BESNIK IMERI: KUR SHQIPTARËT DO TË NGRENË NJË MEMORIAL NË KUJTIM TË SHFAROSJES (HOLOKAUSTIT) TË POPULLIT SHQIPTAR PREJ GENOCIDIT SËRBO-GREK?!

Vlorë, 17 korrik 2020: Këto ditë marrim vesh për një memorial, që qeveria ka ngritur tek Parku i Liqenit në Tiranë, në kujtim të veprës fisnike të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore për mbrojtjen e jetës së hebrenjve nga nazi-fashizmi. Gjë shumë e mirë që memorizon fisnikërinë e racës tonë që vjen (duam apo nuk duam ne) prej pellazgëve hyjnorë. Marrim vesh që asnjë hebre nuk u dorëzua, asnjë hebre nuk vdiq.
Rri dhe mejtonem dhe një trishtim i madh më ngjitet deri në grykë: E mjera Shqipëri! Ke njëqindedyzet vjet që gjaku të shkon lum. Ke njëqindedyzet vjet që të grabisin. Ke njëqindedyzet vjet që të vrasin, të therrin dhe të djegin. Me qindra mijë jetë të humbura, të mos themi një milion, aq sa ai i armenëve, por mund të jetë dhe më i madh. Sikur këta miliona shqiptarë të kishin qënë dele, sërbëve dhe grekëve, me siguri, do t’u ishin dhimbsur dhe nuk do t’i kishin therrur. Por këtë ishin njerëz! Por këta ishin shqiptarë!! Dhe shqiptarët duheshin therrur, duheshin djegur, duheshin vrarë foshnjat në bark të nënave, duhen zhdukur dhe shfarosur. Të mjerët shqiptarë, kanë njëqindedyzet vjet që kanë kaluar nga kasaphana në kasaphanë, nga 1879 deri më 1999, dhe ku është fundi?! Kush e ka nxitur, mbështetur dhe sponsorizuar një kasaphanë të tillë të jashtëzakonshme, makabre?!!! Pasi kam një bindje absolute që populli grek dhe populli sërb, asnjëherë nuk do t’i kishin kryer këto vepra mizore ndaj shqiptarëve, pa një nxitje dhe mbështetje nga jashtë.
Kthehemi tek vetja. Jo memorial që nuk është ngritur për këta miliona shqiptar të masakruar, por as një muranë e thjeshtë. Ka njëqindedyzet vjet që nuk është kujtuar njeri. A do të gjëndet ndonjë qeveri që qeveris shqiptarët që të kujtohet për ta? A do të kujtohet ndonjë kryeministër që qeveris Shqipërinë që të kujtohet për ta? Dhe, frikë kam, nuk kanë për t’u kujtuar ndonjëherë. Kanë për t’u haruar si njeri pa njeri, pa varis, pa fis dhe pa farë. Dhe shqiptarët i meritojnë këto qeveri dhe këta kryeministra. Pse e them këtë, sepse ne i kemi ngritur ata.
Shembulli i fundit. Kryeministri aktual pati fatin, pasi mandati i tij përfshinte vitin 2014, vit i cili përkonte me 100 vjetorin e genocidit grek në Shqipërinë e Jugut. Me këtë rast mund të ngrinte një memorial, ku të donte, në Përmet, Panarit, Gjirokastër, Hormovë, Tepelenë, Kurvelesh, por edhe në Kallarat dhe Kuç të Vlorës. Madje shumë i goditur do të ishte në Grykë të Këlcyrës. Me ketë do të hynte në histori dhe do të kujtohej nga shqiptarët. Por jo, nuk qe e thënë, thjesht nuk i vajti mendja! Ndërsa për të ngritur memorial dhe vareza për ushtrinë greke pushtuese të vitit 1940, i vajti mendja.

Më tej akoma. A nuk duhet që kryeministri i Shqipërisë të ngrinte një memorial tek kodrat e liqenit në Tiranë në kujtim të viktimave të Genocidit Sërbo-Grek të viteve 1879-1999? Dhe e kishte rastin në 2019, se mbaronte me nëntë, ishte vit jubile. Jo, jo, nuk e bëri atë “Shaqo Bregu”! Pastaj, mbetej në dëshirë të tij, që t’i drejtohej apo jo Hollivudit për të bërë një film për këtë genocid gjigand ndaj një populli fisnik; i cili asnjëherë në historinë e tij nuk ka qënë pushtues ndaj fqinjëve të tij, pa përmendur pastaj, që asnjëherë nuk ka kryer vrasje, përdhunime, therrje dhe djegie të popullsisë së pafajshme të fqinjve të tij, sërbë apo grekë.
I vetmi që ka ngritur zërin, për ngritjen e ndonjë memoriali përkujtimor, ka qënë ambasadori ynë fuqiplotë në Athinë në vitet 1922-1925 Mid’hat Abdyl Frashëri, i cili në një relacion dërguar Ministrit të Punëve të Jashtëme të Shqipërisë, më datë 30 korrik 1924, shprehet:
“Po bëhenë 10 vjet qëkurse çeta dhe ushtarë grekër, oficerë dhe kanonë të Greqisë, shkretuanë Jugën e vendit. Do të qe mirë, sikur në udhën Sarandë-Korçë të ngrehësh ndonjë monument, simpl në stil, po prej guri të shëndoshë, mbi të cilënë mbi një pllakë mermeri të nëmërohenë emërat e atyre që vajtënë dëshmorë për Shqipërinë duke u kundrështuarë çetave dhe ushtarëve të huaj që mësyjtnë Shqipërinë, sikundrë që edhe të radhitet katallogu i plotë i katundeve të shkretuarë. Pa dyshim në rradhua të viktimave s’do haruarë numri i atyre që u masakruan në Kodrë…”
Si në një film horror më kujtonen barbaritë greke në Shqipërinë e Jugut në fillim të vitit 1914: “…foshnjat e mjera po bridhnin rrugëve të fshatit Peshtan… i merrnin foshnjat një nga një, u prisnin kokat dhe i hidhnin në pus. 27 foshnja therri në këtë fshat Koçifaqi. …dogjën Luarasin…në Panarit therrën 275 vetë…Në Mican therrën 13 gra…Në Hormovë, bash në kishën e fshatit, therrën me thika dhe bajoneta 160 burra…Në Backë egërsirat greke therrën 30 gra dhe femijë. 180 familje janë therrur në Lumë të Zi të Skraparit…”
Në vitet 1913-1914 shovinistët grekë, pasi okupuan Shqipërinë e Jugut, rrafshuan 280 fshatra, duke lënë popullsinë gjysëmmilionëshe shqiptare pa mbrojtje dhe pa strehë. Dhuna e ushtruar për dy vite me rradhë detyruan shpërngulje masive duke krijuar një bilanc tepër tragjik, mbi 20 mijë të vrarë dhe 280 mijë të vdekur nga uria dhe masakrat e tjera…Nuk mund të harohen kaq lehtë këto çmenduri ballkanike dhe europiane në kufijtë e “Holokaustit shqiptar”…Më 27 tetor 1914 kryeministri grek Elefterios Venizellos shpalli nga Athina pushtimin e “Vorio-Epirit”.
Vetëm një ambasador fuqiplotë në Greqi në vitet 1925-1926 e ka ngritur zërin. Por për këtë, ministri i jashtëm i asaj kohe dhe kryeministri Ahmet Zogolli, e shkarkuan menjëherë. Çfarë thotë ky ambasador:
“…Nuk e di, nga tjatër anë,…a duhej bërë Memorandum në Konferencën e Ambasadorëve ose në Gjykatën e Hagës për të kërkuar zhdëmtim prej Greqisë për 300 katundet e shkretuara prej saj më 1914…Pasuria e tyre, ku vetëm ajo e Follorinës dhe Kosturit llogaritet në një milion napolon flori, u grabit dhe u rrëmbye prej Greqisë…”
Hedhim sytë tek genocidi grek në Çamëri për rreth tre dekada 1913-1945, dhjetra mijra njerëz të vrarë dhe të therrur, qindra mijë të shpërngulur me dhunë në Turqi dhe Shqipëri.
“…Gjatë viteve 1923–1925 u dëbuan nga Çamëria 30.400 çamër të besimit musliman, si edhe 30.000 shqiptarë muslimanë të tjerë nga krahina e Janinës si edhe nga Kosturi, Follorina si edhe Grebenéja!…”.
Ndërsa Miranda Vicker, megjithëse e huaj, britanike, i janë dhimbsur shqiptarët dhe e ka ngritur zërin. Ja se çfarë shkruan ajo për genocidin grek ndaj Çamërisë në vitin 1944:
“…Sipas statistikave të përpiluara nga shoqata Çamëria në Tiranë, gjatë sulmeve mbi fshatrat e tyre në vitet 1944-1945 u vranë 2771 shqiptarë. Nga këta 1276 ishin nga Filati dhe rrethinat e tij , 192 nga Igumenica, nga Paramithia 673 dhe Parga 620. U shkrumbuan dhe u grabitën 68 fshatra dhe 5800 shtëpi u plaçkitën dhe u dogjën. U grabitën 110.000 kokë dele dhe 2400 gjedhë, 21 mijë kv grurë, dhe 80 mijë kv vaj, më shumë se 11 milion kg drithra nga shtëpitë e tyre…gjithësejt 102 xhami u dogjën…”.
Kthehemi në veri, verilindje dhe lindje të Shqipërisë trung. Gjaku i shqiptarëve është derdhur nga sllavët pa kursim. Hoti dhe Gruda, Plava dhe Gucia janë larë me gjakun e shqiptarëve. Nishi dhe Sanxhaku kanë njohur tmerret e vrasjeve, djegieve dhe therrjeve të forcave ushtarake sërbe në vitet 1878-1879.

“Togje kufomash shqiptare vatër më vatër, shtëpi të rrënuara, nëna të ngrira me foshnjë në gji, fëmijë të uritur e të pambrojtur, uri e skamje nga zjarret dhe nga plaçkitjet, skena të trishtueshme e kishin mbuluar tërë Moravën dhe Anamoravën shqiptare në qarqet e Nishit, Pirotit, Vranjës, Leskocit, Prokupjes, Kurshumlisë…Popullsia shqiptare shpërngulej dhunshëm për në thellësi të Perandorisë Osmane (Në të vërtetë, në thellësi të Shqipërisë.Gj.D.) Kështu shmangej mundësia e rikthimit në trojet e veta… Njoftimet sërbe thoshin: Deri më 22 mars 1879, në qarqet e Nishit, Pirotit, Vranjës dhe Toplicës, kanë mbetur vetëm 6.567 myslimanë…”.
Krimet sërbo-malazeze në vitet 1912-1913, 1914-1915, 1918-1920, 1921-1923 dhe në vazhdim, para, gjatë dhe mbas Luftës së Dytë Botërore, sidomos 1944-1945, deri më 1990, me një mbyllje tragjike të vitit 1999, janë pa mbarim. Një genocid permanent, i pandalshëm dhe i egër. Pa përjashtur këtu eksodet bibilike të kosovarëve drejt Turqisë dhe Shqipërisë, me një mbyllje tragjike me atëtë vitit 1999 që tronditi botën e qytetëruar.
Por, duke i lënë mënjanë të gjitha burimet, të huaja dhe shqiptare, po japim një burim pikant. Një libër i publikuar nga një hebre austriak, libër cili protestonte kundër zhdukjes massive të shqiptarëve nga sërbët në vitet 1912-1913 (pa përmendur këtu shkrimet e një hebreu tjetër, Trockit). Ky autor është Leo Freundlih dhe libri i tij “Golgotha Shqiptare” (“Akuza që ulërijnë”) është dëshmia e parë për shfarosjen kolektive të një populli europian, para atij hebraik (gjatë Luftës së Dytë Botërore). Libri i tij rrëfen Golgotën Shqiptare ku ushtria sërbe në vitet 1912-1913 realizoi zhdukjen masive të shqiptarëve duke vrarë gjysëm milioni shqiptarë, nga të cilët 250 mijë shqiptarë të masakruar vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtës së vitit 1912. Ja një pasazh nga libri:
“Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundin t’i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ato që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ata ishin shtatzëna, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku e vendosnin në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të”. – kështu i përshkruante maskrat mizore serbe ndaj shqiptarëve, Leo Freundlich në librin: Albanienes Golgotha, Vien, 1913 (“Golgota shqiptare, Vjenë 1913”) të kryera nga mesi i tetorit 1912 deri në mars 1913.
Ne si komb, asnjëherë nuk kemi vrarë foshnjat e kombeve të tjerë; siç na i kane vrarë këto kombe dhunuese femijët ne barkun e nënës. Egërsia dhe barbaria e tyre në shekullin e XIX dhe XX ua ka kaluar egërsisë dhe barbarisë të vandalëve të historisë para 1000-1500 vjetësh; Totilës, Alarikut, Timur Lengut dhe Çing Kiz Hanit. Genocidi i tyre ndaj shqiptarëve në asnjë rast nuk eshte njohur nga kjo Europë e qytetëruar.
“Në emër të çështjes së tyre të drejtë, vetëm nga 21 qershori deri më 11 korrik të vitit 1878, shqiptarët u kanë dërguar Fuqivet të Mëdha 145 peticione, nënshkruar nga përfaqësues të krahinavet të rrezikuara: Janinë, Manastir, Shkup, Tivar, Nish, Prokuple, Kurshumli, Dibër, Prishtinë, Tregu i Ri, Podgoricë, Shpuzë, Grudë, Hot etj.” Por vetëm heshtje. Heshtje ogurzezë.

Pse Europa nuk e ka njohur dhe nuk kapër ta njohur genocidin ndaj shqiptarëve? Sepse dashje, pa dashje, Europa është piskitur me cërkat e dala nga gjaku i derdhur nga shqiptarët prej fqinjëve të tyre; dhe ashtu si Ledi Makbeth, nuk i heq dot keto njolla gjaku nga duart e saj, pa bërë një katarsis; dhe pa u kërkuar ajo vetë falje shqiptarëve, duke ndrequr, në të njëjtën kohë, sadopak gabimet e historisë.
Historia Perëndimore flet për eksodet biblike të hebrenjve nga Egjipti në kohën e lashtë. Por ajo asnjëherë nuk ka folur, dhe, nuk dihet në se do të flasë ndonjëherë, për eksodet biblike të shqiptarëve të përzënë me dhunë nga trojet e tyre në fundshekullin e XIX dhe shekullin e XX.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura