QENDRA JUSUF GËRVALLA – A KISHTE UNITET MIDIS JUSUF GËRVALLËS DHE IBRAHIM KELMENDIT ( 4 )

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – A KISHTE UNITET MIDIS JUSUF GËRVALLËS DHE IBRAHIM KELMENDIT ( 4 )

Nga Xhafer Durmishi, Pashtriku 31.01.2023

3-6. Jusuf Gërvalla e konsideron Ibrahim Kelmendin të painformuar

Letra e parë dhe e vetme që Jusufi ia dërgon Ibrahim Kelmendit, pas bashkëpunimit të tij me te gjatë vitit 1980, është letra e 15 janarit 1982.

Çdo fjali e letrës është tejet e rëndësishme.

Jusufi në dasmën e Kadri Zekës e Saime Isufit është gjaknxehtë, për shkak të gjesteve e veprimeve të Kadri Zekës. Shumë sende që ka meritua me ia thënë Kadriut, me gjaknxehtësi, Jusufi, pa të drejtë ia thotë Ibrahim Kelmendit.

Pastaj vazhdohet me fjalët ”Ti mund dhe besoj se je i painformuar lidhur me ato që kanë ndodhur në përçapjet për bashkimin e dy organizatave.”

Pse Ibrahim Kelmendi është i painformuar më 15 janar 1982, për diskutimet rreth bashkimit që janë bërë në muajt gusht, shtator e tetor 1981.

Ekzistojnë disa shkaqe.

1. Përgjigjia është, sa i përket anës së Jusufit, e dhënë në hollësi në letrat që ia dërgon Sabri Novosellës gjatë vitit 1981. Jusufi nuk ka marrëdhënie me Ibrahim Kelmendin pas numrit të fundit të Bashkimit. Bashkëpunimi i Jusufit me Ibrahim Kelmendin, prej organizimit të demonstratave në Perëndim, ka shkuar përmes Kadri Zekës, dhe kjo formë zgjatë jo vetëm deri në korrik1981, por gjer në vdekje.

2. Gjatë pranverës dhe verës së vitit 1981, Jusufi i jep bindjet e tij të bazuara se në Qendër të Frontit të Kuq mund të qëndroj UDB-a, dhe nuk e merr mundin më të vogël me e bashkua Lëvizjen e vetë me Frontin e Kuq.

3. Iniciativa për bashkim, me shkrim, në bazë të Tezave të OMLK-së, në shtator 1981, ka ardhë prej OMLK-së, prej Kadri Zekës, me të cilin Ibrahim Kelmendi ka qenë në kontakt, pa kurrfarë ndërmjetësimi të Jusufit. Jusufi nuk është përzier në punët e brendshme të Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit dhe relacionit të tyre. Qëndrimi i Jusufit ka qenë se është punë vetëm dhe vetëm e Kadri Zekës t’ia komunikoj Tezat dhe të diskutoj për to me Ibrahim Kelmendin dhe me të gjithë aktivistët tjerë në kontakt. Edhe Kadri Zeka kur ia jep Tezat Jusufit, dhe kur i ka bërë diskutimet për bashkim, nuk e ka përzie Ibrahim Kelmendin. Jusufi është marrë vetëm me Kadri Zekën dhe OMLK-në, dhe ka pritë prej Kadri Zekës interpretimin e Tezave, punë të cilën ai para Jusufit nuk ka guxuar ta bëjë.

4. Jusufi nuk i ka shtrua kurrfarë kushtesh Kadri Zekës sa i përket Ibrahim Kelmendit: As nuk i ka thënë: pa Ibrahimin e Frontin e Kuq nuk ka bashkim, as nuk ia ka thënë të kundërtën, nëse është i përfshirë Ibrahim Kelmendi në këtë punë, nuk ka bashkim me mua. Pasi iniciativa ka qenë prej OMLK-së qëndrimi i Jusufit ka qenë që negociatat me të gjithë të tjerët, e jo vetëm me Ibrahim Kelmendin, fillimisht, duhet t’i zhvilloj vetëm OMLK si inciatore, ta bëjë prezantimin e ideve të veta para të gjitha organizatave me të cilat do të vendoseshin kontakte. Puna e Jusufit ka qenë të përgjigjet vetëm e vetëm për një raport, vetëm për një lidhje, atë LNÇKVSHJ – OMLK, dhe jo për lidhjet tjera të OMLK-së. Ky ka qenë principi fillestar i Jusufit. Në mvarshmëri të suksesit të hapit të parë do të analizoheshin e bëheshin hapat tjera nga organizata e bashkuar. Por siç dihet, gjithçka ka dështuar, sa i përket Lëvizjes së Jusufit e OMLK-së në hapin e parë.

5. Jusufi e nis vëllaun e tij Bardhosh Gërvallën në udhëtim në Turqi në mesin e tetorit 1981 për çështje të bashkimit të organizatave pa e informua dhe pa i marrë leje Ibrahim Kelmendit, dhe ka shpresua për një bashkim, pa i marrë leje Ibrahim Kelmendit, ndaj të cilit nuk ka pasur asnjë detyrim e asnjë obligim.

6.    Nuk ekziston asnjë fakt se Kadri Zeka i ka marrë leje Ibrahim Kelmendit për me shkua me Bardhosh Gërvallën në Turqi. A e ka informua se do të shkoj apo jo, nuk e di. Ajo ka qenë punë vetëm e vetëm për te dhe jo për mua apo Jusufin. Por kur u kthye Kadri Zeka nga Stambolli, nuk është kthye në Zvicër por ka shkua në Gjermani tek Ibrahim Kelmendi. Kadri Zeka, në kundërshtim me të gjitha rregullat etike dhe konventat ndërkombëtare, nuk ka mbajt zi (për një afat sa e parasheh ligji) për dështimin e bisedimeve me Lëvizjen e Jusuf Gërvallës, dhe ditën e nesërme pas kthimit nga Stambolli, më 17 tetor 1981, në panairin e librit në Frankfurt, ai (Kadriu) gojarisht i ka tregua Jusufit se është bashkuar me Ibrahim Kelmendin.

7.    Jusufi nuk është mërzit aspak për bashkimin e Kadri Zekës me Ibrahim Kelmendin, pasi vetë Lëvizja e tij ka zhvillua bisedime me OMLK-në pa Ibrahim Kelmendin. Nëse për Jusufin ka qenë e lejueshme të bashkohet me Kadri Zekën pa lejen e Ibrahim Kelmendit atëherë duhet të jetë e lejueshme edhe për Ibrahim Kelmendin të bashkohet me Kadri Zekën pa lejen e Jusufit. Por Jusufi është revoltuar nga fushata e shpifjeve dhe gënjeshtrave kundër tij, nga ana e Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit.

8.    Jusufi nuk është marrë me interpretimin e Tezave para Ibrahim Kelmendit dhe Kadri Zekës, si gënjen Ibrahim Kelmendi. Pas interpretimit të tyre të parë dhe të fundit nga ana e Kadri Zekës para Sabri Novosellës e Bardhosh Gërvallës në Stamboll, në mesin e tetorit 1981, këto Teza, në shtëpinë e Jusufit përfundimisht e përjetësisht kanë përfundua në shportën e mbeturinave.

Në dasmë nga biseda në gjaknxehtësi me Ibrahimin Jusufi e kupton se Ibrahim Kelmendi për shumë gjëra është i painformuar prandaj edhe i shkruan: ”Ti mund dhe besoj se je i painformuar lidhur me ato që kanë ndodhur në përçapjet për bashkimin e dy organizatave. Por, unë kam edhe më pak leje të të informoj për to, tani që e di se ku bënë ti pjesë.”

3-7. Njerëzit e gënjeshtrave Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi

Më poshtë është letra e plotë e Jusufit për Ibrahim Kelmendin.

I dashur shok Ibrahim!                      15 janar 1982

– Ibrahim Kelmendi, Xhafer Durmishi dhe Jusuf Gërvalla –

Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejt ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë, mbase nuk kam pasur. Puna e Organizatës në të cilën bëjë pjesë nuk shkon aspak keq. Por, nga takti më kanë nxjerrë disa gjeste e veprime të një shoku, që, të kundruara nga distanca e të sotmes, më dalin një lojë e pamirë, së pari me personin tim, e pastaj edhe me një organizatë, çka, më shumë organizata revolucionare, madje në një çast madhështor të historisë sonë, që implikon dashurinë, afrimin dhe sinqeritetin më të madh mes luftëtarëve të lirisë.

Ti mund dhe besoj se je i painformuar lidhur me ato që kanë ndodhur në përçapjet për bashkimin e dy organizatave. Por, unë kam edhe më pak leje të të informoj për to, tani që e di se ku bënë ti pjesë. Edukata ime s’më lejon të veprojë në mënyrë të tillë. Shokët e tu të rinj e kanë me borxh ta bëjnë këtë punë. Unë e di se ata e kanë vështirë ta bëjnë, sepse, po ta bënin, do të duhej të flisnin hapurazi kundër punëve të tyre të pahijshme. Tash për tash mund të të them se kjo gjë nuk do të mbetet shumë kohë pa u sqaruar. Do të dalë në shesh se kush është duke bërë zhurmë për bashkimin, duke u çjerrë për të e duke luftuar kundër tij.

Një punë, megjithatë të ngarkon edhe ty. S’ka pasur hije pa marrë edhe mendimin tim, ta shpallje ndër njerëz se si një nga njerëzit e rëndësishëm të Lëvizjes na qenkësh, në mos antikomunist, atëherë së paku kundërshtar i partisë (iluzioniste) që do të formoheshka ndër ne. E vërteta është krejt ndryshe. Shoku Z. i ka procesverbalet e takimit me të. Po deshtët të ngulni këmbë edhe më tej në qëndrimin ”antikomunist” të atij shokut të Lëvizjes, urdhëroni e bëjeni këtë punë në baza më të shëndosha e më të ndershme, merrini përbazë procesverbalet e takimit. Atje shihet se ku qëndron e vërteta për bashkimin e paarritur, e megjithatë të shpallur si akt të kryer në thirrjen e famshme ”Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”, të cilën ndoshta nuk e ke pasur në dorë, ngase botimi i saj u spostua pas letrës sime dërguar shokut Z.

Tani po e kupton se unë hyra shumë thellë në punë që s’janë të miat, në punë tuaja të brendshme. Prandaj, nuk shkoj dot më tej. Dëshiroj që ana jonë këndej të jetë e gabuar dhe juve t’ju shkojë puna për së mbari deri në arritjen e fitores. Ne s’ndiejmë frikë as kemi dëm nga cilado forcë me të vërtetë patriotike e revolucionare e popullit tonë. Përkundrazi, atë kërkojmë si qorri sytë dhe ajo na bënë të mburremi. Por kemi një çikë ndruajtje se punës i është zënë jo fort mirë peta.

Përkundër të gjithave, ne s’e kemi humbur as e humbim dot shpresën e bashkimit. Veçse kemi konstatuar se një mision i tillë aq të nevojshëm e aq të shenjtë për ne, do ta bëjnë kur të vijë koha, njerëzit e vërtetë të punëve të vërteta.

Tani po të njoftoj se këto ditë na arriti një videokasetë me pesë filma shqiptarë. Filmat janë të shkëlqyeshëm dhe shumë inspirues. Ne ende s’ia kemi dalë ta shumëzojmë videokasetën, se për këtë punë po na duhet edhe një videofon i dytë, që s’e kemi, dhe një shtojcë speciale për riinçizim, që s’e kemi poashtu. Po të nxorri rruga këndej ndonjë ditë dhe po pate mundësi, merr videofonin tuaj e eja t’i riinçizojmë. Me këtë rrugë, për të njejtën çështje po e njoftoj edhe shokun Z., megjithqë më duket se ata nuk kanë ende as videofon.

Të fala vëllazërore e revolucionare

J.G.

***

Pse i përdorë Jusufi fjalët e mëposhtme:

”Përkundër të gjithave, ne s’e kemi humbur as e humbim dot shpresën e bashkimit. Veçse kemi konstatuar se një mision i tillë aq të nevojshëm e aq të shenjtë për ne, do ta bëjnë kur të vijë koha, njerëzit e vërtetë të punëve të vërteta.”

 I përdorë për të treguar, dy ditë para vrasjes, se Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi janë njerëz të punëve të pavërteta. Njerëzit e punëve të pavërteta janë gënjeshtarë.

Ky ishte pra uniteti i Jusuf Gërvallës me Ibrahim Kelmendin prej njohjes e gjerë në vdekje.

(VIJON … )

_______________

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA (SKEMA E GËNJETRAVE TË IBRAHIM KELMENDIT DHE E VËRTETA NË RAPORT ME JUSUF GËRVALLËN) ( 3 )

Total
0
Shares
1 comments
  1. Sabotime ne punet e Shqiperise i ka bere elita boterore si ne cdo vend te botes sepse ata e sundojne boten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura