(Tiranë, 18. 12. 2012) – … Nën titullin e rëndë (Migjeni BC) shënon rreshtat e shkurtër plot sarkazëm përjashtuese: “Ku janë sot orat dhe muzat? Shtojzovallet e zanat ku janë? S’po flitet ma për vallet e tyne që të shitojnë dhe të bajnë fatbardhë. S’po flitet ma…” Retiçenca të ngjeth, t’i ngre flokët përpjetë për shkak të boshllëkut të frikshëm. – Moikom Zeqo
1
Migjeni është një “boshllëk i frikshëm”. Madje boshllëk tronditës. Përmes këtij “boshllëku” si një gropë e zezë dhe pa fund shpirtërore ai shkundi brenda më pak se pesë vite mendjen e mykur njerëzore.
Vetëm kështu ai do të realizonte “pushtimin moral” (sipas shprehjes elegante të Branko Merxhanit) të shpirtrave të plagosur.
Ai lindi dhe u rrit në një pafundësi shpirtrash të plagosur, për më keq, të infektuar deri në tragjedi. Si i tillë qëllimit të vet mund t’i dilte në fund vetëm përmes forcës magjike të rrëzimit të miteve që janë përherë prezentë te shpirtra të plagosur si silueta eteriale që realisht nuk ekzistojnë por mundojnë deri në sfilitje atë që i mbartin ato.
Merita e “shpirtit të ri” migjenian është se ata e shikonin këtë paradoks, si në rastin e Kolombresë së Dino Buxatit ku vetëm detari shikon pikën e zezë ndjek pas anijen.
2
Migjeni shikonte atë që nuk shikonin të tjerët.
Depërtonte aty ku përmasat e mendjes së të tjerëve nuk arrinin.
Ai u end midis kuptimit të madh dhe moskuptimit të madh.
Edhe sot enden kështu…te studiuesit e tij dhimbshëm dhe ironikisht të “sipërfaqshëm”.
Gjenitë e njohin këtë dilemë dhe janë të përgjegjshëm për të.
Stendali i madh pat përsëritur disa herë në kohën e vet se “mua do të kuptojnë njerëzit e shekullit të XX”.
Migjeni me krijimtarinë e vet, fund e majë e pranon këtë dilemë.
Prandaj në jetën e tij të shkurtër si qenie njerëzore ishte indiferent krenar.
Edhe më shumë indiferent krenar ishte në jetën e shkurtër artistike (3-5 vjet)
Nuk përmend në krijimtarinë e vet asnjë krijues, asnjë politikan… sikur nuk jetonte në këtë shoqëri. Përkundër kësaj përfaqësonte realitetin e ashpër se ishte pjesë e këtij realiteti të pashpirt, jetonte brenda lëkurës së tij.
Për këtë ai ishte indiferent krenar.
Ai nuk lexoi letërsinë e bashkëkohësve të vet jo për përbuzje.
Jo se nuk e donte.
Ishte indiferent krenar kundrejt saj. Kjo nuk do të thotë se nuk e njihte e nuk e kishte lexuar. Edhe pse nuk kemi ndonjë gjurmë shfletimi, kuptojmë shpejt se ai ishte i informuar.
Nuk ka si shpjegohet mënyra e krijimit allamigjenian ndryshe, jashtë traditës, jashtë kontureve të saj, jashtë klisheve e formave.
Migjeni ishte indiferent krenar se ishte kundër letërsisë provinciale që nuk sillte “shpirt të ri” dhe që nuk arrinte të realizonte ndikimin te njeriu shqiptar i viteve 30’ të shekullit XX si qenie sociale me shpirt të plagosur.
3
Migjeni ishte “djali” i kërkuar me pishë (nga neoshqiptarizma, por edhe…) që do të arrinte suksesshëm “pushtimin moral” të shpirtit kolektiv. Këtu qëndron sekreti që edhe Poradeci i madh e kopjonte dhe e mbante në gji krijimtarinë e tij përmendur nga studiuesi Moikom Zeqo (Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit). Migjeni kishte pushtuar edhe shpirtin e tij të madh deri diku tradicional. Në këtë drejtim, në substancë, Lasgushi kishte nevojë për Migjenin.
Migjeni ishte i ardhur për të ndryshuar, apo për të përmbysur forma e metoda, praktika e mendësi. Për të bërë revolucionin për një letërsi tjetër dhe lexim e konceptim tjetër.
Migjeni e pa se në vendin e vet nuk kishte auditor të mirëfilltë. Ndaj kërkoi sjellje tjetër në art dhe për artin si prodhim, por edhe si konsum.
Por ai kishte mundur të arrijë qëllimin e tij. Migjeni gjeti pa bujë shumë shtigje origjinale të depërtimit deri te njeriu i tij.
4
Së pari, Arti Ndryshe. Krejt ndryshe. Përmes formave e mjeteve të panjohura deri në atë kohë.
Migjeni kishte armët e tij për të realizuar “pushtimin moral” (dhe estetik) të shpirtrave të njerëzve jo vetëm të një kohe. Jo vetëm të një kohe.
Por për shumë kohë…
Krijimtaria e tij poetike ka magjinë e përhershme. Ka inkandeshencën ndriçuese të përjetshme.
Sa më shumë ta lexosh, aq më i ri dhe modern është krijimi i tij, aq më shumë gjen te magjia e krijimtarisë së tij.
Jam i bindur se edhe pas një mijë vjetëve do të lexohet me të njëjtën endje.
5
Rrëzimi i Miteve në mendjet e njerëzve. Kjo është kredo e Migjenit.
Kreshnikët nuk janë më. Nuk ka më Gjergj Elez e Gjeto Basho Muja. Kur ndërroi moti (kur u shpik pushka) ata u bënë frikacakë. U strukën në shpella. U trishtuan që u bënë njëlloj si të tjerët.
Ndoshta këtu zë fill edhe perëndimi i despotëve.
Ishin strukur në shpella shumë kohë para se George Steiner shkroi essen mahnitëse “Lamtumira e muzave”.
Edhe kur shkroi Steiner (1630-1632) gjallonin mitet te populli i tij.
Gjalluan edhe shumë kohë më pas.
Se kemi të bëjmë me fotografimin në vetëdijen kolektive të jehonës për to.
Afërmendsh se muzat, orët, shtojzovallet, kreshnikët e djajtë, përlindëshit e shtrigat, edhe pse vdesin (heshtin), jetojnë për një kohë të gjatë në ndërgjegjen njerëzore.
Te popujt ku janë të gjalla mitet, (por edhe idhujt), primitivizmi është real.
Ende edhe sot ka njerëz të kësaj bote që besojnë vërtet se ekzistojnë orët e muzat, shtojzovallet a kreshnikët, djajtë, katallanët e shtrigat.
Besojnë te mitet, por në idealitet ama.
6
Migjeni qe përfaqësues i realitetit të ashpër. I realitetit dramatik. Drithërueshëm dramatik…
Migjeni ua solli shpirtrave të plagosur shtojzovallet, Luken (Historia e njërës nga ato), Agen (Studenti në Shtëpi), malësoren (A do qymyr, zotni) kreshnikët, malësorin e rreckosur te “Legjenda e Misrit”. I solli si djall “malin që s’bzan”.
O zot, ç’realitet tronditës!
Mite të rrënuara, mite të rënë nga idealiteti, të bjerrë nga çdo drejtim.
Migjeni nuk solli mite qiellore. Jo mite qiellore (si deri në Rilindje e ndoshta më vonë deri kur Migjeni shkroi), të paprekshëm, të ftohtë, të pandjenja…
Ai i zbriti në tokë të paidealizuar. Ashtu si janë realisht.
I solli të katandisur si gërgalla Rosinant e vetë i zoti i tij.
Edhe kalorësia epokale qe e ndritshme, ndërsa kalorësit mite. Por Servantesi i çmitizoi.
Ç’mitizimi nuk është krim. Është arratisje nga ëndrra. Është zgjim në realitet.
Migjeni do të bënte të njëjtën gjë.
Zanat e shtojzovallet i shndërroi në Luke e Age. Gjeto Basho Mujin e Gjergj Elez Alinë i shndërroi në malësorin grushtshtërnguar (e të pagrusht njëkohësisht) për të goditur “malin që s’bzan” (Recital i malësorit) a malësorin e leckosur e të çdinjitetizuar.
Ndodhi për herë të parë rrënimi i miteve, rrëzimi i tyre…
Asnjëherë në letërsinë shqipe nuk ishte shkruar kështu.
Asnjëherë nuk kishim patur karaktere të kësaj natyre.
Për herë të parë u shembën idhujt.
E vërteta lakuriqe! E vërtetë migjeniane!
Prandaj u kërkua shumë shpejt kjo letërsi tjetërlloj e Migjenit. U kopjua. U shpërnda. U ruajt në gji.
Se ishte ndryshe në fjalë, në mendim, në formë, në konceptim, në kompozim, në ide…
7
Askush nuk kishte shkruar deri në atë kohë si Migjeni.
Se vetë ai ishte i ndërtuar si qenie por edhe artist në një format tjetër, në formim, në sjellje, në etikë, në edukim.
Migjeni përnjëmend ishte “i jashtëm” apo “i huaj” si krijues.
Migjeni si meteor i ndritur që ishte nuk shetiste rreth planetit “traditë” por qarkullonte në një kostelacion të panjohur nga tradicionalët e letërsisë shqiptare para dhe bashkëkohës të tij.
Mu për këtë ishte i ndryshëm.
I ndryshëm i dëshiruar në fakt.
Imponues për të gjithë, si një mangnet që të tërheq pranë në formën e një grishje mikluese.
Migjeni fluturonte në drejtim të planetit të “shpirtrave të rinj” se duhet përcjellë “Lajm i idealit të ri…”.
“Shpirtin e ri” letërsia dhe estetika evropiane e kishte zbuluar.
Ndërsa mjerisht, (pa mohuar përpjekjet gjysmë të suksesshme të Nolit e Konicës) letërsia jonë tradicionale nuk e kishte gjetur atë. Madje nuk e kuptoi edhe Migjenin për shumë kohë (paradoksalisht të pakuptuar ende mirë edhe sot).
Jo për faj të saj, por për shkak të shpirtit shqiptar të deformuar si rrjedhojë e pushtimit të gjatë deri në kufijtë e asimilimit.
Migjeni qe i pari artist që e ndjeu domosdonë e ndryshimit orbital të shpirtit kolektiv.
8
Vetmia si armë e dytë për të rrënuar shpirtin e plagosur.
Shopenhauri i jep shumë rëndësi ndikimit të vetmisë si ndjenjë njerëzore edhe tek një njeri i vetëm, por edhe në jetën kolektive. Vetmia vjen për shkak të rrethanave specifike sociale, por edhe individuale.
Në shumë raste pasojat e vetmisë janë të frikshme e trishtuese. Por nga ana tjetër shpirtrat e vetmuar në kohë të caktuara bëjnë mrekullia. Siç bëri Migjeni.
Në jetën e tij private, Migjeni ishte njeri krejt i zakonshëm. I vetmuar. (E lagte shiu, i prishej biçikleta, mjerohej me Lulin e vocërr, e trishtonte mjerimi i fshatarit në Pukë etj. Luante shah, dëgjonte muzike klasike, këndonte…lexonte).
Krejt i zakonshëm edhe si krijues përderisa nuk arriti të bëhet i njohur për së gjalli në rrethet e kohës.
Ai ishte i lidhur organikisht në fakt me shoqërinë, ndaj ishte i vetmuari i saj i madh e i pashoq, se ajo nuk e kuptoi. Shoqëria ndoshta nuk ishte e përgatitur. Magjia krijuese e Migjenit e detyroi të kthente sytë nga ai, por nuk ishte fizikisht.
Ndërsa ai e kuptoi shoqërinë e vet.
Po, se si i zakonshëm ishte brenda saj.
Migjeni përditë shihte “qartë e ma qartë” dhe “vuante thellë e ma thellë”.
Ky ishte këndi i shikimit dhe perceptimit të botës ku jetonte.
Poezia “Vetmia” është nga më zemërdridhëset.
Ai te kjo poezi shpall se ka shumë “armiq të lig” “në këtë sende pa shpirt…”
Kush janë këto “sende të pashpirt”(?!), sende që “nuk flasin”(?!), “të pashpirt (!)” dhe që as “sy s’kanë” (!?).
Kush?
Migjeni e shikon Malin e Madh që e ndan atë me me këta sende.
Sende që vegjetojnë rreth një konstitucion shpirtëror të shkatërruar, tmerrësisht të sakatuar. Sistem mental njerëzor në prag agonie.
Migjeni kërkon hapur raporte me këta sende që “ia plasin zemrën”.
Kërkon t’i thonë ç’të duan: ta shajnë “i mallëkuem!”, ta tallin: “i uruem”, t’i thonë “jeton kot” se poeti kërkon të flasin se “fjale due në kët vetmi me ndigjue”.
9
Fjala. Fjala sipas Librit të Shenjtë është e para përcakton frymën si dëshmi e gjallimit.
Migjeni do fjalën, se përmes saj ai do të përcjellë mesazhin e shkakut të vetmisë së tij që flet dëshmon padiskutim një praktikim tjetër jetësor.
Fjala është lënda e tij. Prandaj e përdori me kursim.
Çdo krijim i Migjenit në prozë a poezi është sintezë.
Te “Cikli i fundit” poezia e Migjenit është klithmë e dyzuar. Klithmë për shkak të moskuptimit me ata që do të flasë. Me ata që kërkon tu ndryshojë orbitën.
Por edhe klithmë dhembjeje reale fizike.
Sikur të mos ishin të dy këto ndjesi shpirtërore gati hyjnore Migjeni nuk do të kishte mundur të depërtonte në memorien njerëzore, nuk do të mund të thyente lëvozhgën e ngurtë e të ftohtë që mbështjell këtë memorie.
Dhimbja fizike ia ka shtuar pa përmasa mjerimin poetit, por ia ka shtuar së tepërmi vlerat krijimtarisë migjeniane.
Për këtë cikli i fundit është kulm artistik në shkallën sipërore që kërkon trajtim e analizë të veçantë..
Migjeni është një “boshllëk i frikshëm”. Boshllëk që flet, boshllëk që imponon.
10
Migjeni është një meteor i ndritur në letërsinë tonë.
Meteor i ndritur në një sistem të ri, në një kostelacion të ri idesh, mendimi, gjykimesh, analizash, praktikash, metodash…
Në Europë pati meteorë të ndritur.
Shelli, Lermontovi, Borhard, Esenin, Lorka, Bllok…
Më afër nesh Petëf, Botev, Eminesku, Smrinienskij…
Migjeni…
Po qe një meteor, një meteor i ndritur, gjurma e të cilit është shumë e freskët sot në qiellin tonë të artit, të mendimit, të gjykimit, të analizës, të praktikës, të konceptimit, të metodologjisë…
Meteorët jetojnë pak.
Pak fare. Por mbahen mend gjatë. Mbahen mend përjetësisht…
Po meteorët janë mohues të mëdhenj. Jo nihilistë. Mohues të pashoq.
Migjeni e la plakun “në shenjtninë e tij”.
Metorët jetojnë pak…
Kështu jetoi edhe Migjeni.
Meteorët shuhen pa rënë në tokë, por lë gjatë trazimet në nënvetëdijen njerëzore.
Migjeni sot është galiç ulur në mendjet tona “si një thumb në tru të njerëzimit”.
Këtu qëndron madhështia e artit të tij. Madhështia e Artit Migjenian.
Prandaj “Retiçenca pas shprehjes ‘s’po flitet ma…’ të ngjeth, t’i ngre flokët përpjetë për shkak të boshllëkut të frikshëm.” , thotë me shumë të drejtë Moikom Zeqo.
Ehu, ku ta dimë ne more profesor i nderuar, se ç’ka dashtë të thotë më tej Migjeni!?
Ndoshta pas retiçencës na grish të lexojmë Migjenin tjetër.
Ndoshta, ndoshta…
Unë ka kohë që besoj se po nisim leximin e Migjenit tjetër pasi më duket se i ka ardhë koha.
Krijuesi gjenial te poezia “Në ndërgjegjen teme” vetë thotë:
“Në ndërgjegjen teme ka dy Milloshë:
Milloshi i gjallë, i jetës së përditshme,
Që vepron, gabon, dhe Milloshi tjetër,
Që i vihet përballë atij…”
Sepse,
“…Te njeriu bahet vazhdimisht një luftë e
brendshme
Për përsosjen shpirtërore.”
Le ta lexojmë, pra, Migjenin tjetër!