BESIM R.CENGU: NJË MONOGRAFI ME VLERA E YMER M. DOMIT

Tiranë, 3 prill 2019: “Imishtasit në trojet shqiptare” i Ymer M. Domit, është prej librave të karakterit kërkimor që i ka marrë bukur do kohë për t’i dalë në krye. Realisht, autori me librin e tij ka çelë një shpore të re në arën e botimeve të kësaj natyre.
E vlerësoj autorin se:
1. Është “bubërrues” i apasionuar për ç’ka lidhje me Imishtin, siç shprehet pr. Shefqet Hoxha. Këtë mendim ma ka konsoliduar edhe me dy librat e mëparshëm “Rrënjët e një fisi” dhe “Portrete ndërtuesish kuksianë”. Nuk ka lënë vend në hapësirën shqiptare në Ballkan në kërkim të Imishtit dhe imishtasve dhe fërkemes të tyre, prej Gjakove e në Koplik, prej Rekës së Epërme e në Durrës, prej Burreli e në Shkup, prej Dibre e në Elbasan, prej Kaçaniku e në Fier… kudo ku janë. Në shumë prej këtyre vendeve, në plot raste, më ka ngrehë edhe mua për dore duke më detyruar, si i thonë fjalës, t’i njoh imishtasit. Një punë e tillë i ka nxjerrë telashe dhe i ka marrë kohë të gjatë fizike, por me këtë metodë autori i ka ikë praktikës së punës “laboratorike” që dajm praktikohet sot. Një punë kërkuese e përgjegjshme i jep përmasa e dimensione librit dhe e shtërmangë atë prej subjektivitetit dhe e çon drejt faktit real.
2. Informacioni i ri është i pranishëm në çdo faqe. Ai i ka mbledhë si troshat në sofër çdo ndodhi për Imishtin. Jam i sigurt se kush do ta ketë në dorë këtë libër do ta këqyrë këtë fakt. Ymer M. Domi, ka nxjerrë prej bunarit të harresës namin ngjarje, rrethana dhe situata për grupet dhe individët imishtas, që kanë lënë apo braktisë trojet për arsye të ndryshme, duke vënë në pikëpyetje identitetin e sojin e tyre. Në libër një informacion kërkues gallmon e nguc këshërinë e secilit që shfleton librin e tij. Njëkohësisht, autori me këtë monografi hiton që të gërrithë ndërgjegjen kolektive imishtase dhe më gjerë me faktin real se janë një fis i madh që ka rezistuar rebesheve që kanë shkuar pore përgjatë rrugëtimit të historisë së tyre.
3. Ymer M. Domi, në monografinë e vet, i bën lak anësisë emocionale a të themi provincialiste, që zakonisht i bën të zbalteshme apo të verenikme librat e sotëm të këtij lloji. Ai është i kujdesshëm, por edhe kapllues i shumë ngjarjeve me librin e vet, duke shkokluar disa dilema historike, sidomos të atyre imishtasve që janë në treva e tjera. Kjo është përnimen vlerë dhe meritë. Çdo imishtas e gjen veten aty dhe kjo ka rëndësi.
4. Autori ka ndjekë me korrektësi e kujdes kriteret e një libri monografik. Informacioni shkencor është i saktë dhe mbi të gjitha është konsultuar për fushat e trajtuara që nuk janë të tijat me njerëz kompetentë. Kjo metodologji i ka pasë gjërat dhe i ka çelë horizont mos pasë shumë dilema dhe diskutime. Ai i është referuar shumë dokumentave dhe studiuesve që i shtojnë seriozitetin dhe i rrisin autoritetin e vlerën. Por edhe e ka deklaruar librin e hapur, pa u kokërrnozë asnjë trohë apo grafllue, ashtu sikurse kemi vënë re te disa autorë të tjerë. Ai i thotë gjithkujt se ka lënë plot gjëra të tjera që duhen parë prej të tjerëve në të ardhmen.
5. Ymer M. Domi i ka ngritur një monument, të munguar deri tani, Imishtit dhe imishtasve që i do dhe i respekton aq shumë. Ky libër i duhet jo vetëm imishtasve, por të gjithë atyre që e lexojnë, pasi imishtasit si rrallë komunitet tjetër, është i pranishëm kudo që jetojnë shqiptarët, madje edhe përtej shqiptarëve.
Dr. Nexhat Çoçaj dhe unë, që kemi qenë afër tij, ia dimë të gjitha mundimet, por edhe vrugjin e përpjekjet deri kur e botoi këtë detyrim për katundin e vet.
Urime Ymer M. Domi.

Tiranë, më 30 mars 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura