BESIM CENGU: PORTRETI I BABËS…

Tiranë, 7 maj 2018: (Në 100 vjetorin e lindjes…)
Pimë nga një gotë raki atë natë. Bëmë edhe muhabet për librin që kishte lexuar ato ditë; “Brenga e Ballkanit” e Miss Durhamit ishte. Diskutonte me pasion për padrejtësitë që na kishin bërë të tjerët dhe fliste me respekt për zonjën e madhe britanike. Si sot më kujtohet.

Si i mësuar me punë gjatë gjithë jetës së tij, mërzitej në shtëpi. I nxirrte punë vetes, si i thonë, në oborrin plot me lule të shtëpisë. Por lexonte vazhdimisht deri në fundin e jetës. Libra, gazeta, romane…Baba pati meritën se ngriti traditën e bibliotekës në shtëpi. Kur ishim të vegjël në klasën e dytë mësova se ai kishte një bibliotekë të veten që numëronte diku më shumë se njëqind libra: “Lulja e kujtimit”, “Sikur të isha djalë”, “Hasta la vista”, “Pse”, por edhe “Doni i Qetë”, “Mështekna e Bardhë”, “Larg Moskës”, “Një jetë”, “Çapajevi”, “Spartaku”, “Ushtari i mirë Zhvejk…”Tregime poloneze”, “Nën diellin e Mongolisë së lire”, “Tregime nga Bukovina” etj.
Folëm për futbollin se ishte tifoz i Brazilit, i Brazilit të Peles e Garinxhos. Edhe për politikën e ditës, se ishte komunist që në vitet 40’, kur kishte qenë partizan. Nga ata komunistët idealistë, ama. Qe nga ata burra që udhëhiqej prej parimit “i pari në sakrifica e i fundit në pretendime”. Shkurt, me pantollona të grisura e filloi punën në rini dhe me pantollona të grisura doli në pension pa pasur asnjë përfitim.

Nëna dëgjonte bisedat tona dhe ndonjëherë rrallë ndërhynte, por mbështeste gjithnjë babën. Gjyshi nga nëna qe i persekutuar politik. Hamza Sula qe biri i atdhetarit Sulë Elezi. Në vitet 60’ dënohet me burg disa vite, sepse kishte mbajtur një armë pa leje në shtëpi. Armën e Hasan Prishtinës që ia kishte lënë kujtim që në vitin 1932. Patrioti i kulluar, ishte mik i kësaj shtëpie bujare dhe patriote nga rridhte nëna ime. Ndonjëherë ne fëmijët i thonim nënës “kulake” me shaka, por baba ishte përherë suport i saj. E mbronte. E mbronte dhe vlerësonte gjithnjë.
Në dashurinë prej nëne dhe qetësinë e zakonshme i gëzohej bisedës tonë dhe ndihej shumë rehat.
Biseduam e biseduam atë natë të bekuar. Vonë fjetëm. Babën e zinte gjumi menjëherë. Flinte si qingj. Gëzonte shëndet të plotë. Gjithë jetën e tij 12 me 8 tensionin e kishte. Thatim, elegant… Dy metra burrë. Trup piloti.
Por edhe ngrihej herët, ama, shumë herët. Rreth orës katër e kishe në këmbë… Lehtë-lehtë, ngrihej prej shtratit dhe lëvizte si pupël. Ecte kështu për të mos i prishur gjumin atij që flinte me të atë natë. Sidomos bënte kujdes me mysafirët… Dilte në oborr, shikonte rreth e rrotull, kujdesej për pemët, misrin në arë, lulet në oborr, hardhitë e rrushit, bagëtinë dhe futej prapë. Për të “vrarë” kohën deri sa të ngrihesha unë, lexonte ndonjë faqe të librit e rradhës. Kishte zakon për ta mbajtur poshtë jastëkut të hapur në dysh, aty ku e kishte ndërprerë dhe lexonte disa faqe të tjera. Herë-herë hidhte sytë për të hetuar se mos më kishte dalë gjumi.
Pastaj ngrihej ngadalë dhe me hap të matur shkonte në tualet, lante sytë, pastrohej dhe kthehej pa u ndjerë në “fronin” e tij. Në atë “fron” ndihej vërtet mbret. Kishte afër të gjithë takëmin e mëngjesit, kafen, shishen e rakisë, filxhanat e kafesë, xhezvetë…gjithçka.
Vazoja e kafes kishte histori në vete. Ishte e fundit të shekullit të XIX, prej kur është në shtëpinë tonë, sikur tregonte ai. Ia kishte sjellë babai i vet kur kish qenë çaush në ushtrinë turke në Jemen. Gjyshin i gjithë fshati e njihte me emrin Hajrulla Çaushi. Vazoja është e tëra prej sermi e shkruar arabisht. Miqve nuk harronte kurrë t’ua tregonte sa herë kur ai pinte kafe me ta, historinë e bukur se si kishte ardhur prej atje. Edhe sot është në raftin e tij te shtëpia e rrënjëve tona.
Edhe mua më del gjumi herët. Si atij. I kam ngjarë në këtë drejtim. Vija re fshehtas me sy gjysëm të hapur veprimet e kujdesshme që bënte. Mbushte me nge dy gota raki rrafsh e plot dhe merrte takëmin e kafesë. Prej gotës së vet e kthente esëll një gllëjkë…e kishte zakon. Nuk ishte pijetar, por më shumë qejfli dhe kështu asnjëherë nuk e kalonte vijën e kuqe. Me një fjalë e kishte instrument muhabeti e bujarie.
Lumturohej kur i vinte ndonjë mik. Sytë i ndrisnin dhe i merrnin një shkëlqim plot jetë. Pasi e mbushte, e shtynte gotën drejt meje për ta pasur sa më afër kur të ngrihesha. Ndoshta mendonte se era e rakisë së rrushit që e bënte vetë do të më ngacmonte që të ngrihem. Kështu mendonte… Nuk ma prishte gjumin asnjëherë se i vinte keq… Ngadalë e cakërronte gotën e vet me timen dhe e kthente.
Ishte plak shumë i pastër. Duhan nuk pinte. E kishte lënë rreth 40 vite më parë dhe deri sa iku nga kjo jetë kurrë nuk u pajtua më me të. Lëvizja ngadalë dhe ai e vinte re menjëherë pragzgjimin tim. Lëvizjet e mia në shtrat ngjanin me rrotullimet e avionit nëpër pistën e fluturimit deri sa të ngrihej. Kollitej për të më sjellë mua në gjendje normale dhe më thoshte:
– U ngrite bir? Si fjete sonte?
– Mirë, mirë a fjete, bablok?
– Po, po, por herët shumë po më del gjumi.
Gjatë kohës që sillesha në shtrat në pragzgjim, vinte xhezven e kafes për mua. Kurrë në jetën time nuk e kam ndjerë veten kaq të lumtur, kur para meje ishte një gotë raki dhe kafja e bërë prej dorës së babës.
Çfarë sherbimi i hatashëm!
Prej orës tre deri në orën tetë të mëngjesit kënaqeshim duke bërë muhamet me babën tim. Si në ëndërr!
Në fundin e jetës më la amanet një valixhe…Aty ai kishte arkivuar jetën e vet për të mos u harruar. Sepse armiku më i madh i njeriut është harresa. Kishte ruajtur edhe dëftesën e vet të klasës së parë që e kishte mbaruar në vitin 1925…edhe plot shënime prej luftës dhe pasluftës, janë aty. Vlerësime, ftesa, dekorime…Gjithçka. Të gjithë letrat e dokumentat që ai i kishte ruajtur në atë valixhe i kam sistemuar në dosje si dëshmi e çmuar e jetës së tij, por edhe familjes.
Sikur të jetë sot në këtë jetë, një kafe me të nuk do të kishte çmim…
Besoj se kështu ndodh me të gjithë.
Eh!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura