BEHXHET SHALA BAJGORA: ZOTËRI GRENELL, NUK JEMI AS TË MARRË E AS TË ÇMENDUR NËSE NUK PAJTOHEMI, PËRKUNDRAZI!

Prishtinë, 8 tetor 2020: Mbytja e demokracisë përmes arrogancës
Kosova është vend sui generis në çdo pikëpamje. Këtë kartë e përdorim kur duam të arsyetohemi për një vendim që do të merrej në një vend normal e që nuk e marrim prandaj thirremi në sui generis. Këtë e përdorim si arsyetim për llaskucëri dhe nënshtrim paraprak ndaj atyre që e bënë Kosovën rast sui generis sikur edhe për të arsyetuar mungesën e kompetencës, profesionalizmit, korrupsionin dhe shpërdorimin e besimit, herë të dhënë e më shumë të uzurpuar për të ushtruar pushtet dhe për të punuar për të mirën e qytetarëve dhe shtetit. Të tillët, vetëm formën apo mbështjellësin e kanë të ruajtur kurse përmbajtjen e kanë krejtësisht boshe, fallco dhe të qullët. Këtë më së mirë e kanë vërejtur ndërkombëtarët andaj gjithmonë i kanë përdorur për realizim të qëllimeve dhe projekteve politike qofshin ato edhe në dëm të Kosovës e që kryesisht kanë qenë të tilla ndryshe nuk do të ndodhte që Kosova të penalizohej 22 vite pas përfundimit të luftës me formimin e një Gjykate kriminale , raciste dha pse jo edhe fashiste e që për qëllim ka , jo ndarjen e drejtësisë për të gjitha viktimet që do të duhej edhe të ishte por legalizimi i ndërhyrjes së Serbisë në punë ekskluzivisht të brnedshme të Kosovë dhe këmbëngulja e ndërkombëtarëve që Serbinë ta trajtojë si viktimë. Ne që kemi qenë këtu, të udhëhequr nga ndonjë interes, kryesisht të vogël sepse ato të mëdhat kanë qenë e drejtë e pakundërshtueshme e bartësve të pushtetit e që disa kanë qenë edhe idealistë, nuk kemi dashur ta pranojmë këtë realitet. Qoftë edhe të pushtetit fiktiv. Thonë se nëse doni ta provoni karakterin apo mungesën e karakterit të një udhëheqësi apo personaliteti publik krijoni mundësi qëtë ketë para, të ketë femra dhe të ketë pushtet mbi të tjerët. Perandoria romake si dhe perandoritë e mëdha janë shkatërruar pikërisht për shkak të korrupsionit apo grykësisë për pasuri të fituar pandershmërisht, jetës së shfrenuar morale dhe shpërdorimit të pushtetit ndaj vartësve të tyre. Ndërkombëtarët, që janë sjellur si kolonizatorë në Kosovë saktësisht e kanë të qartë këtë dhe i përdorin si mashë e pastaj, në fund të fundit i lënë në baltë sikur që, të pamësuar se dikush edhe mund të ketë mendim të kundërt me ta, pa asnjë skrupull moral e eliminojnë. Rast tipik për këtë e keni Bacën Adem Demaçi të cilit nuk i lanë asnjë hapësirë për ndonjë post të lartë vendimmarrës politik. Po në të njëjtën mënyrë po sillen duke e formuar dhe instrumentalizuar një Gjykatë puro raciste dhe politike e quajtur Gjykata Speciale që nuk merret me asnjë rast të krimeve që i ka bërë Serbia në Kosovë por, me dosje të Serbisë po organizon gjah ndaj shtrigave apo ndaj UÇK-së dhe bartësve më të lartë të kierarkisë politike dhe ushtarake të kësaj Ushtrie Çlirimtare të Kosovës.
Pastaj, për të qenë më i qartë për ndërhyrje flagrante të ndërkombëtarëve në ndërtimin e institucioneve të Kosovës sipas nevojave të tyre, merreni me mend, një bandit i veshur me petkun dhe postin e ambasadorit të shtetit më të fuqishëm në botë, i shoqëruar me një prostitutë politike e quajtur Pushikar, nuk la gjë pa përdorur (përjashtuar bombën atomike) deri sa e zgjodhi Behgjet Pacollin, kryetar të Kosovës së bashku me pjesën dërrmuese të ish shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Bacës Adem, që u bënë bisht i ambasadorit mashtrues dhe bandit. Deri atëherë edhe unë, mbështetur në injorancën time pata besuar se disa gjëra në Kosovë megjithatë nuk mund të ndodhin. Rasti Pacolli më bindi se në Kosovë nuk ka gjë që nuk mund të ndodhë, prandaj të gjitha që janë bërë më vonë janë lulë krahasuar me veprimin e Dellit dhe Pushikarit. E tash po merremi pse Zafir Berisha qenka emëruar si koordinator kombëtar për luftim të krimeve kibernetike.
Së pari Zafa kombëtarisht ka qenë gjithnjë në rregull, deputet në shumë mandate dhe kundërshtar i papërmirësueshëm i Serbisë të cilën tani do ta luftojë si sajbër kamikaz. Pritni rezultatin përfundimtar kur Zafa do të shkaktojë tollovi në të gjitha sistemet elektronike të Serbisë dhe paralizë të çdo funksionimi. Nëse Grenelli nuk do të kërkojë “miqësisht“ të mos e bëjë këtë. Në rrethanat aktuale, vox Grenelli është vox dei, fjala e Grenellit është fjala e Zotit për të gjithë ata që duan të mbijetojnë në pushtet. Realisht, si lexues pasionant i të gjitha postimeve të Zafës dhe duke e ditur cilësinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, vendi më i përshtatshëm për Zafën do të ishte të bëhet kryetar i kësaj Akademie apo, në rastin më të keq, anëtar i Akademisë së Arteve dhe Shkencës. Tjetër vend që është adapt me te si njeri i Popullit e që tërë jetën ia ka kushtuar Popullit është të zgjidhet Avokat i Popullit, në mandatin tjetër. Kjo e koordinatorit kundër krimeve kibernetike në masë të madhe e zbeh personalitetin e Zafirit dhe është në shpërputhje të madhe me kapacitetin profesional dhe intelektual. Por, nëse Begja ishte bërë president i Dellit dhe Pushikarit, pse Zafa të mos bëhet një koordinator, qoftë edhe sajberist joprofesional!
Pse duhet të pajtohemi me çdo gjë
Në kohën kur Albin Kurti ishte kryeministër i Kosovës, e takuan të gjithë ndërkombëtarët dhe shprehën gatishmëri për bashkëpunim sidomos në pikën më interesante dhe mbase edhe të vetme për ta, bisedimet për normalizim të marëdhënieve me Serbinë, pa kushte për Serbinë por me plotë kushte për Kosovën , me ide kreative si dhe kompromis të dhimbshëm për Kosovën. Albin Kurti i ka pasur të qarta të gjitha këto prandaj insistonte që ai, e jo presidenti Thaçi të jetë në krye të Ekipit Negociator që , në një masë edhe u pranua. U takua edhe me Grenellin në Zyrat e VV, krijuan një raport i cili pastaj eskaloi në një armiqësi në çastin kur u votua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. U përdorën fjalë që nuk përdoren midis partnerëve dhe ndaj Grenellit kishte akuza eksplicite mbase edhe të sakta se qëndron prapa rrëzimit të Albin Kurtit. Përkundër të gjithave, Albin Kurti është dashur të merr përgjegjësi, të shkojë në Uashington , t’i lërë thikat në mishtore dhe, nëse në atë, ta quaj marrëveshje ka diçka që e dëmton Kosovën, thjesht ka mundur të kërkojë që kjo të diskutohet në Kuvend e jo që të mos marrë përgjegjësi. Marrëveshja e nënshkruar e që aspak nuk ka elemente të marrëveshjes, në Parkun me Trëndafila e që u nënshkrua nga karajfilat e pranishëm, është projekt i bërë sipas nevojave të Presidentit Tramp për zgjedhjet e nëntorit në Amerikë. Aty ka gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me ekonominë apo normalizim të marëdhënieve ekonomike me Serbinë. Janë gjëra puro politike. Serbia definitivisht është përfituesja më e madhe, nga një shtet me të kaluar kriminale dhe gjenocidale, me një të tashme të një autokracie despotike, u bë e përkëdhelura e Amerikës dhe Donald Trampit. Kosova, në aspektin politik ka shënuar një prapakthim kurse eventualisht mund të përfitojë në planin ekonomik nëse ia gjuajnë një kokërr misri, si pulës qorre. Përralla janë të Trampit dhe Grenellit se do të investohen 13 miliardë dollarë dhe, as në imagjinatën më të skajshme nuk e besoj këtë. Njohja nga Izraeli u quajt si historike dhe nuk e di pse do të ishte historike kur këtë para neve ( si vend me shumicë myslimane – Trampi e tha) e kanë bërë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pastaj edhe Bahreini. Do të ishte historike po të na njihte Kina apo Rusia, si superfuqi ekonomike dhe politike e jo Izraeli që ka probleme të pazgjidhura me shumë vende arabe. Është joserioze dhe politikisht injorancë e skajshme të pranoni se ambasadën e Kosovës do ta vendosni në Jerusalem kur këtë, deri më tani e kanë bërë vetëm dy shtete, Amerika dhe Guatemala dhe asnjë nga shtetet europiane. Edhe rezoluta e Kombeve të Bashkuara qartë e dënon çdo vendosje apo zhvendosje të ambasadave nga Tel Avivi në Jerusalem. Ne duhet të kemi raporte normale me Izraelin sikur edhe me vendet tjera që na kanë njohur dhe do të na njohin dhe nuk shoh asgjë historike në këtë njohje. Edhe pa na njohur Izraeli, disa mashtrues ordinerë që janë pjesë e komunitetit hebraik për aq sa unë jam unë pashtun i Pakistanit si dhe politikanë të Kosovës kanë mbajtuar, zhvilluar dhe përparuar marëdhëniet me persona të ngjashëm sikur këta të Izraelit.
Arrestimi i Ngucatit, komandant Calit dhe Nasim Haradinajt, ankth për shqiptarët dhe relaks për Serbinë dhe ndërkombëtarët
Asnjëherë nuk u flasë fëmijëve për kohën e kaluar në llogoret e ish-Jugosllavisë ku kam qëndruar mbi 8 vjet, prej të cilave mbi 5 vjet isha në vetmi dhe izolim. I llogaris kohë të krenarisë dhe lavdisë, jo personale por se patëm guxim ta kundërshtojmë një shtet të fuqishëm si ish-Jugoslavia dhe që kontribuam që ta heqim, së paku një gur nga themeli i kësaj ngrehime të dhunshme dhe shtet që ua piu gjakun me pambuk shqiptarëve që e donin lirinë dhe bashkimin kombëtar. Këto përjetime i kujtojmë me disa shokë me të cilët kemi qenë në llogoret e ish Jugosllavisë e që e kanë ruajtur të papërlyer idealizmin e dikurshëm. Kam menduar se lufta e fundit çlirimtare në Kosovë e udhëhequr nga e lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës do të sendërtojë ëndërrat tona aq më parë që shumica e bashkëveprimtarëve të arrestuar u bënë bartës të pushtetit (thuaja fiktiv), në Kosovë, Maqedoni të Veriut apo Luginë të Preshevës dhe kemi besuar se, kur ta rrehë pyka-pykën nuk do të bëjnë kompromis që e dëmtojnë shtyllën kurrizore të Kombit dhe shtetit aq më parë që tash, për mosbindje eventuale më së shumti që mund të ngjajë është humbja e postit dhe karrikes kurse, më parë e lënin peng edhe jetën dhe kokën duke mos pranuar kompromise të tilla.
Pas përfundimit të luftës në disa raste jam ndjerë shumë keq sikur kur ushtarët ndërkombëtarë i shtrinin për toke ushtarët e UÇK-së që hynin në Prishtinë me uniforma të UÇK-së. Disa edhe janë vrarë nga ushtarët dhe policët ndërkombëtarë dhe asnjëherë nuk kanë dhënë përgjegjësi. Mbytja me dhunë e fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në fshatin Çabër asnjëherë nuk më largohet nga mendja sikur që edhe mosgatishmëria e ndërkombëtarëve për të siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët më përcjellë tërë kohën. Ekzekutimi kriminal i Mon Balajt dhe Arben Xheladinit nga kriminelët rumunë të veshur me uniformë të policisë së UNMIK-ut dhe sigurimi i imunitetit për mosndjekje penale për ata që e bënë krimin më përcjellë tërë kohën. Këtij krimi i patën fryrë edhe disa ambasadorë të akredituar në Kosovë sikur edhe disa media elektronike dhe të shkruara të Kosovës.
Po pse ndodhi kështu ?
Në kohën kur Fatmir Sejdiu ishte President i Kosovës dhe kur Hashim Thaçi ishte Kryeministër , në një takim me ndërkombëtarët iu bënë me dije se do të formohej një Gjykatë Speciale që do të gjykonte krimet e UÇK-së pas një raporti politik të Dik Martit. Këtë gjykatë duhet ta formonte Kuvendi i Kosovës , si pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare ndërsa të gjitha të drejtat do të delegoheshin te ndërkombëtarët si; hetuesia, policia, administrata, prokuroria dhe gjyqësori sikur që edhe selia e paraburgimit , burgut dhe gjykata do të vendosej në Hagë ( Holandë ). Të dyshuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit do të ishin 100% shqiptarë pasi tani serbët konsiderohen nga bashkësia ndërkombëtare si viktima !!!!!!!Udhëheqësit më të lartë të Kosovës e pranuan këtë por nuk e bënë publike për media . Nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta votonte këtë Gjykatë atëherë , si gogol e përdornin Këshillin e Sigurimit ku do të kishte rusë , kinezë dhe kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës. Shikuar nga realiteti i sotëm, njëqind herë më objektiv dhe më i mirë për Kosovën ka qenë Tribunali i Hagës që ishte themeluar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara se kjo Gjykata raciste që dhunshëm dhe në kushte të terrorit psikologjik u votua në Kuvendin e Kosovës. Tribunali i Hagës për ish – Jugosllavinë ka qenë më gjithpërfshirës sepse ka bërë përpjekje të sigurojë drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë kriminelët , pa bërë dallime në baza etnike kurse Gjykata Speciale mbështetet ekskluzivisht në pariminin etnik. Të gjithëve iu kujtohet që ambasadori i një shteti shumë të fuqishëm publikisht deklaronte në media se Gjykata Speciale do të merret me 10 –12 persona në ndërkohë që deri më tani , qoftë si dëshmitarë apo të dyshuar janë ftuar për intervistim së paku 300 individë. Është ftuar , kryesisht si e dyshuar e tërë udhëheqja politike dhe ushtarake e UÇK-së e që e përajshton parimin e keqpërdorur për përgjegjësi individuale! Vetëm Gjykata e Nyrembergut ka ndjekur të gjitha strukturat politike dhe ushtarake të Gjermanisë, si shtet që e ka humbur luftën e dytë botërore dhe që ka shkaktuar dhjetëra milionë viktima , civile dhe ushtarake. Gjykata Speciale ndjekë strukturat politike dhe ushtarake të UÇK-së kurse amniston strukturat politike , policore dhe ushtarake të Serbisë që kanë përgjegjësi për dhjetëra dhe qindramijëra viktime në hapësirat e ish – Jugosllavisë. Gjykata Speciale kërkon drejtësi për 5-6 % të viktimave kurse ua mohon drejtësinë 95 – 96 të viktimave . Ky proporcion është i njëjtë edhe për ata që kanë shkaktuar krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në rrethana “misterioze“ nga Gjykata Speciale rrodhën dosje për raste dhe dëshmitarë të mbrojtur dhe, me postë të shpejtë përfunduan para zyrave të OVL-së së UÇK-së . Pati bastisje bashkëpunimi të Policisë , dikush po thotë të Gjykatës Speciale e të tjerët se ishin policë të EULESH-it e që pastaj arrestuan Hysni Ngucatin dhe Nasim Haradinajn e që paraprakisht e kishun arrestuar Sali Mustafën – komandant Calin. Duhet të theksohet se Dhomat e Specializuara si dhe Prokuroria e Specializuar kundër UÇK-së e mbase edhe policia ishin nga mbetjet mortore të Tribunalit të Hagës , UNMIK-ut dhe EULESH-it. Gjithashtu është e qartë se , së paku 95 % e të dyshuarve dhe të arrestuarve janë anëtarë të OVL të UÇK-së dhe kjo organizatë e ka detyrim moral dhe material të mbrojë anëtarësinë e saj. Askush nu u hetua apo arrestua pse rrodhën dosjet nga Gjykata Raciste Speciale kurse u arrestuan veteranët e luftës që , në fund të fundit nuk mund të vepronin ndryshe. Është çështje tjetër nëse Hysni Ngucati dhe Nasim Haradinaj do të ziheshin me pelë për dore duke marrë dosjet e ndjeshme nga Gjykata Speciale . Dëshmitarët e mbrojtur ( sot nuk ka më dëshmitarë të mbrojtur) i ka rrezikuar Gjykata Speciale që ka lejuar të rrjedhin dosjet e ndjeshme dhe përgjegjësinë për humbje të jetëve të këtyre dëshmitarëve e ka pikërisht Gjykata Speciale. Nuk kam besuar se 22 vjet pa spërfundimit të luftës, policë të paidentifikuar, me sjellje kusarës do të arrestojnë qytetarë të Kosovës në këhën kur në vend janë mbi 10, 000 policë të Kosovës. Kjo është e rëndë dhe turpëruese. Nëse dikush mendon se do të përfitojë nga kjo situatë duke e fituar mosndjekjen penale, ua kujtoj, për të satën herë fundin e Sllobodan Millosheviqit. Është poshtëruese të kalohet aq lehtë mbi arrestimin e Hysni Ngucatit dhe Nasim Haradinajt, duke amnistuar akterët e vërtetë të aferës së rrjedhjes së dosjeve, duke kërkuar rrethana lehtësuese për të arrestuarit. Skajshmërisht e pamoralshme!
Të gjithë thonë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave por se vizat nuk po liberalizohen. Po kushtëzohen me lëshime politike dhe kompromise “kreative“. Injorantët besuan se Grenell, gjatë vizitës së fundit në Kosovë do të sjellë heqje të vizave për qytetarët e Kosovës për SHBA. Doli të jetë rrenë që vet e lëshuam dhe vet besuam në te! Në fakt, pa asnjë procedurë për viza dhe pa aplikuar fare, të lidhur me pranga, me fluturim special udhëtuan Sali Mustafa – Komandant Cali, Hysni Ngucati dhe Nasim Haradinaj, për fillim! Duket se numri i këtyre përfituesve nga llotaria e Dik Martit dhe Aleksandar Vuçiqit do të rritet në të ardhmën, për turpin e atyre që ndajnë padrejtësi, në emër të drejtësisë dhe për turpin tonë që nuk kemi guxim qytetar as të reagojmë, jo për të mbrojtur krimin por në kërkim të drejtësisë për të gjitha viktimat!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 6 tetor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura