BESIM CENGU: NË KRAJË E SHESTAN – TE MAJA E BATILES NË DEÇIÇ (Aty ku u ngrit Flamuri më 6 prill 1911)

Tiranë, 14 korrik 2018:

 

 

***
“Pashë, o Pashë, t’rrnoft bajraku,
Ndigjo Deden ç’asht kah flet:
Për pa rrjedh der n’sylah gjaku,
Knjazi vendin tem s’e shklet!

Ah! Qe prep don t’na dajn copa!
Prep mendimi i parë asht ngjall!
Por ta marr vesht tan Europa:
Ded Gjo’Luli prap asht gjall!”

***
GJITHÇKA FLET SHQIP NË KRAJË E SHESTAN
Shqipja dhe shqiptarët në Krajë dhe Shestan flejnë në tokë dhe nën tokë si dëshmi e moszhbërjes. Aty është e konservuar si simbol i ruajtjes së përjetshme të rrënjës së origjinës. Gjithçka flet shqip nën “koren” që mundohet të mbulojë lashtësinë dhe autoktoninë, por që në fakt është e kundërta. Këtë “kore” harrese e ndihmojnë me orjentim të posaqëm vetëm kush s’e do ta njohë historinë tonë.
Me ekspeditën tonë shkencore në muajin maj të vitit 2018, nën drejtimin e etnologut Dr. Nexhat Çoçaj, nxorrëm në dritë dy gjëra:
Së pari, kjo trevë e mrekullueshme, e larmishme dhe specifike për nga ana historike dhe kulturore, pothuajse është lënë në harresë. Në harresë në mënyrë të vetëdishme prej politikës asimiluese të shtetit malazez, të cilit nuk i levërdisë aspak të nxjerrë e propogandojë historinë shqiptare të krahinave Krajë dhe Shestan, por edhe prej faktorëve politikë dhe shkencorë në Shqipëri. Ballazi e hapur shihet açik se administrata shtetërore e këtij vendi nuk ka asnjë pikë interesimi për zhvillimin e kësaj zone në asnjë aspekt. Nuk interesohet aspak as për zhvillimin ekonomik dhe shfrytëzimin e resurseve që ka ky vend, as për arsimimin e kulturimin e saj dhe për me keq ata janë të interesuar për të shpopulluar sa më shumë të jetë e mundur vendbanimet shqiptare.
Së dyti, përveç disa studimeve nuk ka pothuajse asnjë interesim të shtetit shqiptar apo institucioneve shkencorë dhe kërkimorë për të nxjerrë në pah të gjitha vlerat që mbart kjo trevë tepër e vlefshme në planin kombëtar.

– Prof.Besim Cengu –

Ndërsa te njerëzit që jetojnë në këta fshatra shohim përditë në sytë e tyre asimilimin deri në degradim që ka nisur me intensitet pas dorëzimit të këtyre trevave si rrjedhojë e pazarllëqeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit.
E keqja nis që më përpara Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por pikërisht në vitin 1878 kjo e keqe u thellua edhe më shumë, kohë kur u vendos dorëzimi i Ulqinit dhe dhurimi i këtij teritori asëll shqiptar Malit të Zi, i pjesës më historike të vendit tonë. Më historike në jetën tonë si popull dhe si komb më romantike se kjo trevë është nga me të bukurat jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Historike se këtu kanë nisë legjendat që vërtetojnë identitetin kombëtar dhe ngjarjet e mëdha kombëtare që kanë ndikuar shumë në ndryshimin e zhvillimin e rrjedhave të mëtejshme. Këtu ka nisë shkrimi i parë shqip. Buzuku në fshatin Brisk ka lindur dhe në Brisk merr kuptim e famë personaliteti i tij shumëdimensional. Më vonë në të gjithë krahinat rreth e rrotull e më pas në të gjithë Shqipërinë ka rrezatuar kulturën si jehonë e traditës së lashtë shqiptare.
Ishte koha kur me të Sëmurin e Bosforit, luante sharaleng një ambasador rus me emrin Ignjatiev. Çfarë thoshte ai bënte Porta e Lartë, sepse në këtë derexhe ndodhej. Merre me mend se ku kishte rënë kjo perandori…
Kur ushtria turke e udhëhequr prej një gjenerali antishqiptar, plak 82 vjeçar me emrin Dervish Pasha erdhi në krye të ekspeditës ndëshkimore e përbërë prej më shumë 40 batalioneve me mijëra trupa ushtarake përveç të tjerave la një përshtypje të hidhët në memorien e dëshmitarëve të kohës: Kur arriti në Shëngjin, ai u shoqërua prej flotave të fuqive të mëdha evropiane. Thua se po pushtohej një kontinent e jo një Shqipëri e vogël që prej rreth 400 vitesh ishte një cep perandorie. Faqja e zezë! Do të dorëzohej Ulqini, se kështu ishte vendosur në Shën Stefan dhe në Kongresin e Berlinit e bashkë me të edhe Plava, Gucia dhe territore të tjera shqiptare për të ushqyer “klysht e Rusis” siç cilësonte Fishta.
Shqiptarët varrit ia kanë treguar vuajtjet e masakrat që ushtria e Dervish Pashës ushtroi mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare. Ndoshta që nga kjo kohë ngeli shprehja e njohur “ku shkel turku nuk mbin bari”…
Por që prej asaj kohe të errët përsëri edhe gurët, edhe majat e maleve, edhe varret, edhe kishat, edhe ublat (puset) e vjetra prej më shumë se një mijë vjet…flasin e flasin. Flasin për bëmat, masakrat, por më shumë për qenien e identitetit shqiptar këtu.
NË DEÇIÇ …DED GJO’LULI PRAP ASHT GJALL!
Kraja e Shestani i dha një mësim të mirë pushtuesit turk në këtë kohë “tue provue në gjuhën e plumbave se kishte perendue tashma koha e ekspeditave ndërshkimore dhe e raprezarjeve, të udhëhequna nga gjeneralë shumë të zot dhe të sprovuem në mizori, si Shefqet Turgut Pasha me shokë”, – shkruan Tefë Krroqi, te Hylli i Dritës, (V. XXII, fq.11).
Në pranverën e vitit të zjarrtë 1910 ngrihet niveli i pakënaqësisë dhe në të njëjtën kohë edhe i rezistencës dhe në kokën drejtuese të saj është “Kreshniku i Malcis” Ded Gjo’ Luli. Revolta antiosmane evoloi dhe një vit më vonë më 24 mars 1911, u formësua mirëfilli lufta reale kundër Turqisë pushtuese. Vetëm pak ditë më vonë, më 6 prill të vitit 1911 ngrihet krenar flamuri në lamën e Deçiçit si akt pararendës i shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912.

Më 6 prill të vitit 1911 ngrihet krenar flamuri në lamën e Deçiçit si akt pararendës i shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912.
Flamuri i parë kuq e zi i Skënderbeut është ngritur në majën e Batiles në Deçiç një vit e tetë muaj para se të ngrihet në Vlorë dhe është shprehje e qartë e ngritjes së vetëdijes kolektive shqiptare. Sepse këtu Dedë Gjo Luli dhe trimat e tij atdhetare nuk ishte vetëm përballë ushtrisë të egërsuar turke që ngjasonte si një kafshë e plagosur në pragun e agonisë, por edhe përballë renegatëve myslimanë të Shkodrës që mbronin qorrazi interesat e Portës së Lartë. Sikur të mos mjaftojë kjo por duhej përballuar edhe rreziku shovinist i sllavëve të cilët pas Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit fituan më së shumti në kurriz të popullit shqiptar.
Dedë Gjo Luli me luftëtarët atdhetarë ngritën në majen e Batiles flamurin dhe ky akt i madh me rendësi të madhe historike nuk ishte padurim kolektiv, por rrethanë e krijuar historike dhe në përputhje të plotë logjike me përpjekjet për të këputur “hekrat” e robërisë.
Dedë Gjo Luli dhe trimat e tij me aktivitetin e tyre atdhetar, ishin paralajmërim i vigjiljes së pavarësisë së vendit tonë që do të vinte pas një viti e gjysmë.
Së pari, është ngritë në Deçiç, në majën e lartë ku dominohet pothuajse e gjithë hapësira shqiptare nga të gjitha anët dhe realisht përcjell mesazhin e bashkimit e të fillimit të një situate të re luftarake shoqëruar me kërkesa të reja tepër të avancuara dhe të drejta.
Së dyti, kjo hapësirë shqiptare është pikë nevralgjike e vendit tonë. Këtu janë vendet ku ne kemi luftuar gjithmonë dhe ku ka lindur epika jonë legjendare, legjendare dhe historike bashkë. Në këto bjeshkë e më përtej është luftuar për pyje, kullota e territore me bajlozët e ardhur prej tokave veriore ku jetonin popuj të ardhur që ishin e janë ndryshe nesh, e për më tepër kundër nesh. Ata kanë synuar gjithnjë të na zhbijnë ne shqiptarëve.
Shtëpia e Dedë Gjo Lulit flet qartë. Ajo ende i ka gjurmët e plagëve dhe i ruan ato si dëshmi përpjekjesh titanike për mbijetesë siç i ruajnë të gjithë kullat e asaj ane në të gjithë vendbanimet rrotull.
Publicisti e poeti ynë i njohur, Risto Siliqi, në librin e tij “Pasqyra e ditve t’pergjakshme në t’pestin shekull Shqypnis së robnueme”, botuar në Trieste në vitin 1912, shkruan se: “Me 26 t’marsit, bashkue ushtarët e Hotit, të Kelmendit, të Grudës, të Kastratit, të Shkrelit e të Shalës, e t’sokoluem me fitime t’përditshme, i ranë me nji rreptsi ushtrisë t’përzieme me shkodranë, sa mbas guximit e fatosash t’rrallë t’ktyre ushtarve shqyptarë, kta halldupa e pan se t’gjith po jesin me krye e ranë gjall n’dorë. Nder ta rob u xu dhe Abas Bekteshi, njaj trathtar qi në kohë t’aksionit reformator ju pat kundershtue si shqyptar Shefqet Turgut Pashës, dhe pasi e patën burgosun e dy hersh, në t’pamë t’gjith popullit t‘Shkodres, e patne shtrue n’dajak, e ky i poshtri u çue me i ndihmue anmikut të vet e me e vra me vllazën… Për pos tij, u xun rob dhe tjer, të cilve mbasi armt e fishekt ia moren, i lshuen lirë, t’cilet ikën me marrë kah Podgorica, prej këtej me avullore përmbi liqe e shkuene n’Shkoder, ku ndoshta nana e gratë e tyne do t’i kenë pritun të padituna t’i ngjeshin furkat.”
Shquhen trimat Dedë Gjo’ Luli, Oso Kuka, si dhe të tjerë malësorë trima, si: Marash Uci, Tringa, Çun Mula etj.
Dhe poeti kombëtar Gjergj Fishta në “Iliadën shqiptare” paraqet atdhetarin e madh Dedë Gjo Lulin të madhërishëm siç ishte në të vërtetë:
“N’at Malsi, n’at Rapsh t’Hotit
Ded Gjo’ Luli, burr si motit,
ma’ i qetë Lekë, bisha shkorretit,
ka nis pushkën m’asqer t’Mbretit!”
Poeti i madh e konsideron Dedë Gjo’Lulin ‘shpatë e gjallë’, dhe prej gojës së tij paralajmërohet Sulltani nëpërmjet Bedri Pashës se nuk do të ishin kurrë shqiptarët në sherbim të Portës së Lartë:
“Se me sotjet, emni i Zotit!
Sa jem nipash t’Gjergj Kastriotit,
e “Shqyptarë” qi thonë vendit,
ma duva nuk i bajmë Mbretit”
TE KISHA E LEKËS (LEKIÇIT) VARRET FLASIN
Aty afër majës së Batilës ku Flamuri shqiptar u ngrit është edhe kisha e Lekës (Lekiçit). Mbi të gjitha varret aty flasin si dëshmi e ftohtë e historisë tonë. Vjetërsia e këtyre varreve kalon përtej pushtimit turk.
Në vetvete kisha e Lekiçit, por jo vetëm ajo, është monument që dëshmon përpjekjet, gjallimin dhe mbijetesën.
Prej majes së Batiles ku ishim shihet Shkodra, ky qytet që i ka dhënë pa nda civilizim dhe atdhetari gjithë vendit sikur dielli shpërndan rrezet jetëdhënëse për jetën e gjallë. Dukes së prej kësaj maje pisket ende Dedë Gjo Luli si flamurtari i lirisë dhe përjetësisë së shpirtit shqiptar.

—————————————————————-

Ded Gjo Luli – 1911

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura