BESNIK MUSTAFAJ: JU RRËFEJ DOKTOR ADHAMUDHËT E POLITIKËS SHQIPTARE

Tiranë, 18. 11. 2016: Pas prezantimit të romanit, “Ëndrra e doktorit”, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, shkrimtari Besnik Mustafaj ka zbuluar disa nga “të fshehtat” e personazhit kontrovers “Doktor Adhamudhi”. Pa drojë, madje duke i dhënë tonë fjalës, thotë se “ka bashkëpunuar më disa të tillë, ndërsa Shqipërinë e kanë qeverisur personazh të ngjashëm”. Nuk heziton ta quajë as kryeministrin aktual një Adhamudh. “Kjo ka ndodhur, për shkak se shqiptarët i kanë dashur, i kanë votuar. Nuk duhet të jem aspak i mëshirshëm, nuk e kanë fajet Adhamudhët që na kanë qeverisur, e ka fajin shoqëria që i ka zgjedhur”, thekson Besnik Mustafaj. Po ashtu, ai flet dhe për partinë që e themeloi dhe për raportet që ka me kreun aktual të opozitës. Edhe pse nuk pranon të thotë nëse e këshillon ose jo Bashën, Mustafaj shprehet se kreu i opozitës duhet të konsultohet me bazën për sa i përket listës me emrat e kandidatëve që do të përfaqësojnë demokratët në zgjedhjet e ardhshme. Duke dashur të shmangë kritikat, shkrimtari dhe politikani, deklaron se pavarësisht situatës të mirë ose jo të PD-së, qeveria aktuale duhet larguar. Ai i bën apel në këtë mënyre demokratëve që datën e zgjedhjeve të lënë mënjanë pakënaqësitë që mund të kenë mes tyre, dhe të votojnë për të ndryshuar drejtimin e vendit.

– Libri, shumë intrigues. Pse “ëndrra”?
B.Mustafaj: –
Për mua ëndrra ka qenë një preokupim dhe vazhdon të jetë pjesa më subjektive, pra koshienca dhe subkoshienca e elitave shqiptare; elitave kulturore dhe sidomos elitave politike, të cilat në mënyrë sistematike gjatë gjithë shekullit XX kanë shfaqur një dobësi, që është universale, por shumë më e theksuar tek ne. Ndryshe nga vendet e tjera, te ne ka qenë me pasoja mbi historinë tonë, ashtu siç ka qenë me pasoja përpjekja e tyre për të përqendruar brenda vetes edhe pasurinë edhe pushtetin dhe në këtë lloj obsesioni janë përpjekur të manipulojnë edhe të shkuarën, në mënyrë që të zotërojnë edhe të ardhmen. Përmes “ëndrrës” unë insistojë ta bëj sa më subjektive romanin.
– Përveç fjalës “ëndërr” keni përdorur dhe emrin “doktor”. Pse doktor dhe kush është doktori?
B.Mustafaj:
– Doktor Adhamudhi është një figurë e njohur i letërsisë shqipe, e shkrimtarit Andon Zako Çajupit. Përmes këtij personazhi kam dashur të them se gjatë gjithë shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli ka mbetur njësoj. Siç ka qenë në origjinë ka mbetur dhe sot, “doktor”. Për mua, në të gjithë letërsisë tonë, doktor Adhamudhi është i vetmi personazh grotesk, ndërsa të gjithë të tjerët, flas për personazhet e Rilindjes, janë të heroizuar, janë romantikë, njerëz që sakrifikojnë, që e shohin Shqipërinë si ideal që duhet t’i jepet, ky e sheh Shqipërinë si një mall që duhet ta përvetësojë. Elita drejtuese, udhëheqëse shqiptare ka pasur një këmbëngulje shumë të madhe për t’i përqendruar te vetja edhe lavdinë, edhe të kaluarën, edhe të ardhmen, edhe paranë.
– Kur jemi te doktori, përveç se është një personazh i jashtëzakonshëm, kur vendoset ta vinit në titull a e kishit për qëllim të intrigonit lexuesit me “doktorët” e ditëve të sotme që janë në politikë?
B.Mustafaj:
– Nuk është një titull i ndërtuar për të qenë një provokacion për lexuesin. Tani lexuesi dhe publiku bënë aluzionin që do, të cilave unë nuk iu kundërvihem, por nuk ka qenë qëllimi im ky. Ka qenë doktor dhe mbetet doktor Adhamudhi dhe pastaj Adhamudhi përtërihet në shumë forma gjatë historisë së shekullit XX.
– Keni qenë ndër themeluesit e PD-së dhe keni pasur jetë dhe me detyra të rëndësishme në vendimmarrjen e vendit. A ka ky libër jetë nga jeta juaj politike?
B.Mustafaj
: – Ka shumë jetë politike sepse periudha në politikë i ka shërbyer për ta njohur pushtetin shumë mirë. Dhe unë kam qenë gjithmonë i intriguar nga mënyra si jetohet pushteti, sepse pushteti dhe njerëzit me pushtet janë me ndikim mbi shoqërinë dhe për mua doktori është i duhuri që t’ia çjerrë maskën personazheve të pushtetit. Ndoshta kjo është dhe një influencë që më ka lënë leximi i Shekspirit në përgjithësi ku ai merret me njerëzit e pushtetit dhe mua kjo gjë më ka intriguar si e jetojnë vetë ato. Sa i ndryshon pushteti ato? Si i bën ato? Në saj të pushtetit këto njerëz a bëhen të mirë apo të këqij?
– Ato që keni njohur ju, pushteti a ka bërë më të mirë apo më të këqij?
B.Mustafaj:
– Unë besoj se pushteti shumicën e rasteve i deformon njerëzit sepse iu krijon një delir fuqie që nuk do të duhej ta kishin, dhe njeriu e ka treguar që nuk di ta përdor mirë fuqinë e tepërt.
– Dhe ato që keni njohur ju e kanë keqpërdorur pushtetin?
B.Mustafaj:
– Nuk duhet të më shtyni të them më shumë. Unë kam njohur një ansambël njerëzish gjatë kohës kur kam qenë në pushtet. Unë nuk kam punuar në kohën e Enver Hoxhës në pushtet që ta njoh, as të Ahmet Zogut dhe as tani të Edi Ramës. Pra unë kam parasysh ata njerëz që kanë kaluar në pushtet gjatë kohës kur unë kam qenë në politikë. Që nga Sali Berisha, Fatos Nano dhe të gjithë të tjerët. Sigurisht edhe Edi Rama është aty brenda, si individë sepse unë e thashë edhe në takimin me lexuesit që Edi Rama në një nga intervistat e para që dha kur u bë kryeministër tha: “Obsesioni im është historia dhe vdekja”. Ky roman vdekjen e ka destinacionin e fundit që e obsesionon doktor Adhamudhi. Çfarë ndryshimi do të shkaktojë vdekja në perceptimin e tjerëve, a do të mundet ky ta zotërojë përjetësinë apo jo? Këtë gjë e tha dhe Edi Rama. Në këtë kuptim i gjen kudo dhe do të ishte ngushtim i pamjes nëse do të mbetej vetëm tek Doktori, kardiologu. Pra për aq sa mund të jetë për një tjetër aq mund të jetë dhe për Edi Ramën, nëse e marrim si personazh. Madje unë do të guxoja të thoja se Edi Rama padiskutim është një Adhamudh.
– Gjatë romanit ju herë shfaqeshit si shkrimtar, pra si Besnik, dhe herë pas here flisnit në emër të shkrimtarit të njohur Andon Zako Çajupit. Pse e keni bërë këtë?
B.Mustafaj:
– Është e vërtetë që unë kam bërë personazh edhe Çajupin dhe veten, pra dy shkrimtarë, që kanë 100 vjet në mes. E kam bërë këtë për të shtruar nga ana letrare edhe një çështje që më ka bluar gjithmonë nëse ka qenë më lehtë të përballesh me Adahmudhin në atë kohë, siç e kishte Çajupi, apo të përballesh pas 100 vjetësh.
– Cili personazh e kishte më të vështirë përballjen me Adhamudhin, Besniku sot apo Çajupi para 100 vitesh?
B.Mustafaj:
– Nuk e di. Unë thjesht i shtrojë këto dy personazh në kohë të ndryshme dhe i përplasë këto dy shkrimtarë me njëri-tjetrin. Unë besoj, dhe kjo ka të bëj dhe me kujtesën sepse një nga problemet që ka doktor Adhamudhi është gjurma që do të lërë në të ardhmen. E ardhmja e doktor Adhamudhit është e shkuara dhe unë duhet ti them doktor Adhamudhit që nuk kanë ndryshuar gjërat në arketipin e personazhit të tij.
– A e kanë qeverisur vendin tonë shumë Adhamudhë?
B.Mustafaj:
– Kanë qeverisur vendin tonë shumë Adhamudhë. Disa kanë ardhur me zor disa kanë ardhur në mënyrë demokratike. Në 25 vitet e fundit të gjithë kanë ardhur në mënyrë demokratike. Nëse ne jemi qeverisur gjatë këtyre viteve nga disa Adhamudhë, kjo ka ndodhur për shkak se shqiptarët i kanë dashur, i kanë dhënë votat. Nuk duhet të jem aspak i mëshirshëm, nuk e kanë fajet Adhamudhët, e ka fajin shoqëria që i zgjedhë.
– A njihni ndonjë drejtues që ka drejtuar Shqipërinë që nuk ngjan me Adhamudhin?
B.Mustafaj: –
Mos më fusni të bëj histori pasi unë bëj letërsi dhe duke bërë letërsi nuk do të doja të bëja inventarin, ose bilancin e udhëheqjes politike të këtyre 25 viteve me emra të caktuar sepse dalë jashtë qëllimit për të cilin e kam bërë romanin.
– Pas një largimi të gjatë nga jeta aktive në politikë për disa vite rresht së fundi jeni rikthyer, dhe kur them jeni riaktivizuar e kam fjalën këtu për angazhimin në një nga fushatat elektorale të PD-së, por keni marrë pjesë dhe në disa takime përkrah kryetarit të PD-së Lulzim Basha, ndërkohë vijoni të jeni po kaq të përkushtuar dhe pas librit. Ju del kohë të bëni të dyja?
B.Mustafaj:
– Unë qëndroj te libri 99 për qind të kohës, ndërsa pjesën tjetër e ndajë në varësi të situatave. Unë jam demokrat, dhe kur them demokrat e kam fjalën se jam anëtar i Partisë Demokratike sepse jam një nga themeluesit e saj dhe në asnjë moment nuk jam larguar nga kjo llogore, nëse mund të quhet llogore politike në termin politikë. Në këtë periudhë të fundit kam filluar ta mbështesë Partinë Demokratike. E bëj këtë pasi mendoj se para zgjedhjeve asaj i duhet mbështetja e të gjithëve, dhe unë këtë e bëj me aq sa mundem me qëllim që ajo të shkojë në zgjedhje në mënyrë dinjitoze, si një alternativë, që për mua është një alternativë që duhet marrë shumë seriozisht nga shqiptarët, sidomos kur dihet se ka përballë një qeverisje si kjo që është. Unë gjatë këtyre viteve kam bërë shumë kritika për Bashën, siç kam bërë shumë dhe për Berishën, por 10 muaj para zgjedhjeve bëj moratorium gjithmonë për partinë që i përkas, nuk bëj kritika.
– A nuk keni qenë më shumë se sa duhet kritikë ndaj partisë tuaj?
B.Mustafaj:
– Unë tani po bëj ato kritika që dikur i bëja kur isha brenda. Kam bërë gjithnjë kritika, sidomos kur kam qenë brenda, pavarësisht se nuk kanë dalë në media të gjitha dhe nuk kanë pse të dalin tek e fundit. Ndërsa tani i bëj publikisht sepse nuk jam pjesë e strukturave por jam pjesë e anëtarësisë së Partisë Demokratike.
– Me takimet që keni pasur së fundi me zotin Basha keni mundur ta njihni atë dhe programin e tij, a mendoni se vërtetë mund ti bësojnë shqiptarët ?
B.Mustafaj:
– Unë mendoj se zoti Basha po piqet si lider me një shpejtësi që meriton respekt. Nuk është kollaj dhe e thjeshtë që ta marrësh Partinë Demokratike nga Sali Berisha, ta marrësh gërmadhë siç u katandis pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ta ngresh e ta shndërrosh në një alternativë politike për vendin. Basha ka pasur një detyrë shumë të vështirë dhe unë besoj se Basha gjatë kësaj kohe edhe ka bërë gabime, të cilat unë dua ti gjykoj si gabime të mungesës së eksperiencës në krye të një partie të madhe. Por ajo që mua më rezulton pozitive është rimti i shpejtë me të cilin ai po piqet dhe po merr staturën që i takon si lider.
“Ekipi i Bashës shfaq dhe mëshiron kontradiktat që ka Basha brenda vetes”
– A mund ti besojmë Bashës të drejtojë vendin dhe a ka arritur të krijojë një ekip që mund të ngjall shpresë për shqiptarët?
B.Mustafaj:
– Ka elementë shumë të mirë rreth vetes, pastaj mos të harrojmë se ekipi qeverisës ndërtohet pas zgjedhjeve. Shumica e atyre që bëhen ministra zakonisht nuk janë prirës të vijës së parë në kohën e fushatave. Për të qeverisur vendin duhen profesionistë me kualitete të theksuara në fusha të veçanta, të cilët jo domososhmërisht janë të zot për të përballuar fushatat e egra. Në fushatë duhen persona me karizëm ndërsa për të qeverisur vendin duhen specialistë. Ka pasur vazhdimisht kritika ndaj ekipit të Bashës, por mua kjo nuk më preokupon. Sipas meje ekipi i Bashës shfaq dhe mëshiron kontradiktat që ka Basha brenda vetes. Në njërën anë kemi dëshirën e tij për ta rinovuar lidershipin e Partisë Demokratike dhe nga ana tjetër kemi ngurrimin për të mos hedhur poshtë ose për të mos lënë pas krahëve traditën e Partisë Demokratike. Kjo për të nuk ka qenë e lehtë, nuk ka bërë zgjedhjen e duhur gjithmonë, por për mua ka rëndësi që kjo kontradiktë nxjerrë në pah një dëshirë për ta ripërtërirë Partinë Demokratike.

E keni këshilluar zotin Basha sepse jeni takuar shpesh këto kohë?
B.Mustafaj:
– Kam qenë 20 vjet këshilltar i zotit Berisha dhe nuk i kam nxjerrë kurrë këshillat që i kam dhënë atij. Kështu që gjërat që bisedoj me të si këshilltar mos mi kërkoni.
– Pjesë e ekipit të zotit Basha a duhet të jetë zoti Berisha ?
B.Mustafaj
: – Për mendimin tim nuk duhet të jetë. Por tashmë Berisha po bën opozitë të fortë dhe kjo gjë nuk vendoset më nga Basha dot, sidomos tani që jemi 10 muaj para zgjedhjeve. Kjo vendoset ose nga një tërheqje e Berishës ose demokratët mund të mos i japin votat Partisë Demokratike. Basha duhet të bëj atë që i takon. Në listat e kandidatëve për deputetë duhet ti miratoj me strukturat e Partisë Demokratike në mënyrë që të shoh se kë e mbështesin demokratët për të qenë në listat për deputetë dhe mundësisht të bëheshin disa primare para zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike. Ky seleksionim që do të vinte nga strukturat në bazë do t’i lehtësonte shumë punë Bashës. Nëse ai nuk do ta bënte dot këtë gjë sërish nuk e gjykoj sepse nuk është një praktikë kjo që ekziston në Shqipëri. Meqenëse jemi në periudhën e reformës zgjedhore, unë do të doja që Basha ta mbështeste idenë e mbështetur dhe nga Ilir Meta për lista të hapura. Kjo do të ishte një mënyrë e mirë për ti dhënë mundësi shqiptarëve për të zgjedhë përfaqësuesit e tyre, pasi qytetarët me votën e tyre do të krijonin listën e tyre të deputetëve brenda Partisë Demokratike sipas preferencave personale dhe kjo të nxirrte në pah popullaritetin e njerëzve.
– Ju a jeni pjesë e ekipit të Bashës, qoftë dhe në rolin e këshilltarit?
B.Mustafaj:
– Kjo është një pyetje që nuk do të mund t’ju jap përgjigje. Unë jam në marrëdhënie shumë të mirë me Bashën, takohem me të herë pas here. Respekton mendimet e mia dhe kjo është e gjitha që mund të them.
– PD-ja a ka gjasa të dalë forcë e parë në zgjedhjet parlamentare të 2017?
B.Mustafaj
: – Unë ja jap votën, dhe përderisa ja jap votën kam besim se do të fitoj.


Intervistën e zhvilloi – Isuf Kurtaj

Ora News – “Ëndrra e doktorit”, Besnik Mustafaj provokon e satirizon përmes groteskut

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura