Pashtriku.org, 19. 01. 2015 – Në vitin 2002, kryeadministratori i UNMIK-ut, gjermani Michael Steiner (në këtë pozitë ishte nga 14 shkurti 2002 deri më 8 korrik 2003) u ka bërë thirrje publike shqiptarëve që të heqin dorë nga Kombinati “Trepça”…, sepse sipas tij “Trepça” është një dinosaur që i përket së kaluarës (!!!). Kjo deklaratë ka nxitur veprimtarin Besim M.Zymberi të reagoj publiksht me një artikull “Trepça dhe KEK’u, nuk janë dinosaurë të së kaluarës, por ato janë grabitur dhe përdhunuar nga dinosaurët”, të botuar në të përditshmen “Epoka e re”. Këtë reagim e ribotojmë sot në “pashtriku.org”, si thirrje drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë kthimin e Trepçës në pronësi të Shtetit të Kosovës!
***
BESIM M.ZYMBERI: ‘TREPÇA’ DHE ‘KEK-u’, NUK JANË DINOSAURË TË SË KALUARËS, POR ATO JANË GRABITUR DHE PËRDHUNUAR NGA DINOSAURËT!
Deklarata e z. Shtajner se “Trepça” është një dinosaur që i përket së kaluarës”, tek populli shqiptar nuk mund të kuptohet ndryshe pos thirrje publike, për vënien në praktikë të projektit serb për ripushtimin apo ndarjen e Kosovës. Ja se pse:
Ish Kombinati “Trepça” dhe ish Elektroekonomia e Kosovës, ishin dy gjigantë, ndër gjashtë garantuesit e mëdhenj ekonomikë të ish Jugosllavisë, për borgjet e saja dhjetëra-miliardëshe. Përndryshe, një marrëveshje serbo-greke, në vitin 1994, “Trepçën”, do ta bënte gjysmëpronare të kësaj të fundit, për një shumë prej mbi 500 milionë dollarë, në të njejtën kohë kur, përkundër sanksioneve ndërkombëtare ndaj Serbisë, shuma më të mëdha kishin ofruar edhe disa shtete të fuqishme evro-atlantike. Vetëm këto dëshmi, demantojnë më së miri deklaratën shokante të administratorit të Kosovës, i cili haptas fton qytetarët e Kosovës, që të heqin dorë nga pasuritë e tyre më të mëdha.
Kryeadministratori i UNMIK-ut, Michael Steiner (14 shkurt 2002 – 8 korrik 2003)
Nuk është aspak e rastësishme që “Trepça”, kjo ëndërr e vjetër lakmitare për shumë pushtues të tokës shqiptare, viteve të fundit është lënë jashtë dore.
UNMIK-u nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për riaktivizimin e saj, përkundër që ekspertët shqiptarë vlerësojnë se me një investim të vogël, ajo mund të fillojë prodhimin. Në të njejtën gjendje është edhe “Ferronikeli” dhe “KEK-u”. Është fjala për tre gjigantë, të cilët jo vetëm që do të mund ta bënin ekonominë kosovare më të fortën në Ballkan, por do ta bënin konkurente edhe të shumë shteteve tjera të fuqishme evropiane.
Zotin Shtajner, do ta përkujtoja se gjatë LDB-së, pushtuesit gjermanë, ia lanë Kosovën pothuaj të tërë Italisë dhe Bullgarisë, por duke mbajtur për vete pikërisht “Trepçën”. Athua, ushtria gjermane ishte aq budallaqe që të jepte një territor prej dhjetë mijë kilometrash, për të mbajtur për vete vetëm një “dinosaur” të së kaluarës?!
Shikuar më thellë, deklarata e z. Shtajner, nuk ka fare konotacion ekonomik. Është një deklaratë e thellë politike, e cila, quditërisht, u hesht nga institucionet e Kosovës, të cilat, siç duket e kanë humbur sensin e gjykimit të momenteve të thyerjeve të mëdha politike, në dëm të pavarësisë së Kosovës.
Shtrohet pyetja, pse z. Shtajner u thotë shqiptarëve të Kosovës të heqin dorë nga Trepça, pa kërkuar publikisht ndonjë investitor për të? Çështja është se në projektin UNMIK-Serbi, për rikthimin e Kosovës Serbisë, apo për ndarjen e Kosovës, janë paraparë fazat psikologjike, të cilat kanë misionin që te qytetarët shqiptarë të Kosovës, të fusin averzion ndaj pasurive primare të vendit të tyre, se gjoja ato nuk funksionojnë fare apo funksionojnë me vështirësi!
KEK-u, i cili i ka shitur energji elektrike tërë Ballkanit apo Trepça e Ferronikeli, të cilat kanë qenë në hartat strategjike të superfuqive ushtarake, tani të japin përshtypjen e gabueshme të kontenjerëve të papërdorshëm, ndaj të cilëve, sipas z. Shtajner, shqiptarët nuk u dashka të kenë interesim. Dhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana e dytë është strategjia e përfitimit të psokologjisë shqiptare në favor të riintegrimit në Serbi. Nëse Trepça nuk punon, KEK-u, nuk jep rrymë etj., zgjidhjet duhet të kërkohen me Serbinë e cila nuk ka krizë energjetike dhe mund ta riaktivizojë Trepçën, siç ndodh më pjesën e saj në Mitrovicën veriore!?
Sipas Unmikut, shqiptarët duhet të krijojnë averzion ndaj pasurive të tyre dhe njëkohësisht, të fitojnë bindje se përderisa nën Millosheviqin, në Kosovë ka pasur energji elektrike të mjaftueshme(?), vetëm me Serbinë mund të fitojnë shpresën se këta gjigantë mund të riaktivizohen për një të ardhme më të mirë ekonomike të Kosovës!?…
Rasti i fundit i një fshati kufitar me Serbinë, ku disa shqiptarë kanë kërkuar riintegrimin në Elektroekonominë e Serbisë, tregon më së miri se deri ku është arritur me projeket e lartëpërmendura!? Janë për çdo gjykim veprimet antikombëtare të atyre qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë kërkuar diçka të tillë siç është për çdo gjykim edhe heshtja e institucioneve të Kosovës në situata të tilla. Kosova sot ka një kryetar, i cili vetëm disajnon flamuj dhe nuk reagon kurrë as kur merren kufijtë, as kur rrezikohen ata. Kosova ka sot një Parlament e një Qeveri, të cilët mjaftohen vetëm me deklarata e rezoluta, të cilat rrëzohen në mënyrën më cinike të mundshme prej kryeadministratorit, pa hasur as në më të voglën rezistencë institucionale, me përjashtime.
Sidoqoftë, Trepça prapë do të punojë dhe KEK-u do të ketë energji të mjaftueshme elektrike, mbase edhe për Ballkanin. Por kurrë jo për qytetarët e Kosovës së pavarur(?), derisa në Mitrovicën veriore ta ketë selinë njëfarë Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit, i cili s’është asgjë tjetër, veçse një filialë e Ministrisë serbe të Privatizimit.
Ferizaj, 2002