BESIM XHELILI: TURNE NË SHAH ME RASTIN E 10-VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Vjenë, 22 shkurt 2018: Klubi i shahut “Arbëria” nga Vjena e Austrisë, me një turne në shah shënoi përvjetorin e dhjetë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Tash e disa vjet që nga themelimi, si një ndër klubet e vetëm të këtij lloji në diasporë, klubi i shahut “Arbëria”, me seli në Vjenë të Austrisë, po hapëron me hapa të shpejtë drejt sukseseve në ligën ku garon, në kuadër të Federatës së Shahut të Vjenës. Përveç kësaj, klubi tradicionalisht organizon takime manifestive me rastin e festave kombëtare të 17 Shkurtit, pavarësisë së Kosovës dhe asaj të 28 Nëntorit, pavarësisë së Shqipërisë.
Kësaj radhe në këtë turne për nder të dekadës së parë të mëvetësisë së Kosovës, morën pjesë 22 dashamirë të shahut, të cilët u mblodhën në restorantin “Kastaniengarten” (Kopshti i Gështenjave), në një paralagje të Vjenës, me pronar Shpëtim Bujupin. Ndeshjet e zhvilluan sipas modelit zviceran, të shahut të shpejtë, kurse në 7 xhiro pjesëmarrësit në një atmorsferë festive, kulturore e miqësore, matën aftësitë dhe mundësitë e tyre mes veti, përderisa gjyqtare ishte znj. Margit Almert. Një nder për klubin ishte prania e mjeshtrit të shahut të Kosovës z. Fatmir Bujupi, i cili kishte ardhur nga Praga e Çekisë, enkas për të ndjekur nga afër aktivitetet e klubit “Arbëria” dhe i cili gjithashtu garoi në këtë turne. Ai tha se është për lavde e fjalë miradie aktiviteti i larmishëm i klubit “Arbëria”. I pranishëm qe dhe shkrimtari shqiptar në Vjenë z. Besim Xhelili.

Hapjen e turneut e bëri z. Agron Çika, trajner i KSH “Arbëria”, i cili pasi shprehu përgëzimet e tij me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, tha se ishin mbledhur dashamirë të shahut, shqiptarë, austriakë dhe të nacionaliteteve të tjera, që bashkë të argëtohen, duke treguar më pastaj rregullat dhe mbarëvajtjen e lojërave.
Në një garë tepër të vështirë mes shahistëve, në fund të turneut dolën këto rezultate: me 7 pikë gjithsej vendin e parë e zuri mjeshtri Fatmir Bujupi, vendin e dytë me 5.5 pikë Agron Çika, vendin e tretë gjithashtu me 5.5 pikë Izmir Ferizoviç. Këto tri vende morën kupa dhe çmime në vlerë modeste monetare. Vlen të theksohet se mjeshtri Bujupi çmimin e tij e la në fondin e klubit. Gjithashtu u ndanë dy kupa shtesë, ajo për grupmoshat mbi 55 vjet, e cila iu nda z. Xhevat Xhemaili, fitues i 4.5 pikëve dhe për grupmoshat e reja i takoi z. Florian Vogel, fitues i 4 pikëve. Për të gjithë pjesëmarrësit u ndanë mirënjohje, dhe nga klubi ishin siguruar nga dy pije falas për secilin.
Sponsorë të këtij aktiviteti dhe në përgjithësi të KSH “Arbëria” janë ndërmarrjet shqiptare “Albakopie”, Vjenë, pronar Gjevat Balaj, “Blakaj Fenster”, Vjenë, pronar Yll Blakaj, “Cafe Timi”, Vjenë, pronarë vëllezërit Bislimi, “Alushaj”, Vjenë, pronar Afrim Alushaj si dhe Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri.
Mbaroi një ditë e gërshetuar me sport, miqësi dhe atmosferë festive, për t’u ndarë me shpresën për takime të tjera të tilla, ku pa paragjykime e në harmoni ndërnjerëzore, sporti krijon ura lidhëse mes popujve dhe afron kulturat dhe shoqëritë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura