DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“A KA GABUAR DEMAÇI…?”) (12)

Pashtriku, 9 mars 2019: Çfarë do të ndodhte nëse Drejtoria Politike dhe SHP do të dakordoheshin me Demaçin që Marrëveshja të mos nënshkruhej nga UÇK-ja?
Le ta merrnin përgjegjësinë e nënshkrimit të saj forcat e tjera politike dhe të “pavarurit”, që na mburren sot e gjithë ditën se kanë bërë heroizëm, ngaqë edhe përbënin shumicën e atij delegacioni kosovar. Se si do të vijonin punët më pas, atë do ta diktonin situatat që do krijoheshin, por, ama, do të ishte një vendim kolegjial dhe i përgjegjshëm i forcave politike që shpërthyen luftën dhe jo vendim i 4-5 personave. Si rjedhojë, UÇK-ja nuk do të kish disfatë përderisa nuk e ndjente veten të mundur. Mos harrojmë një përvojë të përbotshme: është i tmerrshëm ai që nuk ka më se ç’të humbasë.

Cilido që do të ishte reagimi i Fuqive të angazhuara në Rambuje, pas shpalljes së mosnënshkrimit nga UÇK-ja të Marrëveshjes, SHBA tashmë kishin shkuar shumë larg në mbështetje të Kosovës dhe UÇK-së, saqë nuk mund të tërhiqeshin nga pozitat e mbështetjes së saj, të cilës i kishin premtuar edhe referendumin, pa ngjallur një farë ndjenje poshtërimi. Vetëm e ardhmia do ta tregonte nëse Serbia do të ishte aq e fortë sa të përballonte forcën mbarë shqiptare dhe atë të opinionit publik botëror, i cili ishte haptazi me frymën luftarake në Kosovë. Madje edhe Kryemyftiu i tartarëve kazanë, Ravil Gainutdin, deklaroi se muslimanët rusë do të nxisnin vullnetarë për të luftuar në anën e shqiptarëve 1).
Franca dhe Rusia nuk mund ta mbështesnin Serbinë në rast se kjo do të hynte në luftë me Amerikën. Aq më shumë që qeveria ruse nuk kish marrë asnjë zotim në këtë apo atë mënyrë. Gjithashtu, duke qenë se dëshira e fuqive të tjera europiane ishte për të ruajtur paqen në Ballkan, kjo do t’i shtynte ato të bashkonin gjithë forcat e tyre për të gjetur një zgjidhje që do të mund të pajtonte aspiratat e ligjshme të Kosovës me parimin e vetëvendosjes, edhe për faktin se Rusia nuk do t’ia lejonte vetes që Serbia ta tërhiqte për hunde, po të kemi parasysh mundësitë ekonomike të atëhershme të Rusisë.
Mirëpo, Drejtoria Politike dhe Shtabi i Përgjithshëm, duke qenë entusiastë ngaqë po u dhurohej pushteti, as u shkonte ndërmend të merrnin parasysh këto rrethana, të cilat e bënin të pashmangshme edhe ndërhyrjen me forca tokësore të SHBA.

Vetëm me këtë strategji politike të Demaçit shtyhej për në fund të luftës diskutimi zyrtar i çështjes së pavarësisë a vetëvendosjes së Kosovës, ku do të përfshihej pa dyshim edhe çështja e Kosovës Lindore dhe e kufijve me Serbinë. Në këtë rast një pajtim i plotë i Fuqive lidhur me pikat që preknin interest e tyre do të ishte absolutishtë e nevojshme, kur të vinte momenti, pavarësisht se do të bëhej a nuk do të bëhej një konferencë apo një mbledhje ambasadorësh.
Pikërisht tashti ishte momenti sipas Demaçit që, po ta refuzonin nënshkrimin e asaj lloj Marrëveshje të Rambujesë, do të ishte e sigurtë që do të merrnin pavarësinë a vetëvendosjen, pasi Amerika, meqë kish premtuar referendumin mund të lëshonte edhe më shumë rrugë e mund të rriste edhe më shumë përkrahjen, sidomos duke parë që opinioni publik shqiptar në tërë trojet shqiptare dhe në diasporë dukej që ishte i gatshëm ta mbështeste UÇK-në në të gjitha mënyrat. Dhe faktet tregojnë se kjo gjë pritej edhe nga SHBA. Këtë na e bën të qartë deklarata e kryeministrit shqiptar i asaj kohe, Pandeli Majko, dhënë TVSH, porsa ishte kthyer nga Uashingtoni, datë 9 Shkurt 1999: “Nëse serbët vazhdojnë të ushtrojnë gjenocid mbi vëllezërit shqiptarë në Kosovë, atëherë gjithë shqiptarët, kudo qofshin, në Mal të Zi, Maqedoni a Kosovë, kanë të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive” 2). “Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht, -thotë Franklin Ruzvelt.- Nëqoftëse ajo ndodh, atëherë të jesh i sigurtë se ajo është planifikuar të ndodhë ashtu”. Por shumëçka do të varej nga fakti nëse Shqipëria do të qëndronte bashkë me Demaçin apo me Drejtorinë Politike në këtë pikë.
A ka gabuar edhe zoti Demaçi?
Të gabosh është njerëzore; sidomos në situata të ndërlikuara dhe aq më shumë në kohë lufte. Vetëm të vdekurit nuk gabojnë. Bazuar në të dhënat dhe njohuritë që kemi sot rreth këtyre ngjarjeve që po analizojmë, mendojmë se edhe zotit Demaçi, sikundër edhe u shprehëm më lartë, i kanë shpëtuar disa raste pa u kushtuar vemendjen e duhur, në cilësinë e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, të cilat kanë sjellë pasoja jo të këndshme.
Së pari, sikundër është bërë e njohur publikisht, zotit Demaçi, detyra e rëndësishme e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së i është propozuar nga dy persona, në cilësinë e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm, Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Mirëpo, nuk kemi asnjë lloj vendimi të Kryesisë së LPK-së, e cila pat organizuar shpërthimin e asaj; ose edhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që të jet marrë një vendim i tillë dhe, njëkohësishtë, të ketë autorizuar zotërinjtë Xhavit Haliti e Azem Syla t’ia afronin zotit Demaçi atë propozim! Madje edhe propozimi edhe pranimi nga ana e zotit Demaçi rezulton se janë bërë në mënyrë verbale; kur dihet që edhe nëse pranon të drejtosh përkohësishtë qoftë edhe veturën e një personi tjetër, do të duhet të nënshkruhet një akt noterie midis dy palëve, e jo më për të drejtuar një luftë çlirimtare kombëtare! Ndërsa kjo lloj marrëveshje ndoshta mund të jetë unikale në llojin e vet. A është vepruar gabim nga të dy palët, në këtë rast? Fakti i mosekzistencës së një vendimi kolegjal nga një forum udhëheqës i luftës apo i UÇK-së, tregon se ata dy persona jo vetëm që atë nismë e kanë marrë në kry të vet, pa dijeninë e udhëheqjes së LPK-së apo të Shtabit të Përgjithshëm, por nuk përjashtohet mundësia që me atë propozim të kenë patur një qëllim me paramendim: për ta përdorur Demaçin për të manipuluar, qoftë edhe përkohësishtë, masën e luftëtarëve të UÇK-së dhe opinionin publik; dhe, sikundër e pamë, deri diku ata ia arritën atij qëllimi, falë sinqeritetit të zotit Demaçi.
Cila është pasoja e atij gabimi të zotit Demaçi?
Demaçi, duke e pranuar atë detyrë vetëm nga këta dy përfaqësues të Drejtorisë Politike dhe SHP të UÇK-së dhe vetëm gojarisht, ai nuk mund të qëndronte më lart se programi politik i UÇK-së. Nëse ai do të këmbëngulte ta merrte atë detyrë nga udhëheqja e LPK-së dhe e LKÇK-së, (pasi SHP kish një marrëveshje të tillë edhe me LKÇK), ai do të qëndronte më lart se programi politik i UÇK-së, por edhe i atyre dy lëvizjeve politike; sepse për atë ishte thirrur, që t’i zbatonte dhe t’i përmirësonte ato programe në interes të Kosovës, të luftës në tërësi dhe të UÇK-së. Në atë rast do të ishte Demaçi, ai që do të urdhëronte SHP dhe jo ata, sikundër edhe ndodhi.
Nëse Demaçi do ta merrte detyrën përmes një marrëveshjeje serioze me shkrim nga udhëheqja politike kryesore e përbashkët, (LPK dhe LKÇK), automatikisht që nuk do të ishte Drejtoria Politike dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që do t’i thoshnin Përfaqësuesit të Politik të saj: LARGOU!, por e kundërta, pasi ai do të kishte mbështetjen e gjerë të atyre forcave politike. Për të arritur diçka, duhet të jesh në pozitën që mund të arrish diçka. Këtë pozitë Demaçi nuk e kërkoi kur iu afrua ajo detyrë. Dhe këtë gabim të tij Demaçi e kuptoi vonë, kur thjeshtarakët e SHP i treguan derën. Aq thellë e ka ndjerë në shpirt Demaçi atë gabim, sa edhe është hidhëruar përfundimisht edhe me biografin e tij, Shkëlzen Gashin, pse ai e botoi atë fyerje që i bënë anëtarët e SHP 3), Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, në 1 Marsin e vitit 1999, kur i thanë: Dil jashtë!
Së dyti, Demaçi, porsa e pranoi atë detyrë, ashtu sikundër korigjoi strategjinë ushtarake të UÇK-së, duhej të kish korigjuar edhe tekstin e Betimit Ushtarak të saj, (sikundër bëri me Ballkaninë e tij), pasi ai tekst pasqyronte strategjinë politike të UÇK-së: bashkimin e Kosovës dhe të gjithë trojeve të tjera shqiptare nën ish Jugosllavi me shtetin amë, me Shqipërinë.
Pse?
Sepse ishte ende e parakohshme; sepse asnjë forcë politike legale shqiptare e të gjithë travave shqiptare nuk e kish atë mision në programin e vet. Madje nuk e kanë as sot, veç Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj, do të ishte mirë të bëhej çmos për ta sfumuar hë për hë atë kërkesë, pa u realizuar çlirimi i Kosovës, me qëllim që të mos kishin ku të kapesh diplomatët ndërkombëtare dhe politikanët servilë shqiptarë për të anatemuar UÇK-në. Tash që ka ardhë ajo kohë mund të gjenden disa rrugë për ta pajtuar këtë dëshirë të popullit shqiptar në Kosovë. Duke u parapublikuar ajo i ngjante tezës së Ballit Kombëtar për “Shqipërinë Etnike”, kur në radhë të parë ishte Lufta për Çlirimin nga Fashizmi.
Së treti, nuk duhej që Demaçi ta neglizhonte marrëveshjen e SHP me LKÇK-në, sikundër bëri. Pse e themi këtë? Sepse dihet që: tre muaj më parë se Demaçit t’i propozohej detyra e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, SHP i saj kish nënshkruar më 11 Maj 1998 me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK): “Marrëveshje për bashkim armësh në nivel vendi dhe për drejtimin politik të luftës” 4). Duke qenë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kish nënshkruar më herët një marrëveshje politike serjoze me institucionin e një lëvizje politike ilegale dhe luftarake, e cila vepronte brenda në Kosovë dhe jashtë saj, me të cilën kish rënë dakort të krijonin Frontin Politik të Luftës, njëjtë sikundër po bënte me zotin Demaçi, atëherë ky i fundit, tek ndan kaq qartë edhe ndryshimin e strategjisë së luftës së UÇK-së me të tijën, a mund të mos kërkonte prej Azem Sylës e Xhavit Halitit edhe prezencën në atë marrëveshje të përfaqësuesit të LKÇK-së? Nëse Demaçi do ta kish riaktivizuar atë marrëveshje, ai do të kishte një mbështetje edhe më të gjerë në vendimet që do të merrte, edhe pse nuk po i afrohej ajo detyrë nga udhëheqja e LPK-së.
Ndoshta zoti Demaçi nuk ka qenë në dijeni për marrëveshjen e SHP me LKÇK-në. Mundet që edhe Azem Syla e Xhavit Haliti nuk e kanë vënë në dijeni Demaçin për atë marrëveshje me LKÇK-në. Ose e ka ditur, por kur ka dëgjuar deklaratën e zotit Jakup Krasniqi, në fillim të Korrikut 1998, në emër të Shtabit të Përgjithshëm, kur tha se, “UÇK-ja nuk ka nevojë për të qenë nën kontrollin e çdo force politike”, ka menduar se ajo marrëveshje ishte anulluar. Por, rrjedha e mëpasme e ngjarjeve na tregon se ajo deklaratë e zotit Jakup ka qenë inicuar nga dëshira për të mos e ndarë të nesërmen pushtetin, të nesërmen e luftës, me një forcë tjetër politike, duke menduar se një njeri i vetëm si Demaçi nuk ua rrezikonte atë qëllim. Mirëpo, është LKÇK-ja ajo që e ka vënë në dijeni zotin Demaçi pas një jave, në 20 Gusht, se ajo marrëveshje nuk qe anulluar me vendim kolegjal. Këtë njoftim LKÇK-ja e bëri përmes deklaratës së saj politike, ku theksonte: “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së është dashur që për një hap të tillë kapital, të konsultohet, përveç me të tjerët, edhe me Këshillin e Përgjithshëm të LKÇK-së, pasi që ka nënshkruar një marrëveshje me këtë organ të LKÇK-së” 5).
Madje Shukri Klinaku, përfaqësuesi i LKÇK-së në Evropë, sqaron: “Pati tentime afrimi edhe më pas. Për shembull, disa herë kishim kërkuar nga LPK-ja në diasporë për të mbajtur tubime të përbashkëta informative dhe sqaruese në dobi të zhvillimit të luftës. Dhe, ndodhi që në Gjenevë të merreshim vesh për tubim të përbashkët. Tubimit i parapriu një marrëveshje me shkrim ndërmjet përfaqësuesve të dy organizatave, për mirësjellje përpara publikut. Publiku mirëpriti këtë paraqitje të përbashkët, mirëpo LPK-ja, siç do shihet më vonë arsyeja, kurrë nuk do ta dëshironte një tubim të tillë, e këtë e kishte ditur edhe pa këtë tubim”6). Gjë që tregon se është vetë zoti Demaçi që nuk e ka marrë parasysh atë marrëveshje mes SHP dhe LKÇK-së; njëkohësisht nuk na rezulton që ta ketë marrë parasysh edhe më pas. Mos harrojmë që LKÇK-ja kishte edhe revistën ilegale “Çlirimi”, e cila botohej në një tirazh jo të vogël, të cilën Demaçi do ta kish një ndihmëse të pallogaritshme për të bërë udhëheqjen politike të popullit për luftë.
Duke e parë këtë fakt nga largësitë e sotme, mendojmë se zoti Demaçi e thellon këtë neglizhencë ndaj LKÇK-së, duke mos u konsultuar me atë edhe në rastin kur ai u kthye nga Shkupi, në takimin me Ministrin e Jashtëm Angles, në fund të Janarit 1999, para se të shkonte për t’u konsultuar me zotin Jakup Krasniqi ose, të paktën, të shkonin së bashku. Nuk përjashtohet mundësia që, nëse konsultohej edhe me LKÇK-në, antarët e Dr.P të mos e kishin marrë atë vendim nga hotelet e rehatshëm në Tiranë, pasi do të kishin të bënin me një forcë politike, e cila, ndryshe nga LPK-ja, i kish reshtuar në formacionet luftarake të UÇK-së të gjithë antarët e saj, rast unikal në historinë e Kosovës. Vullneti i një njeriu të vetëm, qoftë edhe i përmasave si Adem Demaçi, nuk mund të mjaftonte për një punë aq të stërmadhe; lipsen edhe njerëzit që do ta zbatojnë një vullnet të tillë. Një mendje, thotë filozofia kineze, hiç mendje, dy mendje – gjysëm mendje, tre mendje – bëjnë një mendje.
Mirëpo, edhe në mbledhjen e SHP në Abri, në fillim të Shkurtit 1999, kur u zgjodh dhe u emërua Sylejman Selimi Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe ku zoti Demaçi u zgjodh Komisar i Përgjithshëm Politik i saj, nuk na del se ka qenë prezent edhe përfaqësuesi i LKÇK-së!
Në këtë rastin e fundit, për mos thirrjen e LKÇK-së në mbledhjen e SHP në Abri, mendojmë se nuk duhet të ngelet pa përgjegjësi historike edhe zoti Rexhep Selimi, i cili ishte personi i autorizuar nga Shtabi i Përgjithshëm që e pat nënshkruar atë marrëveshje me LKÇK-në, në 11 Maj 1998.
I theksojmë këto raste si gabime të Demaçit dhe të z. Rexhep Selimi, për faktin se kanë ndikuar patjetër në rrjedhën e ngjarjeve për Kosovën, luftën dhe UÇK-në.
Ndoshta me një përgjegjësi të tillë mund të ngarkohet edhe Kryesia e LPK-së, me në krye zotin Bedri Islami, e cila na rezulton se ka qëndruar sehirxheshë në të gjithë këto raste që i renditëm si gabime politike të zotit Demaçi dhe, nuk dimë se pse deri sot vijohet të heshtet për to! E themi këtë pasi, nuk njohim deri në këto momente të jetë publikuar ndonjë dokument nga ana e LPK-së, që të na tregoi nëse ishte anulluar marrëveshja midis LKÇK-së dhe SHP: kur, nga kush dhe për ç’arsye; por edhe për propozimin që i është bërë Adem Demaçit nga dy antarë të Sektorit të Veçantë të Kryesisë së LPK-së. Por edhe LKÇK-ja na rezulton se në këto situata dramatike të muajit Shkurt-Mars 1999, nuk rezulton se ka dalë me propozime konkrete!
Së katërti, zoti Demaçi, kur e pa se formacionet e UÇK-së nuk po kalonin në strategjinë e luftës guerile (partizane) duhej t’i kish kërkuar llogari Drejtorisë Politike dhe SHP për mos zbatimin e asaj direktive të tij, ndryshe të bënte presion me dorëheqje, derisa të vihej në zbatim taktika e luftës guerile nga të gjitha formacionet e UÇK-së. E theksojmë këtë, pasi gjatë gjithë periudhës që ai ishte në atë pozicion udhëheqës, UÇK-ja nuk kaloi në strategjinë dhe taktikën e luftës guerile edhe pse ai e përsëriste shpesh. Duke mos u kërkuar llogari për këtë mosbindje, ata mund që edhe të kenë menduar se zoti Demaçi nuk e kish serjozisht. Në të kundërt të dorëhiqej.
Duke qenë se ajo direktive e Demaçit, për të kaluar në strategjinë e luftës guerile, nuk gjeti zbatim nga Shtabi i Përgjithshëm, si rjedhojë as edhe nga komandat e zonave operative, (edhe pse UÇK-ja kish pësuar disfatë nga moszbatimi i saj në verën e vitit 1998), të përforcohet dyshimin se Drejtoria Politike e ka thirrur Demaçin thjesht për të dalë për momentin nga situata e asaj disfate, me qëllim që të tërhiqnin vemendien e popullit dhe të masës së UÇK-së që të mos akuzoheshin ata si shkaktarët e asaj disfate; thjeshtë për të përmirësuar imazhin e tyre dhe për ta shfrytëzuar në këtë drejtim Demaçin, deri në një moment të cakuar, sikundër dhe ndodhi.
Dhe, së fundi, për të mos u zgjatur më shumë, një prej gabimeve të tjera të Demaçit është ajo që e kemi përmendur edhe në një rast tjetër 7); ai do të kish bërë mirë që ta pranonte atë detyrë të propozuar nga zotërinjtë Xh. Haliti e A. Syla jo si individ, por si Parti Parlamentare, i cili ishte kryetari i saj.
Këto mendojmë se janë disa nga gabimet e zotit Demaçi mbi veprimtarinë gjashtë mujore të tij, si Komisar Politik i UÇK-së. Mjafton të besojmë se kemi vërejtur disa gabime pakujdesie tek ky atdhetar kaq i madh i rezistencës shqiptare; por, me këto çfarë evidentuam dëshirojmë t’i themi lexuesit se edhe njerëzit e mëdhenj gabohen sikur njerëzit e zakonshëm; gabimet që rreshtuam në këtë analizë, nuk e cënojnë asnjë grimë vlerën e përgjithshme që Demaçi i dha Luftës Çlirimtare në Kosovë.
***
Cila është arsyeja kryesore pse Serbia nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë dhe pse e ndërpreu aq pa papritur luftën?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep më të plotë diplomati dhe historiani serb, Dushan T. Batakoviç, As. Prof. në Universitetin e Beogradit, i cili në kohën që zhvilloheshin bisedimet në Rambuje ishte ambasador i Serbisë në Francë, i cili sqaron: “Që delegacioni serb në Rambuje nuk do ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë ishte bërë e qartë nga deklaratat e tyre qysh ditët e para të Konferencës… Mirëpo, zonja Medlin Ollbrajt, para se të nisej për në Rambuje, e kish të qartë këtë vendim të atij delegacioni edhe nga një burim tjetër. Ai burim ishte letra e Patriarkut Pavle, që ia dorzoi asaj delegacioni i Kishës Ortodokse Serbe, të shoqëruar edhe me planin e kantonizimit të Kosovës” 8); plan i cili iu dha edhe dy delegacioneve në Rambuje, por nuk u pranua prej tyre, dhe që Ollbrajt e theksoi edhe në takimin që bëri vite më pas me Patriarkun Artemie, gjatë vizitës së saj në Kosovë. Letra shpjeguese, vijon më tej Batakoviç, ishte e ndërtuar me tre pika. Në pikën e parë të saj theksohej: “Millosheviçi nuk ka për ta nënshkruar atë Marrëveshje pasi çdo intervenim i NATO-s në Kosovë do t’i jepte atij mundësinë të fuqizonte pushtetin e tij në Serbi dhe do t’i zgjaste edhe më shumë qëndrimin në pushtet si dhe do të marrë masa drastike ndaj kundërshtarëve të tij. Ndërhyrja e NATO-s e legjitimon qëndrimin e Millosheviçit në pushtet.” 9); i cili justifikohej duke e përsëritur shpesh deklaratën e tij: “Sve ili nishta. Il çemo dobiti, il çemo izgubiti sve.”, (“Ose do të fitojmë krejt, ose do t’i humbim të gjitha”.), me të cilën ishte dashuruar jashtëzakonisht.
Edhe për ndalimin e luftës dhe tërheqjen e trupave serbe në mënyrë të befasishme nga Kosova, është strategjia e pandryshueshme e Serbisë ndaj Shqipërisë, e cila na e sqaron këtë gjë. Millosheviçi e kuptoi më në fund se SHBA ishin të vendosur për largimin e Serbisë nga Kosova. Gjithashtu ai e kuptoi edhe faktin tjetër se asnjë aleat europian proserb, sado i fuqishëm të ishte, nuk mundej ta ndihmonte më tej Serbinë. Prandaj ai doli në përfundimin: të delte me çdo kusht nga ajo krizë, por jo si humbës. Dhe për ta realizuar këtë duhej gjetur një rrugë e mesme, e cila për Millosheviçin të ishte gjysma e së keqes, por gjithmonë duke mos devijuar nga strategjia e Serbisë; dhe, njëkohësishtë, ajo rruga e mesme t’i siguronte qëndrimin sa më gjatë në pushtet.
Dhe, cila ishte kjo rrugë e mesme e zgjedhur nga Millosheviçi?
Të pranonte për Kosovën një lloj pavarësie të tillë, ku të thuhej se ishte dhuratë e Evropës. Dhe këtë karem “dhuratë” e hëngri edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, duke e shprehur publikishtë: “Kam qenë përherë përkrahës i UÇK-së së Kosovës. I kam mbrojtur djemtë dhe vajzat e Kosovës që ishin gati të flijoheshin për të, në ditët e tyre më të këqija, atëherë kur u sulmuan me shpifje nga një stuhi propagandistike botërore. E megjithatë le të kemi kurajon të themi të vërtetën: Kosovën nuk e çliroi UÇK-ja, por Evropa Perëndimore” 10); Dhe ku qëndron hilja e kësaj “dhurate”? Që Kosova e “pavarur” të shfrytëzohet për qëllimet e Serbisë, do të thotë që të jetë një lloj “shteti ndërkufitar” sa më i vogël, “me qëllim që shteti shqiptar, (Republika e Shqipërisë, DG), të mos ndjeki rrugën e pretendimeve kombëtare maksimale ndaj territoreve që banohen me shqiptarë, e cila është edhe aspirata strategjike e qeverisë serbe”11), sikundër e thekson Batakoviç, strategji që u vjen në ndihmë edhe Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë; dhe që është përifrazuar ende më qartë nga Ibrahim Rugova: “Kosova të jetë një shtet i pavarur, neutral dhe i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”. Mirëpo një “shtet ndërkufitar” shumë i vogël si Kosova, nuk mund ta ketë të sigurtë për të vazhduar ekzistencën e vet, pasi pa Shqipërinë ajo nuk mund ta siguroi pavarësinë ekonomike.
Dhe atë qëllim Milloshi e arriti: u tërhoq nga Kosova pa dorëzuar as edhe një fishek, gjë që tregoi se nuk ishte humbës, dhe Kosovën e shpalli ashtu siç deshi ai vetë, shtet ndërkufitar multietnik 12), edhe pse nuk është e tillë.
VIJON…
________
1) Stephen Schwatz “Prejardhja e një lufte-Kosova”, Prishtinë, 2005, f.137
2) Fehmi Baftiu: “Kosova krizë ndërkombëtare”, f. 326
3) Shkëlzen Gashi “Adem Demaçi – biografi”, Prishtinë, 2010, f. iii
4) Shih Shukri Klinaku: “Vendimi fatal”, Çlirimi, Prishtinë 2000, f. 81-82: “Takimet vazhduan në Kosovë me krerët e UÇK-së, të cilët luftonin. Më 10 Maj në Drenovc të Malishevës është arritur edhe një marrëveshje lokale ndërmjet Sabit Gashit (Kryetar i LKÇK, D.G.) dhe Fehmi Lladrovcit, sipas të cilës të gjithë antarët e armatosur të LKÇK-së hyjnë nën komandën e shtabit lokal të UÇK-së. Të nesërmen në takimin e zhvilluar ndërmjet Sabit Gashit e Fatmir Humollit me Rexhep Selimin, i cili fliste në emër të SHQ të UÇK-së, nënshkruhet marrëveshja për bashkim armësh në nivel vendi. Kësaj i parapriu edhe një bisedë e gjatë ndërmjet Sabitit e Fatmirit me Rexhepin, pas së cilës, siç rrëfen Sabiti në një intervistë dhënë “Zërit” (25 Shtator 1999), Rexhep Selimi u nda më i kënaqur sesa kishte pritur. Pas kësaj ishte mbajtur takimi përfundimtar, nga i cili ka mbetur gjallë ky procesverbal: “Në takimin e mbajtur më 11.05.1998 në mes të Shtabit Qëndror të UÇK-së dhe Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së, pas një vështrimi të përgjithshëm mbi rrethanat e krijuara së fundi në Kosovë është dalë me vendime konkrete që rezultojnë në bashkimin e të gjitha forcave çlirimtare në luftën e armatosur.
Këshilli i Përgjithshëm i LKÇK-së vendosi që potenciali ushtarak i disponuar nga LKÇK-ja dhe antarësia e gjerë e saj t’i jepet UÇK-së. Ky vendim është marrë duke e konsideruar bashkimin e radhëve si nevojë urgjente të imponuar nga domosdodhmëria e kohës dhe e rrethanave të luftës së krijuar në Kosovë. Në takimin në fjalë është diskutuar edhe për krijimin e Frontit Politik të Luftës, i cili do të angazhohet në mënyrë intensive për bërjen e politikës së luftës dhe do t’i amortizoi të gjitha veprimet e dëmshme politike të çdo subjekti politik të Kosovës. Rreth çështjes së Frontit Politik të Luftës u vendos që të punohet intensivisht nga të dy palët për të realizuar sa më parë këtë objektiv prioritar të luftës sonë të përbashkët..
Shtabi Qëndror i UÇK-së Këshilli i Përgjithshëm i LKÇK-së
Rexhep Selimi Sabit Gashi
Mbajtur më 11.05.1998”
5) Gazeta “Rilindja”, 21 Gusht 1998
6) Shukri Klinaku: “Vendimi fatal”, f. 82
7) Shih D. Goxhaj “UÇK-ja dhe Kadareja”, 2004, f. 158
8) Agjensia AFP e ka trasmetuar këtë plan, në datën 1 Shkurt 1999, (i cili po zbatohet aktualisht), ku thuhej:”Millosheviçi është duke shqyrtuar mundësinë e gjetjes së zgjidhjes së çështjes së Kosovës, duke u propozuar disa antarëve të Grupit të Kontaktit ndarjen e Kosovës në propocion 60:40 në të mirë të serbëve dhe se kjo zgjidhje do të ishte përfundimtare, njësoj si ajo që u arrit në Dejton me boshnjakët dhe kroatët”.(Shih Fehmi Baftiu “Kosova krizë ndërkombëtare”, f. 316)
9) Dushan T.Batakoviç: “The Serbs in Kosovo-Metohia. War, International Protectorate and Catastrophe”. www.rastko.rs Gjatë periudhës së luftës në Kosovë Dushan T. Batakoviç ishte ambassador i Serbisë në Paris si dhe vëzhgues në Konferencën e Rambujesë. “Sigurisht, Millosheviçi e llogariti që kjo zgjidhje përfundimtare jo vetëm që do t’ia rriste autoritetin në sytë e popullit serb, por do t’i garantonte edhe vazhdimin e qëndrimit të tij në pushtet”, e pohon edhe Pr.Dr i Harvardit John G. Stoessinger (“Përse kombet shkojnë në luftë”, Tiranë, 2009, f. 153)
10) Ismail Kadare “Shqiptarët në kërkim të një fati të ri”, Onufri, Tiranë, 2001, f. 31
1) Dushan T.Batakoviç “Qeveria serbe dhe Esat Pashë Toptani”, IDK Tiranë, 2014, f. 64-65.
12) Medlin Ollbrajt: “Diktatori më siguroi se dëshironte të arrihej paqja, si dhe u zotua për një Kosovë multietnike, shumëkombëshe dhe shumë fetare.”. Vepër e cituar, f. 466
_________________________

DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (PSE U ORGANIZUA ME URGJENCË RAMBUJEJA? PËR TA SABOTUAR ASAMBLENË KOMBËTARE TË KOSOVËS!) (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8500
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (DEMAÇI, RUGOVA DHE QEVERIA BUKOSHI!(6)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8501
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (ADEM DEMÇI – UÇK-ja NUK DO TË KAPITULLOI!) (7)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8502
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (EMËRIMI I SYLEJMAN SELIMIT – KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I UÒªK’së DHE AKUZAT NDAJ DEMAÒªIT PËR PUÒª E TRADHËTI!) (8)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8527
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (HALITI ‘NUK MUND TA FITOJMË LUFTËN’! DEMAÒªI-‘LUFTËN E KEMI NISUR PËR TA FITUAR’!) (9)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8538
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (HARADINAJ – ‘LUFTA NË KOSOVË ËSHTË BËRË NGA KOMANDANTËT E ZONAVE, JO NGA DREJTORITË POLITIKE’. KRASNIQI – ‘LUFTA GUERILE U TREGUE E DËMSHME’) (10)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8541
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUSH E SHTYRI ADEM DEMAÇIN TË JAP DORËHEQJE NGA POZITA E PËRFAQSUESIT POLITIK TË UÒªK-së, MË 1 MARS 1999?!) (11)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8548

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura