Vlorë, 29 shtator 2020: “BASHKIM-VËLLAZËRIMI” I SHEKULLIT TË XXI DHE SHQIPTARËT NËN JUGOSLLAVINË E RE.
(Një përrallë për gjithë politikanët shqiptarë, që t’i zerë gjumi rehat; por t’u nxjerrë gjumin shqiptarëve para se t’i marë lumi)
Ishte qershor i vitit 2013, kur në horizontin e një fushate luftarake elektorale në ndihmë të “Trimave të Jutbinës”, në qytetin e stërlashtë të Shkodrës, që nga Krajlia e largët erdhi për ndihmë ish mbreti i saj me emrin Tadiç. Një sërb në një fushate elektorale te dy partive shqiptare. Asnjë nuk foli. Po të ishte një grek (kujtojmë këtu mesazhin në greqisht gjatë internacionales socialiste i kryeministrit shqiptar për homologun grek, që u përmend në kuvëndin e Shqipërisë më 2017 nga ish kryeministri, nga i cili u quajt tradhëti kombëtare, vetëm se u bë në gjuhën greke, çfarë patrioti!!!!), të gjitha mediat në kor, si një zogori do të ulërinin per tradhëti. Për sërbin nuk u ndie njeri. A ishte kjo një ogur i mirë, apo një ogur i keq, koha do ta tregojë. Çfarë donte ky kallauz sërb tek dy partitë shqiptare të majta. A mos ishte vallë kjo një sinjal për një “bashkim-vëllazërim” të ri midis sërbëve dhe shqiptarëve, ashtu si në kohët e vjetra; ku shqiptarët (sidomos ata të Kosovës) “bashkim-vëllazërimin” e viteve 50-të të shekullit të kaluar, e paguan me përrenj gjaku, vrasje, zhdukje pa lënë gjurmë, burgosje, internime; e deri në genocidin e vitit të fundit të shekullit të XX. Si për të treguar që fillimi dhe mbarimi i epokave lidhej me bërjen kurban të shqiptarëve nga sllavët.
Sepse ky sërb në Shkodër, na kujton një kallauz tjetër sërb në ish Partinë Komuniste Shqiptare; një sërb tjetër famëkeq, i cili erdhi si një djall i zi në mes të shqiptarëve të majtë, plot 70 vjet më parë, në vitin 1943; një Dushan Mugoshë që do të mbahet gjatë në mendje nga shqiptarët, pasi në emër të “bashkim-vëllazërimit” sllavo-shqiptar, vrau patriotët shqiptarë. Ai do të mbahet mend edhe si një vrasës i inteligjencës shqiptare; gjë që e realizoi nëpërmjet një vllaho-sllavomaqedonasi, një kazanxhiu të pashkollë me emrin e zi, Koçi Xoxe.
Kaloi vera e nxehtë dhe aty nga shtatori, në kryeqytetin e perandorisë së madhe të botës u takuan burrat e shteteve dhe të mbretërive të botës. Aty, “princi” i malit të Zi, ashtu si pa dashur foli për një mbretëri jugosllave të re, të mirë, jo si ajo e vjetra, që në fund të shekullit të XX, e çoi gjakun deri në “bark të kalit”. Kjo, mbretëri, për nga madhësia, do të ishte pak a shumë në përmasat e asaj të Stefan Dushanit në shekullin e XIV, ku shqiptarët ishin nën sundimin e ketij perandori sërb. Sërbia, për ata që nuk e dinë, këto 150 vjetët e fundit, me bekimin e kishës sërbe, ka luftuar për rikrijimin e kësaj perandorie me vëndet e shenjta të saj dy qytete, Peja dhe Prizreni; të cilët për fat të keq, sipas tyre, janë zaptuar nga “barbarët shqiptarë”. Këto vende “të shenjta” të sërbëve, mos u çudisni, i njeh edhe Europa si “Jeruzalemi i Sërbise”. Jo me kot plaku Ahtisari, një bajloz i Europës për të rregulluar punët e shqiptarëve, i njohu si të tilla. Po shqiptarët çfarë bënë do të thoni juve. Ata ulën kokën para këtij vendimi të krishtërimit perëndimor.
Prijësit shqiptar, të principatës shqiptare të krijuar në vitin 1913 (për çudi 100 vjet me parë), që ndodheshin në kryeqytetin e perandorisë botërore “ku dielli nuk perëndon kurrë”, heshtën para këtij propozimi. Themi “heshtën” se shqiptarët nuk morën vesh, që folën, ishin dakort, apo ishin kundër, apo heshtën; pasi nuk u tha njeri gjë. Për këtë nuk foli as “bushatlliu” i ri i principatës së Shkodrës. Por, prijësi i shqiptarëve atje u takua atje edhe me të dërguarin (bajlozin e carit) e perandorisë së re cariste, e quajtur “Andej nga lind dielli”. Për këtë takim, të jeni të sigurtë, që nuk u tha asgjë. Se çfarë u tha dhe se çfarë u dëgjua, njëri nuk mori vesh gjë. A u fol për mbretërinë e re të Sllavëve të Jugut, apo për gjëra të tjera, nuk di njeri gjë.
Prijësit shqiptarë u kthyen në vendin e shqipeve dhe filluan të flasin, që Krajlia tani është bërë e mirë. Ne do t’u hapim atyre shtigjet për të dalë në Adriatik, pasi i kemi miq. Me ta do të kemi marrëdhënie të “shkëlqyera” ekonomike. Prijësit shqiptare, kishin nja mot mot që kishin dalë në viset, të cilat deri në fund të shekullit të kaluar, kishin qënë nën krajlinë, dhe u kishin premtuar se këta ishin shqiptarët e vërtetë, që do t’i bashkonin shqiptarët. Por do t’i bashkonin nën Sërbinë, apo nën shqiptarinë, këtë nuk e thanë. A kanë pranuar prijësit e principatës shqiptare të 1913, që t’i fusin shqiptarët nën mbretërinë e sllavëve të krajlisë, këtë nuk e dimë. Këtë nuk e thotë njeri, por me “ç’tregojnë bathët” pashkët e patriarkanës ortodokse sërbe, nuk janë larg. Ne do të dëshironim, që pandehmat tona ogurzeza, të mos vërtetoheshin kurrë; që ato të mos e shikonin kurrë dritën e diellit. Por, do rrojmë dhe do të shikojmë.
Por ne dijmë këtë, që princi i krishterë i principatës shqiptare ka biseduar me princin e Dardanisë të konvertuar në mysliman. Atij i ka premtuar se në tregtinë me të do të heqë doganën e kripës, lëkurëve dhe leshit të bagetisë. Ai ka biseduar edhe me princat shqiptarë të Maqedonisë, edhe ata të konvertuar në mysliman, por që janë vasalë të mbretit maqedonas Nikolla i XII. Mbretin e Maqedonisë, princi shqiptar e takoi para do kohe dhe i kërkoi me lutje, që të hapte do shkolla në gjuhën shqipe për vocrakët e Çarshisë, si dhe të zbatojnë traktatin e paqes të Peshkopatës së Ohrit. Por prijësi shqiptar, para se të takojë kralin e sërbisë, vajti takoi edhe kralin e Malit të Zi. Dijmë gjithashtu, që princi shqiptar gëzon mbështetjen edhe të “Portës së Lartë” në Stamboll, ku sulltanin Taip Ghazi, e ka mik për kokë, madje janë bërë vëllamë. Sulltani është i interesuar për një mbretëri të madhe në Ballkan. Pasi i ka ardhur shpirti në majë të hundës, duke paguar doganë per karvanet e mallrave të veta, principatë më principatë. Madje ai ka dërguar edhe ustallarët për të ndërtuar udhën, e cila do të kalojë mes për mes kësaj mbretërie të re sllave. Udhë, te cilën, me thënë të drejtën, shqiptarët e dy principatave shqiptare e kanë paguar shumë shtrenjtë, mbi dy miliard euro. Këtë udhë, prijësit shqiptarë e kanë quajtur “Udha e Kombit”. Por ka ca zëra, që thonë se kjo udhë u ndërtua për të dalë karvanet me mallra të krajlisë në Adriatik. Ne nuk e besojmë, por fakti që ajo lidhi Durrësin me kufirin e krajlisë, nuk do shumë pare ment. Se po të ishte udha e kombit do lidhte vetëm Tiranën me Prishtinën, dhe nuk do të shkonte ne Serbi. Por siç duket, të gjithë ata që thamë më lart, e bënë këtë udhë me paret e shqiptarëve për karvanet e veta. Me sa duket punët janë vënë në vijë. A do të bëhet princi shqiptar “probatin” me krajlin e Malit të Zi dhe të Sërbisë. Të durojmë dhe të presim. Ata i kanë premtuar princit shqiptar, që nëqoftëse ai do t’i bashkojë gjithë princat shqiptarë nën sundimin e krajlisë, ata do ta njohin si mbret të shqiptarëve, por gjithmonë si vasal i mbretit të Sërbisë. Krajli i Sërbisë do të kërkojë heqjen e doganave për mallrat sërbe dhe vënien në dispozicion të skelës së kalasë së Shën-Gjinit.
Po mbretërit e Europës a janë dakort për këtë mbretëri të re të sllavëve, ku të futen edhe shqiptarët!!? Të gjitha gjasat janë që keto plane i kane fillesat në kancelaritë e mbretërive europiane. Siç duket, mbretërit e Europës kanë vendosur, që para se pricipatat e Ball-Kazanit Perëndimor t’i aneksojnë në Perandorinë e Perëndimit; t’i bashkojnë njëherë me njeri tjetrin, të “kavërdisen” njëherë me dhjamin e njeri tjetrit, dhe pasi të jenë skuqur mirë e mirë, ku shqiptarëve do t’u mbeten vetëm kockat, atëhere t’i fusin në Perandorinë e Shenjtë të Krishterë Perëndimore.
Mbretërit e krishtërimit perëndimor, janë të interesuar që gadishulli i Ball-Kazanit, i cili ndodhet në kryqëzim të rrugës së mëndafshit dhe beharnave indiane, mundësisht të ishte i organizuar si një shtet i vetëm, ose në sundimin e një shteti të vetëm, me të cilin do të merreshin vesh shumë kollaj. Nga fiset që sundojnë gadishullin grindavec dhe problematik, për perëndimin e krishterë më të besueshëm, me të cilët merren vesh më mirë, janë fiset sllave; me të cilët për fat të mirë, ndajnë edhe të njëjtën Fe, krishtërimin. Por për këtë, mbretërit e Europës kanë pervojën e gjyshërve të tyre, të cilët në fund të shekullit të XIX dhe fillim te XX-ës, mbështetën në Ball-Kazan fiset ortodokse sllavo-greke, që perdornin shkrimin cirilik dhe jo shqiptarët me shkrim latin. Kjo dukej më shumë, si një miqësi e rilindur e perandorisë romake të perëndimit me perandorinë bizantine.
Kështu, Mbretërit e Francës, pasardhës të mbretërisë franke, historikisht kanë qënë miq të krajlëve të sërbisë. Madje Franca, fiks para 100 vjetësh mbështeti një princ mysliman shqiptar, pashai i Top-Hanës, që të bashkonte Shqipërinë me Sërbinë. Kur shqiptarët gjaknxehtë e vranë këtë pric tradhëtar, mbretërit e Francës i bënë një varrim madhështor dhe e varrosën në Paris, pranë varreve të ushtarakëve të tyre. Thonë, mos e mirni për të vërtetë, se edhe princi aktual shqiptar, kur ka qënë në Francë, ka vajtur dhe ka qarë mbi varrin e këtij pashai prosërb. Nëqoftëse kjo nuk është e vërtetë, e vërtetë është se një shqiptar i degdisur në Francë pas 1990-ës, me emrin e një kafshe pylli dhe me llagap të princit të Shqipërisë së 2013-ës; ka bërë një shkrim ku ngre lart virtutet dhe përpjekjet për liri të princit të Top-hanes. Thuhet ku ka zë, nuk eshte pa gjë. Çdo ky kurbetli, i cili nga kështjella e mbretit të Francës, ngre lart këtë princ tradhëtar, që Franca i vuri në gjoks dekorata, ndërsa shqiptarët i dhanë plumba. Ku fle lepuri?
Mbretërit e Anglisë, na do mendja, do të jenë dakort per krijimin e kësaj mbretërie të re; pasi ata ishin krijuesit e mbretërise jugosllave para 100 vjetësh, dhe ja kanë marrë dorën kësaj pune. A nuk ishin ata që në Luftën e Dytë të Përbotshme u premtuan mbretërve të Greqisë Jugun e Shqipërisë? A nuk ishin ata, që sëbashku me Josifin e Rusisë, i premtuan Josifit të Jugosllavisë, që të hante Shqiperinë e 1913, si një kafshatë të shtatë.
Kuptohet, që Cari i Rusisë, vëllai i madh i sërbëve, për të cilin thuhet se mund të jetë edhe nga nismëtarët e kësaj pune, i hedh dru zjarrit sërb, ku do të digjen shqiptarët. A ka biseduar për këtë problem princi i Shqiperisë me bajlozin e carit në kryeqytetin e perandorisë “ku dielli nuk perëndon kurrë”, këtë nuk e dimë. A ka ndonjë marrëveshje të fshehtë këtu? Këtë nuk e dimë, pasi kur u kthye në vendin e shqiponjave, princi shqiptar nuk tha asnjë fjalë për këtë takim, të paktën të kishte folur, qoftë edhe gënjeshtra. Dielli me shoshë nuk mbulohet, pasi takimi ishte i zbuluar, bisedat janë të mbuluara.
Por ne dimë një gjë tjetër, që bajlozi ynë Bushatlli, me vetmburrje, ka thënë, që unë sëbashku me princin shqiptar, do të shkrijmë akujt e ngrirë që para 50 vjetëve midis rusëve dhe shqiptarëve; dhe nga “Dimri i Fundit” i Kadaresë, ne do të sjellim “Pranverën e Parë” të “Sahan Palaresë”. A futet në këtë sahan-palare, futja e shqiptarëve nën mbretërinë e Krajlit. Këtë e dinë ata të dy.
Princi shqiptar takoi edhe mbretin gjerman të Austrise, por a bisedun për këtë problem, apo jo, nuk e dimë. Dijmë që austriakët kanë qënë miq të shqiptarëve dhe nuk i kanë pasë fort për zemër sërbët. Por kohët kanë ndryshuar, edhe ata si gjithë të tjerët, ma do mendja, që rrugët e karvaneve tregtare të tyre në Ballkan, i duan pa pengesa. Gjithashtu, cari i Rusisë u ka premtuar atyre, që nga lumenjtë e vet, të kthejë një deg lumi në Sërbi, dhe prej andej në Hungari dhe Austri. Këtë deg lumi me uje të ngrohtë, ata e kanë quajtur “Rrjedhat Jugore”.
Po italianët janë në këtë valle? Me siguri, pasi në fund të shekullit të kaluar, kur krajlia u sulmua nga perandoria “ku dielli nuk perëndon kurrë”, qanë me të madhe për fatin e keq të sërbëve. Madje bajlozi i tyre, me emrin Din, mallkoi shqiptarët që i prishën tregtinë me krajlin e sërbisë.
Mbretërit grekë nuk janë ndier dhe po heshtin. Ata si hiena, në heshtje presin të hanë kërmën e Vorio-Epirit. Për këtë mbase princi shqiptar dërgoi në Athinë të dërguarin e tij të veshur me rroba pej leshi. I dërguari i princit, kur erdhi në Shqipëri, nuk tha asnjë fjalë per çka bisedoi me zv.mbretin e Greqisë. Do zoti dhe nuk ka lidhur ndonjë marrëveshje të fshehtë në dëm të shqiptarëve! Thuhet, por mos e mirrni për të vërtetë, që i dërguari pej leshi bisedoi në Greqi për hapjen e varrit të Taqkës ndë Korçë. Se ky Taqka i Korçës, që hante tërë ditën kërnacka, na e mbante veten për grek, pasi gjyshi i tij kishte qënë çoban me dele në Gërqi!!? Mbase grekëria presin që principata shqiptare të bashkohet me vellezërit ortodoksë sërbë, që të kenë mundësi, në rastin më të parë, të rrëmbejnë pjesën jugore të kësaj principate.
Princi shqiptar, kur shqiptarët e njohën për princ, për të qënë i sigurtë në planet e veta, bëri një besëlidhje në kalanë e Petrelës, ku ftoi në këshillin e Lidhjes vetëm princat nga 20 deri në 30 vjeç, pasi ata në moshë të vjetër mund t’i nxirnin probleme; ndërsa këta rioshët i komandonte kollaj. Të vjetrit i çoi në Pleqësinë e kalasë së Tironës, ku nuk i dëgjon njeri. Madje ai ka caktuar si bajloz të tij një riosh, stërnip të Mehmet Bushatlliut, pashait të Shkodres; i cili në kohën e vet, me thënë të drejtën ja pat vënë kufirin tek thana krajlit car Nikolla të Malit të Zi. Por ky riosh duket më shumë si një murg katolik, se sa si një princ bushatlli.
Pasi mbaroi do punë, princi shqiptar, si një Gjergj Elez Ali, por pa nëntë plagë; pasi ai nuk ka marrë ndonjë plagë në luftë me krajlin; plagët i kanë marrë shqiptarët; do të shkojë në sarajet e krajlit sërb në Beograd. Për këtë vizitë, bajlozi i tij Bushatlli, i kënaqur sa më s’ka, është shprehur se kjo vizitë do të jetë “Historike”, pasi të tillë vizitë, nuk kanë realizuar princat shqiptar në Krajli këtë çerekshekullin e fundmë. A do të kërkojë Princi Ynë, që Krajlia ta njohë Kosovën si një principatë të pavarur? Këtë nuk e dimë. Por dimë që krajli sërb, jo më shumë se para dy ditësh, deklaroi se Kosova-polje eshte tokë sërbe, dhe nuk do ta njohim kurrë si pricipatë të pavarur, as në këtë jetë dhe as në atë jetë. Madje patriarku sërb ka deklaruar, që më mirë të prishemi me mbretërit e Europës, se sa të lëshojmë Kosova-Poljen.
A do të kërkojë princi ynë shpagim, dëmshpërblim dhe falje nga krajlia për krimet që kanë bërë ndaj shqiptarëve këto 150 vjetët e fundit?!
A e di ai dhe bajlozi i tij bushatlli, se kur morën Nishin në dimrin e vitit 1880, sërbët poqën të gjallë në furrë fëmijët shqiptarë dhe i hëngrën si kanibalë?! A e di Ai dhe bajlozi i tij bushatlli, se sërbët një dekadë më parë vranë, deportuan dhe përdhunuan shqiptarët?! Mbase nuk e din, se në atëkohë, Ai, Princi, ka qënë në mbretërinë franceze, ku u fërkohej koka sërbëve.
A do të kërkojë princi shqiptar të drejtat e shqiptarëve në Sanxhak dhe hapjen e shkollave shqipe atje? Nuk e dimë. Ne dimë që princi shqiptar, jo më larg se një ditë më parë, hapi shkollë sërbe në Fier, për banorë; që për ironi të fatit, nuk janë sërbë, por boshnjakë po nga ai Sanxhak; ku shqiptarëve, jo vetem u ndalohen shkollat shqipe, jo vetëm u ndalohet e folmja në gjuhën shqipe; por më e rënda dhe më poshtëruesja, atyre u ndalohet që ta quajnë veten shqiptar, ashtu siç edhe janë. Kjo nuk ka ndodhë as në kohën e turkut. A do të përpiqet ta ndryshojë këtë princi i Inë, në këtë vizitë ”historike” të tij në Krajli!!? A do të qëndrojë ai para krajlit kokëlart, apo do t’i puthë pëqirin atij? Këtë e di Ai!
Ne nuk e dimë dhe nuk kemi si ta dimë!
Ne dijmë vetëm pandehmat tona dhe do zoti, që ato të gjitha sa thamë me lart, nuk dalin të vërteta. Frikë kemi, nuk e fshehim. Zoti e ruajtë Shqipërinë dhe shqiptarët nga të paudhët!
Petro Dangëllia.Tironë më 26 nëntor 2013, ditën e ngritjes së flamurit aty.
(Marrë nga libri “Cerberi antishqiptar”); “Shqiptari EU”INFO-PRESS” dt.17.07.2017
Postime të Lidhura
PROF.ASOC.DR.ENVER BYTYҪI: PSE KOSOVA ËSHTË ‘SUI GENERIS’?
Tiranë, 9 tetor 2017: Thjesht në përgjigje të kërkesës për argumente të ministres së Drejtësisë së Serbisë, zonjës…
Afrim Morina: Parapolitika nuk merret me pandeminë e virusit Covid-19, por me marrje pushteti
Prishtinë, 5 Prill 2020: Në kohë epidemishë e pandemishë ndodhin shumë gjëra që mendja e njeriut nuk do…
GJOKË DABAJ: MOS E EDUKO VETEN KEQ! VETËDUKIMI ËSHTË FORMA KRYESORE E EDUKIMIT TË NJERIUT
Durrës, 19. 07. 2015 – Kam për të trajtuar këtu njërin prej problemevet më të rëndësishëm, në mos…
HALIL KRASNIQI: INJORIM E JO KUNDËRSHTIM I “PLATFORMËS” SERBE
(Prishtinë, dhjetor 2012) – Ndonëse u cilësua si “vetëm një copë letre”, “platformë raciste”, “platforma do të dështojë…