platonit dhe të tjerëve prandaj e quajtën Haxhi Kudra. Kudra është më besnike se qeni prandaj Haxhia , si besnik i Serbisë dhe Jugosllavisë e meriton këtë mbiemër. Ua luante bishtin të gjithëve prandaj edhe quhej Haxhi Kudra. Kur pas një raportimi në UDB-në në Nish , piu shlivovicë më shumë , policët i aplaudonin pasi e luante vallen serbe me fjalët :” Igraj ( vallëzo ) kudro “. Shqiptarët e Llapit posa e shihnin thonin , mos folni se erdhi Haxhi Kudra . Kurrë nuk e dërgonte vetëm një informatë te UDB serbe por i pillte shumë informata sikur që e bënë këtë Kudra që pjellë shumë këlyshë. Haxhi Kudra i përket së kaluarës.
Sot , diplomacia kosovare e ka njeriun e duhur , në vend të duhur , Begjet Pacollin. Nuk ka lënë vend pa shkelur në botë , Amerikë , Afrikë , Azi , Europë , Oqeani e ku jo. Vetëm për Kosovën dhe çështjen kosovare. Nuk ka mbetur vend pa e njohur Kosovën ! Jo për shkak të Begjet Pacollit por për shkak të b..thëve të Rita Orës. Më shumë kanë prodhuar njohje për Kosovën dhe rreth Kosovës sutjenet e Rita Orës dhe brektë e Dua Lipës se Begjet Pacolli me krejt stafin diplomatikë , ambasadorë dhe ambasadore , konsuj dhe sekretarë , etj., etj. Kjo ishte në të kaluarën , deri para një muaji kur situata në fushën diplomatike ndryshoi rrënjësisht dhe në të mirë të Pacollit . Kjo ndodhi me emërimin e dy ambasadorëve me përvojë të gjatë diplomatike dhe suksese të jashtëzakonshme në të gjitha sferat ku nuk kanë punuar dhe ku nuk kanë vepruar. Ata janë : Gjergj Dedaj , një ekzemblar i hiçit dhe jovlerës dhe Avni Kastrati , i kastruar nga çdo sukses , kudo që u angazhua në politikë! Kjo është diplomacia kosovare ose , ta parafrazoj një thënie të jugonostalgjikëve : “ Edhe pas Titos – Tito “ , “ Edhe pas Haxhi Kudrës , Haxhi Kudra “ !
Protestat kundër Gjarprit
U mbajtën për herë të tretë protestat që kërkonin rrëzimin e Lekë Lumezit , Vetingun për gjyqësorin kosovar , pastrimin e listave për veteranët e Bllacës dhe këto kërkesa u fisnikëruan me kërkesën kundër Hashim Garprit dhe modelimit të kufijve të Kosovës. Këto protesta , sipas meje , me këtë format , me këtë përbërje dhe të caktuara të mbahen një herë në javë nuk mund të jenë të suksesshme. Numri i protestuesve është larg masës kritike kërcënuese e të nevojshme për arritje të qëllimit . Ata që po marrin pjesë në protestë janë recidivistë thuaja të të gjitha protestave e që nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Krerët e protestës , përjashtuar disa rasteve nuk janë aspak më të uritur për pushtet se këta që janë në pushtet. Nuk është e ndershme të kërkoni Veting për një kategori kur në mesin e protestueve keni milionerë që kanë bërë miliona me ndihmën e atyre që tani duan t’i rrëzojnë . As në treg me shumicë e sidomos me pakicë kurrë lëkura e Qenit nuk ka qenë më e vlefshme se Lëkuar e Gjarprit. Për ta zhveshur Gjarprin nga lëkura ( pushteti ) duhet të ketë protesta të përditshme me së paku 50,000 protestues. Këta që po i bëjnë këto protesta nuk mund ta bëjnë këtë prandaj , më së shumti që mund të fitojnë do të jetë Lëkura e Qenit. Gjarpri do të mbetet pa lëkurë vetëm në fund të procesit ku detyrohet ta luaj Vallen e Gjarprit. Partitë politike nuk mund të merren vesh si do ta ndajnë pushtetin në rast se me protesta e marrin pushtetin e që gjasat janë të vogla. Isa ose të dhjetë ( 10 ) së paku kryetarët e LDK-së , nuk ia japin postin e kryeministrit Albinit , kurse Albini kurrë nuk do të pranojë post tjetër. Tash e kanë edhe një kandidat shumë serioz për postin e kryeministrit , udhëheqësin e protestës Lumez ik ! Ai është analisti shembullor , vizionari legjendar dhe sakrifikuesi i makiatos , Imer Mushkolaj.
Ekipi negociator
Deri më tani kishim një ekip negociator , Hashim Thaçin me çetën e patericave. Hashimi fliste dhe vazhdon të flasë në emër të tyre , ata e kanë për detyrë t’i lëpijnë fjalët dhe jo vetëm fjalët e Hashimit për një grusht eurosh , për një verë Chianti , për një pjatë kallamari dhe për 4-5 lugë pastë kallakari. Kur Hashimit i erdhi veza te ..dalja emergjente , e formoi një ekip negociator të qeverisë , të hurit dhe të konopit. Pozita , në mungesë të sensit politik e penguan votimin e këtij grupi negociator , në vend se ta përkrahin dhe ta nënshkruajnë Rezolutën e propozuar nga opozita . Çka ka të keqe dhe të dëmshme nëse e nënshkruani Rezolutën që nuk lejon bisedime për kufijtë dhe tokën e Kosovës pavarësisht kush është në krye të këtyre bisedimeve . Qoftë ai të jetë edhe Hashim Thaçi apo Begjet Pacolli , figura të ndritshme të popullit shqiptar! Votimin për ekipin negociator në Kuvend nuk e ka dëshiruar Hashimi sepse ka dashur të shkojë vetëm në takim me Vuçiqin. Një lojë e pistë po luhet në këtë mes. As opozita nuk është ajo që e mbronë Kosovën. Po të ishin të tillë do të bashkëpunonin me pozitën duke e dërguar Listën Serbe në pension. Kështu , edhe pozita , edhe opozita është e varur nga Lista serbe e Vuçiqit . Ky është mjerimi i Kosovës. Ekipi negociator i propozuar nga qeveria është ekip i hurit dhe konopit. Fatmir Limaj po llogaritet si kundërshtar i Hashimit por kur nuk do të propozohej në këtë post pa pëlqimin e Hashimit . Nëse Fatmiri do të luftojë me parime kundër Thaçit , pa dëshirën e Thaçit , do të mbetet pa koçe. Enver Hoxhaj , çka kërkon ky njeri në këto bisedime dhe kush i beson kur asnjëherë nuk i kanë besuar. Kjo vegjetë politike me afat të skaduar dhe pjesë e të gjitha gjellërave të ziera në dhe për Kosovën nga të cilat edhe sot po na shkonë barku. Kend e përfaqëson Dardan Gashi dhe kush po luan koçe me qytetarët e Kosovës duke ricikluar hiçgjë për gjthçka ! Begjet Pacolli , fort ia ndien për Kosovën për t’u caktuar pjesë e Ekipit Negociator . Gjëja e fundit për të cilën i bie ndërmend Begjet Pacollit është Kosova. Kjo është tragjedia e Kosovës dhe mallkimi për qytetarëte saj që ata që kanë punuar kundër Kosovës , sot duan të vendosin për fatin e saj. Mahir Jagxhillari . Edhe i dehuri 99.99% nuk do ta propozonte për anëtar të Ekipit Negociator . Avni Arifi , në këtë mes është si dele në mesin e ujqëve . Pa dyshim se do ta shqyejnë disa hijena të këtij ne Ekipi Negociator sikur që e kanë shqyer Kosovën më parë , që nga Rankoviqi , krimineli Tito e deri te “ humanisti “ Millosheviqi , baba politik i Aleksandar Vuçiqit. ! Të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm jeni. E keni gjuhën , kulturën , besimin , i keni varret , i keni dëshmorët , i keni martirët , e keni gjakun e derdhur , i keni të zhdukurit , të dhunuarat ,e keni historinë . Ata dhe vetëm ata flasin për Kosovën, ata kanë mandat. Ju nuk keni mandat të flisni kundër tyre. Në ekipin negociator ka të tillë që e bënë luftën por ka edhe të tillë që e luftuan luftën . Mbrojeni ate që e keni , mos kërkoni ate që nuk mund ta keni! Kaq!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë – 4 shtator 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura