BIBLIOGRAFIA E BOTIMEVE TË ASHAK’së NDIHMESË PËR ARKIVISTIKËN E KOSOVËS

Pashtriku.org, 12 dhjetor 2018: (Sadik Mehmeti, Nuridin Ahmeti, “Bibliografia e botimeve të veçanta të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (1965-2015)”, ASHAK, Prishtinë, 2016, f. 278) – Një ndër institucionet me traditë më të gjatë të Kosovës, është edhe arkivi i saj. I emërtuar në forma të ndryshme përgjatë dekadash, duhet pranuar faktin se si institucion i ruajtjes së vlerave dokumentare ka një vend dhe rol të veçantë në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shtetit më të ri evropian. Në organizimin e ri shtetëror e institucional, ky mekanizëm jetik njihet si Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (më herët Arkivi i Kosovës), dhe si mekanizëm është përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e rrjetit arkivor në nivel vendi. Pa dyshim, veprimtaria botuese bën pjesë ndër kontributet më me peshë në rezultatet e këtij institucioni, si në planin e traditës, ashtu edhe në atë aktual. Për më shumë se gjysmë shekulli veprimtaria botuese e këtij institucioni është identifikuar me revistën “Vjetari”, e cila deri tani ka dalë në 51 numra, ku kanë gjetur vend materie me peshë për këtë veprimtari me interes të veçantë shoqëror, shtetëror e kombëtar, sikundër janë kontributet profesionale arkivistike, studimet, materialet, hulumtimet, dokumentet, të dhënat me interes për jetën institucionale të Arkivit të Kosovës dhe të arkivistikës së Kosovës përgjithësisht, kritikat, recensionet, in memoriamet etj.
Mirëpo, ky institucion ka edhe edicionin e botimeve të veçanta në kuadër të të cilit deri tani kanë dalë 55 vëllime. Struktura e botimeve është e llojllojshme, duke nisur nga vëllime që u dedikohen dokumenteve e standardeve ndërkombëtare të përpunimit të lëndës arkivore, shfrytëzimit të saj etj., pastaj dokumente e të dhëna që kanë të bëjnë me shqiptarët (veçmas të proveniencës perëndimore e lindore: angleze, franceze, osmane), që kanë të bëjnë me Kosovën, me institucione të veçanta, me ngjarje historike, udhëzues të lëndës arkivore të vëllime që paraqesin trashëgiminë e Arkivit të Kosovës, studime të bazuara në lëndën arkivore etj.
Autorët, dr. Sadik Mehmeti dhe dr. Nuridin Ahmeti, punonjës të zellshëm shkencorë në fushën e historiografisë dhe të arkivistikës, kohë më parë ia dhuruan opinionit tonë shkencor kontributin bibliografik që përmbledh 50 numra të revistës “Vjetari” (“Bibliografia e revistës ‘Vjetari’ 1965-2015”). Megjithatë, ata vijuan punën edhe për hartimin e “Bibliografisë së botimeve të veçanta të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës”, me çka e rrumbullakojnë një pasqyrë bibliografike lidhur me kontributet e këtij institucioni me rëndësi për trashëgiminë tonë dokumentare shkrimore. Kjo bibliografi, sikundër edhe pararendësja e saj, janë shenja të identifikimit të veprimtarisë arkivistike në Kosovë. Kundruar në rrafshin e shfaqjes kohore të këtyre vëllimeve, duhet thënë se ato nisin në vitin 1969 me librin e orientalistit të njohur, Omer Nakićević, të titulluar “Revolt i protestni marš stanovnika Kosova 1822 godine”, ku autori ka shfrytëzuar dokumentacionin e Arkivit të Kosovës, të marrë nga arkivat e Stambollit, lidhur me protestat dhe revoltat e populates vendase kundër Maliq Pashë Gjinollit. Ritmi i botimeve në fillim ishte më i ngadalshëm, kështu që botimi vijues do të pasojë pas tetë vitesh, një informator dygjuhësh lidhur me veprimtarinë, strukturën e institucionit, lëndën arkivore etj.. Viti 1978 ndërkaq në planin e botimeve të veçanta të Arkivit të atëhershëm të Kosovës shënon arritje të njëmendtë. Në klimën eshënimit të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dolën tri botime të veçanta: Masar Rizvanolli botoi udhërrëfyesin e Ekspozitës kushtuar 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa Skënder Rizaj e kundroi këtë ngjarjet madhore për kombin shqiptar në prizmin e dokumenteve angleze të viteve 1878-1881. Mbi bazën e burimeve osmane për Lidhjen e Prizrenit historiani Iljaz Rexha publikoi një vëllim prej 310 faqesh.

Pas këtyre tri botimeve do të kalonte një kohë e gjatë, plot 11 vjet, deri në shfaqjen e publikimit prezantues lidhur me Arkivin Komunal të Prishtinës në 20-vjetorin e tij. Në njëfarë mënyre, veprimtaria botuese përbën trajtën më të veçantë të historikut të arkivistikës së Kosovës. Vendosja e masave të dhunshme nga Serbia dhe shpërbërja e të gjitha strukturave institucionale që ishin formuar nëpërmjet avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës në Federatën Jugosllave, rezultoi me ndërprerjen e veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe në Arkivin e Kosovës. Vëllimi i parë që do ta shihte dritën e botimit në periudhën e Çlirimit të Kosovës ishte ai i vitit 2001 i titulluar “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999-The terror of invading Serbia over albanians 1844-1999” i Nusret Pllanës. Një punë e madhe, në vitet e para të pasluftës është arritur me realizimin e projektit trevëllimësh “Udhërrëfyesi i fondeve dhe koleksioneve arkivore” (2002 dhe 2004), i cili mundëson orientim më të saktë në kërkimin e lëndës arkivore. I kësaj kohe (2003) është edhe botimi i “Kodeksi etik i arkivistit”. Me interes është edhe botimi i tri rregulloreve që ndihmojnë për organizimin më efikas të punës arkivore: “Shfrytëzimi i lëndës arkivore”; “Rregullat dhe obligimet për punë në sallën e leximit”; “Kujdesi për mbrojtjen e lëndës arkivore” me autor Gazmend Berishën (2004), i cili vetëm një vit më vonë botoi “Qasje në informata dhe mbrojtja e shënimeve personale”, ku trajtohet rregullativa përkatëse ligjore, parë në disa kontekste shtetesh. Dy vëllime të përgatitura nga Ismail Rexhepi me dokumente në gjuhën osmane nga Arkivi i Kosovës (2004 dhe 2013), përbëjnë një punë me interes për prezantimin e dëshmive të periudhës osmane. Një numër i konsiderueshëm botimesh të veçanta kanë për autor Jusuf Osmanin, i cili përveç vëllimit të parë të “Udhërrëfyesit.. . ” tashmë të zënë ngoje, shfaqet edhe si autor i këtyre veprave: “Arkivistika – teoria dhe praktika” (2005), “Vlerësimi lëndës arkivore” (2006), “Fjalori terminologjik i arkivistikës” (2007), “Mbrojtja dhe ruajtja e lëndës arkivore” (2007, bashkautor me Gazmend Berishën), “Shfrytëzimi i lëndës arkivore” (2008), katër vëllime tematike për krimet serbe në Kosovë të titulluara “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999 – The Serbian Crime in Kosovo in 1998-1999” (2010) I e II dhe “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999-Serbia’s Crime against children in Kosova 1998-1999” (2012), “Masakra e Kralanit” (2012, bashkautor me Ramë Manajn). Po ashtu, ky autor në bashkautorësi me Ramë Manajn kanë botuar edhe vëllimin “Lista e kategorive të dokumentacionit arkivor me afate të ruajtjes II” (2012) dhe një vëllim tjetër karakteristik “Abetarja e gjuhës shqipe e vitit 1898” (2013).
Ndihmesë të çmueshme ka dhënë edhe studiuesi Sadik Mehmeti me botimin “Dorëshkrimet orientale në Arkivin e Kosovës” (2008), duke ofruar trashëgiminë shkrimore të kësaj kategori përgjatë shekujve XV-XX. Gjithashtu, në bashkautorësi me Nuridin Ahmetin, ky studiues ka publikuar të parën bibliografi në edicionin botues të Agjencisë Shtetërore së Arkivave të Kosovës (2015), e cila ka në fokus revistën “Vjetari”. Aliriza Selmani ka botuar veprën “Shpërngulja e shqiptarëve nga Gjilani e rrethina në Turqi (sipas dokumenteve arkivore)” (2008). Si një vëllim i veçantë është botuar edhe dokumenti “Referat për Komitetin Nacional Demokratik Shqiptar” i përgatitur nga studiuesi shkupjan Qerim Lita (2009), i cili gjithashtu ka botuar librin “Politika e Mbretërisë jugosllave ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë 1929-1941 – Dokumente” (2012). Ismail Ismaili ka botuar dy vepra në kuadër të edicionit të botimeve të veçanta që përqendrohen te pikëshikimet e të tjerëve ndaj shqiptarëve: “Dorëshkrimet frënge të viteve 1853-1897 për çështjen shqiptare” (2010) dhe “Korrespodenca të konsujve frënge dhe gjermanë për çështjen shqiptare gjatë viteve 1860-70” (2011). Po lidhur me këtë materie, nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, është botuar edhe vëllimi i Gjyltekin Shehut “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet diplomatike franceze(1878-1881)” (2010). Me një kontribut të çmueshëm lidhur me Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare veçohet edhe punonjësi shumëvjeçar i Arkivit, Hysen Azemi, i cili ka botuar dy vëllime me titullin “LNDSH-ja dhe sigurimi shtetëror serb1945-1947” (2013 dhe 2014). Zelije Shala ka botuar vëllimin “Lëvizja për çlirimin kombëtar në Komunën e Suharekës” (2013), që përmban të dhëna gojore dhe materiale arkivore me interes. “Drenica e Epërme dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (2015) është vepra e Selman Krasniqit, në të cilën trajtohet e kaluara e kësaj treve me fokusim në luftën e UÇK-së.
Një varg botimesh të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, gjegjësisht structures pararendëse të saj të njohur si Arkivi i Kosovës, janë rezultat i punës kolektive të punonjësve të tij dhe bashkëpunëtorëve të shumtë. Kryesisht është fjala për materie që e rregullojnë punën arkivore, standarde të ndryshme moderne ndërkombëtare të arkivistikës etj.. Me këtë rast, krahas atyre të zëna ngoje më lartë, po i përmendim vetëm titujt e këtyre, të vetëdijshëm se kontributet në ekipet punuese janë të niveleve të ndryshme: “35 – vjetori i Arkivit Ndërkomunal të Mitrovicës 1970-2005” (2005), “Shkolla për infermiere në Mitrovicë (Në bazë të dokumenteve arkivore) 1947-1990” (2007), “Udhërrëfyesi i fondeve dhe koleksioneve arkivore (Vëllimi i parë) i Arkivit Ndërkomunal – Gjilan” (2007), “Standardi Ndërkombëtar ISO 15489 informatat dhe dokumentacioni – menaxhimi dhe dokumentet”; “ISDA(G) Standardi i përgjithshëm Ndërkombëtare për përshkrimin e lëndës arkivore” (Botimi i dytë); “SAAR (CPF) Standardi Ndërkombëtare për dokumente arkivore të normuara për persona juridikë e fizikë dhe familje” (Botimi i dytë), (të gjitha këto të fundit botime të vitit 2009), “Arkivat në Republikën e Kosovës” (2011), “ISDIAH Standardi Ndërkombëtar për përshkrimin e institucioneve me lëndë arkivore” (Botimi i parë) (2012), “ISDF Standardi Ndërkombëtare për përshkrimin e funksioneve” (Botimi i parë) (2012).
Një kontribut me vlerë për zhvillimin e arkivistikës, e përbën edhe botimi i sivjetshëm i “Fjalorit të termave arkivorë”, si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet arkivave të Tiranës dhe Prishtinës. Po kështu, duke marrë parasysh faktin që numri i 51-të i revistës “Vjetari”, organ i Arkivit të Kosovës, përkatësisht i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, doli pas botimi të bibliografisë kushtuar kësaj reviste, të dhënat përkitazi me të, jo pa arsye, janë përfshirë në vëllimin e botimeve të veçanta. Në planin strukturor, bibliografia është ndërtuar mbi një parimësi metodologjike që ofron qasje të lehtë në materiet e kërkuara. Kështu, autorët Sadik Mehmeti dhe Nuridin Ahmeti, janë përcaktuar që paraqitjen e lëndës bibliografike ta nisin me rendin kronologjik të botimeve, duke i kushtuar vëmendje secilit vëllim sa u përket të dhënave standarde kryesore: autori (autorët), titulli i veprës, faqet, formati, tirazhi, botuesi, recensentët, këshilli redaktues, kryeredaktori përgjegjës, ose redaktori, lektori dhe redaktori teknik. Më tej, është paraqitur e plotë përmbajtja e secilit prej botimeve, duke shënuar edhe faqet përkatëse të secilës njësi. Autorët, po ashtu, janë përkujdesur që ta japin një përshkrim të shkurtër të përmbajtjes së vëllimit dhe, natyrisht, një vlerësim të përgjithshëm lidhur me rëndësinë e tij. Me qëllimin që ta bëjnë sa më lehtë të qasshme këtë bibliografi, autorët, përveç renditjes kronologjike, janë kujdesur që të ofrojnë edhe një renditje alfabetike të botimeve sipas autorëve të tyre. Pastaj kanë ofruar treguesin alfabetik të emrave të autorëve, treguesin alfabetik për redaksitë, kryeredaktorët, redaktorët, recensentët, redaktorët gjuhësorë, korrektorët dhe redaktorët teknikë, si dhe një tregues që përmban vetëm titujt e veprave të botuara të renditura sipas kriterit alfabetik. Kjo bibliografi përmbyllet me prezantimin e faksimileve të kopertinave (ballinave) të të gjitha botimeve mbi bazën e parimit kronologjik. Puna e autorëve të kësaj bibliografie, dr. Sadik Mehmeti dhe dr. Nuridin Ahmeti, përbën një kontribut me vlerë për modernizimin e kërkimit shkencor ndër ne edhe në fushën e arkivistikës. Puna e tyre do ta lehtësojë, në masë të konsiderueshme, identifikimin e kontributeve të studiuesve në këtë fushë, do të bëjë që shtohet ndjeshëm baza burimore e argumentuese e studimeve tona. Për gjithë përpjekjet që kanë bërë dhe përkushtimin e pashoq meritojnë respekt të veçantë dhe mirënjohjen e kolegëve studiues. Duke çmuar se puna e autorëve përbën një kontribut më peshë për zhvillimin e dijes sonë, të arkivistikës dhe historiografisë shqiptare, “Bibliografinë e botimeve të veçanta të Agjencisë Shtetërore të Kosovës, përkatësisht të Arkivit të Kosovës”, kam bindjen se do t’i shërbejë jashtëzakonisht shumë ngritjes së kapaciteteve dhe rezultateve tona studimore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura