DILAVER GOXHAJ: DY PARALELE HISTORIKE PËR CIVILIZIMIN E SHOQËRISË!

Tiranë, 15. 12. 2015: Historia është një profet që kthehet gjithmonë prapa, thotë një filozof, që do të thotë se ajo përsëritet, e cila është dhe një nga të metat e saj. Me sa duket, historia përsëritet që të na mësoi, por për fat të keq, sidomos ndër ne shqiptarët, ajo nuk gjen nxënës edhe pse na jep gjithmonë shembuj. Ndoshta ngaqë tek ne historia përsëritet shpesh, ajo përjetohet, dhe si e tillë, për këtë arsye nuk na duket më si histori, ndaj dhe nuk jemi nxënës të zellshëm të saj.
Po mjaftohem vetëm me shembuj të dekadave të fundit të historisë sonë. Sikundër jemi dëshmitarë, porsa mbaroi lufta çlirimtare në Kosovë qeveritë e saj, pavarësishtë nga përbërja e tyre, në vend që UÇK-në ta nderonin dhe ta shpërblenin, e burgosën. Të burgosurit janë me qindra, të pandehurit me mijëra. Nëse këto qeveri do ta kishin nderuar UÇK-në, ato do të kishin shtuar në historinë e tyre një një margaritar. Por bënë të kundërtën, duke u servilosur atyre që kishin vendosur burgosjen e saj. A mund të thuhet se me këtë mënyrë veprimi ndaj prurësve të lirisë, duke i burgosur ata, mund të civilizohet Kosova?
Mirëpo qeveritë e saj, pa përjashtim, veçanërisht qeveritë e përbëra prej ish drejtuesve politikë e ushtarakë të vet UÇK-së, u sollën aq rreptë ndal çlirimtarëve saqë u turbulluan edhe mendjet e njerëzve që kishin dhënë gjithçka për atë luftë çlirimtare dhe ushtrinë e saj. Kjo sjellje e qeverive të pasluftës së Kosovës tregon se politikanët e tyre nuk janë aspak nxënës të historisë.

Ku e shohim këtë dukuri të këtyre nxënësve tanë të këqinj të historisë?
E shohim jo vetëm në sjelljen ndaj luftëtarëve të lirisë, por edhe në ngjarjet e fundit midis Parlamentit dhe Qeverisë PDK+LDK ndaj opozitës politike, një sjellje tipike me atë çka ka ndodhur gati 150 vjet më parë në Francë midis Komunës së Parisit dhe qeverisë së Versajës. Ashtu sikundër veproi qeveria e Versajës që të mos kuptohej drejtë thelbi i luftës së Komunës, ashtu edhe gjatë luftës çlirimtare LDK-ja dhe satelitët e saj bënë të pamundurën për të mos u kuptuar thelbi i luftës së UÇK-së, dhe sot të njëjtën gjë po bën Qeveria LDK+PDK, jo vetëm që të thellohet mos kuptimi i thelbi të luftës së UÇK-së, duke ngritur Gjykatën Speciale posaçërisht kudër luftëtarëve të asaj ushtrie çlirimtare, por të mos kuptohet nga populli edhe thelbi i luftës së opozitës së bashkuar AAK+Nisma+VV, kundër tradhëtisë së kësaj qeverie, e cila po fal territore dhe po rikthen në formë të kamufluar Serbinë në Kosovë, duke arritur deri atje sa që Kryesia e Parlamentit kërkon me këmbëngulje të përjashtohet opozita nga parlamenti; rast unikal ky në historinë botërore të vendeve demokratike.
Ajo që vërteton më së miri atë që thamë më lartë, se historia ka një të metë të madhe, përsëritjen e ngjarjeve, ka ndodhur edhe midis shkrimtarit të madh Viktor Hygo dhe Komunës së Parisit dhe mes tij e Qeverisë së Versajës, identike me atë çka ndodhur midis akademikut tonë të madh Rexhep Qoses dhe UÇK-së dje në luftë dhe sot në paqe mes tij dhe opozitës.
Nga historia dimë se Viktor Hygo gjatë kohës së Komunës së Parisit ishte në Belgjikë dhe, duke e patur informacionin jo të saktë për Komunën, si rrjedhojë e fushatës së tërbuar kundër Komunës, nuk u lejua ta kuptonte drejt thelbin e kthesës së madhe historike që përfaqësonte Komuna. Ashtu ndodhi edhe me akademikun tonë, Rexhep Qosen, si rrjedhojë e politikës oportuniste të Drejtorisë Politike dhe luftës së gjithanshme që i bëhej UÇK-së dhe Demaçit, ai nuk mundi ta kuptonte thelbin e Marrëveshjes së Rambujesë, e cila e përjetësonte Kosovën si pjesë të Serbisë dhe UÇK-në e çonte para gjyqit ndërkombëtar.
Mirëpo, Viktor Hygo, kur qeveria Belge, pak ditë pas rënies së Komunës së Parisit, shpalli se ajo nuk do t’i lejonte komunarët të gjenin strehim politik në Belgjikë, Hygoi, tashmë e kish kuptuar Komunën dhe jo vetëm që u ngriti himn luftëtarëve çlirimtarë popullorë, por botoi në gazetë një shkrim, ku u ofronte komunarëve strehim në shtëpinë e vet, duke treguar edhe adresën: “Çdo pjesmarrës i Komunës mund të trokasë në derën time; edhe sikur të jetë armiku im personal, unë do t’ia hap derën… Ai është i paprekshëm në shtëpinë time”.
Edhe akademiku ynë Rexhep Qosja, menjëherë pasi u miratua Gjykata Speciale vetëm kundër UÇK-së dhe, kur u arrestuan deputetët e Vetvendosjes së pakorruptushme dhe u përjashtua opozita nga Parlamenti, ku edhe ambasadorët e huaj në Prishtinë shprehën gëzim për atë dhunë, edhe ai shkroi në shtyp: “Policia e Kosovës u soll armiqësisht ndaj protestuesve. Ajo përgjaku sa e sa protestues!… Dy marrëveshjet e sipërpërmendura, si shkaktare të krizës së sotme politike dhe institucionale në Kosovë, janë prodhim posaçërisht shqetësues i gjithë këtyre të këqijave që me vite rëndojnë Kosovën dhe i revoltojnë fort qytetarët… Mënjanimi i të këqijave ekzistuese dhe parandalimi i të rejave do të fillojë atë ditë kur do të dorëhiqen pushtetarët më të komprometuar në Kosovë, e kjo domethënë kur të dorëhiqet Qeveria e Kosovës… Nuk janë rrënjët tashti vetëm të sotme, janë pas luftës, prej ditëve të para nuk është bërë një politikë përkatëse me kuadro përkatëse. Disa njerëz që kanë shumë meritë për luftën i kanë sjellë dëme jo shumë të vogla tani me politikën e pasluftës. Ata e ringjallën një kufomë politike dhe ky gabim bie në shpinën e tyre”.
Këta dy shembuj që vërtetojnë faktin se historia përsëritet, pavarësisht nga gjeografia ku ndodh ngjarja historike, si dhe e përforcojnë bindjen se hidhërimin më të thellë na e shkaktojnë gjithmonë ata që populli ka pritur t’i jepnin lumturinë. Por na tregojnë edhe tjetrën: që civilizimi i shoqërisë njerëzore është një histori e ngadalshme dhe e dhimbshme. Veçanërisht ndër shqiptarët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura