MEHMET BISLIMI: NË NDERIM TË DËSHMORIT TË KOMBIT AGIM BAJRAMI

Kreuzlingen (Zvicër) 25. 08. 2015: (Nuk ka gjë më shenjtë sesa se të luftosh për çlirimin e Atdheut) – Veprat heroike të Dëshmorëve tanë edhe më çartë forcojnë bindjen dhe mendimin filozofike; se nuk ka gjë më humane se lufta për lirinë e popullit dhe vendit tënd. Këtë e çmon bota liridashëse dhe demokratike, për shkaku e thjeshtë të formësimit dhe vetëdijesimit të njerëzimit liridashës. Një populli i robëruar nuk do të prosperoi kurrë politikisht, as ekonomikisht, as moralisht, as do të ngritët kurrë në shkallë të duhur të vetëdijesimit, nga se ai do të pengohet vazhdimisht nga pushtuesi.
Të shkruash për figurat madhore, siç janë dëshmorët tanë, në radhën e të cilëve dëshmori Agim Bajrami- Komandant Zefi, zë vend nderi, nuk është e lehtë, aq më pak privilegj- mendoj se është përgjegjësi e dyfishtë për faktin se ata bënë të pamundurën për çështjen e madhe kombëtare. Agimin e kemi pasur shok e bashkëveprimtar në radhët e organizatës së Lëvizjes Popullore të Kosovës, ushtarë të denjë, organizator dhe Komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte i përkushtuar për tokën mëmë, ai së bashku me bashkëluftëtarët e vet bënë që ne të marrim frymë më lirshëm, ata bënë që brezi ynë i ri të shijoj lirinë pa ndrojtje nga thundra pushtuese e fashizmit serb.

Vetëm popujt e lirë mund të prosperojnë, të zhvillohen ekonomikisht dhe politikisht, ata dhe vetëm ata mund të ndikojnë pozitivisht në përparimin e rendit të ri demokratik dhe pa dyshim ata mund t’i kontribuojnë paqes mbarë botërore. Një gjë të tillë, asnjëherë nuk mund ta bëjnë pushtuesit gjakataret të këtij globi me qëndrimet e tyre barbare të cilët po ia zënë frymën lirisë dhe përparimit të botës civilizuese. Ata po e ngulfasin progresin dhe lirinë e popujve të shtypur, me rivalitetin e tyre të ulët e agresivë, me barbaritë e tyre të papara, për të dëshmuar fuqinë e forcës së tyre, por jo, jo as një herë fuqinë dhe forcën e arsyes!
Populli shqiptarë, gjatë një shekulli robërie nën pushtuesin serb, pamohueshëm se një pjesë e tij humbi, ose thënë më mirë, rrëshqiti nga dinjiteti i vet, duke lejuar që pushtuesi t’i nëpërkëmbë në formën më të ultë të të nënshtruarit! Në fakt, bijtë tanë liridashës qëllim të jetës së tyre kishin lirinë e vendit, pavarësisht çmimit që duhej paguar! Të vetëdijshëm se kjo rrugë do sakrifica të pareshtura, ata, ju përveshën punës dhe prishën rehatinë e pushtuesit serb, njëkohësisht edhe qetësinë apatike të shërbëtorëve të tyre, duke i dhënë konotacion të duhur çështjes sonë kombëtare në kohë dhe hapësirë. Në vazhdën e këtij lumi luftëtarësh dhe atdhetarësh të denjë, printe edhe Agimi ynë i mirë- Komandat Zefi, me flamurin e fitoreve të përgjakshme të popullit tonë, por me krenari të paprekshme, kryelartë e triumfuese nder shekuj!
Agimin, në fakt, e kam njohur më pak fizikisht, për më shumë e kam njohur atë shpirtërisht: Si emër e veprimtar të denjë, si organizator e kontribuues të madh, si njeri të sakrificës- i tillë edhe ishte ai. Agimi ishte shpirtmirë para se gjithash, sepse pa qenë shpirtmirë, nuk mund të jesh i devotshëm. Ai kishte një natyrë të butë, gjithnjë i buzëqeshur, i qetë, i heshtur dhe kisha përshtypjen se Agimi në jetën e vetë nuk kishte lënduar njeri. Ky ishte shpirti engjëllor i Agimit për t’u kombinuar me anën tjetër të medaljes; me Agimin luftarak e të ashpër kundër pushtuesit, me Agimin e sakrificave më sublime në shërbim të atdheut, me Agimin e betejave të përgjakshme për liri e bashkim kombëtar, me Agimin që la jetën e tij në altarin e lirisë si dëshmi së ky popull do lirinë e vendit të vet mbi të gjitha- edhe me çmimin e jetës!
Ky qe Agimi me shokët e tij, të cilët morën armët në dorë për t’i dalë atdheut zot. Ata, këtë e bënë pa bujë e zhurmë, pa bubullima e mburrje, pa rrahagjokseje e krekosje, ai se bashku me shokët, shkuan në Kosovën e përflakur dhe u përjetësuan në shkëmbinjtë e Kaçanikut legjendar, në Kaçanikun e Mic Sokolit e Idriz Seferit, ku mes këtyre dy burrave të dheut Agimit dhe shokëve të tij, Besnik Beguncës e Xheladin Kurtajt, iu la përjetësisht vendi i lavdisë kombëtare!…
Agimi, la Zvicrën, la jetën e luksit të Evropës në këmbime me lirinë e atdheut, Agimin la fëmijët e tij të dashur, la gruan e tij shpirtmadhe, la punën dhe jetën që me mund e djersë e kishte krijuar atje në perëndimit. Agimi, la çdo gjë të bukur të kësaj bote që i thonë jetë, për të shkuar tek shokët e idealit, tek luftëtarët e lirisë, për t’u bashkuar atje me ta në altarin e lirisë, në lumin e pavdekësisë… A ka diçka më të madhe në jetë se kjo që bëri Agimi së bashku me qindra luftëtarë tjerë të lirisë, jetën ia falën tokës mëmë!
Veprimtaria atdhedashëse e Agimit është shumë e gjatë, mbi njëzetvjeçare në shërbim të atdheut, në mënyrë që një ditë këtë liri ta gëzojnë fëmijët e Agimit, fëmijët e dëshmorëve tanë, fëmijët e Kosovës dhe të tërë shqiptarisë!
Agimi, ishte i palodhshëm, ai kurrë nuk ndalej së vepruari. Ai nuk hamendej, ai fliste pak, por vendimet që merreshin, Agimi kurrë nuk i kthente mbrapsht.
… Kurrë nuk do ta heq nga kujtesa njërin prej takimeve, që kam pasur me Agimin në Zyrih të Zvicrës. Meqë unë në atë kohë shkruaja për “Zërin e Kosovës”, krahas shkrimeve publicistike etj., mbaja edhe rubrikën e humorit me nofkën “Ngucakeqi”. Si duket, Agimit i kishin pëlqyer batutat e mia, dhe më një rast më tha: “Ngucakeq, mirë kishe shkruar, por me ç’shoh unë, këta nuk do të marrin vesh nga shkrimet, krahas shpotisë u bën mirë edhe ca dajak këtyre!… ”, dhe me atë buzëqeshjen e tij karakteristike iku…
Ende nuk kam parë buzëqeshje më të natyrshme dhe më njerëzore se buzëqeshjen e asaj dite të Agim Bajramit. Edhe sot e përgjithmonë në mendjen time më është fiksuar, e nuk më hiqet përjetë ajo buzëqeshje aq njerëzore e Gjeneralmajor Agimit atë ditë, atë ditë!…
Buzëqeshjen e Agimit e shoh sot në sytë e fëmijëve të Kosovës, në sytë e fëmijëve tanë që një ditë padyshim se do ta gëzojnë lirinë dhe bashkimin e plotë të tokave shqiptare, e shoh në sytë e popullit tim se po vijnë ngadalë por sigurt, Agimet e lirisë së madhe të popullit shqiptarë!
Më respektin më të madhe njerëzor për Dëshmorin e kombit, Gjeneralmajor Agim Bajrami, për shokët e tij që ranë së bashku, dhe për të gjithë Dëshmorët e kombit tonë!
Mehmet BISLIMI, Gusht 2015, Kreuzlingen

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura