DILAVER GOXHAJ: KU DHE SI LINDIN ELITAT USHTARAKE?

Tiranë, 18. 10. 2016: Në këtë shkrim, përmes trajtimit të përvojës shekullore të shumë shteteve në Evropë, Amerikë dhe gjetkë, jemi munduar të sjellim në kujtesën e jo vetëm të ushtarakëve, por edhe të politikanëve dhe qeveritarëve të vëndit tonë, për rolin që luan shkolla e mesme ushtarake në zhvillimin social dhe intelektual. Jo vetëm të ushrisë por të të gjithë shoqërisë, pasi nga këto shkolla kanë dalë shkencëtarë, strategë ushtarakë, shkrimtarë, historianë, poetë me shpirt ushtari, diplomatë, analistë, mjekë, politikanë, burra shteti etj., të shquar, ku shumë prej tyre kanë bërë epokë jo vetëm në vendin e tyre, por edhe për gjithë njerëzimin.
Domosdoshmëria e shkollave të mesme ushtarake është e lidhur organikisht me edukimin dhe elitat e ushtarakëve
Ndoshta, me pranimin e Shqipërisë dhe të Ushtrisë së saj në NATO, është momenti që të rrisim në opinionin publik ndërgjegjen e atyre institucioneve të mëdha shtetërore me të drejtë vendim-marrëse në interes të riaktivizimit të një institucioni të madh formues, i cili vepron përgjithësisht në fushën ushtarake, por që përmes metodologjisë dhe programeve moderne të mësimit të arrijmë të formojmë hierarki të reja ushtarake, por edhe protagonistët e rinj të jetës civile. Kuptohet se, sa herë flitet për formimin ushtarak, mendia të shkon menjëherë te Akademitë Ushtarake dhe të paktë janë ata politikanë, për mos të thënë se në këto dy dekada nuk kemi parë apo dëgjuar politikan, që të llogarisin rëndësinë që ka shkolla e mesme ushtarake, funksionale jo vetëm në pranimin e kadetëve në akademitë e ndryshme ushtarake të vendit dhe të shteteve të tjera antare të NATO-s, por edhe në kërkesat specifike të profesionalizmit që vinë direkt nga bota civile e punës.
Parë nën një këndvështrim të veçantë në pjesën më të madhe të shteteve antare të NATO-s, por edhe në ato të Lindjes, mund të themi se shkollat e mesme ushtarake kanë qenë prej shekujsh dhe vijojnë të jenë forma e parë e institucionit publik të mesëm për t’iu përgjigjur faktikisht nevojave gjithnjë në rritje për njerëz të kualifiuar për Forcat e Armatosura që shtetet si Franca, Spanja, Italia, Anglia, Portugalia, Austria, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, Rusia, Turqia etj., kanë ngritur shkolla të tilla ushtarake që janë njohur përgjithësishtë me emrin: “shkollat e kadetëve”.

Po t’i hedhim një shikim historisë së këtyre shkollave, shohim se fillesat e tyre, të strukturuara posaçërisht për ushtrinë, nisin qysh nga viti 1600, ndaj të cilave gjithnjë është rezervuar një vëmendje e madhe, më shumë se ndaj shkollave të tjera të mesme që krijonin profesionistë të ndryshëm. Regjistrimi në këto lloj shkolla, në shtetet e lartpërmendura, prej para 400 vjetësh dhe deri në ditët e sotme, ka qenë dhe është privilegj i madh për familjet e nxënësve që pranoheshin në to. Mjafton të kujtojmë sforcon e madhe të Karl Bonopartit, i cili me shumë vështirësi morri nga marshalli i Korsikës një rekomandim që zyra e heraldikës t’u dorzonte Bonopartëve dëshminë e fisnikësrisë, se vetëm në këtë mënyrë mbreti Luigj kish të drejtën ta lejonte ta bënte një nga djemtë e familjes oficer , dhe “pas shumë ndërhyrjesh, në vitin 1779 arriti ta regjistronte Napoleonin, atëherë dhjetë vjeç, me bursë të shtetit, në shkollën e Brienit, në lindje të Francës” .
Por historia tregon se përgatitja për komandantë lufte qysh në moshën fëminore është trashëguar të paktën 4 shekuj para Krishtit, ku historiani gjerman Artur Vajgal sqaron se, “Në atë kohë kur Aleksandri ishte gati 12 vjeç (viti 367 p.e.r, DG), duket se Filipit iu ngjall interesi për djalin…Filipit i interesonte shumë ta shkëpuste Aleksandrin prej ndikimit të mbretëreshës, Olimpiadës, prandaj, ai tok me Aristotelin vendosën që shkollën e re ta ndërtonin pak larg nga kryeqyteti. Për këtë zgjodhën qytetin e vogël të Miezas… Godinat e shkollës i ndërtuan në një pyll të lashtë nimfash” . Edhe Skëndërbeu ynë, “që pa mbirë qime në faqet e tij tregonte trimërira e bënte punëra n’ushtëri të Tyrqisë” . Po ashtu edhe Suvorovi, qysh 15 vjeç regjistrohet në shkollën ushtarake, ndërsa Kutuzovi në vitin 1757, kur ishte 12 vjeç . Kjo traditë jo vetëm që ekziston ende në Evropë, por është përhapur pothuajse në shumicën e shteteve antare të NATO-s. Për shembull, Kolin Pauell regjistrohet në kolegjin ushtarak kur ishte 17 vjeç: “Kolegjet si ai që studjova unë qenë Harvardi dhe Princetoni i të varfërve” , shkruan ai.
Duke u qëndruar besnikë traditave kulturore të trashëguara, vijimisht këto shkolla janë konsideruar dhe konsiderohen pararoja e ushtrive përkatëse si dhe në të njëjtën lidhje me proceset që karakterizojnë shoqërinë e sotme moderne. Këto shkolla kanë qenë dhe janë pararoja e korpusit të ushtarakëve, por edhe në drejtime të tjera, sepse në këto shkolla janë të rrënjosura tepër thellë vlerat themelore dhe parimet e besnikërisë si dhe shpirti i kolektivitetit, të vlerësuara sëbashku me respektin, sikundër shprehet kryetari i dhomës së deputetëve të parlamentit Italian, Xhan Frako Fini: “Në ato shkolla nuk mësohet vetëm regulli dhe bindja ndaj regullave, por kërkohet që të maturohet tek ta bindja që vetëm ai që di të bindet sot, brenda një kornize korrekte të të drejtave dhe detyrave, do të dijë nesër të komandojë sisteme komplekse” .
Vëshrtim historik i ndërsjelltë për shkollat e mesme ushtarake në planin kombëtar dhe ndërkombëtar
“Ushtria e kaprojve, e udhëhequr nga luani, është më e fuqishme se ushtria e luanëve e udhëhequr nga kaprolli.” Fjalë e Urtë Ushtarake Angleze e vitit 1644
Po e nisim me fqinjën tonë më të afërt, Italinë. Ajo ka aktualisht 4 shkolla të mesme ushtarake, si ajo “Nunziatella” në Napoli, themeluar qysh më 18 Nëntor 1787, nga Mbretëria e Napolit; shkolla e mesme ushtarake navale “Françesko”, në Venecia, e themeluar prej vitit 1937; shkolla e mesme ushtarake “Teueli”, në Milano, themeluar prej vitit 1839; shkolla e mesme ushtarake e aviacionit “Giulio Douhet”, në Firence, themeluar në 15 Maj 2006. Pranimi bëhet me konkurs. Në fund të çdo viti shkollor studentët frekuentojnë edhe një kamp ushtarak pranë një reparti të Forcave të Armatosura për të përfituar elementë praktikë të përgatitjes për luftim, ku përfshihen dëndur edhe qitjet me armë në poligon, përgatitje sanitare, luftim trup me trup etj. Në këto shkolla pranohen prej moshës 15 vjeç, por edhe nxënës që mund të kenë kryer një apo dy vite shkollën e mesme civile, por që këtu hyjnë e fillojnë prej vitit të parë. E veçanta e Italisë është se 20% e vendeve në Akademinë Diplomatike Shtetërore rezervohen për maturantët e këtyre shkollave ushtarake .
Franca ka 6 shkolla të mesme ushtarake, të cilat thirren Lice Ushtarak, për të tre llojet e armëve, ku studjojnë rreth 4000 nxënës. Pranohen kryesishtë nxënës të familjeve franceze që jetojnë në Francë dhe jashtë saj, ku përparësi kanë fëmijët jetimë të ish-ushtarakëve, dhe familjet e ushtarakëve. Një prej këtyre shkollave ka kryer edhe “Ariu i Luftës”, Norman Shvarckof, deri sa shkoi në Uest Point . Në shenjë respekti pse Shvarckof pat kryer shkollën e mesme ushtarake në Francë, ndaj dhe Legjoni i Huaj Frances, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Gjirit kundër Irakut e ftoi në një ceremoni të jashtëzakonshme dhe i dorzuan titullin e nderit “Kapural”, i pari dhe i vetmi amerikan i nderuar me një titull të tillë nga Legjioni Frances . Është vendi ta theksojmë se Liceu Ushtarak në Sarthe mban sot e gjithë ditën emërin që i pat vënë Napoleoni qysh në 24 mars1808, pavarësisht se është krijuar prej vitit 1604: “Prytane Natonal Militaire”, duke iu referuar liceut klasik grek Prytaine, një institucion ekskluziv që përbënte zemrën politike dhe fetare të qyteteve-shtet të Greqisë antike, ku pat filluar mësimet Aleksandri i Madh në vitin 367 p.e.r në shkollën e filozofit të madh, Platonit . Studentët që bëjnë pjesë në këta lice thirren “brutions”, si referim klasik i rajonit Brutium, në Romën e Lashtë, banorët e të cilit dalloheshin për ashpërsinë dhe shpirtin e tyre luftarak . Në këto shkolla franceze kadetët pranohen qysh në moshën 10 vjeçare.
Anglia ka një veçori, i ka në dy varjante. Një varjant është ai që i merr në moshën 16 deri 18 vjeç, dhe quhet kolegji “Ëelbeck” dhe ka dy të tillë, themeluar prej vitit 1953 dhe për të dy vitet çdo kolegj ka 150 studentë, duke pranuar çdo vit 50 studentë në shtator dhe 25 në janar. Bëjnë vetëm përgatitje ushtarake dhe përgatiten si oficerë teknikë. Këtë lloj kolegji e kanë edhe SHBA. Ndërsa shkolla tjetër e mesme quhet “Duke of Yorks Royal Military School”, themeluar në vitin 1803 dhe i pranon nxënësit prej moshës 11 vjeç deri 18 vjeç.
Portogalia e quan “Kolegjio Militare” dhe ndodhet në Lisbonë, i themeluar prej vitit 1803. Në këtë shkollë hyjnë fëmijë prej moshës 10 vjeç deri në 18 vjeç, kur bëhen gati për Akademi Ushtarake dhe Universitet. Nga kjo shkollë kanë dalë 5 presidentë të Portogalisë .
Austria ka një shkollë të mesme ushtarake, themeluar qysh në kohën e të qenit perandori.
Kanadaja ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake me emrin “Robert Land Academy”, në Ontario, themeluar në vitin 1917 dhe nxënësit i merr prej klasës së 7-të deri në të 12-ën .
Turqia ka 4 shkolla të mesme ushtarake, ajo “Denis Lisesi”, në Stamboll, themeluar në vitin 1773 dhe e ka katër vjeçare, pasi vitin e parë mësojnë anglisht, ndërsa tre vitet e tjera turqisht. Sholla tjetër është “Bursa Ipyklar Askeri Lisesi”, në Bursa dhe vijon prej vitit 1844. “Kuleli Militare High School”, edhe kjo në Stamboll, themeluar prej vitit 1845, ndërsa “Izmir Maltepe Askeri Lisesi” , në Izmir, është themeluar në vitin 1928.
Rusia diponon 8 shkolla të mesme ushtarake “Suvorov” dhe një për marinën “Nakhimov”, dhe nxënësit i marrin prej moshës 14 vjeç .
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë një veçori nga të gjithë shtetet e lartpërmndura, si në sasi edhe në larmi. Jo vetëm që ka 22 shkolla të tilla në 17 shtete të ShBA, por shkojnë në shumicë edhe vajza, dhe nxënësit merren prej moshës 10 vjeç deri në 17 vjeç. Prej andej shkojnë në Uest Point. Në këto shkolla kanë filluar karjerën ushtarake Xh. Xh. Pershing, D. D. Ajzenhauer , i cili arriti deri President i SHBA si dhe shumë personalitete të tjera të shquara ushtarake dhe politike. Veçori tjetër është se në këto shkolla të mesme, sikundër u shprehëm më lart, pranohen edhe vajza, me të njëjtat kritere si dhe djemtë, dhe që mësojnë në klasa të përbashkëta, stërviten po në klasa të përbashkëta dhe, e veçanta për vajzat është se nuk ua presin flokët deri në maturë, dhe në hyrjet e fjetinave të tyre shkruhet me gërma të mëdha: “Bukuria e juaj nuk qëndron tek flokët, por tek sjellja juaj.”
Në Amerikë, në pragun e konkurimit për në këto shkolla, familjarët që dërgojnë fëmijët pezantohen me njoftimin: Djali ose vajza e juaj që do të pranohet kadet, jeta e tyre do të ndryshojë për mirë. Ata nuk do të mësojnë vetëm disiplinën, regullin dhe punën e strukturuar, ata do të mësojnë të jenë të pavarur dhe të mendojnë për veten e tyre në çfardo rrethane, larg të qenit robot, por do të bëhen individë të ndjeshëm, të cilët do të kujdesen për veten e tyre, për familjet e tyre dhe për kombin amerikan” .
Fillesat e shkollave të mesme ushtarake në SHBA nisin prej vitit 1842, ndërsa ajo më e reja është hapur në vitin 1916. Njëzetedy shkollat e mesme ushtarake ndodhen si më poshtë: Dhjetë shkollat e mesme ushtarake që marrin vetëm djem prej klasës së 7-të deri në të 12-ën, një tjetër i merr prej klasës së 5-të, ndërsa një tjetër prej klasës së 4-t, të cilat ndodhen në: Carlsbad, CA; Camden, SC; Neë Bloomfield, PA; Ëaynesboro, VA; Fork Union, VA; Chatham, VA; Mexico, MO; Gainesville, GA; Anaheim, CA; Salina, KS; Delafield, ËI; Ëayne, PA.
Ndërsa 10 shkollat e tjera të mesme ushtarake që pranojnë djem dhe vajza, prej klasës së 7-të, të 8 dhe të 9-të deri tek e 12-ta, ndodhen në: St. Petersburg, FL; Culver, IN; Melbourne, FL; Hoëe, IN; Ëoodstock, VA; Rosëell, NM; Oak Ridge, NC; Front Royal, VA; San Antonio, TX; Lexington, MO.
Po t’i referohesh objektivave të të gjitha shkollave të mesme ushtarake amerikane, por edhe atyre të vendeve të tjera që përmendëm më lart, rezulton se objektivat i kanë të njëjtë dhe përmblidhen në gjashtë pika:
a) Të bëhen qytetarë të mirë, me dije të thella dhe patriotë.
b) Të zhvillojnë vetëbesimin, lidërshipin dhe përgjegjshmërinë.
c) Të zhvillojnë aftësi të mira në komunikim dhe në të shkruar.
d) Të zhvillojnë dhe t’i japin rëndësi përgatitjes fizike.
e) Të rrisin respektin për rolin e ushtrisë në mbështetje të objektivave kombëtare.
f) Të zhvillojnë aftësitë për të punuar në grup dhe në drejtim të teknikave ushtarake .
Po Shqipëria a ka një traditë të tillë?
“Kur e kaluara pushon së hedhuri dritën e saj mbi të ardhmen, mendja e njeriut endet në errësisrë.” – Tokëvili
Edhe në Shqipëri ekziston tradita e funksionimit të shkollës së mesme ushtarake e tipit klasik-shkencor, e njohur me emrin “Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake – Skëndërbej”, e themeluar prej 28 Marsit 1945 dhe e mbyllur pas 47 vitesh, në Nëntor 1992 , në Tiranë. Fillimisht ajo u quajt “Shkolla e pionerëve ushtarakë”, dhe në vitin 1947 morri emrin e mësipërm. Në vitin 1963 ajo u shndërua në shkollë e mesme e tipit klasik-shkencor-teknik dhe arte, pasi filloi të dërgojë nxënësit e saj në të gjitha shkollat e meme të Tiranës, përfshi edhe Liceun Artisti, përjashtuar mjekësoren. Bashkëkohesit civilë të këtyre kadetëve, në shkollat e të cilëve në Tiranë shkonin Skëndërbegasit e vegjël me uniformën e bukur ushtarake, flasin me respekt dhe nostalgji, duke u shprehur se “skëndërbegasit ne i kishim si pikë orientimi për gjithçka pozitive dhe, veçanërisht për ecurinë në mësime dhe gjallërinë fizike”. Për një shkollë të tillë dhe me këtë emër ëndëronin dikur Rilindasit tanë, e shprehur kjo edhe nga eruditi dhe staticieni Sami Frashëri tek libri “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Deri në vitin 1950 në këtë shkollë pranoheshin prej moshës 10 deri 18 vjeç dhe, pas këtij viti filluan të pranoheshin në moshën 14 deri 18 vjeç. Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë një president i Shqipërisë, 8 shefa të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë sonë dhe dhjetra ministra të të gjitha lëmive, pa folur për mjekë të shquar, shkrimtarë dhe poetë me emër, pilotë, oficerë marine, inxhinjerë etj, mjeshtra sporti të të gjitha drejtimeve nga më të shquarit në vend, si dhe piktorë e artistë me famë si Mentor Xhemali me plejadën e tij. Janë rreth 200 personalitete shkencore të të gjitha fushave. Nga që në këtë shkollë kultivohej sensi i drejtësisë dhe sinqeriteti, ndaj dhe ka patur 112 të dënuar politikë, midis tyre edhe të pushkatuar si oficeri poet Trifon Xhagjika etj, si në asnjë shkollë tjetër të vendit tonë. Dhe kjo ndodhi sepse skëndërbegasit udhëhiqeshin nga parimi që, po e di të vërtetën thuajë haptas, ndryshe mbetesh gjithmonë një shkurtabiq i mjerueshëm.
Thuajse gjithë gjeneralët që ka sot ushtria shqiptare kanë dalë nga bankat e asaj shkolle. Niveli i përgatitjes së nxënësve të saj ishte i tillë sa në konkurset kombëtare të shkollave të mesme, kjo shkollë merrte pjesë jashtë klasifikimit, pasi mund të zinte pa diskutim vendin e parë me çdo ekip të saj, për mos të folur se gjithë ekipet e të rinjve klubit sportiv “Partizani” dilnin nga kjo shkollë. Nuk mund të quhet rastësi që nga pesë oficerët e Ushtrisë Shqiptare, që shkuan vullnetarë në radhët e UÇK-së, brenda në territorin e Kosovës, para se të angazhohej NATO në atë luftë, katër prej tyre ishin Skëndërbegas. Të gjitha këto fakte që sollëm për vendet e lartpërmendura dhe ish shkollën tonë të mesme ushtarake shpjegojnë pse SHBA, Francë, Itali, Angli e shumë vende të tjera e mbajnë dhe e zhvillojnë me shekuj këtë lloj shkollave ushtarake, e cila është shndëruar në traditë kombëtare dhe, ku ekzistencën e ushtrisë nuk mund ta kuptojnë pa ekzistencën e shkollës së mesme ushtarake. Në vend që kjo traditë të vinte duke u reduktuar, ka ndodhur dhe po ndodh e kundërta. Madje Italia prej vitit 2009 ka filluar që në shkollat e mesme ushtarake të pranojë edhe vajza. Parë në këtë retrospektivë, do të ishte më shumë se marrëzi që, riaktivizimin e shkollës sonë të mesme ushtarake, dikush ta quaj nostalgji për sistemin shoqëror për kohën që ajo shkollë funksionoi.
Disa konkluzione mbi nevojën e rihapjes së shkolles së mesme ushtarake në kushtetet e shoqerisë sotme demokratike dhe të anëtarësimit në NATO
Përvoja e ime e gjatë ushtarake dhe e kolegëve të mi tregon se në shumicën e tyre (kudo ka përjashtime) oficerat që nuk kishin dalë nga shkolla “Skëndërbej” më mirë dinin të ruheshin që të mos gabonin se sa të ndreqnin gabimet e vartësve apo të kolegëve. Kjo natyrë nuk u jepte atyre as rritje autoriteti dhe as lavdi dhe gjithnjë vepronin nën ndihmën dhe përkrahjen e partisë. Kjo veçori vërehet edhe sot tek kjo kategori oficerësh, të cilët gjithë veprimtarinë e tyre e mbështesin tek ndihma e politikanit që i ka ngritur në detyrë, mirëpo, janë pak ose aspak, të tillët që gëzojnë autoritetin dhe respektin e mjedisit ku drejtojnë. Ndërsa ata oficerë që vinin nga ajo shkollë e mesme mbështeteshin tek aftësitë e tyre dhe në këtë mënyrë e shmangnin urrejtjen e masës së ushtarëve dhe nënoficerëve, por edhe të kolegëve oficerë, sepse punonin me guxim dhe sinqerisht e jo me dinakëri.
Që oficeri të jetë i suksesëshëm në jetë, sidomos sot që oficerat tanë shkojnë e do të shkojnë në misione ndërkombëtare, ai duhet të dijë të sillet sa dinjitoz edhe njerëzist edhe ashpër kur t’ia lypë nevoja. Por edhe kur të sillet ashpër përsëri të gëzojë respektin e kolegëve të ushtrive të tjera. Këto cilësi oficeri i fiton vetëm kur maturohet karakteri i tij, e cila është periudha e adoleshencës, shkolla e mesme. Vetëm në atë lloj shkolle, “oficeri arrin të jetë dhelpër që të njohi kurthet, luan që të trembi ujqit” , sikundër shprehet Makiaveli. Prandaj duhet që ta kemi edhe shkollën e mesme ushtarake, Së pari, për të trashëguar dhe për të ngritur në një nivel gjithnjë e më lart vlerat e pakthyeshme që duhen mbrojtur, sidomos në momente të caktuara historike, ku eklipsi i “besimeve” tradicionale ndodh që ushqen forma relativizmi shpesh në kundërshtim me të mirën e përbashkët. Dhe një moment i tillë ndodhi në fillim të viteve ’90, kur në Shqipëri ndryshoi sistemi ynë shoqëror. Ishin oficerat e dalë nga ajo shkollë e mesme ushtarake, të cilët e mbajtën ushtrinë në kazerma. Madje, kur Shkolla e Bashkuar e Oficerave u urdhërua që të shkonte për të sheshuar revoltën e universitarëve, ishin studentët skëndërbegas ata që refuzuan menjëherë me rebelim dhe nuk lanë as shokët e tjerë të shkonin kundër kolegëve universitarë. Së dyti, kjo shkollë, duke qënë se udhëhiqet nga motoja: “Për ushtrinë dhe jetën”, ajo qysh në momentin që kandidati arrin të kalojë në konkursin e pranimit, që në atë moment ai i përgjigjet një lloj identiteti preçiz: atë të një personi që, edhe pse ende i pamaturuar intelektualisht, të jetë i udhëhequr nga motive të thella, para së gjithash ai i vendosjes në shërbim të Atdheut, dhe në mënyrë jo direkte në shërbim të idealeve mbi të cilat është bazuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe që Shqipëria është e detyruar të pranojë në arenën ndërkombëtare. Së treti, duke qenë se ato shkolla ushëhiqen nga motua: Për ushtrinë dhe jetën, ajo shkollë nuk i përgatit nxënësit vetëm në funksion të nevojave kolektive, por edhe në atë të funksionimit të karakterit të tyre, me një profesionalitet të tillë që të jenë në gjendje jo vetëm të ndërmarrin me sukses rrugën e akadmive ushtarake, por edhe në alternativën të hyjnë në shoqëri me një bagazh principesh dhe njohurish teknike që do t’i ndihmojë të ndërtojnë të ardhmen e tyre jo vetëm në ushtri por edhe jashtë saj, duke qenë model për shoqërinë. Nën këtë profil, shkolla e mesme e formimit ushtarak nuk përbën “një botë më vete”, por ajo do të qëndrojë e karakterizuar nga vlerat e saj të çmuara dhe nga kultura e tyre e rrënjosur në traditën historike; jo vetëm kaq, por ajo shkollë do të prezantojë një shembull të qartë se si bota ushtarake mund të afrohet dhe të integrohet në shoqëri përmes përhapjes së një kulture moderne. Së katërti, sot distanca midis shoqërisë dhe institucioneve të mbrojtjes ka tendenca edhe më progresive të shkurtimit, duke na afruar një skenar të ri për kulturën tonë kolektive. Probleme dhe vlera që janë emërgjente në trupin tonë social, historia ka treguar se gjenden dhe shfaqen edhe në kuadrot e dala nga shkolla jonë e mesme ushtarake e dikurshme.
Cilat janë vlerat e shkollës së mesme ushtarake?
“Arsimimi, pa e pasur zemrën dhe shpirtin e arsimuar është edhe kjo një farë shkolle me dituri, por pa ndërgjegje.” A. Shopenhauer
Para disa vitesh u eksperimentua në Tiranë hapja dhe funksionimi i Universitetit Ushtarak “Skëndërbej”. Pavarësisht se ajo u shfaq si një risi shpresëdhënëse, koha vërtetoi se nuk pati jetëgjatësi. Natyrshëm lind pyetja: Pse nuk pati jetëgjatësi Universiteti Ushtarak? Shumëkush mund të reshtojë një sërë argumentash, madje edhe mund të të bindi me ato, por kryesoja është se ideuesit e atij Universiteti e filluan ndërtimin e “shtëpisë” nga çatia dhe jo nga themelet. Formimi, apo thënë ndryshe, maturimi i të riut përfundon në moshën 18 vjeçare. Kushdo mund të bindet për këtë po të kalojë në kujtesë historinë e profesionit përkatës se, elitat kanë lindur dhe lindin kryesisht në shkollat e mesme profesionale, të çdo lloj lëmije në jetë. Kështu që, shumica e atyre që regjistroheshin në Universitëtin Ushtakak “Skëndërbej” vinin në plan të parë interesin fitimprurës për jetën, e shihnin atë si varjantin e fundit për arsimim të lartë. Si të tillë ata i dhanë vetes më shumë liri se sa lejon disiplina ushtarake në shkollat ushtarake, sepse në atë moshë e kishin të vështirë të përballonin disiplinën ushtarake në kushtet e të mësuarit universitar; kjo edhe nga që u mungonte ndjenja e kolektivitetit, e cila nuk mund të fitohet në shkollat e mesme civile, ndaj dhe universiteti iu përshtat disiplinës së tyre dhe, jo ata disiplinës që kërkon dhe duhet të ketë shkolla ushtarake. Mirëpo, përvoja e historisë ushtarake botërore tregon se, kuadro të tilla bëhen trima ndaj miqve, të dobët ndaj armiqve; nuk frigohen nga Zoti, por s’kanë besim tek shoku. Shkaku është se të tillë oficerë, të dalë nga universitete ushtarake, pa u mësuar dhe kalitur gjatë adoleshencës me disiplinën ushtarake dhe ndjenjën altruiste të ushtarakut, nuk kanë ndonjë dashuri apo shkak tjetër që ta mbajë në ushtri, veç pagës, e cila nuk mjafton që ai kuadër të pranojë të sakrifikoi deri në vdekje për Atdheun; aq më tepër kur ata universitarë nuk vijnë as nga familje ushtarakësh. Me qejf ata duan të jenë oficerë të ushtrisë shqiptare, sidomos sot që jemi edhe pjestarë të NATO-s dhe u jepet mundësia të përfeksionohen jashtë shtetit, por ama deri sa të mos shkojnë në luftë; mirëpo, porsa të shkojë në vendin ku luftohet dhe porsa të krisë mitralozi dhe avjoni, mezi presin që ose t’i largojnë ose t’ua mbathin këmbëve. Që të kemi ushtri të mirë, duhet të kemi oficerë me vlera të veçanta të mira, të cilat fitohen në maksimumin e mundshëm në shkollat e mesme ushtarake, në periudhën e adoleshencës. Dhe ato vlera janë :
1) Aftësia e punës në grup: bashkpunimi, konkurnca, aftësia për të reaguar me dhe për shokët, kuptimi i nevojave të të tjerëve;
2) Duke bërë jetë grupi të pandërprerë gjatë katër viteve konsolidohen virtyte, të cilët e bëjnë njeriun më të fortë shpirtërisht: ndershmëria, respekti, lojaliteti, besimi në forcat e veta, etika dhe sensi i drejtësisë, të cilat duhet të jenë vlerat formuese për çdo kuadër në shërbim të shoqërisë;
3) Përveç motivimeve që mësohen në shkollat simotra civile, në shkollën e mesme ushtarake kemi edhe një formim kompleks fizik të nxënësit, etik dhe civil; ajo shkollë përmes kësaj veçoriejep mësimet bazë për t’u bërë qytetar ekzemplar, “një produkt i përpunuar” që nuk do të ketë të sharë;
4) Në atë shkollë do të jetojë një përvojë të mahnitëshme formuese, që do t’i mundësojë të fitojë çdo lloj sfide, qoftë nëse zgjedh karjerën ushtarake apo profesion civil. E edukon nxënësin për t’i bërë ballë çdo lloj mundimi të jashtëzakonshëm, urren çdo lloj “gjelle” delikate dhe çdo butësi tjetër, të cilat e bëjnë ta duan të gjithë ushtarët, sepse mendon më shumë për repartin se sa për vete, në çdo veprim ai kqyr dobinë e repartit dhe jo dobinë e tij.
Si arrihet të përfitohen këto veti vetëm në këtë lloj shkolle?
Sepse oficeri, duke u bërë ushtar qysh në adoleshencën e tij, ai mendon se është shteti i atëdheut të tij ai që e bëri të tillë, që e bëri intelektual, që e bëri të respektuar, që i dha mundësinë të tregonte aftësitë e tij të lindura, që i krijoi bindjen se ai nuk mund të qëndrojë jashtë ushtrisë, që e mbushi me nderime dhe të mos kërkojë nderime të tjera. Duke patur të tillë edukim dhe bindje, ndaj dhe ata e duan me kokë njëri-tjetrin dhe kanë besim tek njeri-tjetri. Si rjedhojë, kjo lloj shkolle i përgatit shoqërisë qytetarë të rinj, qytetarë model. Duke qenë të paisur me të tilla veti, tek oficerat e dalë nga kjo shkollë thyhet çdo lloj opinioni para dashurisë për atdheun, kudo që ata të shërbejnë dhe në çdo pozitë që do të ndodhen.
Si e tillë, krahasuar me paralelet e sotme civile, kjo lloj shkolle bëhet model për shoqërinë, në çdo drejtim, pasi ajo ka për qëllim të formojë të rinj të përgjegjëshëm, të kompletuar me instrumenta të forta kulturore dhe sociale. Duke qenë se kjo lloj shkolle, përveç procesit mësimor, ka në programin e saj 24 orësh aktivitete të shumëllojshme kulturore-sportive dhe stërvitje, duke zhvilluar tek nxënësit shpirtin e grupit, i cili nxit vlerat e solidaritetit, të miqësisë dhe të konkurimit të drejtë. Mirëpo kjo hierarki vlerash i nevoitet edhe organizmave humane më kompleks siç është shoqëria, por edhe qelizave që përbëjnë këtë shoqëri. Po t’i shohim mirë vlerat e botës ushtarake përputhen shumë mirë me ato të kompanive serioze private: korrektësia, respekti, ndershmëria, disiplina, besnikëria, pavarësishtë se me një diferencë në “dozë” përfundojnë me marrjen e hapësirës së duhur, si në botën e parë edhe në të dytën.
Mbi të gjitha në ato shkolla mësohet energjia e kolektivit, një energji, e cila nuk duhet të ngatërrohet me thjeshtë shoqërinë e grupit. Ata oficerë që kanë dalë nga këto shkolla kanë treguar se janë të aftë që të arrijnë të përfitojnë ato rezultate që individualitetet e vetme nuk do të ishin në gjendje të vijonin vetëm. Kjo ndodh sepse në ato shkolla zhvillohet qysh në adoleshencë ndjenja e fuqishme e përgjegjësisë, që i bashkangjitet një shpirti të sakrificës dhe një bujarie ndaj të tjerëve. Këto përbëjnë vlerat më të çmuara për këta nxënës. Në këtë mënyrë, të studjuarit bashkë me të mësuarit bëhet jo vetëm burim i vërtetë i dijes, por edhe një faktor i rëndësishëm i rritjes morale dhe i intelektit të secilit veç e veç.
Si mendohet të jetë shkolla jonë e mesme ushtarake?
Edhe shteti ynë ka përvojën e vet për ngritjen dhe funksionimin e shkollës së mesme ushtarake, kështu që nuk fillohet nga zero. Bazuar në atë përvojë, por edhe në përvojën e shkollave të ngjashme në vendet që përmendëm më lart, shkolla e mesme ushtarake e jona është e arsyeshme të jetë një Shkollë e Mesme e Përgjithëshme Klasike Shkencore, të jetë pjesë e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes e Ushtrisë sonë dhe komandanti i saj, (ai edhe drejtor), të jetë kolonel.
Pranimet në atë shkollë të jenë nxënës që kanë mbaruar shkollën 9-vjeçare, por edhe nxënës që mund të kenë kryer një vit shkollë të mesme dhe që i kanë kompletuar kërkesat për shkollë të mesme ushtarake klasike dhe shkencore. Do të ishte më se e arsyeshme që pranimi në këtë shkollë të bëhet vetëm përmes konkursit, i cili të konsistoi: test mjekësor, test psikopërgatitor, test atletik dhe provim kulturor mbi lëndët, të cilat do të jenë objekt të dy viteve të para të shkollës. Në rast se do të ketë kërkesa familjarësh për të sjellë fëmijët e tyre në këtë shkollë, por kontigjenti i planifikuar nga buxheti ushtrisë është plotësuar, ata mund të pranohen (gjithnjë me konkurs), por me pagesën e familjes. Bazuar edhe në përvojën aktuale, në këtë shkollë nuk do të ishte gabim që të pranohen edhe vajza, por jo si në rastin kur ato vinin në “Shkollën e Bashkuar të Oficerave”, me klasë më vete, por sëbashku me djemtë, sikundër është edhe përvoja amerikane. Në rast se edhe Ministria e Brendëshme si dhe Shërbimi Inteligjent do të dëshirojnë që të marrin kontigjente të ardhëshme nga kjo shkollë, kuptohet që do të financojnë për atë sasi nxënësish që parashikojnë të marrin. Po kështu edhe për Ministrinë e Jashtme. Nuk duhet përjashtuar edhe mundësia që në këtë shkollë të konkurojnë edhe nxënës nga Kosova, qoftë me shpenzime familjare por edhe me bursa nga Ministria e Mbrojtjes (Qeveri) e Kosovës. Por kjo mund të bëjë që edhe familje shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, Greqi, Preshevë, por edhe nga familjet në emigracion dhe diasporë, pasi do të jetë një nga shkollat më cilësore, e që që do të krijoi besimin tek çdo familje shqiptare se, fëmija do t’i bëhet jo vetëm i kompletuar me dije dhe i aftë të ndjekë çdo fakultet në çdo universitet të vendit dhe jashtë tij, por në radhë të parë do të formohet si qytetar tepër i edukuar dhe i moralëshëm, i dobishëm për vete, familjen dhe shoqërinë. Pra, ajo do të shndërohet në shkollën më të lakmuar për shqiptarët. Në këtë mënyrë, dashje pa dashje, ajo do të shndërohet në shkollë kombëtare dhe e vetmia e atij lloji. Kjo do të bente që edhe numuri i nxënësve të vijë gjithnjë duke u rritur, gjë që do të kompesonte edhe shpenzimet e shtetit.
Duke qenë se kemi përvojë pozitive në drejtim të të qenit shkollë e mesme klasike-shkencore-politeknike, dhe duke qenë se ende nëpër repartet e ushtrisë ekziston bazë e bollshme materiale jo vetëm për kabinete mësimore (çdo klas të jetë edhe kabinet), por edhe për ofiçina dhe laboratorë për të përgatitur teknikë të mesëm të çdo profesioni të nevojshëm për ushtrinë, dhe nxënësit e këtyre klasave mund të dalin qysh në fillim nënoficera pas maturimit dhe të shërbejnë në ushtri si teknikë, por edhe në jetë civile.
Shkolla e jonë mendojmë të jetë katër vjeçare, me qëllim që viti i parë të jetë për të mësuar në përfeksion gjuhën Angleze me mësues anglishtfolës, paralel me gjuhën shqipe, me synim që një ose dy lëndë në secilin vit pasardhës të zhvillohen në atë gjuhë, sikundër është përvoja turke. Përveç lëndëve shkollore të përgjithëshme që zhvillohen në gjimnazet e tjera, të përfshihet edhe një kurs formimi i karjerës ushtarake, ku formacionit sportiv t’i jepet rëndësi e veçantë. Cikli i studimit të përfundoi me marrjen e diplomës së pjekurisë. Pranimi i pedagogëve të bëhet me konkurs nga vet komanda e shkollës, sipas një programi të paracaktuar dhe me vlerësim kompjuterik, njësoj si dhe për nxënësit, me qëllim që të eleminohet subjektiviteti. I vetmi kusht për pedagogët që do të konkurojnë për në këtë shkollë të jenë aktualisht duke dhënë mësim në shkollat e mesme civile jo më pak se dy vjet ose edhe më shumë.
Që nxënësit të përgatiten me durimin larg familjes (sikundër është vepruar edhe me Aleksandrin e Madh) dhe të forcojnë gjithnjë e më shumë dashurinë për shokun, duhet që të shkojnë sa më rallë pranë familjes; shkuarja pranë saj të jetë një lloj shpërblimi për ata që janë të shkëlqyer në mësime. Në këtë drejtim kanë më shumë përvojë shkollat italiane, franceze dhe ato angleze.
Pas marrjes së diplomës nxënësi mund të vijojë përgatitjen ushtarake duke bërë kërkesë për pranim në Akademinë Ushtarake të Trupës në Shqipëri ose edhe për në akademitë përkatëse të vendeve antare të NATO-s që na afrojnë bursa ose të drejta studimi me shpenzimet e shtetit tonë, duke i paraprirë edhe me një kontratë të veçantë. Në këtë rast, akademia në të cilën ata pranohen u garanton disa lehtësi pranimi në raport me ata që vinë nga jeta civile, sikundër mund të jetë rezervimi i vendet pa konkurs, etj.
Përveç kësaj, sipas disa përcaktimeve rigoroze, një pjesë e të diplomuarve do të shkojnë në Universitetin Shtetëror Shqiptar për t;u përgatitur specialist të lartë për nevojat e ushtrisë, sipas planifikimit të saj, por me një kontratë ligjor të detyrueshme që pas diplomimit të shërbejnë në ushtri një periudhë të caktuar, dhe atje ku ka nevojë ushtria. Kështu, nevojat e ushtrisë për oficerë të armëve dhe shërbimeve të ndryshme, si p.sh. për mjekë, diplomatë, inxhinjerë, ekonomistë etj., kontigjentet të merren mundësisht vetëm nga kjo shkollë për çdo vit, ndërsa kontigjentet për pilotë dhe oficera marine të përzgjidhen vetëm nga kjo shkollë.
Në rastin tjetër, ata që e kanë kryer shkollën me shpenzimet e familjes, kuptohet që janë të lirë të vendosin të shkojnë në shkolla civile apo akademitë ushtarake. Në rastin kur plotësojnë të gjitha kushtet për të përfituar bursën nga shteti dhe dëshirojnë të shërbejnë në ushtri, shpenzimet do të ishte e arsyeshme t’ua përballonte shteti. Në rastin kur ata nuk dëshirojnë të shërbejnë në ushtri, janë të lirë të shkojnë ku të dëshirojnë.
Mund të ndodhë që nxënësi, i cili është maturuar me shpenzimet e shtetit, por që nuk dëshiron të qëndrojë në ushtri, ai mund të lejohet, por vijimin e studimeve të mëtejshme e kryen me shpenzimet e veta. Kjo duhet të parashikohet në kontratë qysh në ditën e pranimit të tij si kadet dhe, që mos të bëhet rrugë ky lloj largimi, mund të parashikohen detyrime financiare për familjen apo për vet personin, pasi ai të dalë në jetë, duke ia llogaritur shpenzimet katërvjeçare si një lloj kredie bankare. Në këtë drejtim mund të ketë edhe kundërshtime, por po ta shikojmë në aspektin e gjerë të interesit të përgjithëshëm, përsëri shoqëria jonë ka përfitim, sepse ai do të jetë kuadër i lartë, i cili kudo që do të punojë nesër, në shtet apo në privat, ai do të reflektoi vetitë e qytetarit model dhe do të jetë një një lloj “reklame” për shkollën tonë dhe ushtrinë tonë.
Mund të ndodhi që, nisur nga nevoja të ndryshme, një pjesë e maturantëve të kërkojnë të marrin pagesë me të mbaruar shkollën, duke kaluar në Akademinë e Nënoficerave ose në atë të Policisë, menjëherë me pagesë. Kjo mund të jetë një prej alternativave të njohura dhe, duke qenë se ata janë maturantë të kësaj shkolle pranohen në ato akademi pa iu nënshtruar testeve të konkurimit si dhe, kur ta kryejnë atë akademi, mund të marrin një ose dy grada më lart se kolegët e tyre nënoficerë që vijnë nga shkollat e mesme civile.
Meqenëse ish fushimet ushtarake të ushtrisë, ai dimëror në Feken të Martaneshit dhe ai në Karpen të Kavajës, por edhe ai në Voskopojë, do të ishte e arsyeshme që të shfrytëzoheshin gjatë vitit mësimor nga Shkolla e Mesme Ushtarake, ku të zhvillohet program i veçantë si, teori e praktikë armësh, regullore ushtarake, qitje me të gjitha llojet e armëve të këmbsorisë, ngjitje alpinistike, not, skijim etj aktivitete sportive që i përkasin ushtrisë.
A ka kosto të lartë hapja dhe mbajtja e shkollës së mesme ushtarake?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjej le t’i drejtohemi pasqyrës së më poshtme.
Pasqyra e Shpenzimeve Vjetore Mesatare për 1 (një) Nxënës dhe 1 (një) PR-1

Shënim: Shpenzimet për një ish nxënës janë llogaritur mbi bazën e çmimeve fikse të vitit 1992 të ish shkollës së mesme ushtarake dhe jo të liberlizuara; ndërsa çmimet e kollonës së dytë për një student, janë marrë mbi bazën e shpenzimeve të bëra për një student të Universitetit Ushtarak “Skëndërbej” për vitin 2009.
Sikundër shihet nga pasqyra e mësipërme shpenzimet vjetore për një nxënës të shkollës së mesm ushtarake, që ne propozojmë, janë 139 931 Lekë më shumë se shpenzimet e sotme vjetore për një Ushtar Profesionist, ose 1,3 herë më shumë.Bazuar në këtë diferencë mund të themi se 100 nxënës së shkollës së mesme i shpenzojnë shtetit sa shpenzojnë 130 ushtarë profesionistë, gjë që, po të kemi parasysh devotshmërinë e nxënësve ushtarakë, nuk kemi ndonjë diferencë të madhe. Mirëpo, në rast se do të pranojmë që të pranohen edhe nxënës mbi numurin e mundëshëm të përballuar nga shteti, duke paguar vetë familja, kuptohet që shpenzimet për shkollën do të vinë duke u ulur gradualisht, pasi familjes që do kërkoi ta sjelli fëmijën në këtë shkollë do t’i kërkohet një shumë edhe më e lartë se kostua reale. Sa më shumë nxënës të pranohen me shpenzimet e familjeve të tyre, aq më shumë do të ulen shpenzimet për shtetin për mbajtjen e shkollës. Së dyti, duke qënë se nxënësit e kësaj shkolle do të jenë të grumbulluar dhe të organizuar gjatë çdo ore të vitit, kuptohet që i ke një forcë rezervë jo vetëm të gatshme, por edhe më cilësore se një efektiv i njëjtë me ushtarë profesionistë, dhe më të devotshëm në të gjitha drejtimet. Duke qenë se ky është një realitet i pakundërshtueshëm, shteti ynë le t’i llogarisi nxënësit e kësaj shkolle në numurin e përgjithëshëm të ushtarëve profesionistë që duhet të ketë ushtria e jonë, dhe kështu shpenzimet që do të bënte shteti nuk i kalojnë caqet e shpenzimeve të planifikuara për mbrojtjen, edhe nëse hapet dhe funksionon shkolla e mesme ushtarake.
Përfundime
Me këtë shkrim nuk kemi për qëllim të ndërtojmë një teori të re, por një riaktivizim i një tradite kombëtare, traditë e ngjashme me shumë shtete Euroatllantike. Kuptohet që kjo detyrë i takon shoqërisë tonë të sotme, duke mësuar nga tradita perndimore, e cila e ruan me fanatizëm të mirën historike të saj. Që të kemi edhe ne një ushtri sa më të denjë, që të qëndrojë krah për krah me ushtritë e aleatëve tanë, duhet të kemi oficera të niveleve të tyre, në të gjitha drejtimet. Dhe kjo nuk arrihet kollaj. Do vite. Mos funksionimi i shkollës së mesme ushtarake është njësoj sikur t’i thuash ushtrisë: prit, mos u rrit! Prandaj ka ardhur momenti që sistemit tonë arsimor ushtarak t’i japim atë që i mungon, themelin beton-arme: patriotizmin e lartë. Dhe ky lloj atdhetarizmi gjendet tek shkolla e mesme ushtarake.
Duhet ndërtuar kjo shkollë që ndjenja e dinjitetit ta shoqërojë ushtarakun tonë çdo ditë, çdo moment, në mënyrë që ata të mos ndihen më poshtë në çdo drejtim me kolegët e tyre të ushtrve të tjera të NATO-s. “Të turpërosh atdheun tënd, është njëlloj sikur ta tradhëtosh atë”, thotë Viktor Hygo. Është kjo shkollë që e ngren në nivelin më të lartë dashurinë për dije dhe për shokun, për ushtarin, për repartin, për popullin tënd, këtë dhuratë fisnike të shpirtit, e cila duhet të kultivohet prej viteve të fëminisë, para krijimit të dashurive të tjera për interesa të tjera të përcaktuara dhe me qëllime të tjera të veçanta, të cilat është vështirë të zëvëndësohen pas moshës 18 – 19 veçare.

Ish korpusi kryesor i klasave të shkollës, foto e v.1991.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

Demokracia negative!

Demokracia negative! Kur politika, paraja,padrejtësia, vjedhja, korrupsioni, droga e krimi bëhen bashkë Nga Skënder Sadri Kapiti, 9 Korrik…