BISLIM ELSHANI(*): UKSHIN HOTI DHE BAZAT MORALE TË POLITIKËS SHQIPTARE

Pashtriku.org, 12. 05. 2013 – Në qasjen ndaj politikës dhe në analizat socio-politike, Ukshin Hoti nuk dallon ose dallon fare pak nga kolegët e tij të universiteteve amerikane. Duke shfletuar autorë të ndryshëm përnjëherësh, zbulova diçka interesante: unë mund të kaloja pa asnjë vështirësi nga një studim i Zbignjev Brzezinskit tek Ukshin Hoti, ose nga një studim i Hobsbaumit, Zhizhekut apo Darendorfit tek Ukshin Hoti. Madje në ca aspekte Ukshin Hoti më delte më i thellë, më sintetik e më bindës.
Të nderuara zonja e zotërinj,
Qëmoti kam pasur idenë të shkruaj për një aspekt të veçantë të filozofisë politike të Ukshin Hotit, për aspektin moral. Për këtë më pati nxitur një pohim i Mahmut Bakallit për veprën e Ukshin Hotit, se politikën e tij e karakterizonte moralizimi. Mbase si shumë intelektualë kosovarë, edhe ai kishte ngatërruar kuptimet e ndryshme që bartin fjalët moral dhe moralizim. Kjo e dyta ka konotacion para së gjithash negativ. Ukshin Hoti i kushtonte rëndësi të jashtëzakonshme korrektesës terminologjike dhe detajeve, ai nuk ngatërronte kurrë termat, pa u bindur se shprehnin atë që synonte ai. Psh. më kujtohen diskutimet e gjata me të për të gjetur në shqip ekuivalentin e fjalës civilizacion. Sugjerimi im për termin qytetërim nuk e kënaqte. Njësoj pati ndodhur dhe me termin “e vërteta e kohshme”, të cilit unë vetëm vonë arrita t’ia kuptoja thelbin. Sipas Ukshin Hotit, e vërteta e kohshme nuk duhet ngatërruar me të vërtetën e përkohshme, por para së gjithash, me një të vërtetë paradigmatike, që ia vë vulën kohës.

– Ukshin Hoti – 

Të njëjtin kujdes për termat ai tregoi edhe në mbrojtjen e tij të njohur para gjykatës serbe në Prizren, ku asnjëherë nuk ngatërroi psh. kuptimet e fjalëve e drejtë dhe drejtësi. (Ndërkaq sot, ngatërresat ortografike e ortoepike që lexojmë e dëgjojmë nga gazetarët e spikerët radiotelevizivë, sidomos në Kosovë, janë të panumërta.) Sidoqoftë, duke e marrë me seriozitet pohimin e z. Bakalli për moralizimet e mundshme në veprën e Ukshin Hotit, iu vura rileximit të veprës së tij edhe një herë, dhe konstatova përfundimisht se në gjithë veprën e tij s’kishte asnjë moralizim.
Pastaj pyeta veten, ku ta ketë nxjerrë vallë z. Bakalli këtë përfundim?
Supozova se ai, të më falë atje ku është, as që e kishte lexuar veprën e Ukshin Hotit, por në konstatimin e tij mund të jetë nisur nga përvoja vetjake gjatë bashkëpunimit me të në periudhën komuniste. Për raportet e tilla më kishte folur vetë Ukshin Hoti. Psh. ai më thoshte se qarqet drejtuese të krahinës nuk pranonin ta mbanin afër se ai s’dinte të mbante sekretin. Pastaj sepse nuk pinte alkool. Mirëpo ajo që më pati lënë mbresë për sa i përket dallimit të tij me gjithë nomenklaturën titiste të Kosovës, ishte qëndrimi i tij gjatë fushatës së njohur politike jugosllave “Ke shtëpi dorëzo banesën”. Në komisionin krahinor që merrej me këtë çështje ishte emëruar edhe Ukshin Hoti, së bashku me një drejtues komunist nga Gjakova. Ukshin Hoti, bazuar në parimet e tij morale, e kishte marrë me seriozitet aksionin dhe kishte nisur me gjithë mend ta vinte në jetë atë. Mirëpo kur i doli se bashkëpunëtori i tij më i ngushtë në komision kishte edhe shtëpi edhe ca banesa, e kuptoi se në ç’botë po jetonte dhe që prej atëherë nisi të distancohej prej saj, derisa u përjashtua tërësisht nga Lidhja e komunistëve jugosllavë.
Dhe është e çuditshme se si disa nga ish-bashkëpunëtorët e tij, edhe shumë vite pas largimit nga partia, vazhdonin ta quanin komunist. Të qënit ish-komunist ai nuk e mohoi kurrë, por edhe kur e provokonte ndonjë fanatik i ri ideologjik pas viteve 90, ai përgjigjej: “Po, kam qenë komunist, por kam qenë njeri i ndershëm”. Pra në bazë të sjelljes së tij në raport me të tjerët ai vinte nderin dhe jo ideologjinë, moralin dhe jo interesin. Ndërsa para ca kohësh më ra të lexoja një pohim të një ish kreu të PD-së në Shqipëri për një politikan të majtë: “Është i ndershëm, s’ke ç’i thua, por ç’e do, është i majtë!” Pra zyrtarët e sotëm duket se janë po aq fanatikë në ideologji sa edhe ata të kohës moniste. E keqja është se gjersa ata të djeshmit ishin në pajtim me konjunkturat politike globale, me kohën dhe me vendin ku jetonin, këta të sotmit janë në kundërshtim me gjithçka ka të bëjë me normat demokratike. Këta mendojnë se po të jesh demokrat, edhe po s’pate moral e ndershmëri, edhe po të jesh horr, të falet. Ajo që s’të falet dot është përkatësia e majtë, qofsh edhe një Dritëro Agoll, siç na pati rënë të dëgjojmë në RTK nga një këngëtar kosovar. Duke e konceptuar demokracinë si një shans për revansh dhe si një anarki sociale të kapitalizmit të hershëm, këta mendojnë se u lejohet të bëjnë gjithçka, edhe të vjedhin, edhe të shpifin, edhe të nxijnë të tjerët, edhe të abuzojnë me pushtetin, të shkelin vartësit e t’ua imponojnë me çdo kusht sjelljen servile. Në këtë gjendje amoraliteti që sundon sot në të dy anët e kufijve shqiptarë, nuk është prandaj çudi të kapen me drogë e me para të pista edhe ambasadorë e nëpunës policie, dmth. pikërisht ata që duhet të shërbejnë si shëmbëlltyra morale të një shteti.
Ajo që më ra në sy gjatë rileximit të shkrimeve të tij ishte edhe fakti se vetë Ukshin Hoti kishte paralajmëruar një seri artikujsh e ligjëratash me temën “Morali dhe politika”. Në këtë kuptim, po të ishte realizuar ky projekt, unë s’do të detyrohesha të qëmtoja aq shumë në gjithë veprën e shkruar e të botuar të Ukshin Hotit për parimet e tij morale, por do të më mjaftonte ndoshta vetëm studimi i tij përkatës. Nuk e di nëse ai e kishte shkruar tashmë këtë studim. Shtëpia e tij, në Krushë të Madhe, bashkë me bibliotekën personale, ishte djegur tërësisht nga forcat serbe në pranverë të vitit 99. Ca nga shkrimet e tij ishin konfiskuar nga policia serbe, dhe shpresojmë të na i kthejnë ndonjë ditë, po qe se nuk i kanë zhdukur gjatë çmendurisë së tyre politike. Po të ishte realizuar projekti i tij, atëherë edhe në këtë fushë, pra të moralit në politikë, Ukshin Hoti do të përfaqësonte pionierin në literaturën tonë politike. Dhe këtë e them me keqardhje, sepse do të ishte dashur qëmoti, ashtu si në literaturën politike evro-perëndimore, që edhe tek ne të botohej ndonjë studim që do të trajtonte moralin ose etikën në politikë, e cila ka ca rregulla specifike, ashtu siç i ka psh. etika mjekësore.
Unë vetë profesionalisht nuk i përkas fushës së politikës, kështuqë, përpara se të nisja të merresha me aspektin moral të politikës së Ukshin Hotit, kisha ndërmend vetëm ato dhjetë urdhëresat që sipas biblës, perëndia ia kishte diktuar Moisiut, 4 prej të cilave kërkojnë njohjen, respektin dhe frikën ndaj tij, ndërsa kusuri bën fjalë mbi sjelljen morale të njerëzve ndaj njëri-tjetrit: mos vrit, mos shkel kurorën, mos vidh, mos dëshmo rrejshëm, mos lakmo gjënë e huaj, përkatësisht gruan ose shtëpinë e tjetrit (të na falin femrat e pranishme, por bibla që në start ato i trajton si një mall, pavarësisht se mjaft të shtrenjtë, gjersa i barazon me një shtëpi). Ndërsa Kurani, që në raport me gruan s’ka ndonjë ndryshim nga bibla, nënvizon në mënyrë të veçantë një urdhëresë tjetër hyjnore: mos merr nëpër gojë, që në gjuhën e sotme politike do të thoshte, mos përhap thashetheme. Një nga rregullat morale më të rëndësishme që sot shenjon gjithë krishterimin, është karitas-i, përkatësisht, dashuria ndaj të afërmit. Kësaj norme gjatë gjithë shekullit të kaluar ia ka dhënë vulën një personalitet me burim shqiptar, nënë Tereza. Deviza që ilustron këtë normë është: “Duaje të afërmin tënd”. Mirëpo, duke qenë se shumë norma e rregulla mund të marrin kuptime të ndryshme nëse zbatohen në një rreth të ngushtë, të mesëm social apo në përmasa globale, Slavoj Zhizheku, një ndër filozofët më të mëdhenj të kohës sonë, me prejardhje sllovene, pohon se dashuria ndaj të afërmit nuk duhet kufizuar me dashurinë ndaj fisit, kombit apo fesë vetjake, por pikërisht ndaj gjithë njerëzimit, sidomos ndaj të ndryshmëve. Në këtë kuptim ai këshillonte presidentin Bush pas 11 shtatorit, t’i dashuronte myslimanët, natyrisht, jo në kuptimin cinik të fjalës. Një filozof gjerman madje shkon edhe më larg, duke pohuar se “dashuria ndaj të afërmit” është nëna e të gjitha luftërave njerëzore.
Mirëpo duke shfletuar ca libra, vura re se definicioni i moralit nuk ishte i njëjtë për të gjithë. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, morali është “Tërësia e parimeve, e normave dhe e rregullave që janë krijuar e ndryshojnë historikisht në kushte të caktuara ekonomiko-shoqërore dhe që përcaktojnë sjelljen e veprimtarinë e njerëzve në shoqëri”. Ndërkaq, sipas definicionit të Wikipedias gjermane, shprehja “Moral” kryesisht tregon modelin faktik të sjelljes, të konvencioneve, të rregullave dhe parimeve të individëve, grupimeve apo kulturave të caktuara.
Shumë autorë moralin nuk e shkëpusin nga e drejta, qoftë ajo tradicionale, zakonore, apo zyrtare, duke pohuar se sjellja morale dhe ligjore janë identike. Psh. Hegeli filozofinë e tij morale e inkorporon në librin e tij mbi filozofinë e së drejtës. Sipas tij, shteti është realizim i idesë morale. Ndërsa për shumë të tjerë, morali përbën predispozitën e çdo legjislacioni.
Sipas etikës hobsiane, njeriu në natyrën e tij është një qenie egoiste, si një ujk i vetmuar, dhe për këtë shkak ekziston shteti që të sigurojë paqen midis njerëzve. Kundërshtarët e mëvonshëm të Hobsit theksuan ndërgjegjen njerëzore si kriter natyror të moralitetit. SipasKantit, duhet dalluar moraliteti nga legaliteti, përkatësisht, nga sjellja e ligjshme, sepse kjo e fundit i shtyn njerëzit të sillen mirë nga frika për konsekuencat, ndërsa ajo e para nga parimet e përqafuara me vetëdëshirë.
Destruksionin e të gjitha pikëpamjeve morale, sidomos të atyre religjioze, e ka bërë filozofi i madh gjerman Nietzsche duke i tallur si moral kristian të kopesë, ndërsa ndërkontestatorët e sotëm më të mëdhenj të pikëpamjeve morale tradicionale llogaritet SlavojZhizheku me librin e tij: “Duaje të afërmin tënd, jo faleminderit!”
Moraliteti i njeriut përcaktohet nga dhënia përparësi interesave egoiste apo atyre me dobi të përgjithshme. Në shkallëzimin që niset nga egoizmi dhe mbaron me altruizmin, ekzistojnë dhe ca shkallë të ndërmjetme varësisht nga përcaktimi për interesa afatgjatë apo afatshkurtër, individualë apo gruporë, fisnorë e krahinorë apo nacionalë e gjithënjerëzorë.
Si studiues dhe hulumtues i sociologjisë politike, Ukshin Hoti është një kritik jashtëzakonisht i rreptë i të metave shoqërore të shqiptarëve. Shkaqet e fenomenit të oportunizmit politik mes shqiptarëve, sidomos tek një pjesë e rinisë së tij, ai i gjen tek raportet anakronike dhe të pashthurura patriarkale e fisnore në Kosovë.
Pas një ceremonie mortore në Therandë, në të cilat shpesh hapeshin dhe debate politike, një provokator nga LDK-ja e pyeti Ukshin Hotin se mos doni të na ktheni komunizmin?
Më la përshtypje përgjigja e tij kuptimplotë: “Jo, por duam t’ua çrrënjosim feudalizmin.” Për dallim nga pyetja, përgjigja nuk ishte provokative, por fshihte pikërisht thelbin e raporteve shoqërore në Kosovë, të cilat akoma i karakterizon patriarkalizmi, filisteizmi fisnor e mentaliteti feudal, tipare këto që do t’i ngadalësojnë ndjeshëm integrimet euroatlantike të Kosovës.
Natyrisht, duke marrë për bazë pikëpamjet e Ukshin Hotit, nuk është e vështirë të kuptohet se ku i ka rrënjët filisteizmi e meskiniteti i sotëm moral i Prishtinës, i cili, në vend se të merremi me problemet që na i parashtron koha, na dikton të merremi me çështje tashmë të zgjidhura, si psh. të gjuhës letrare, për të mos shkuar akoma më larg, të krijimit të kombit. Pra ata kuazi-intelektualë që kualifikojnë psh. Qosjen apo Kristo Frashërin si rilindas të shekullit XX, vetë duan të kthehen akoma më larg, të merren me punët me të cilat i kanë kryer 150 vjet më parë Naimi, Samiu, De Rada e Naum Veçilharxhi, pra me punën e krijimit të kombit nga e para. Të paaftë për të krijuar diçka vërtetë të re, duan të prishin atë që tashmë është arritur për ta bërë nga e para. Mirëpo si do ta bënin ata një gjë të tillë, duke pasur parasysh mediokritetin dhe inkompetencën e tyre? Jemi të prirur të besojmë se do t’ia bënin si ata partizanët gjatë luftës: do të prishnin rrotat e makinave për të na bërë opinga.
Ukshin Hoti bën dallimin e politikës nga politikanizmi, përkatësisht nga manipulimet e spekulimet politike. Duke marrë në shqyrtim politikën serbe ndaj shqiptarëve, në shkrimin analitik “Politika si art dhe morali” ai shkruan: “Ndër ne, p.sh., shpeshherë dëgjohet komentimi se serbët janë politikanë të zotë, që do të thotë se janë mjeshtër të politikës si art i së mundshmes. Kritika serbe p.sh., shpalljen e Republikës dhe të Kushtetutës nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e quajti si akt “kaçaniko-kaçak” (Kaçaniçko-kaçaçki Ustav) duke e pasur për qëllim denigrimin e rëndësisë së këtij akti si akt të pamoralshëm meqë e shpallën “kaçakët” dhe jo deputetët. Në këtë rast nuk vihej në spikamë fakti se “kaça(ni)kët” e tillë ishin të zgjedhur si deputetë pikërisht me lejen e tyre, dhe se konspiracionin ua kishin imponuar vetë ata – serbët, d.m.th. jo ata vetvetes, dhe se kishin qenë të detyruar ta bënin një akt të tillë në kushte të imponuara konspirative. Përkrahja masovike e popullsisë e bën të pamoralshëm tentimin e politikës serbe që ta denigrojë një akt të tillë fisnik. Andaj thënia se serbët janë politikanë të aftë në sytë e shqiptarëve lidhet me konotacion negativ, ndërkaq në sytë e serbëve, pavarësisht nga përparësitë momentale që mund t’ua sigurojë “aftësia” e tillë, në një plan afatgjatë mund t’i kualifikojë vetëm si manipulues të mirë për qëllime afatshkurtra por në kundërshtim me interesat afatgjata dhe pozitive të popullit serb, siç është p.sh. miqësia me shqiptarët.”
Mbi nivelin intelektual të Ukshnin Hotit
Sot është e pamundur të flasësh për një hierarki vlerash apo për një piramidë shkencore e kulturore ndër shqiptarët, me ç’rast do të pajtoheshin së paku shumica për ata që do të gjendeshin në majë, nga mesi dhe në fund. Një piramidë e tillë ekziston vetëm në fushën e sportit, ku shkallëzimi bëhet sipas pikëve. Tek ne psh. ndodh që të dalë një gazetar si puna e z. Matoshi dhe t’i japë leksione historie një Kristo Frashëri. Kësaj i thonë “eja babë të t’i tregoj arat”. Ndërkaq, në vendet e demokracive perëndimore dihet se ku e ka vendin secili, gazetari, bashkëpunëtori shkencor, akademiku e doktori i shkencave, debituesi dhe eksperti.Për nga titulli, Ukshin Hoti ka mbetur zyrtarisht në shkallën e magjistrit, ndonëse doktoranturën e kishte të gatshme, po nuk e mbrojti dot për shkak të rrethanave të njohura në ish-Jugosllavi. Mirëpo sot është e pamoralshme t’i drejtohesh atij me titullin “magjistri Ukshin Hoti”. Për nga niveli i analizave të tij shkencore, edhe titulli doktor do të ishte i pakët, prandaj, duke qenë se ai ka krijuar tashmë një emër në fushën e letrave, titulli më i mirë do të ishte vetë emri i tij, Ukshin Hoti.
Në qasjen ndaj politikës dhe në analizat socio-politike, Ukshin Hoti nuk dallon ose dallon fare pak nga kolegët e tij të universiteteve amerikane. Duke shfletuar autorë të ndryshëm përnjëherësh, zbulova diçka interesante: unë mund të kaloja pa asnjë vështirësi nga një studim i Zbignjev Brzezinskit tek Ukshin Hoti, ose nga një studim i Hobsbaumit, Zhizhekut apo Darendorfit tek Ukshin Hoti. Madje në ca aspekte Ukshin Hoti më delte më i thellë, më sintetik e më bindës. Kjo ndoshta për shkak të prejardhjes së tij bikulturore, krishtero-muslimane, të përcaktuar nga kombi dhe nga gjeografia, por edhe të përvojës së veçantë jetësore. Ndërkaq e kisha tmerrësisht të vështirë të kaloja psh. nga Ukshin Hoti te një autor kosovar të pranishëm në opinion sidomos gjatë 10 viteve të fundit që ka botuar vëllime të tëra mbi çështjen tonë kombëtare. Duke parafrazuar titullin e një romani të Mark Tuenit, mund të thoshja se Ukshin Hoti ishte “një amerikan në Krushë të Madhe”, për sa i përket pozitës së tij tragji-komike në fshatin e tij të lindjes, ose edhe një “amerikan në Universitetin e Prishtinës”, për sa i përket metodës së tij të ligjërimit dhe afërsisë kolegialeme studentët. Nën shembullin e universiteteve amerikane, ai shpesh i braktiste sallat universitare me mësim frontal dhe temat e tij i trajtonte përmes bashkëbisedimit nëpër vende publike, psh. në ndonjë kafene. Sipas Aristotelit, një orator, për t’u quajtur i zoti, duhet të zotërojë tri veçori: etosin, logosin dhe patosin. Etosin, dmth moralin – për të mos thënë gënjeshtra, logosin, dmth. arsyen, përkatësisht, aftësinë e argumentimit shkencor, dhe së fundi patosin, dmth. ndjenjën, që do të thotë se ato që ua thotë të tjerëve t’ua thotë me zjarrin e shpirtit dhe jo sa për të larë gojën. Ukshin Hoti i zotëronte të trija.
Sot është imorale dhe inkompetente nga aspekti shkencor të shkruash një studim nga fusha e politologjisë, e socio-politikës apo e filozofisë politike dhe të mos i referohesh veprës së Ukshin Hotit. Fatkeqësisht kjo po ndodh mjaft shpesh ndër ne, para së gjithash në Prishtinë më parë se në Tiranë. Si duket studiuesve tanë, ashtu si një personazhi të romanit “100 vjet vetmi” të Markesit, u pëlqen të merren me zbulimin e gjërave tashmë të zbuluara.
Politika dhe humanizmi
Duke lexuar mbrojtjen e tij para gjyqit, të cilën ai e kishte konceptuar si një ligjëratë, përkatësisht, si një ese politik, për sqarimin e keqkuptimeve politike serbe e shqiptare lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje të kënaqshme që do t’i shpëtonte këta dy popuj nga konfrontimi, njeriu zbulon një ndër veçoritë themelore të gjithë veprës politike të UkshinHotit, që është humanizmi.
Për të politika nuk është manipulim i thjeshtë me shifra abstrakte, kalkulim vrasjesh, plagosjesh e masakrimesh për arritjen e qëllimeve “të shenjta”, përgatitje paraprake të mijëra thasëve të najlonit për ushtarë që do të vriten në fronte etj. etj. Për të politika mbetet shkenca themelore humaniste si parakusht esencial i zhvillimit të të gjitha shkencave tjera, i të gjitha fushave tjera të zhvillimit kulturor e ekonomik të njerëzimit, në dobi të shmangies së konflikteve dhe jo të nxitjes së tyre, në dobi të zbulimit të zgjidhjeve më të drejta e më premtuese për të gjitha palët dhe jo të krijimit të vatrave të përhershme të krizës.
Duke qenë më largpamës se të tjerët, ai qysh më 1981 tërhoqi vërejtjen për nevojën e konstituimit të Kosovës si republikë. Dhe po të ishte dëgjuar atëherë fjala e tij, rezultatet do të ishin krejt ndryshe, jo vetëm për Kosovën, po mbase dhe për gjithë Jugosllavinë. Dhe duke qenë se pikërisht oportunizmat politikë të zyrtarëve e pushtetarëve të ndryshëm bëjnë që tëeskalojnë ngjarjet gjer në konflikte e luftra, duke qenë se ishte pikërisht oportunizmi politik shkaku i ardhjes së Hitlerit në fuqi para Luftës së Dytë Botërore, dhe i Millosheviqit në Serbi në fund të viteve 80, atëherë duhet pranuar se kundërshtimi i filozofisë së oportunizmit ngaUkshin Hoti përbën thelbin e bazës humaniste të politikës së tij.
Për realizimin e qëllimeve politike ai kurrë nuk e pranoi makiavelizmin si metodë. Ai është i bindur se qëllimet fisnike nuk mund të arrihen pa viktima e privacione. Mirëpo”privacionet dhe flijimet i bëjnë vetëm ata që kanë shkallë të lartë të moralit vetjak por edhe që besojnë fuqimisht në ndershmërinë dhe fisnikërinë e qëllimeve për të cilat luftojnë. Sepse një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metoda makiaveliste të intrigave dhe të shpifjeve. Bashkimin e Italisë nuk e solli mendimi politik i Makiavelit por vetëm mendimi politik i Macinit dhe lufta vetëmohuese e një morali tejet të lartë e Garibaldit. Makiaveli e ka përshkruar luftën politike për pushtet të sundimtarëve të ndryshëm të paskrupullt dhe të princërve të Italisë feudale. Ai u jepte atyre udhëzime se si ta përforcojnë pushtetin dhe ka pasur besim se ndonjëri prej tyre do ta shfrytëzojë atë pushtet në favor të bashkimit të Italisë. Mjeshtritë të cilat i përshkruan dhe i rekomandon ai sigurisht që janë shfrytëzuar edhe më parë, por edhe pas tij, në luftërat e përgjakshme për pushtet nga ana e oborrtarëve të ndryshëm dhe despotëve, nga ana e tiranëve dhe diktatorëve të vjetër e modernë, por kurrë ndonjëherë ato, gjatë gjithë historisë, nuk e kanë sjellë fitoren e çfarëdo lëvizjeje politike serioze dhe as forcimin e çfarëdo pushteti demokratik. Ato mund të sjellin forcimin e pushteteve dhe të pushtetmbajtësve despotikë, autokratikë, autoritarë dhe totalitarë; ato janë metoda të një lufte të paskrupullt, të paturpshme dhe të përgjakshme për pushtet, por ato janë në kundërshtim të ashpër dhe të thellë me vetë nocionin e demokracisë.” ( U.Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, Tiranë 1981, f. 163)
Përse udhëheqësit kosovarë nuk u vunë në krye të kërkesës popullore për republikë me 1981, ishte njëra ndër pyetjet që ia shtroi atij një gazetar. Sepse, thotë ai, e para, ishin shkëputur plotësisht nga populli, dhe e dyta, sepse viti 1981 kërkonte në Kosovë gjeneralë të politikës, njerëz të vetiniciativës e që dinë të japin urdhra e orientime. Ndërkaq udhëheqësit e Kosovës ishin ca oficerë mediokër të cilët ishin mësuar që përjetësisht të merrnin urdhra, qysh nga koha e LNÇ-së e këtej. Duke qenë se konformizmi dhe oportunizmi janë të lidhur ngushtë me mediokritetin, Ukshin Hoti, si njohës i thellë i proceseve politike globale e regjionale, nuk ra asnjëherë as në njërin dhe as në tjetrin pozicion.
Ai kurrë nuk nxiti për luftë në Kosovë, as popullin shqiptar, as shtetin shqiptar për të cilin e dinte se e ka armatën e organizuar e cila së paku mund të shkaktonte ndonjë konflikt serioz me përmasa ballkanike. Njëkohësisht ai nuk u pajtua as me propagandimin e psikologjisë së nënshtrimit. Për këtë shkak ai u rrah e u masakrua pothuajse për vdekje nga një skuadër policore serbe në Gllogovc në verë të vitit 1993, por kurrë nuk pushoi së besuari se populli serb ka forca të mjaftueshme për t’u ballafaquar me bishat e veta.
Masakrat britanike kundër indianëve kishin vënë në pikëpyetje vlerat themelore të qytetërimit dhe të kulturës angleze. Për këtë shkak, ata kishin pranuar tërheqjen, përpara se të binin definitivisht në nivelin e hordhive njerëzore prehistorike. Në këtë kuptim, edhe serbët, mendonte ai, po qe se u ka mbetur deri ke vlerat e kulturës vetjake e të emancipimit të përgjithshëm shoqëror, duhet të lirohen nga ndjenja e madhësisë së rrejshme e të ndonjë misioni të veçantë në Ballkan. Ata duhet të pranojnë faktin e thjeshtë se edhe shqiptarët kanë të drejtë për t’u zhvilluar e për t’u evropianizuar si të gjitha kombet tjera evropiane, aq më parë kur ata përfaqësojnë njërin ndër kombet më të vjetra në kontinent. Manipulimi me parulla falso të mbrojtjes së krishterimit kundër depërtimit islamik nuk i sjell dobi askujt. Populli shqiptar është një shembull i rrallë i bashkëjetesës harmonike dhe demokratike të tri feve, në planin shpirtëror, ndërsa në planin e përgjithshëm kulturor e material, ai është një popull thjesht evropian, që nga shkrimet e tij të para kishtare në shek XV e të luftërave anti-turke të Skënderbeut, gjer ke normat morale e ligjore të raporteve të brendshme sipas kanunit të tij historik.
Shtypja që ushtrohet nga kryeparët e familjeve shqiptare ndaj moshës së re dhe ndaj gjinisë femërore është ndër shkaqet themelore të krijimit të gjeneratave kompleksive, të vuajtjeve e të tragjedive të panumërta. Në esenë e tij “Vasha dhe demokracia” ai do të marrë në shqyrtim drejtpërsëdrejti fatin konkret të një vajze të re kosovare që në një poezi të saj ka paralajmëruar vetëvrasjen. Duke qenë se numri i vajzave kosovare që vetëvriten në dekadat e fundit është tejet shqetësues, Ukshin Hoti në eseun e tij përpiqet të emërojë shkaqet dhe pasojat e kësaj gjendjeje, të cilat ushqejnë, influencojnë edhe alternojnë njëra-tjetrën.
Një nga akuzat morale lidhur me Librin e Ukshin Hotit FPÇSH ka të bëj direkt me mua dhe indirekt edhe me Ukshin Hotin: ndërthurja në shkrimet e tij të “intimes me shkencën”.Ca nga lexuesit e librit ma kanë zënë për të madhe që si redaktor, korrektor dhe përgatitës për botim të librit “FPÇSH”, kam futur në të edhe shkrimin me titull: „Kronika e rrënimit të një jete“, i cili, sipas tyre, qenka diçka thjesht private, pa interes për publikun dhe madje komprometues për autorin. Disa madje arritën të më akuzojnë se e kam bërë një gjë të tillë pa lejen e autorit dhe me qëllim të komprometimit të tij. Ndërkaq redaktori i „Kohës ditore“, z. Baton Haxhiu, në një shkrim për veprën e U. Hotit, duke dashur të shfaqet si një metropolitan perëndimor, pohonte se “Te lexuesi i huaj, kombinimi i shkencës me intimen duket i çuditshëm, në mos edhe i pakuptimtë” ( Koha, 5.02.97 ).
Natyrisht, pohime të tilla e kanë burimin qoftë në deficitin intelektual dhe provincializmin kulturor të Prishtinës, qoftë në axhamillëkun tonë të përgjithshëm politik. Të mësuar tashmë që nga literatura politike të lexojmë vetëm definicione të thata e retorika të ftohta akademike të mbushura me formula e citate, kur shohim papritur në një libër kombinimin e “intimes me shkencën”, të nënës së mbledhur kruspull e të një fëmije që puth një shtyllë betoni të oborrit, të verbimit të përkohshëm të autorit dhe të akuzimit për këtë shkak të Bushit e të Gorbaçovit, të detabuizimit të raporteve familjare, të shkurorëzimit e të ndarjes, që mund t’i japë të drejtë njërës palë ( burrit apo gruas ) të sillet si të dojë me fëmijët, duke mbjellë urrejtjen tek ta për prindin tjetër, këto gjëra, ( që s’janë veçori vetëm të jetës private të Ukshin Hotit ) nuk janë thjesht çështje intime. Përkundrazi, për “lexuesin e huaj” pikërisht këto janë shkenca e vërtetë.
Po të marrim parasysh debatin e viteve të fundit të inicuar nga Qosja e Kadareja për identitetin kulturor të shqiptarëve, bie një sy një mungesë e ndjeshme: argumentimi iUkshin Hotit lidhur me këtë subjekt. Është për t’u çuditur se si Qosja, ashtu dhe Kadareja, ndonëse e njohin veprën e Ukshin Hotit dhe e dinë se ai është marrë me këtë subjekt, nuk ka begenisur asnjëri t’ia përmend emrin në shkrimin e vet. Akoma më rëndues është fakti se asnjë nga gazetat kosovare nuk denjoi të ribotonte edhe opinionin e Ukshin Hotit lidhur me identitetin kulturor e nacional të shqiptarëve, opinion i cili ndonëse autentik, i afrohet më shumë atij të Qosjes e Kristo Frashërit dhe më pak atij të Kadaresë.
Të nderuara zonja e zotërinj,
Do ta përfundoja këtë ligjëratë me një apel për fatin e pazbardhur të Ukshin Hotit. U bënë dhjetë vjet qysh se nuk dihet gjë për të. Gjer më 17 maj 1999 kam qenë në kontakte pothuajse të përditshme telefonike me avokatin Hysni Bytyqi për t’a nisur një avokat serb tek burgu i Dubravës që t’a priste. Atë kohë edhe ajo inteligjencë e pakët humaniste serbe ishte e frikësuar. Ndonjë opozitar serb, kundërshtar i regjimit, kishte ndodhur që të ekzekutohej ne mes të Beogradit. Avokati serb qe frikësuar edhe nga kalimi nëpër një zonë të kontrolluar prej UÇK’së. Hysni Bytyqi vlerëson se Ukshin Hoti mund të jetë vrarë menjëherë pas daljes nga burgu. Në anën tjetër, motra e tij, Myrvetja, nuk ka reshtur së kërkuari atë që prej 10 vitesh e të bjerë në kontakte të ndryshme me qytetarë serbë e malazezë. Këta të fundit i kanë dhënë fakte bindëse për gjendjen në izolim të Ukshin Hotit diku në një vend të panjohur. Mirëpo, ndonëse kishin kërkuar shuma të mëdha parash, asnjëherë nuk kishin ofruar ndonjë argument bindës në trajtë fotografike, akustike apo filmike. Në këtë situatë, mbetet që të kërkohet me ngulm zbardhja e fatit të tij në rrugë diplomatike gjatë kontakteve me të huajt dhe me zyrtarët serbë të Beogradit. Edhe në këtë rast fati mund të jetë po aq cinik ndaj Ukshin Hotit, sa gjatë viteve 90. Ashtu si psh. ndaj figurës së shquar të letërsisë spanjolle, Frederiko Garcia Lorkës, viktimë e diktaturësfrankiste, për të cilin u desh të kalonin 70 vjet që t’i gjenden eshtrat.
Në anën tjetër, deri në ditën e zbardhjes, ashtu siç ka propozuar tashmë miku im dhe iUkshin Hotit, Moikom Zeqo, do të ishte mirë t’i ngritet një kenotaf, dmth. një varr përkujtimor, ku qytetarët e Kosovës të mund t’ia bënin nderimet e duhura këtij martiri. Po të ketë vdekur, ai meriton një varr, si të gjithë të vdekurit, ku t’i shkojnë për vizitë fëmijët, familjarët, të afërmit, ish-studentët dhe admiruesit për nderime. Po ta kenë djegur psh. në ndonjë nga furrnaltat serbe të Surdulicës, ku janë djegur me qindra shqiptarë të masakruar, një ngjarje kjo e vërtetuar nga Këshilli serb i Helsinkit, atëherë është obligim i qeverisë sonë që të kërkojë ngritjen e një monumenti në kujtim të të vrarëve në Maçkaticë, ngjashëm me atë që është ngritur në Mathausen në kujtim të viktimave të nazizmit.
Ukshin Hoti dhe të burgosurit tjerë politikë shqiptarë janë vënë që prej 10 vitesh në kryq.Nuk e di se sa qëndroi saktësisht në kryq Jezu Krishti, por pas një nate shkoi dikush dhe e hoqi nga kryqi. Një hero i jashtëzakonshëm shqiptar i Luftës së Dytë Botërore, XheladinKurbalia, u gozhdua në formë kryqi nga serbët mu në mes të Preshevës, në një fasadë ndërtese, dhe ndenji në të një javë të tërë. Për një javë të tërë e ruanin lugetërit serbë që të mos e merrnin shqiptarët për ta varrosur. Megjithatë, shokët e tij luftëtarë e bënë atë që duhej bërë: organizuan sulmin me thika e me sopata dhe e zbritën nga kryqi.
Ndërkaq të burgosurit tanë, po sidomos ata për të cilët nuk dihet asgjë, pra të zhdukurit, akoma janë në kryq. Ata do të jenë në kryq gjithë përderisa të mos zbardhet fati i tyre. Gjendja e tyre në pozitën e të kryqëzuarit është një turp jo vetëm për ne, po për gjithë Evropën.
(*) Kumtesë e lexuar, në akademinë politike – kushtuar Ukshin Hotit, më 16 maj 2009 – në Prishtinë.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura