BEHXHET SH.SHALA: BARRIKADAT E TURPIT NË NJË MJEDIS PA TURP!

(Prishtinë, Gusht 2012) – Drejtori i OJQ-së së quajtur KFOR, gjenerali Drës gjatë takimit me zëvendëskryetarin e Mitrovicës z. Avni Kastrati deklaroi se barrikada në urën e Ibrit dhe barrikadat e tjera në Veri të Kosovës janë turp mirëpo ai turp nuk mund të eliminohet me forcë. Dikur thoshte se barrikadat janë politike dhe vetëm me bisedime politike mund të hiqen. Tash kur bisedimet politike po trokasin në derë thotë se nuk është shumë optimist se mund të hiqen. Kësaj te ne i thonë: ”hyp se të vrava, zhdryp se të vrava“.
Koalicioni i zgjeruar apo …
Bisedimet politike midis Brukselit dhe Beogradit për çështjen e Kosovës do të vazhdojnë së shpejti. Kosova është në rolin e suflerit (pëshpëritësit ) prandaj edhe nuk po i dëgjohet zëri fare! Ama të dëgjuarit e ka në nivel! Çdo gjë që u thuhet e kapin mirë dhe vetëm e zbatojnë. Serbia ka përparësi të madhe sepse po e dikton edhe kohën e bisedimeve, dinamikën si dhe përmbajtjen. Bashkësia ndërkombëtare po e luan rolin e pleqnarit tipik tradicional shqiptar. Po i mbanë anën të fortit, Serbisë! Duke menduar se në këtë mënyrë po e zgjidhë problemin. Në fakt, vetëm po e konservon problemin i cili mund dhe do të shpërthejë me dhunë në një kohë të caktuar. Po e mbjell erën për të shpërthyer si furtunë pastaj! Serbia tani është gati t’i vazhdojë bisedimet e meqë kjo na qenka e gatshme atëherë sipas një automatizmi na qenka e gatshme edhe bashkësia ndërkombëtare! Kosova përsëri është në bisht të sorrës! Asgjë nuk po pyetet, vetëm po i komunikohet vendimi! Tash, pasi thika e cila më parë ka prerë vetëm mishin e butë apo tulin (bisedimet “teknike“) ka filluar të prejë kockën, ashtin (bisedimet politike) edhe dhimbjet janë rritur shumë. Prandaj edhe anestezioni duhet të jetë më i fuqishëm. Jo për të ndalur prerjen por që gjatë kësaj prerjeje të kemi së më pak dhimbje! Apo, që ato dhimbje të sillen në kufijtë e së durueshmës. Gjatë prerjes së mishit të butë ka qenë një anestezion në formën e Kuperit i cili ka qenë “lehtësues“ i këtyre dhimbjeve. Tash , gjatë bisedimeve të ardhshme politike për veriun, jugun, qendrën, lindjen dhe perëndimin e Kosovës ku ka gjasa të na thyhen kockat dhe shtylla kurrizore shtetërore anestezion apo lehtësues të dhimbjeve do të jenë Ketrin Ashton dhe kur dhimbjet do të arrijnë shkallën e së padurueshmës do të përdoret një superanestezion apo superqetësuesi, Hilari Klinton! I cili gjithmonë na ka qetësuar! Deri në dhimbjet e radhës!

……………………………………………

DREWS: BARRIKADAT NE VERI, TURP!

……………………………….

Si duhet të sillemi si palë “negociuese“
I ligu dhe i përvëluari kanë frikë prej hijes së tyre dhe në vend të qumshtit i fryejnë kosit. Kështu thotë populli. Ne, si popull me një traditë 2000 vjeçare të robit por në të njëjtën kohë edhe me një traditë 2000 vjeçare të kundërshtimit të robërisë përmes formave të ndryshme të rezistencës deri në kryengritje të armatosur shumë herë ose çdo herë jemi ndarë të djegur dhe shkrumbuar. Në njerëz dhe territore. Sidomos kur nuk kemi qenë palë e bisedimeve por objekt i bisedimeve! Prandaj edhe tash kemi frikë nga “bisedimet“ me Serbinë. Nëse tash nuk jemi objekt i bisedimeve sepse kanë ndryshuar kohët dhe mënyrat atëherë nuk mund të themi se do të jemi subjekt i barabartë i këtyre bisedimeve. Në fakt, “barazia“ ka ka për faturë imponimin e fuqishëm ndërkombëtar me ç’rast detyrohemi të bisedojmë edhe në kushte edhe për tema që nuk janë në interesin tonë! Frika nga bisedimet me Serbinë janë të natyrës psikologjike, emocionale dhe të arsyeshme nëse i referohemi rezultateve nga e kaluara! Mirëpo, kështu e ka kur liget fort katundi dhe kujt t’i çohet të shti përfundi! Nëse detyrohemi të bisedojmë, atëherë duhet të bisedojmë! Mirëpo, jo të pranohen rezultatet e bisedimeve ende pa filluar bisedimet. Duhet të dihet për çka të bisedohet, deri në ç’kufi mund të bisedohet, temat për të cilat duhet të bisedohet, ku duhet të tregohet fleksibilitet taktik dhe ku nuk mund të lejohet të bëhet gabim strategjik! Kosova ka shumë tema për bisedime me Serbinë siç janë : çështja e të zhdukurve shqiptarë, trajtimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës, përgjegjësa për krime lufte, kompensimi i dëmeve të luftës , ato në njerëz dhe materiale, mosndërhyrja në punë të brendshme të Kosovës, eliminimi i strukturave kriminale në Veri dhe shumë çështje të tjera. Edhe pala kosovare duhet të jep informacione për të zhdukurit serbë, romë dhe joshqiptarë duke i dënuar kriminelët në radhët e saj. Pala kosovare ndjehet shumë komod sa i përket trajtimit të serbëve në Kosovë sepse ata gëzojnë të drejta më shumë se çdo pakicë në botë. Duket se ndërkombëtarët e kanë synimin tjetërkund. Të legalizojnë ndarjen e brendshme të Kosovës përmes sigurimit të “ drejtave “ shtesë për serbët. Atyre nuk u interesojnë të drejtat e romëve, egjiptasve, ashkalinjve, boshnjakëve, turqve dhe grupeve etnike tjera si e shqiptarëve psh. por vetëm e serbëve. Dhe këtu është sherri! Këtu është rreziku sepse të drejtat e serbëve nuk janë të rrezikuara në Kosovë por ata nuk pranojnë të jenë të barabartë me qytetarët e tjerë por konsiderojnë se të drejtat e tyre mund t’i realizojnë vetëm në Kosovë si pjesë e Serbisë apo në entitetin politik të tyre brenda Kosovës! Në rrethana normale këto kushte nuk do të duhej t’i pranonte asnjë shqiptar i Kosovës e madje edhe asnjë serb i Kosovës që ardhmërinë e lidhë me Kosovën. Mos të flasim për shtetet “ mike “ dhe më shumë “mike “! Për të realizuar ridisejnimin e “demokracisë” sipas kritereve të interesit politik të këtyre “miqve“ që do të përfundonte me zgjidhjen e çështjes serbe në Kosovë, institucionet e Kosovës dhe politikanët dhe gjysmëpolitikanët kosovarë u janë nënshtruar presionit i cili do të rritet varësisht se cili cak duhet të arrihet dhe në cilën kohë duhet të arrihet! Po bëhet një luftë speciale ku përfolen koalicione të gjera dhe shumë të gjera me muskuj të fortë që mund dhe do ta përdorin stupcin në mënyrë proporcionale dhe racionale për ata që i kontestojnë rezultatet e marrëveshjes. Shpërndarja e përgjegjësisë midis të gjithë lojtarëve politik dhe parapolitik në Kosovë do të ishte më e pëlqyeshme për faktorin ndërkombëtar. Sepse, të gjithë do të damkoseshin prandaj nuk do të vinin në situatë t’i thonë tjetrit:” ta pashë bishtin“. Ndërkombëtarët e kanë ditur para nesh tregimin për dhinë që e ka sulmuar dhinë tjetër për bishtin e ngritur përpjetë! Prandaj duan të na shndërrojnë në kope. Dhe se këtë kope nuk duan ta lënë vetëm me një ogiç. I duan disa ogiçë t’i prijnë kopesë! Kush ndahet nga kopeja e hanë ujku! Prandaj edhe Hashimi po thotë :” ose të gjithë ogiçët në ballë të kopesë (bisedimeve) ose po shpërndahemi (zgjedhje të reja)! Hashimi e di shumë mirë se disa ogiçë, jo që nuk i bëjnë ballë ujkut por se kanë frikë edhe nga hija e qenit”! Prandaj edhe po luan në kartë të sigurt! Kështu që, kur të vjen koha me e rrehë pyka – pykën të gjithë do të bëhen pjesë e kopesë (bisedimeve)! Dikend do ta hajë ujku ndërsa disa nuk do t’i hajë as qeni!
Besa – besë, besën s’ta kam dhënë
Ka kërcënime se Kosova mund të hyjë në një krizë institucionale. Se do të bllokohet reforma kushtetuese dhe zgjedhore. Nëse këto bëhen atëherë Hashimi mund ta zbrazë pushkën me plumbin: “ose bashkë, ose në zgjedhje”! Mirëpo, ndërkombëtarët nuk lejojnë të shkohet në zgjedhje në kohën kur duhet të fillojnë dhe mbarojnë bisedimet për Veriun. Këtë e di dhumë mirë kryeministri Thaçi prandaj e ka ruajtur vetëm një plumb: ”ose bashkë, ose zgjedhjet “! Këtë e dinë edhe ata që po kërcënojnë prandaj, me kalimin e kohës do të zbuten. Sepse as atyre nuk u konvenojnë të shkojnë në zgjedhje e sidomos nuk u konvenon të shkëpusin “ miqësinë “ me miqtë ndërkombëtarë. Pastaj, kush ka koqe që të pengojë apo të prishë procesin e liberalizimit të vizave, proceset e integrimit në BE , NATO e sidomos të vë në pikëpyetje në heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë?! Po, bar do hamë (të gjallë do ta hamë ate që na pengon) e nuk do të heqim dorë nga rruga e marksizëm – leninizmit (integrimi në BE, NATO, liberalizimi i vizave etj.etj.)! Isa Mustafa është hatruar shumë pse Hashimi nuk po e mbanë fjalën për realizimin e marrëveshjes politike për zgjedhjen e presidentit. Dhe këmbëngul se Zonja Presidente duhet të jep dorëheqje, të shkojë në shtëpi! Sikur që ajo është përgjegjëse që nuk po realizohet kjo marrëveshje! Sikur që kjo është marrëveshja e parë që nuk është realizuar! Në botë dhe në Kosovë. Mendoj se Kosova tash ka probleme shumë më të mëdha se të merret me Zonjën Presidente. Me dorëheqjen e saj. Askush me vullnet nuk do të jepte dorëheqje në situatën e Zonjës Presidente. Kush dha dorëheqje vullnetarisht dhe hoqi dorë nga posti?! Në këtë drejtim i Madh mbeti vetën njëri; Gjet Macolli. Pak më i vogël mbeti edhe rektori i ri i Universitetit Politik të Prishtinës. Edhe ai dha dorëheqje nga një post i vogël politik për ta fituar një post të madh politik! Të rektorit ! Madje, jam i sigurt se edhe nëse Zonja Presidente shkon në shtëpi nuk do të ketë përmirësim të gjendjes në Kosovë. As në rrafshin ekonomik, të sigurisë dhe ate politik ! Nuk është koha që për një plesht të digjet jorgani! Në aspektin moral Isa Mustafa ka të drejtë! Po për çfarë morali mund të flitet sot në Kosovë?! Ani në politikë?! Besoj se Isa Mustafa në takim me ambasadoren e re të Amerikës në Kosovë zonjën Jacobson do të merret vesh. Sepse ajo po e fliste gjuhën shqipe më mirë se gjysma e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ajo e paska studijuar gjuhën shqipe. Tanët kanë mbaruar kursin e analfabetizmit! Delli vërtetë ka qenë i pshtjelltë dhe nuk ka folur shqip. Gjuha e tij ka qenë gjuhë e grushtave. Shumë argumentuese. Isa Mustafa, sipas mendimit tim, si moralist dhe tradicionalist që është ka bërë një gabim sepse nuk ka mundur të bëjë dallimin midis Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe Kanunit të Dellit dhe të Hashimit! Tash e ka mësuar. Jeta të mëson!
Prishja e një ëndrre vere
Endrrat zgjasin shumë shkurt. Ato të mirat të relaksojnë ndërsa ato të trishtat të thyejnë krejt. Sikur të ishe në pushimoret e Guantanamos! Një mbrëmje pasi bëra dush me djersët që i prodhova vet sepse uji në rubinetë nuk dukej plot 24 orë më zuri gjumi dhe notoja në një ambient relaksues. Endërroja Dellin me dafina në kokë sikur Cezari apo Neroni dikur në Romë duke parakaluar sheshit” Nënë Terezë”. Shkonte drejt pallatit të Qeverisë. Para Ringsit ishim dalë unë, Vetoni, Luani, Batua, Xeni, Zjarri me lule në duar. Dikush brohoriste: ”miqtë e Amerikës, miqtë e Bill Kllintonit. Të tjerët brohorisnin: ”druzhe Tito, mi ti se kunemo, da sa tvoga puta ne skrenemo“. Dallohej baritoni kumbues i Azemit. Dhe disa zëra të mekur dhe filikiqa të këshilltarëve të Zyrës së Kryeministrit dhe Zonjës Presidente që përcillnin Azemin. Ismeti mbante në duar pankartën: ”Tenke jou Emerika dhe more tenkju per ju mister Dell”. Blerimi kishte hypur mbi Mure dhe dëneste për skenaristin duke brohoritur: ”as Dell, as Tarantino“! Gjet Macolli kishte dalë para bujtinës së tij me Diamante Zvicerane duke ia bërë dhuratë modelin më të ri të i-phone 7. Në radhë vinte ëmbëlsira e radhës: vizitë Pallatit të Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës. Situata shkoi në dreq të mallkuar; nga ç’kënd hyri dhe si hyri në ëndërr Jeta Xharra dhe u ndërpre kjo ceremoni nuk e kam të qartë por si në mjegull i mbajë në mend fjalët e fundit të Dellit: “përse ju nuk do të jeni kryeministre e re e Kosovës?! U zgjova i mbuluar me edhe më shumë djersë. Pas këtyre fjalëve nuk kishte fare kuptim rrugëtimi i mikut tim të madh Dell drejt Pallatit qeveritar dhe Komunës së Isa Mustafës.!
Barrikadat e turpit dhe turpi në barrikada
Drejtori i OJQ-së së quajtur KFOR, gjenerali Drës gjatë takimit me zëvendëskryetarin e Mitrovicës z. Avni Kastrati deklaroi se barrikada në urën e Ibrit dhe barrikadat e tjera në Veri të Kosovës janë turp mirëpo ai turp nuk mund të eliminohet me forcë. Dikur thoshte se barrikadat janë politike dhe vetëm me bisedime politike mund të hiqen. Tash kur bisedimet politike po trokasin në derë thotë se nuk është shumë optimist se mund të hiqen. Kësaj te ne i thonë: ”hyp se të vrava, zhdryp se të vrava“. Pastaj tha se nuk i kërset ai seni nëse institucionet e Kosovës nuk janë të kënaqura me punën e tij! Deklaratë tipike maçoiste dhe e papërgjegjshme! Nga pozita e të fortit. E ka tmerruar zëvendëskryetarin e Mitrovicë, zotni Mustafa! Është e vërtetë se barrikadat janë turp por është gjithashtu e vërtetë se është turp mos t’i heqësh ato barrikada kur për këtë ke mandat! Deklarata e gjeneralit Drës është deklaratë e një OJQ-je e lazdruar që deri dje ka flirtuar me ndërkombëtarë! Në vende normale kjo do të prodhonte rezultate të menjëhershme. Largimin e tij apo, së paku mosbashkëpunimin me te!
Raport nga zyra e Nikoliqit
Serbët në Kosovë janë të rrezikuar. Hashim Thaçi nuk po i trajton si duhet. Kishat dhe manastiret serbe po rrënohen nga ekstremistët shqiptarë. Policët e Kosovës nuk po i lënë të marrin pjesë në pelegrinazh besimtarët serbë. Ata po i rrahin besimtarët, popat dhe po i cullakosin duke ua marrë kanotieret. Sikur gjatë festimit të Vidovdanit me shubarë dhe kokarda të Draganit! Po i zhvendosin me dhunë nga shtëpitë e tyre. Bota nuk po reagon si duhet dhe kur duhet ndaj kësaj dhune të paparë të ekstermistëve shqiptarë ndaj popullit të pafajshëm dhe qiellorë serbë. Serbët janë popull paqësorë ndërsa shqiptarët janë të dhunshëm. Raporti është i saktë 120%. Nënshkruar në kabinetin e Nikoliqit nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban ki Mun.
Behxhet Sh.SHALA, Prishtinë – 10 gusht 2012

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura