GJEKË GJONAJ: QEVERISJE NË SHËRBIM TË QYTETARËVE, E JO TË PUSHTETARËVE!

Ulqin, 1 prill 2019:
Sfidat e kryetarit të ri të Komunës së Tuzit
Tuzi – komuna më e re në Mal të Zi, nga e shtuna e kaluar, fitoi edhe kryetarin e ri Nikë Gjeloshaj, kandidat i dalë nga bashkimi i tri partive shqiptare. Emërimi i tij nga 21 këshilltarë, 16 nga radhët e Forumit Shqiptar, 4 nga radhët e Partisë Boshnjake dhe 1 nga radhët e Demokratëve, erdhi pas fitores historike së përbashkët të Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, me moton “Malësia na bashkon”. Gjeloshaj tanimë zyrtarisht është kryetari i parë shqiptar në Komunën e mëvetësishme të Tuzit, që ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për faktin se në qoftë se komunën e drejtojnë qytetarë që nuk flasin shqip, atëherë ajo nuk është komunë shqiptare.

Ardhja e tij në krye të kësaj komunë është sfidë jo vetëm për kryetarin Gjeloshaj, por edhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tij, që do të ushtrojnë pushtetin e ardhshëm katërvjeçar. Edhe pritshmëritë e qytetarëve të Malësisë janë të mëdha, ndonëse shumica e tyre e kanë humbur shpresën, apo më mirë të themi janë skeptik që Tuzi për një kohë të shkurtër mund të ndryshojë pamjen e sotme mjaft të zymtë, për mos thënë gjendjen mjaft dëshpëruese (shqetësuese).

Njohësit e mirë të rrjedhave të këtushme politike dhe ekonomike janë të një mendjeje se Tuzi duhet transformuar krejtësisht. Dhe kjo është e mundshme. E kryetari i ri duhet ta pranojë këtë sfidë. Sepse nëse dëshiron të jetë i suksesshëm (për çka nuk dyshoj), duhet të ndryshojë mënyrën e qeverisjes së Tuzit. Modeli i tij i ri duhet të jetë progresi, e jo pushteti. Kjo sfidë e fuqishme dhe delikate (e vështirë) për të gjithë shqiptarët mbështetet te vizioni për një të ardhme ku jeta të ketë vulën e dinjitetit personal dhe profesional, e krahasueshme me vlerat e jetës në komuna e shtete që e kanë konsoliduar dhe janë duke e zhvilluar këtë standard. Në këtë kuptim Tuzi ka nevojë për një qeverisje e cila fokusin e vetëm e ka në hapësirën e përbashkët të jetesës të të gjithë qytetarëve të tij.
Qeverisja vendore ka të bëjë vetëm me probleme lokale, e cila në fokus ka vetëm problemet dhe nevojat (hallet) e qytetarëve, që ata i shohin dhe i prekin çdo ditë, dhe këtu qëndron përparësia. E jo, siç jemi mësuar shpesh të dëgjojmë kryetarë komunash të cilët merren me çështje “madhore”, me kryeministra të vendeve të rajonit, me çështje globale e çështje të partisë nga vjen.
Bazuar në përvojën e komunave tjera në Mal të Zi Tuzi ka nevojë për një qeverisje pa pazare e ndasi politike, dhe për një kulturë të re qeverisjeje. Tuzi ka nevojë për një kryetar që merret me probleme konkrete të qytetarëve të saj, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Kjo komunë, e cila për herë të parë në sistemin shumëpartiak në Mal të Zi do të udhëhiqet (drejtohet) nga shqiptarët ka specifikat dhe problemet e veta. Ajo gjithashtu është njëra prej komunave në Mal të Zi ku banojnë qytetarët me nevoja e kërkesa të tyre.
Parimi i programit qeverisës te kryetarit Gjeloshaj do të duhej të jetë ndryshimi i Tuzit dhe dhënia e identitetit, meqë Tuzi aktualisht nuk ka asgjë me të cilën mund të identifikohet. Misioni dhe vizioni i tij do të duhej të jetë që Tuzin ta shohë me infrastrukturë të zhvilluar, bujqësi intensive, mjedis të pastër dhe pasuri natyrore të menaxhuara mirë, turizëm të zhvilluar dhe tërheqës, me vende të reja të punës, dhe me ekonomi të qëndrueshme.
Mënyra se si është konceptuar Tuzi deri më sot, vetëm të arnohet, respektivisht të kryhen shërbime elementare, mendojmë se ka kaluar ajo kohë. Domethënë, organizimi i deritashëm i qeverisjes vendore ka treguar se nuk ka ecje progresive të dëshirueshme dhe të pritshme nga secili banorë i kësaj komunë. Andaj kryetari i ri i Komunës së Tuzit do të duhej të tregohej i matur, me durim dhe me përkushtim , por mbi të gjitha me përgjegjësi morale dhe politike në ushtrimin e detyrës në pajtueshmëri të plotë me kompetencat e veta ligjore. Dhe gjithë angazhimi dhe puna e tij të bëhet në mënyrë transparente, të kontrolluar dhe në bazë të rregullave në pajtim me Ligjin mbi vetëqeverisjen lokale. Bashkëpunimi në nivel vendor e qendror do të duhej të jetë baza e qeverisjes së kryetarit të ri, qasja e tij dhe themeli i konceptit të tij qeverisës për komunën, në mënyrë që të përfitojë qytetari e jo pushtetari.
Pritshmëria e qytetarëve të Malësisë , përfshirë këtu edhe diasporën e saj, është që kryetari i ri Nikë Gjeloshaj të bëjë krejt çka është e mundur që shumica e tyre të jenë të kënaqur, t’u ndihmojë maksimalisht, që asgjë të mos jetë e fshehur dhe çdo vendim të jetë publik dhe sipas ligjit. Qytetarëve të kësaj komunë u mbetet të shpresojnë në premtimet e kryetarit të ri se përparësia e politikës së tij është përparimi ekonomik dhe se për këtë ai ka bashkuar rreth vetes njerëz të shkolluar dhe të ditur. Në vend të përfundimit po e parafrazoj presidentin e 14-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Abraham Lincoln i cili ka thënë se në qoftë se kam pas sukses në karrierën time politike është rezultat i asaj që jam munduar ta mbajë fjalën.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura