BLERINA DEMIRI: RINIA STUDENTORE – FUQIA E SHPRESËS

Tetovë, 24 korrik 2107: Për të dalë prej “botës së errësuar” drejt një bote më të civilizuar, drejt botës së artit, drejt asaj bote ku kultivohet dija, duhet rikthyer vullneti dhe dinjiteti i rinisë universitare. Përderisa ajo paraqet fortifikatën bazë të dijes dhe zhvillimit, ndaj duhet vënë në ballë të proceseve të një kombi.
Tani që po hedh hapat e parë si një studente rikthehem në fëmijëri për të parë edhe një herë ato ëndrra të projektuara mbi kornizat e surealitetit që tejkalonin çdo lloj perfeksioni dhe ktheheshin në iluzione, duke besuar se një ditë realiteti do i ngërthejë brenda vetes.
Me keqardhje kuptoj se ëndrrat mbetën aty, ndërsa realiteti vazhdon të jetojë me mua. E di që jam me vite dritë larg imazhit të jetës së ëndërruar. E di që s’mund të jem gjë tjetër veç pasqyrë e realitetit të kulluar. Është e kotë ta mohoj sa e vështirë është jeta brenda kufijve ku unë dhe shumë studentë kemi fatin të jetojmë.
Një jetë, pastërtia e së cilës është e turbullt, mirësia e kërcënuar, bukuria e saj një mirazh, e ne thjesht të humbur brenda një mozaiku problemesh.

– Blerina Demiri –

Unë nuk mundem të bëj gjë tjetër veçse të rend, të rend mes dallgëve të trazuara, të rend e të kërkoj dritën në fund të tunelit, në fund të kësaj errësire e cila po mjegullon çdo fije shprese.
Unë jam ndër qindra e mijëra studentë të cilët japin gjithçka në këmbim të asgjësë. Zvarritemi së bashku pa ditur ku shkojmë, çfarë kërkojmë ose më sakt ku ndodhet e ardhmja jonë?
Jeta na është shndërruar në një pyll të degraduar ku mezi depërton një copëz dritë, errësira ka mbuluar gjithçka, jetojmë si të vdekur mbi dhé, vrapojmë për të gjetur thesarin e jetës, por jo, gjithçka përfundon aty, tek interesi, gjithçka e lidhur me të madje edhe gjërat më të shenjta e shtrenjta tonat.
Të rinjtë kanë vizion për të ardhmen, kanë ëndrra të cilat dalin në jetë dhe meqë nuk gjejnë një vend për t’u jetësuar përplasen mbi truallin e ushqyer me tradhëti, mashtrim, pastaj zhduken përgjithmonë.
Tani që po shkruaj, ndjej një shtrëngim brenda vetes kur kuptoj se duhet të shprehem me kaq pesimizëm por sado që mundohem të reflektoj e vërteta më shfaqet më e pastër se vet loti.
Është fakt që po jetojmë në një rreth struktura e të cilit është drejtpërsëdrejti e instaluar në kornizat e kriminalitetit, nuk funksionon as ligji e as ndëshkimi, përkundrazi të kesh problem me ligjin nuk ndodhesh prapa grilave, por fiton autoritet.
E si ta bëj veten të heshtë?
Si të duroj, kur më buçet si jehonë uturima e mijëra studentëve që i bashkohet zhgënjimit tim?!
Ushqehemi çdo ditë me të keqen. Nuk ka më ideal drejt të ardhmes. Jetë që bëhet normë e përditshmërisë sonë.
Gjendja e rëndë e moralit shoqëror duket qartë, ajo serviret në forma të ndryshme: nëpërmjet mediumeve të censuruara, arsimit të falsifikuar, politikës devijuese. Shpresat për një të ardhme më të mirë, përpara se t’i mbysim ne, po i shkel vetë koha!
Alternativat për shpresa të reja janë tretur e copëtuar për të mos u bashkuar kurrë në një shpresë të përbashkët, në një të ardhme më të ndritur.
Unë nuk kërkoj idealen, as që e synoj të mirën absolute. Dua thjesht të rrëzojmë murin që kemi ngritur rreth vetes, sepse jeta e secilit nga ne është betonizuar , ndërkaq egoizmi është i përhapur edhe jashtë kufijve të tij. Jemi në kërkim të një bote intelegjente, përpiqemi të shpikim armë bërthamore, përderisa akoma nuk e kemi zbërthyer bërthamën brenda vetes sonë.
Sado që sillemi si “elektrone të lira” ne jemi tërësi atomesh të posalindur, që me ngulm kërkojmë të jemi pjesë e bërthamës universale.
Është e rëndë të thuhet se numri i studentëve që largohen nga ky vend rritet çdo ditë e më shumë, sepse dëshirat e tyre nuk përputhen me atë se çfarë ky vend ofron. Largohen sepse këtu mungon kultura e mirëfilltë politike, parimet intelektuale e moralizuese, shoqëria e mirëfilltë demokratike dhe rruga civilizuese me parime të sigurta.
Largohen, por harrojnë se jeta bëhet akoma më e vështirë në një vend të huaj, atje s’të pret askush krahëhapur, gjithçka fillon të ndërlikohet. Ata lundrojnë vazhdimisht të frikësuar mos ndoshta dallgët do marrin drejtimin e gabuar e ata kurrë s’do përfundojnë aty ku kanë dëshiruar.
Dita-ditës kuptojmë se jeta nuk është plot dritë dhe neon, egozimi ka mbyllur gjithkënd në vetvete dhe nuk dimë më se çfarë kërkojmë, nuk dimë të dallojmë çfarë është e bukur dhe nuk bëjmë asgjë me ideal e pasion.
Vjen një moment kur i thua stop imagjinatës, e cila vazhdimisht kërkon rrugëdalje në labirinthin e realitetit sepse forca e dijes dhe dëshira s’do jenë kurrë çelës për të hapur dyert e së ardhmes. Të paktën këtu. Ti e di se për të jetuar e mbijetuar duhet të zhysësh duart në korrupsion, prandaj heq dorë me mendimin se ne kështu kemi qenë e kështu do vazhdojmë të rrojmë, s’kemi fuqi asgjë të ndryshojmë. Eh… në djall dëshirat dhe mendimet e mia!
Për të dalë prej “botës së errësuar” drejt një bote më të civilizuar, drejt botës së artit, drejt asaj bote ku kultivohet dija, duhet rikthyer vullneti dhe dinjiteti i rinisë universitare. Përderisa ajo paraqet fortifikatën bazë të dijes dhe zhvillimit, ndaj duhet vënë në ballë të proceseve të një kombi.
Ne si studentë do të duhej të bartim mbi supe pjesë të peshës së rëndë të një kombi, ndaj duhet shfrytëzuar energjia dinamike që kemi, për të krijuar vlera kulturore dhe shkencore, të cilat do jenë shtysë e përparmit dhe barazimit me kombet e zhvilluara të botës.
Ne kemi nevojë për përkrahje dhe besim që të krijojmë një intelekt sa më të kthjellët e më të shëndoshë. Pra, ne kemi nevojë për një ideal të përbashkët mbi të cilin do derdhim tru për ta arritur dhe jetësuar.
Të krijojmë një profil sa më përfaqësues i cili do personofikojë çdo student shqiptar, për ta mbrojtur, mbështetur dhe mbi të gjitha për t’i dhënë forcën e këmbëngulësisë.
Ne jemi ata tek të cilët përfundojnë sytë dhe shpresat e çdo qytetari: rinia universitare – kjo fije shprese që do mbajë ndezur çdo dritë mbijetese.
Autorja është studente pranë UEJL Tetovë, drejtimi komunikim ndërkombëtar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura