BESIM CENGU: “MBRETËRIA POETIKE” E MOIKOM ZEQOS

Tiranë, 25. 09. 2013 – Vëllimi poetik “Centauri i Ri” i Moikom Zeqos përcakton atë shprehjen që vetë poeti e thekson se “poezia ndihmon të zbulojmë atë që ende nuk e dimë…”. Çdo libër që boton poeti e konsideron si sfidë ndaj vetvetes, dhe në fakt kështu është. Poezitë e këtij vëllimi janë përzgjedhur te dorëshkrimet e pabotuara…
Dorëshkrimet e pabotuara!

Sa shumë dorëshkrime të pabotuara ka ky patriark i letrave të sotme shqipe!
Plot, plot fletore e blloqe të rregullt dhe të ruajtur me kujdes.
Se kush pat thënë dikush i ditur se “që ta kuptosh plotësisht një krijues, lexo dorëshkrimet e tij”.
Moikom Zeqo është gjithnjë i paplotë sa të mos i njihen dorëshkrimet.
Një ditë më tha: “i kam thënë Epidamnit (djalit) se mund të bëni ç’të doni me të gjithë librat e bibliotekës, por dorëshkrimet m’i ruani. M’i ruani se aty jam unë i plotë. Jam i vërteti, i ploti, i sinqerti, i kuptueshmi”.
Pasi botoi Centaurin e Ri, vëren se kishte lënë një cikël poetik të natyrës së poezive të këtij vëllimi të harruar në një prej blloqeve të panumërt. Një cikël marramendës mbushur me intensitet mendimi dhe metaforash ku “Thepat e agavieve e plagosin agun” e “Shqiponjat e detit mbi zenite rrinë.” Thjesht një tufë poezish të magjishme dhe që vetëm universi i mendjes moikomiane i prodhon.
Poezi të mrekullueshme moderne.
Po e botojmë këtë cilël (cikël i thotë Moikomi, por në fakt është vëllim poetik më vete me 56 krijime të përsosura, pjesë e “mbretërisë poetike moikomiane” siç e ka cilësuar studiuesi Fatmir Alimani.
Moikom Zeqo shkruan për të gjithë njerëzit që jetojnë mbi tokë, e jo për një pjesë të tij, prandaj ai është universal.
Poezia e tij është mrekulli artistike dhe e figurës poetike. Ai e di dhe është i vetëdijshëm se është koha për një vështrim të ri poetik, për një formë të re, për një mendim të ri, për një fjalë tjetër që rrëmben, që tingëllon tjetërlloj, që përcjell një mesazh tjetër, që le një shije tjetërndryshe.
Kam mendimin se problemi substancial i krijimit artistik që prej qytetërimit të lashtë e deri më sot ka qenë raporti i përmbajtes me formën që sintetizojnë të tërën, veprën e plotë artistike që sipas autorit përcjell mesazhin e arrin qëllimin për të cilin shkruhet. Jo më kot Moikomi e vlerëson krijimin e vet poetik në këtë drejtim. Në të kundërtën nuk e konsideron të tillë.
Në shekullin e XIX ky raport u sintetizua në pyetjen e famshme retorike të Zhorzh Sand-it kur thoshte: “Venusi i Milosit është i përsosur. Ashtu qoftë! Po ç’më duket një kokë e bukur gruaje kur brenda nuk ka tru?” Prej kur u shtrua kjo pyetje e deri më sot arti ka ecur në hulli kërkimi të pambarimtë artistik edhe duke përsosur formën edhe duke pasuruar përmbajtjen. Prej këtij kufiri kohor ndarës cilësisht rolin më të madh e ka lujtuar “mbretëria e metaforave dhe filozofimit poetik”.

– Dr.Moikom Zeqo – 

Simbolizmi francez është ndoshta shprehja sintetike e nisjes së poezisë së re. Ky revolucion artistik përmbysi koncepte e ndërtoi forma krejt të reja e krejt të ndryshme që u bënë avangardë e një krijimi të përmasave të tjera të ndryshëm në formë, gjuhë, figura, trajtim e shtjellim idesh, përdorimin e teknikaliteteve të reja. Verlen, Rembo, Bodler, Malarme etj., apo Po, Witman e Strinberg në Amerikë, por edhe Lermontovi, Shevçenko në Rusi u bënë “mentaliteti i ri artistik”, “të përjashtuarit prej rregullit”, “planetet që fluturonin në një orbitë të re krejt të panjohur prej artit tradicional”. Fillimisht për të mos u kuptuar e për tu quajtur absurdi i madh i shoqërisë, e më pastaj, për tu thithur e vlerësuar realisht si kërkesë e kohës e domosdo e saj.
Para së gjithash, sipas Moikom Zeqos, rëndësinë më të madhe e ka fjala. “…A është funksioni i Poezisë të gjejë fjalë të reja, më të abstraguara, më shndritëse (luçiferriane), apo të ndreqë një protokoll të moçëm, të përkryejë simetrinë e një raporti fjalësh, apo ta çojë e ta tkurrë një mendim e një ide në zgripin e përpiktë të një gjeometrie euklidiane? A është kjo përkryerje e sipërfaqes, e së dukshmes sipas kërkesave të një sqime të pamundshme, apo të një argjendarie zbukuruese? Po a mund të zhbëhet një qëllimshmëri përmasash për të zëvendësuar (alternuar) me një shpërthim të kuptimshmërisë antike dhe ftillëzuese të fjalëve?”
Pyetjeve drithëruese, realisht thelbësore në artin e sotëm modern që shtron vetë poeti u jep përgjigje me sukses nëpërmjet magjisë së fjalës në poezitë e tij si epërsi e kreativitet kundrejt “agresionit” virtual internetik që po deformon tragjikisht krijimin artistik si magji e njerëzimit. Mendja njerëzore ka krijuar botën virtuale, ndaj është e destinuar ta sundojë atë.
… Edhe në këtë cikël të tij, të cilin autori e quan “Orëndreqësi qiellor”, si një këmbanë që jehona e tingujve të saj nuk resht, poeti te poezia “Revolucioni botëror” shtron pyetjen që do të shoqërojë njerëzimin gjatë shekullit të XXI:
…“Email-et më rrethojnë kudo si një kor,
Ngjan se materja ka humbur pa cak.
Si ta bëj një revolucion botëror
Në një delfin, tre yje e dhjetra zambakë?”

Tiranë, 22 gusht 2013: Në një takim me Dr. Moikom Zeqon, Gjokë Dabajn,

Besim Cengun dhe Demir Reshitin.

…………………………………….

MOIKOM ZEQO

ORËNDREQËSI QIELLOR

Me tela Aushvici më rrethon elektronika,
Kujtesa është “delete” nëpër kohëra
Dhe mblidhen zogjtë mbi vetullat e mia
Si afresket e Onufrit mbi kupola.

Ku është e Bukura? Ku është Arkadia?
Pse korbi i Poes thotë kudo “Never more”?
Veç trafiku i pandalshëm me drita
Është ëndrra e një orëndreqësi qiellor.

MONEDHA NGA FYTI I PULËBARDHËS

Retë e pikëllimit pa forma, pa shprehje,
Ftillëzohet gjeneza e botërave prap.
Unë i zhduk kufijtë midis vjeshtës dhe teje
Bukuri e përbërë, e harlisur në ag.

E dashur ku je? E abstragon mungesën!
Me flokë prej rontgeni në gjithësi.
Nga fyti i pulëbardhës e nxjerr monedhën,
Te telefoni automatik, – të lidhem me ty.

KIRURGU KOZMIK

Guackat e bregut e rishpikin mermerin
Në vorbulla misteri për një lapidar,
Ku drurët e plagosur të vendlindjes nxjerrin
Limfa floriri në muzgun detar.

Si ballë Polifemi prej mijëra sysh
Shfaqet shumësia e vetë universeve.
Ç’kirurg kozmik do t’i ngjisë sërish
Gjymtyrët e copëtuara të rrufeve?

VAJTOJCAT LULEKUQE

Diku shkrep papritur klithma e një drite
Në thepisjet marramendëse të stralleve.
Do të jem në terr veç djersë diturie
Mbi ballet e deformuar të të marrëve!

Shekujt i kanë emrat si gjemba gëmushe,
Ku çirren e gjakosen heronjtë e baladës.
Brengën ua lë vajtojcave lulekuqe
Në pllajat e pafund të imagjinatës!

TRUPI DHE SHPIRTI

Thepat e agavieve e plagosin agun,
Shqiponjat e detit mbi zenite rrinë.
Vjeshta mbetet Mysterium Magnum,
Pamatësia na e çvesh mençurinë!

Sa grigja mitike mbi Akrokeraunet,
Zëri i dhive përhap veç pranverë.
Njeriu e lë trupin e tij ku të mundet,
Por veçse shpirtin me vehte e merr!

KATASTROFA

Katastrofa ngre gracka në vrima,
Stuhia si epidemia shpërthen.
Pse blokun e adresave të mia
Ma vodhën Sherlok Holmsët alienë?

Tani çdo pemë e ëndërron rilindjen,
Katër kuajtë e stinëve rrëzohen përdhe.
Homeri s’u grind vetë për vendlindjen,
Veç të tjerët u grindën për të.

REVOLUCION BOTËROR

Kush shpik arkeologji për internetin,
A kriminalistikën e virtuales?
Veç buajt mitikë të Butrintit tërheqin
Plugun e mijëvjeçarëve të fjalës.

Email-et më rrethojnë kudo si një kor,
Ngjan se materja ka humbur pa cak.
Si ta bëj një revolucion botëror
Në një delfin, tre yje e dhjetra zambakë?

MAGICA SEXUALIS

Tani çdo situatë është një emergjencë
Dhe çdo tragjedi është veç një farsë.
Durimi është lëkura ime o Diell,
Që çvoshket dhe bije mbi kuarc!

Lëkura që ndizet dhe tmerron dhe borën
Dhe akujt apokaliptikë të mitit,
Po vargjet erotike të Petrarkës shndrrohen
Në Magica Sexualis të amëshimit!

AMËSHIMI PA RRËFIME

Tek atdheu i humbur rikthehem tek Heshtja
Për tërë amëshimin s’kam më rrëfime,
Tek vreshta e eukaristive të shenjta
Janë vilet e gjijve të amazonave ilire.

Dhe mbase në kulm, mes katastrofave
Do të shfaqem sërish me gjestin mallkonjës.
Dhe i mbart fjalët si zilkat e lebrozëve –
Të frikësohen tërë idiotët e botës!

PRINCËRIT E ZJARRIT

O, si shumëfishohet pushteti i Gënjeshtrës
E s’jam hero i asnjë prej betejave!
Princërit e zjarrit në dashuri ranë njëherësh
Me detin femëror të të gjitha gjenezave!

Kush hieroglife i bën tërë florudhat?
Ç’transendencë të re shpik marramendja?
Kujtova se më erdhën Tri të Bukurat,
Por qenë Brenga, Ankthi dhe Vdekja!

SIBILAT PA ZË

Bije të fle por mua gjumi s’më zë,
Ashtu si Milosao i lashtë në baladë.
Kërkoj të Vërtetën – Sibilat s’kanë zë,
Ato dhe Bogdani s’gjeti më prap.

Ç’mbretëri e harruar mbi thepa dhe maja,
Mbi amëshimin kapricioz të deteve,
Ku ditët vajza vallëzojnë nëpër pllaja
Me zezakët qiellorë të netëve!

THELLËSIRAT JANË KUAJ

Shpirti i Serembes është shndërruar në re,
Një rimë e harruar është ky zog në gëmushë.
Thellësirat janë kuaj që lëvizin me nge
Me jele leshterikësh blu dhe të kuq.

S’kam ku të shkoj, veç në det, në det,
Si Holandesi Fluturues i mitit.
Fryma ime e dëshpërimit bren dhe tret
Vetë piramidat vigane të Egjiptit!

ADRESË ZODIAKU

Si katedrale qelqi rri mbi Currila,
Kujtesa pa engjej me muzgun afresk.
Unë si Eskili mbledh thërrimet shira
Nga sofra përrallore e Homerit det.

Pse koha vërtitet në mjegull dhe llohë,
Ulërin në shi luani i shën Markut?
Adresa ime s’përcaktohet dot
Veç nga shenjat qiellore të Zodiakut!

STINËT, GRA TË MAGJEPSURA

Realiteti arrin tek zeroja mistike.
Ç’ceremoni e Bizantit me kaktuset shpura!
Dikur dhe pelikanët si poetë budistë
Artikulonin vargje blu për mua!

Kush tund mbi planet temjanicat smog
Me duar kometash në altarët pa mesha?
Dhe unë arrij tek Asgjëja: S’ka portë!
Tundohem nga stinët: gra të magjepsura!

VALKIRIA

Kibernetika e klonon vetë shekullin.
E ardhmja është meteor mbi hon.
Se tërë engjejt dedektivë më ndjekin,
Por unë jam fshehur tek Vdekja përgjithmonë.

Pa ëndërrim dhe ankth e shquaj Valkirën
Mbi luftërat e ideve plot dritë në fortunë.
Bukuritë e shpirtit tim valëviten
Tek shtiza e një flamuri nokturn!

KALI I MILOSAOS

Ah, deti jonik i kristaltë në llohë,
Miti i Tomorrit vjeshtuar në lofatë.
Arat me kallëzat e arta i shoh
Si garderobë perandori të lashtë.

Bluja e ditës në apoteoza meket,
Kripa kërcet – asnjëherë pa klithur.
Lulëzon mëllaga e re, kaq e freskët,
Kali i Milosaos e mbllaçit papritur!

MBIJETESA E NJERIUT

Poezia s’është as e gjallë, as e vdekur –
I vetmi sekret mbijetese i Njeriut
Krejt lakuriq mbi një kalë të çveshur
Si ta vesh parzmoren prej muzgu të shiut?

Si ta gjej shpatën e humbur në mite?
Qëllimin që s’është mbi humnera deti?
Xixëllonja verbon si pikë ortografike
Në fund të një fjalie testamenti!

KISHAT E GJUMIT

Nëse mbjell gjemba grurin s’e korr.
S’filitëse është lëvizja e ritit.
Pritja e Godosë – alegoria horror
Për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Përherë symbyllur unë shoh gjithçka
Me dritën pa elektricitet të trurit.
Ndërsa tërë ëndërrat jehojnë si këmbana
Në kishat e shurdhëta të gjumit!

CENSURIME HEREZISH

Kodra me xinxife, -saga lirike,
Bluja e detit ndryshket nga vjeshta.
Ejani, ejani në Meshën Gnostike
Të shpirtit tim të pikëlluar nga Hëna!

O librat e mëdhenj! I mbyllur në kriptë
Gjakun e shpërthej kudo si meteor.
Vetë Zoti, Zoti m’i censuron utopitë –
Herezi të autoritetit hyjnor!

KIPCI

Ç’është dashuria ? Mahnitja që s’rresht?
Ç’kuaj të bardhë mes muzgut të gjelbër!
Të kam tradhëtuar e dashur kaq shpesh
Me vajzat e papara të një planeti tjetër!

Tani një Logos në shkretëtira bredh,
Por urat e mëdha i bren një acid.
Unë rri si asket në vetminë e thellë,
Skandalet rebele i bën kipci im!

BUJTINA E BRAKTISUR E PURGATORIT

Kujtesa s’le gjurma mbi pluhurat e dheut,
Ajo lë tatuazhe në lëkurë të planetit.
Unë mund të takoj vetë Odiseun
Me veshjen mesjetare të Dante Aligerit.

E ardhmja e kërkon më kot eliksirin,
Virtualja ka shijen e vetë horror-it.
Mbase jam fqinj me vetë Shekspirin
Në bujtinën e braktisur të Purgatorit.

AKULLNAJA E ILUZIONIT

Me nerva kam një elektrokardiogramë
Të zemrës së shekujve që rreh me vertik.
Si t’i qiellzoj këtë kuaj të bardhë
Në bregdetin e purpurt jonik?

Ç’ide u fundos si Titaniku i hekurt
Nga akullnaja e një iluzioni të kotë?
Një plug i braktisur dhe i ndryshkur ka mbetur-
Pëllumb i gjakosur që s’fluturon më dot!

DINOZAURET E MELANKOLISË

S’vij më në Currila për një status të ri,
A një fillim të tjetërllojtë të jetës.
Një plep gjetheartë drithërohet tani
Si tepsi me cironka në kuzhinën e vjeshtës.

Stërkalat në det e ndritin delfinin
Si hedhja në roletin e vetë fantazisë.
Tani mbi pllaja ringjallen dhe lëvizin
Dinozaurët e lashtë të Melankolisë.

VDEKJA, ARNË E MREKULLUESHME

Ç’hieroglif po bëj me majën e një brushe
Në qiellin tim për kohërat e kujtesës?
Dhe vdekja bëhet arnë e mrekullueshme
Në këmishën e grisur të jetës!

Dyshimi nginjet me SOS-e dhe shqotë,
Botë post-moderne me estetikë sëprapthi.
Migjeni i vdekur, kaq i ri, pa moshë,
Balsamosur brenda një shtrëngate ankthi.

FJALA SHPËTIMTARE

Ç’Fjalë Shpëtimtare e mposhti Frikën?
Ç’mrekulli antike u ringjallën njëherësh?
Brenda syve të mi sa kryeengjëj digjen
Dhe pemët ulurijnë si të ishin njerëz!

Ca belbëzime fëmijësh i shkrijnë akujt
Dhe çelin jargavanë vetë palmat
Nga eshtrat e mia le të përhapet
Pluhuri i fosforit në të gjitha hartat!

QIEJTË E RINJ

Dita e porsalindur thinjet me stres,
Mankthi shumëfishon realitetet vulgare.
Vdekja i thyen tërë orët-vezë
Për omeletën e saj universale.

E mbjell një fidan ta kthej në Ejfel,
Që Dielli nga lindja të lindë në perëndim!
Mbase duke gërmuar thellë do të gjej
Minierat e hershme të qiejve të rinj.

EPOSE PLUHURI

Sa eposë pluhuri! Ka vdekur epika!
Ruleto kazinosh klonojnë orët e dorës
Tek një studio shkrimtari është mobilja,
Zdrukthuar nga mbeturinat e Kalit të Trojës!

Ec këmbëzbathur gjer në cakun e fundit
Në boshin ku zëra sirenash s’më ndjellin
Në ç’pupla palloi është afresku i Onufrit
Për tërë ëndërrat e mia që s’vdesin?

SKIFTERËT E PIKËLLIMIT TË MADH

Ç’AND e harruar do të na bëjë sërish
Personazhë të tjetërsuar në një përrallë?
Po ma çukitin trupin egërsisht
Skifterët mitikë të Pikëllimit të Madh!

Në udhëtimet e trurit një aksident më përplas,
Por ende nuk jam i vdekuri i kronikës
Dhe dal dhe hyj i dehur në ekstazë
Si Khajami me lecka i elektronikës!

IDETË, ATLETË VIRTUALE

Ç’argjendar prej muzgut bën kurorën e mbretit
Te një përrallë dhe fantazie të herëshme!
Idetë më kërcejnë mbi katet e qytetit
Atletë virtualë të sporteve ekstreme.

Spartaku thrakas s’i udhëheq më skllevërit,
E përditëshmja sfumohet nga Gënjeshtra.
Jam si molla e tharë, e pangrënë e Edenit
Midis Tigrit dhe Eufratit në ëndërra.

AMËSHIMI I KURDISUR

Ç’vegël fatale Historinë e tredh?
Sa vela të shqyera lart në stuhi!
Tek kockat e mia në varrin më të thellë
Një perpetum mobile e bën një përjetësi!

Koha s’u mungon veç drurëve të gjelbër
Me fotosintezën diku për të mbritur.
Tek rrokjet e fjalëve unë i kam fshehur
Miliona sahatet e mi të kurdisur!

VËSHTRIMI INKANDESHENT

Përplasem, i mbyllur në botë pa intelekt,
Sahara është klepsidra e copëtuar
Por veç vështrimi im inkandeshent
I ndez në çast tërë qirinjtë e shuar!

O ç’robinsonadë në supermarket
Pa karta krediti në globin dyqan!
Shoh befas saksofonistin Charlie Parker
Dhe poetin e çmendur Thomas Dylan.

MENDJA E NGRIRË NË KRISTAL

Porta e mbyllur përjetë e fëminisë
Asnjë çelës i artë atë dot s’e hap.
Tani vjeshta ka teprica energjish,
Po mëndja e saj ka ngrirë në kristal.

Tërë orët kanë sinjale alarmi
Kur vdes fantazia dhe çdo qytetërim.
A mund të ketë miza flatra Pegasi
Dhe Arti të jetë i vetmi Shpëtim?

APOLON ME MJEKËR KRISHTI

Karaoket e natës s’kanë shenja pikësimi,
Logjika e rëndesës na ka lënë pa peshë.
Se fjalët janë festa dlirësimi
Për ju o të mallkuarit memecë!

Dilema e katastrofës atomike shpërndan
Ca ungjij apokrifë arësyetimi.
Dhe ndihem si një Apolon pagan,
Por me mjekër heraldike prej Krishti.

POPULLI KOPJE

Vdekja e skalit ëngjëllin në një shkrep
Si Donatelo Davidin në ethe deliri.
Ngjarjet e reja më presin t’i prek
Si Midia t’i bëj kujtesa floriri.

Rreshje acidi dhe zhgënjim në Europë,
Fjalët e rreme kanë semantikën e forcës.
Dhe mediat i shpërndajnë famën e kotë
Jo origjinalit popull, por kopjes!

VAGINA E KITARËS

Me spiritizmin e media spikerja është shtrigë
Me përfolje dhe profecira pa skaj.
Kitarja e paturpëshme në delirin erotik
Më tregon kudo vaginën e saj.

Vërtitet në boshllëk shtjella e gjithësisë,
Me brutalitet na mbërthen një pasiguri.
Tomori është Kaukazi i Shqipërisë
Me Prometeun dervish, leckanjoz Abaz Ali.

LUÇIFERRI PA FLATËR

Larg vehtes mërgohemi, padyshim asketë
Si Luçiferri i rrëzuar qiejve pa flatër.
Dhe pemët lëkunden kudo përmbi det
Si kalorësit magjikë mbi kuajt e kaltër.

Të mbyturit kanë veç qefinin e shkumës
Dhe zanafilla e metafizikës u shter.
Pasardhësit e dinë: pas vdekjes së Budës
U shfaqën befas njëmijë Buda të tjerë!

PAGJUMËSIA E ZOTAVE TË VJETËR

Fjala poetike ka shtërzime pranvere,
E Ardhmja mjegullohet si pas xhamit opak.
Do ta mbart tërë popullin si pika djerse
Më mjekrën time prej Moisiu plak.

Vetmia e thurr korracën e vet
Me truke digjitale si alkimisti mjeshtër.
Dhe agimi zgjat më shumë se njëmijë vjet
Aq sa pagjumësia e zotave të vjetër!

ABSURDI PËRGJIGJET PËR MUA

Ç’zjarrmi të brendëshme ka vetë kombi?
Asnjë simbol heraldik më s’na ysht!
Do të mbetem si një statujë Kolombi
Mbi oqeanin e tharë befasisht!

Manipulimi i mendjes, epoka e atomit,
Pse estetika u përbindëshësua?
Trurin ja jap një delfini të Jonit,
Absurdi do t’ju përgjigjet për mua!

ANKTH

Ç’është ky Ankth? Pse kaq Pagjumësi?
Mos një “delete” është Jeta thjesht?
Vetëm pulëbardhat e dinë me siguri
Të ecurën e Krishtit përmbi det.

Me gishta të vdekurish a bën dot klik?
Rrotullohet hutimi sëbashku me cirqet
Pasqyra e vjetër e shtëpisë tani ndrit
Si llamba e prishur që befas ndizet!

KOPËSHTET PËRRALLORE

Si mund ta paraqes performancën e klithmave
Me bienale dhe ekspozitat e famëshme
Si t’i përzë si tufat e tigrave
Tërë ngjyrat e Përjetësisë valle?

Kush Kohën si dorashkën mbrapsh e ktheu?
Të gjitha rastet janë një gjeratore.
Me një vështrim muzikor prej Orfeu
Bëj mbirjen e kopshteve përrallore.

THOI I ENGJËLLIT

Hapësira e ka dëborën si makiazh
Këto kreshta janë Iliada pa Homer!
Kjo stuhi e beftë është si të shpërndash
Dadaizëm nëpër drurë dhe erë.

Çdo kujtesë – portreti i mbuluar me tyl,
Imazhet për realen janë thjesht një prarim.
Ma gërvisht vetëdijen time ky yll
Si thoi i një ëngjëlli sublim!

DETI, NARKOZA E AMËSHIMIT

Zambakët vallzojnë në festën e prillit
Thellësirat gëzojnë në krishtlindjen e peshqëve
Deti, deti, narkoza ime e amëshimit,
Por zëri im stonon në korin e ëngjëjve.

Sorkadhja e bjeshkëve thith agun e miteve
Dhe shfaqen ujëvarat – kometa të bardha!
Me të kuqe bëhen mbi kokrrat e qershive
Buzët e agimeve kaq të lashta!

SOZIET E MIA

Ç’pelikan mitik nxjerr nga fyti agimet?
Ç’muzgje ari modelojnë portokallet?
Ngjyrat shtegëtojnë kudo si beduinët,
Po vdesin të etura pa mbrritur tek oazet!

Ç’Dante e takon dhe në Parajsë Tmerrin?
Ç’drogë na i kthen tërë trupat në re?
Ca hekurudha nëntokësore do të sjellin
Miliona sozie të mia përmbi dhe!

BOTA E POSHTME E PËRRALLËS

Ç’bakterie të së Keqes e kultivojnë Krimin?
Shpëton nga të tjerët por s’shpëton prej vehtes!
Të vdekurit e kanë përsosur ëndërrimin,
Sepse s’dinë më të dalin jashtë ëndërrës!

Klima brymëzohet nga acare polare.
Popujt rrinë në botën e poshtme të përrallës
Sa gurë të shkulur kohërash mëkatare
Tek muret e ringritur të Parajsës!

SHTRËNGATA, PRANIA TËNDE

Flokë meridianesh ngre lart vetë Tmerri,
Vdes shekulli në apogjeun e fundit.
Sa daulle bubullimash misteri
Janë bërë me lëkurën time të trupit,

Tani nga Pagjumësia jam i çmendur krejt,
Por Humbja është porta e pahapur.
Dhe kjo shtrëngatë muzgu përmbi det
Është prania tënde e munguar e dashur!

PASAPORTA QIELLORE

Kush fjalët e Zarathustrës i shndërroi në reklama?
Sa poetë e teologë vërtiten në tërthore.
Dhe ikën tej hapësirave të largëta
Noziti i Lasgushit, -pasaportë qiellore.

Ç’Apolon e kap Ejfelin nga brinjët
Të bëjë me të dashuri me zor?
Pse bukuria e hyjnive përzihet
Me breshtësinë e nënur të fisit njerëzor?

PESË OQEANE MISTERI

Ç’Jahova e studion në vetmi planetin
Dhe s’di të bëjë asgjë, as edhe një kumt?
Nga gishtat e dorës mua më rrjedhin
Pesë oqeane misteri të pafund!

Optika e shekullit! Ne abysin rremet,
Paroditë i shkruaj me hieroglifet e duarve
Rreth meje s’ka asnjë Luftë të Tretë,
Por shpirtin e kam me plagë të pashërueshme!

SIBILAT BELBËZOJNË

Sibilat belbëzojnë në të errtin mjedis.
Një projekt u konceptua në rrebesh.
Ç’Foshnjë të Shenjtë unë do të rris
Me një djep të diamantë rrufesh?

Ç’palimpseste kozmike kthehen në harta?
Transcendenca s’e thyen kurrë prangën!
Përmbys në asfalt i dehur nga e Tashmja
Nxjerr si të vjella utopitë në të Ardhmen!

KUJTESAT NOKTURNE

Jetoj, marr frymë, sfilitem më kot,
Si slitë e Babagjyshit që i kanë vjedhur drerët.
Si ta ruaj Amëshimin tim o Zot
Mos ma rrëmbejnë drurët dhe shpezët?

Në brendësi të qenies idea s’ka flatër,
Po zjarri universal i flakëron tërë farkat.
Kujtesat nokturne janë kudo në ajër,
Por s’dinë të arratisen si shtrëngatat.

KËSHTJELLA SURREALE

Çdo imazh hap dhe mbyll një ekran,
Jashtëqitje e mediave e bën një batak.
Plakem mbi hartën e fjalëve që s’janë,
Sipër kam Hënën, -mëkatin tim binjak.

Lartësohem ankthshëm e bije në zgrib.
Ku jeni o netë të bruzda boreale?
Do të banoj tek ky kaktues jonik
Si brenda një kështjelle surreale.

PEGASËT S’ERDHËN KURRË

Ç’Arlekin do ta var në një vjegë ylberi?
Ç’lexues i rastësishëm do të më lexojë dikur?
Guackat do t’i bëj patkoj sedefi
Për pegasët që s’më erdhën kurrë!

E Ardhmja s’është garderobë e praruar,
As ballo me maska me melodi kometash.
Ora është kali im i tërbuar,
Shpuar me ije me yzengji akrepash!

SHPIRTRAT NË PLUHUR

Dilemat na vdesin në të njëjtin planet
Dhe qytetërimet e shekujve bëhen flur.
Ne hypim në avionët më të shpejtë,
Por shpirtrat na zvarriten në pluhur.

Instinkti i mbijetesës zbehet, përgjumet,
Në ç’raporte monetare tjetërsohet ëndërra?
Në gërmadhat e fëminisë lulekuqet
Janë Bukuroshet e mia të Fjetura!

HYU I ERËRAVE

Hyu i erërave mbi Korab mbështetet,
Ëndërra e ujëvarave quhet thjesht det.
Fjollat e borës i prekin strehet
Si shputa ëngjëjsh të hutuar krejt.

Kush solfezhin e di të simfonive të erës?
A mundet që diej të rinj unë të shpik?
Dhe ndjej një rrezik të ekzistencës
Si erën e djersës të dragoit antik.

MJEKRA E QOFTËLARGUT

Plogështi e nëmur! Jetë pa lëvizje!
A janë vallë stuhitë apoteozat e gjakut?
Dhe rrugët shpërndahen nga fytyra ime
Si qimet e një mjekre te Qoftëlargut!

Si pirat i vjetër timonin pa duar
E kam drejtuar tek ishujt që s’janë.
Sa shekuj të vjetër i kam mënjanuar
Si kulltukë të vjetër versajanë!

FLOKËT PREJ FLAKE

Shtegëtar i paepur, në kohën pa rrugë,
Grishjen e ndjej të kotësisë dhe artit!
Dhe dritaret beratase dridhen në muzg
Si gjethishte e artë e Bizantit.

Onufri s’është në altarët prej ëndërre,
Afreskat janë thjesht sekuenca filmike,
Ku një dragua nxjerr nga goja e tmerrshme
Flokët e mi prej flake mistike!

FLUTURA NË GOTË

I vetëm shëtis mes monumentesh në Romë.
Në Piazza Navona s’ka më jorganë.
Kush beson me naivitet se kjo borë
Është keku i engjëjve që s’janë?

Ave Caesar! Shekujt janë pluhur,
Vetë Dantja s’del dot nga një katakomb.
Dhe dita është si lëvizja e një fluture
Brenda një gote qelqi krejt bosh!

========================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

MOIKOM ZEQO I DHUROI 500 LIBRA BIBLIOTEKËS SË ULQINIT

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura