DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (16)

Nga Prof. Dr. Sabit Syla

-28-

Relacion mbi shtetasit shqiptarë që banojnë në Jugosllavi

Gjendja e shtetasve shqiptarë që banojnë në Jugosllavi është e paqartë dhe si rezultat i kësaj është e vështirë që të jepet një statistikë e saktë e numrit të tyre, e shpërndarjes në territorin e Jugosllavisë, e profesionit të tyre dhe të gjendjes ekonomike dhe politike në të cilën ndodhen. Si rezultat i politikës armiqësore të Qeverisë jugosllave dhe i diskriminimit dhe shtypjes që u bëhet shtetasve tanë, shumë prej tyre nuk i janë përgjigjur thirrjes së bërë nga përfaqësia jonë në vitin 1957, për t’u regjistruar në përfaqësinë tonë dhe për t’u pajisur me dokumentet përkatëse. Gjendja e shtetasve shqiptarë në momentin e tanishëm paraqitet në këtë mënyrë:

Në përfaqësinë tonë ekzistojnë regjistrat matrikull që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1950. Në këto libra janë shënuar përveç shtetasve me banim të përhershëm në Jugosllavi, edhe ata që kanë pas ardhur provizorisht, ose për studime dhe kualifikim. Kështu që, është shumë e vështirë të dallohen shtetasit që kanë qenë me banim të përhershëm në Jugosllavi sidomos nga ata që kanë ardhur me qëndrim të përkohshëm. Nga ana tjetër, në këto regjistra nuk figurojnë adresat ekzakte të tyre, por vetëm qyteti ku ata ndodhen. Duke u bazuar në të dhënat e pakta që kanë këto regjistra, ne jemi munduar që të nxjerrim listat e atyre që mendoj me se janë me banim të përhershëm këtu. Kështu, në regjistrin e vitit 1945, figurojnë të regjistruar 46 persona, në atë të vitit 1946, 228 persona, në atë të vitit 1947, 158 persona, në atë të vitit 1948, 84 persona, në atë të vitit 1949, 183 persona. Sikurse shihet, numri më i madh i shtetasve tanë ka qenë regjistruar në vitet 1946 dhe 1947, mbas kësaj ai ka filluar të bjerë bile dhe ata që kanë qenë të regjistruar në këto dy vite, më vonë i janë shmangur riregjistrimit, mbasi sikurse duket nga listat, regjistrimi përsëritej çdo vit. Një karakteristikë tjetër e regjistrimit të këtyre shtetasve është se ai është bërë në bazë të dokumenteve që kanë paraqitur ata dhe jo në bazë të çertifikatave të shtetësisë, bile ka të atillë që kanë paraqitur dokumente të lëshuara nga regjimi i zogut, ose nga autoritet e okupatorëve. Në regjistrim themelor të shtetasve që disponon tani Legata, regjistrimi i shtetasve ka filluar në vitin 1955, në të ekzistojnë të regjistruar 149, janë riatdhesuar, kurse 149 janë pajisur me pasaporta konsullore ose i kanë shkëputur lidhjet me përfaqësinë tonë. Kjo padyshim nuk pasqyron numrin e vërtetë të shtetasve tanë që jetojnë në Jugosllavi. Shumë prej tyre, duke ju frikësuar pasojave që mund të kenë nga organet jugosllave janë detyruar të marrin shtetësinë jugosllave, aq më tepër sepse organe jugosllave kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj tyre për të marrë shtetësinë jugosllave. Një pjesë e madje është riatdhesuar në Shqipëri, kurse pjesa tjetër e ruan shtetësinë, por nuk mban asnjë kontakt me Legatën, bile nuk i përgjigjet dhe letrave që ne i dërgojmë. Këta persona zakonisht janë të pajisur nga organet jugosllave me letërnjoftim special të caktuara për shtetasit e huaj, ose atyre për shtetasi që jetojnë në Jugosllavi. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në Legatë, nuk paraqiten asnjëherë këtu dhe zgjatjen e afatit të pasaportave konsullore e bëjnë me anën e dërgimit të tyre nëpërmjet postës. Dhe kanë ndonjë tjetër, si certifikata ose vërtitim i kërkojnë gjithashtu me anën e letrave. Kohët e fundit jugosllavët kanë marrë masa shumë rigoroze për shtetasit shqiptarë. Për dy vjet rresht, në territorin e Kosovës dhe krahinave të tjera të banuara nga shqiptarët u zhvillua e ashtuquajtura fushatë për përcaktimin e shtetësisë. Gjatë kësaj periudhe organet e UDB-së, ose mbahen në pyetje të gjithë personat që kanë pasur marrëdhënie me Shqipërinë, si para lufte ashtu dhe mbas saj. Në pyetje merreshin dhe ata persona të cilët kanë qenë në Shqipëri si vizitorë, turistë, ose për punë të tjera dhe që ishin të kombësisë shqiptare që paraluftës dhe mbas saj, kanë pasur lidhje me vendin tonë, qofshin këto miqësore apo zyrtare. Gjatë kësaj fushate, shtetasve shqiptarë që nuk paraqitnin rrezikshmëri, ose nuk kishin dyshime për jugosllavët, u bëhej thirrje bile dhe presion për të lënë shtetësinë shqiptare dhe për të marrë atë jugosllave. Kurse, personat e padëshirueshëm për ta, qofshin këta shtetas dhe duke i pajisur me flotë shpërngulje mbasi mbaheshin pak në kampet e përqendrimit, nxirreshin në kuadrin tonë, ose në vendet perëndimore. Shumë i detyronin që të kërkonin në përfaqësinë tonë riatdhesim, bile ju caktonin dhe fatin e qëndrimit të mëtejshëm në Jugosllavi.

Gjatë periudhës së viteve 1948-1953, shumë shtetas shqiptarë pa kërkesën e tyre janë konsideruar shtetas jugosllavë dhe janë pajisur me dokumente përkatëse. Ligji i ri mbi shtetësinë jugosllave, aprovuar nga Shkuptina Federative në vitin 1964, ju bën të mundur shtetasve të huaj që të marrin lehtë shtetësinë jugosllave edhe sikur organet përkatëse të shtetit, shtetas i të cilit është personi, nuk i aprovon lejen e shtetësisë së mëparshme. Deri tani nuk kemi ndonjë të dhënë se si kanë reaguar lidhur me këtë ligj shtetasit tanë. Në këtë mënyrë, paraqitet në momentin e tanishëm gjendja e shtetasve tanë në Jugosllavi. Bashkangjitur me këtë relacion, po ju dërgojmë listat e shtetasve tanë që figurojnë të regjistruar me regjistrat matrikull të viteve 1945, 1946, 1947, 1948, 1949, 1950, si dhe listën e shtetasve të regjistruar në regjistrin themelor të shtetasve, që nga viti 1955 dhe deri më sot.

Beograd, më 20/XII/1964                

 I ngarkuari me punë a. i.

(Tahmaz Beqari)  

-29-

Legata e RP Shqipërisë

Nr. 24                          

Ankara, më 10/5/1965

Ministrisë së Punëve të Jashtme – Tiranë

Relacion mbi emigrimin e popullsisë shqiptare nga Jugosllavia në Turqi gjatë tre vjetëve të fundit

I.    Si edhe në të kaluarën edhe gjatë këtyre viteve të fundit, veprimtaria armiqësore e Qeverisë jugosllave ka vazhduar dhe vazhdon politikën e diskriminimit, për shkombëtarizimin dhe asimilimin e popullsisë shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi. Në kuadrin e veprimtarisë armiqësore për shkombëtarizimin e asimilimin e popullsisë shqiptare, një rëndësi të madhe i kushtojnë emigrimit në mënyrë të veçantë në Turqi. Për këtë qëllim ata përdorin të gjitha format e diskriminimit të kombinuara këto me presione policore, politike, ekonomike fetare etj. Për të qenë këto më të efektshme, përdorin forma e metoda sa më të stërholluar, duke ua përshtatur konditave e situatave të veçanta. Nga ndjekja e studimi që neve i kemi bërë këtij problemi, me mundësitë tona, gjendja paraqitet si më poshtë:

II.   Faktorët që influencojnë për emigrimin e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi

     Klika e Titos si vazhduese besnike e politikës brutale të Karagjergjoviqve, për të shtrirë drejt jugut në kurriz të tokave shqiptare, edhe për t’i skllavëruar ato, ka për princip politikën e shkombëtarizimit e asimilimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Në shërbim të këtij qëllimi, revizionistët titistë kanë vënë në përdorim të gjithë aparatin shtetërore, dhe të partisë. Një rol të madh në këtë drejtim lozin organet e diktaturës për presione e diskriminim, organet e pushtetit për presione e shantazhe ekonomike, financiare, organet e partisë në terrenin e propagandës etj. Të gjitha këto organe në mënyrë të centralizuar dhe me intensitetin më të madh u janë venë në qafë masave shqiptare për t’i mbyllur çdo portë nga ato që mund të shohin ndonjë mundësi sa më të vogël për të jetuar në tokën e tyre amtare. Krijojnë gjithfarë kombinacionesh për të gjetur ndonjë pretekst në bazë të së cilit i vihen njerëzve me gjithë farë formash për t’u imponuar që të emigrojnë.

Si rezultat i presioneve policore, ekonomike e psikologjike, masës shqiptare i bëhet jeta e padurueshme dhe njerëzit me nerva të dobëta dashtë e padashtë, marrin rrugën e emigrimit për në Turqi. Krahas organeve të mësipërme, titistët e shfrytëzojnë prapambetjen dhe sidomos sentimentet fetare të popullsisë. Nëpërmjet presioneve e demagogjisë si edhe duke përfituar nga prapambetjet e nga mungesa e formulimit të ndërgjegjes kombëtare, kanë mundur të fusin në dorë institucionet islamike e një pjese të mirë të hoxhallarëve. Në bazë të udhëzimeve të titistëve, ata bëjnë një presion psikologjik mjaft të efektshëm. Ata propagandojnë në besimtarët e tyre, se për të ruajtur fenë është e domosdoshme që të largohemi e të emigrojmë në Turqi; muhaxherllëku është hak i zotit, se në të kundërtën do të dalim fejet fare etj. Ky presion bëhet i dyanshëm: a) nga ata që banojnë në Jugosllavi, dhe b) nga ata që kanë emigruar në Turqi dhe nëpërmjet bisedave që bëjnë me vizitorë që vijnë nga Jugosllavia si dhe nëpërmjet korrespondencës.

III.  Faktorët që kanë influencuar që numri i emigrimeve është pakësuar në krahasim me të kaluarën

       Në krahasim me të kaluarën shikohet një rënie e numrit të emigrimeve nga Jugosllavia në Turqi. Për këtë kanë influencuar shumë faktorë, por më kryesorët janë këto: a) qëndrimi konsekuent i RP të Shqipërisë për demaskimin e veprimeve banditeske të revizionistëve jugosllavë, për terrorizmin, shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare, duke i detyruar ata të lënë tokën e tyre e të emigrojnë në Turqi, përfshi këtu edhe punën e Legatës me udhëzimet e MP të Jashtme pranë organeve qeveritare turke. b) Elementi patriot e sidomos rinia kosovare e inspiruar nga qëndrimi i vendosur i RP të Shqipërisë, kanë punuar intensivisht në masat e popullit, jo vetëm për të kundërshtuar politikën sllave të emigrimit të shqiptarëve në Turqi, por ata kanë bërë një punë vetëmohuese për të formuar e rritur ndërgjegjen nacionale kombëtare. Lufta e tyre konsekuente ka dhënë e po jep një kontribut të jashtëzakonshëm. Pjesa intelektuale, e sidomos rinia, ndodhet në barrikadat e para të kësaj lufte jo vetëm për të kundërshtuar politikën e emigrimit, por edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Nëpërmjet veprave letrare-artistike në prozë e në poezi, shprehin ndjenjat e tyre. c) Pjesa e pastër e elementit të imponuar nga titistët të emigrojnë në Turqi, këtu bëjnë një punë të frytshme, për t’u shpjeguar kosovarëve që vijnë nga Jugosllavia si turistë, domosdoshmërinë për të mos emigruar dhe për të qëndruar në vendin e tyre. ҫ) Gjendja e keqe ekonomike në Turqi, si: papunësia, mungesa e profesioneve, niveli i ulët kulturoro-arsimor, mosdija e gjuhës, bën që pjesa dërmuese të merret me punë të rënda fizike, e si rrjedhim edhe paga të vogla. Tek shqiptarët që vijnë nga Jugosllavia ndërrojnë mendim nga frika se nuk do të mund të jetojnë në këto kondita. d) Personat fetarë, kur shikojnë se korrupsioni ka marrë përpjesëtime të gjera edhe prestigji i fesë ka rënë, influencon tek një pjesë për të mos emigruar. e) Emigrimi masiv u bë deri në vitin 1956/1957. Në disa krahina, fshatra të tëra kanë mbetur krejtësisht ose pjesërisht të pabanuara.

IV. Gjendja aktuale e emigrimeve të shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi

      Nga studimi e verifikimi që i kemi bërë këtij problemi me mundësitë tona (do të shikohet edhe më poshtë), vërehet që gjatë vitit 1964 shënohet një ngritje kërkesash për emigrim si më poshtë: si rezultat i qëndrimit konsekuent të Partisë e Qeverisë të RPSH-së në demaskimin e veprimeve shkombëtarizuese-asimiluese të masës shqiptare në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, Qeveria jugosllave që nga 1956/1957 ndërpreu emigrimet direkte nga viset shqiptare në Turqi, por krijuan Maqedoninë e sidomos qytetin e Shkupit si qendër transitorë, ku pasi kalonin një stazh 1-2 vjet, regjistrohen maqedonas, me kombësi turke e pastaj plotësojnë dokumentet e emigrimit për në Turqi. Pas tërmetit të Shkupit, nxorën një urdhëresë se në qytetin e Shkupit nuk do të lejohet të regjistrohet asnjë i huaj (fjala është për kosovarët), duke krijuar opinionin se edhe qendra ndërmjetëse e emigrimeve u prish. Në esencë ishte për efekt propagandistik, mbasi vetëm të gjithë qytetet e Maqedonisë janë lirë për regjistrime, por edhe qyteti e fshatrat e Shkupit të cilave nuk u sjellin asnjë lloj pengese. Kosovarët pasi shpërngulen nga Kosova dhe regjistrohen në qytetet e Republikës maqedonase, automatikisht pa as më të voglën pengesë, përgatisin dokumentet për emigrimin në Turqi. Kurse ata që banojnë në viset shqiptare, në Maqedoni, bëjnë dokumentet për emigrim, mjafton që si këta edhe kosovarët, me dy dëshmitarë pranohet ndryshimi i kombësisë nga shqiptarë në turq. Kohët e fundit flitet se jugosllavët do të ndryshojnë letërnjoftimet e popullsisë dhe shqiptarëve në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit dhe në viset shqiptare të Maqedonisë, në letërnjoftimet e reja do t’ua venë komisione jugosllave, siç kanë bërë me shqiptarët e Malit të Zi disa vjet më parë. Pas kësaj, procesi i emigrimit do të thjeshtëzohet akoma më shumë për kosovarët, mbasi nuk do të kenë nevojë më me u bë qytetarë të R. Maqedonisë, por do ndryshojnë vetëm kombësinë.

Emigrimet nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit

             Veprimet shkombëtarizuese jugosllave në Kosovë në mënyrë masive janë përqendruar në krahinën e Rugovës, nga qytetet e Prizrenit e Pejës. Kjo përputhet me planin e Karagjorgjeviqve, për të zbrazur nga shqiptarët Rrafshin e Dukagjinit (Pejë, Gjakovë, Prizren) që kufizohen me vendin tonë. Duke ndryshuar proporcionin e popullsisë në favor të sllavëve në këtë zonë, automatikisht pretendimet tona, për Kosovën bëhen të paefektshme. Ndërsa, në krahinat e tjera të Kosovës, shpërnguljet bëhen në forma të shkëputura ose individuale, por gjithmonë si rezultat të presioneve e diskriminimeve.

        Plani i zbrazjes komplet të krahinës trime të Rugovës nga popullsia e vetme shqiptare, ka filluar pas vizitës së xhelatit Rankoviq, para disa viteve, i cili e shpalli park nacional të gjuetisë. Që prej asaj kohe, grafiku i akteve të diskriminimit të çdo forme, filloi të ngrihet në maksimum dhe ka kapërcyer çdo normë njerëzore. Si rezultat i veprimeve banditeske të regjimit… një pjesë, këta zbresin në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni, e prej andej emigrojnë në Turqi. Aktualisht priten të vijnë këtu 3 familje me rreth 70 anëtarë edhe 6 familje të tjera po përgatiten të vijnë nga katundi Kuqisht i Rugovës. Për shpejtimin e këtij procesi organet jugosllave kanë marrë masa të rrepta diskriminimi, duke mos i lejuar që të shesin edhe dru, e vetmja të ardhurash që u kishte mbetur për të jetuar.

Emigrimet nga viset shqiptare të Maqedonisë

         Për sa u përket veprimeve shkombëtarizuese në viset shqiptare të Maqedonisë, vëmendja kryesore në mënyrë masive është përqendruar në qytetin e Shkupit, ndërsa në rrethet e tjera të Maqedonisë në forma të shkëputura, mbasi kishin për të dëbuar, i dëbuan në vitet 1953/1957. Pas tërmetit të Shkupit, Qeveria jugosllave nëpërmjet organeve lokale u komunikoi shqiptarëve se ata që dëshirojnë, janë të lirë edhe mund të rindërtojnë banesat e tyre të shkatërruara nga tërmeti në trojet e tyre ku i kanë pasur. Pas këtij komunikimi zyrtar, shqiptarët, përfshi edhe personat e turqizuar me sakrifica e mundime të mëdha e restauruan dhe një pjesë i bënë edhe më të mira nga ato që i kishin më parë. Pas kësaj, organet lokale të pushtetit titist nën pretekstin se ndërtimet e lagjeve të banuara nga shqiptarët e një pjesë “turqish” nuk janë bërë konform planimetrisë e arkitekturës së re të Shkupit, nxorën vendime, një komision shtetëror, për të rrezuar të gjitha. Komisioni me paramendime i çmonte shumë më pak nga vlera e kostos reale. Kundërshtimeve e ankesave të popullsisë u përgjigjeshin negativisht në mënyrë të prerë. Organet e pushtetit titist me anë të këtyre veprimeve diskriminuese, të bëra me paramendim, kanë bërë që tek shqiptarët të jetë krijuar një atmosferë zemërimi e pakënaqësie dhe në pamundësi për të gjetur rrugëzgjidhje, i ka mbuluar pesimizmi dhe nuk shikojnë asnjë mundësi konkrete për të jetuar në këto kondita në tokën e tyre. Duke përfituar nga kjo gjendje shpirtërore e psikologjike, njerëzit e UDB-së të pushtetit e partisë titiste, provokonin biseda me njerëzit kryesorë, duke u paraqitur si ndërmjetës që në rast se do të emigronin në Turqi, ka mundësi që çmimin e banesave t’ua ngritin. Nëpërmjet këtyre nxitjeve dhe duke përfituar edhe nga gjendja psikologjike e masës shqiptare, shumë persona kanë dhanë pëlqimin për t’u emigruar në Turqi. Në këtë mënyrë, personave ose personat që japin pëlqimin për të emigruar në Turqi, komisioni ua riçmoi banesat, duke u dhënë shuma më të mëdha të hollash dhe krahas jo vetëm që ua likuidojnë më shpejt, por u vijnë ne ndihmë duke u dhanë presidencë për plotësimin e dokumenteve e për marrjen e pasaportave. Me këto makinacione të ulëta, titistët gjithnjë e më shumë, po tërheqin shqiptarët për të shkruar në listat e regjistrimeve për emigrim në Turqi. Nga të dhënat që kemi, rezulton se: si rrjedhim i këtyre veprimeve armiqësore të Qeverisë jugosllave, kanë arritur që vetëm nga qyteti i Shkupit janë duke u përgatitur e mbushur dokumentet dhe janë në pritje për të marrë vizat sipas thënjëve të shqiptarëve që kanë ardhur andej për të emigruar në Turqi mbi 300 familje. Nga studimi e verifikimi që i kemi bërë këtij problemi (në kuadrin e mundësive tona) rezulton se gjatë këtyre tre vjetëve të fundit nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e viset shqiptare në Maqedoni, janë shpërngulur dhe kanë emigruar këtu në Turqi rreth 400 familje. Duhet theksuar se pjesa më e madhe e këtyre janë familje patriarkale që përbëhen nga 15 anëtarë e më shumë. (Pasqyra ekzakte me emra nuk është e mundur të krijojmë, mbasi shqiptarët këtu janë të shpërndarë pothuajse në të gjithë Turqinë Qendrore e Perëndimore).

V. Qëndrimi i Qeverisë turke karshi emigrimit të shqiptarëve në Turqi

      Qeveria turke pranon të emigruar nga çdo vend, në kuadrin e këshillave të Ataturkut, mjafton që të shfaqin dëshirën për të jetuar këtu dhe Turqia tregon dashamirësinë ose bujarinë e sajë për t’i pranuar. Me gjithë se personalitetet e vendit, përfshi edhe ideologët e tyre, thonë se Turqia vuan nga shtesa e popullsisë edhe në të njëjtën kohë, pranojnë shqiptarët që nuk dinë asnjë fjalë turqisht, mjafton që formalisht të jenë regjistruar si turq. Për verifikimin se shqiptarët nëse janë ose dinë apo jo të flasin turqisht, nuk bëhet asnjë lloj kontrolli nga organet e Ambasadës në Beograd e të Konsullatës turke në Shkup, ose nga organet kufitare kur hyjnë në kufirin turk. Personat që emigrojnë këtu, vijnë me shtetësi e “kombësi” turke, automatikisht gëzojnë të drejtat e barabarta si edhe vendasit, ndërsa si privilegje u jepet që për 5 vjet të përjashtohen nga të gjitha. Vitet e fundit ka dalë një urdhëresë sipas së cilës emigrantët që vijnë nga Jugosllavia nuk lejohen të regjistrohen e të banojnë në Stamboll, Ankara dhe Izmir. Kjo është një urdhëresë e shkruar në letër, mbasi në praktikë të emigruarit plotësojnë formalitetet e regjistrimit në qytetet e sipërme, ku ata dëshirojnë, duke mos u sjellë autoritetet e vendit një lloj pengese. Si rezultat i gjendjes së keqe ekonomike dhe për papunësinë që ekziston në Turqi, kohët e fundit për të siguruar jetën e shumë shqiptarëve e sidomos kosovarëve, një pjesë e mirë nga të cilët edhe me familje kanë marrë rrugën e Evropës e sidomos në Belgjikë e në Gjermani. Ky numër në proporcion me numrin e madh të shqiptarëve vijnë duke u shtuar e kjo më shumë në të rinjtë kosovarë.

       Masa shqiptare që ka emigruar këtu në Turqi, mund të ndahet në tre grupe: 1) Besimtarët ekstremistë, që janë të zhytur thellë në islamizëm, egoistë e të palogjikë, të cilët përpiqen të influencojnë e të tërheqin sa më shumë shqiptarë, këtu ku janë edhe vetë. Kryesisht e bëjnë ketë, për t’i shërbyer fesë dhe për të lehtësuar mërzinë e tyre. Në këtë mënyrë duke u bërë tellall dhe përkrahës indirekt të jugosllavëve, arsyetojnë duke thanë se, kush bëhet muhaxhirë bën shumë sevap, sigurojnë xhenetin e dogma fetare të tjera të dëmshme e antikombëtare. 2) Indiferentët ku bëjnë pjesë, një pjesë e mirë shqiptarësh të Maqedonisë Qendrore, të cilat nga niveli i ulët arsimor, nga mungesa e ndërgjegjes kombëtare, çdo gjë e shikojnë në kuadrin e vendasve. Këto dy grupe, për karakterin e tyre, shkojnë me ritme të shpejta drejt asimilimit në turq. Ndërsa, grupi është edhe më negativ, për faktin se behën përkrahës të jugosllavëve, të cilët duke u nisur nga pozitat egoiste nxisin emigrimin e shqiptarëve në Turqi. 3) Ndërsa, grupi i fundit që përbehet afërsisht nga 1/4 e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve, kanë emigruar ose më mirë janë dëbuar kundër dëshirës si rezultat i veprimeve diskriminuese të pushtetit titist. Këta shohin gjendjen realisht dhe reagojnë pozitivisht si për çështjen e Kosovës ashtu dhe ndaj RP të Shqipërisë. Këta trupin e kanë këtu, por zemrën e kanë në Kosovë. Këta nuk janë afruar plotësisht tek ne si përfaqësi, nga frika e xhandarit të këtushëm, i cili po të futi në dorë u merr shpirtin si në periudhën e skllavërisë. Pikërisht kundër kësaj pjese përqendrohen veprimet operativo-agjenturiale të organeve të Zbulimit jugosllav, me qëllim që të shuajnë tek këta, çdo ndjenjë kombëtare dhe simpatike ndaj vendit tonë, t’i vej në opozicion me RP të Shqipërisë, të shpejtojë procesin e asimilimit në Turqi dhe si përfundim të evitojë rrezikun që këta mund të krijojnë në raste të ndonjë situate oportune që mund t’u jepet mundësia për të luftuar kundër jugosllavëve. Nga ky grup, pjesa dërmuese rron me shpresë për t’u emigrua në vendin tonë. Këta në çdo situatë janë të gatshme të mbrojnë atdheun, bile edhe duke ardhur vetë në RP të Shqipërisë.

VI. Përmbajtja esenciale e propagandës jugosllave në radhët e kosovarëve përkundër RP të Shqipërisë

      Propaganda e revizionistëve jugosllavë kundër vendit tonë në Turqi zhvillohet në mënyrë të centralizuar nga Ambasada jugosllave nëpërmjet kuadrove dhe agjenturës së saj e ndihmuar edhe nga Konsullata në Stamboll si dhe nga organet e zbulimit e kundërzbulimit të Kosovës e Maqedonisë. Këto të fundit punojnë në mënyrë të organizuar nëpërmjet turistëve e vizitorëve që vijnë nga Jugosllavia në Turqi dhe në drejtim të atyre që shkojnë në Kosovë e Maqedoni nga Turqia.

      Nga të dhënat që disponojmë, rezulton se propaganda jugosllave që zhvillohet nga kategoria e njerëzve të sipërm, paraqitet mjaft e rrezikshme, helmatos atmosferën e emigracionit kosovar në Turqi, përkundër RP të Shqipërisë. Për sa më sipër, ata flasin kudo dhe shprehen si më poshtë: “Po të ishim të bashkuar Shqipëria me Kosovës (d.m.th. Shqipëria me Jugosllavinë) do të kishim bërë një jetë pa telashe. Fatkeqësisht shqiptarëve të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni që kanë lenë vendlindjen dhe kanë emigruar në Turqi, Shqipëri, në shtetet e Perëndimit e në thellësi të Jugosllavisë, fajtore për këto është Qeveria shqiptare, e cila ndjekë një politikë jo të rregullt me Jugosllavinë. Radio Tirana gënjen se Shqipëria vetë ja la Kosovën Jugosllavisë dhe se qenë shqiptarët ata që luftuan kundër rezistencës në Kosovë, e sidomos Rexhep Pallusha e tjerë. Po të ishte bashkuar Shqipëria me Kosovën (Jugosllavinë) do të ishte më mirë si për neve ashtu dhe për shqiptarët e Shqipërisë së vjetër, të rinjtë kosovarë nuk do të merreshin në qafë ashtu siç po merren; Shqipëria do të kishte përparuar më shumë, e të tjera parulla të këtilla armiqësore.

              Në këtë mënyrë, jugosllavët punojnë me të gjitha mjetet propagandistike intensivisht e sidomos me agjenturën e tyre, në radhët e emigracionit kosovar, për të ndikuar e mbytur çdo lloj simpatie e reagimi pozitiv në favor të RP të Shqipërisë. Për këtë qëllim, organet e UDB-së, çdo personi që i japin vizë të vijë në Turqi, i thërrasin në zyrat e tyre ku i mbajnë me orë të tëra dhe i instruktojnë për qëndrimin dhe detyrat që duhet të kryejnë për jugosllavët nga ana propagandistike e informative. U japin detyra të punojnë jo vetëm me lidhjet e tyre tek të cilët vijnë në Turqi, por i udhëzojnë që të shkojë në lokalet që frekuentohen nga shqiptarët, në shoqatën Turko-Shqiptare, ku të dëgjojnë se çfarë flasin për Jugosllavinë, për vendin e udhëheqësit tonë e tjera. Kur kthehen nga Turqia, ata janë të detyruar të paraqiten në zyrat e organeve të UDB-së për të dhënë raporte.

             Duke përfituar nga zakoni i shqiptarëve për respektin ndaj mikut dhe për nder të të cilit thërrasin edhe komshitë e tyre, agjentët e UDB-së, në mënyrë të hapur propagandojnë para tyre pikëpamjet e propagandës jugosllave. Elementi patriot me gjithë se urrejnë jugosllavët e agjentët e tyre, në shumë raste nuk mbajnë qëndrim ndaj këtyre njerëzve të paprincip me shërbim të jugosllavëve, për këto arsye: a) Po të marrin vesh jugosllavët qëndrimin e vërtetë të tyre, nuk u japin vizat e hyrjes për të shkuar në Jugosllavi tek njerëzit e tyre e miqtë. b) Sipas zakonit prapanik u vjen keq t’i kundërshtojë miqtë në shtëpinë e tij, ose nga padija nuk janë në gjendje ta kuptojnë veprimtarinë e tyre armiqësore e antishqiptare.

         Për kontrabalancimin e kësaj propagande të rrezikshme antishqiptare të jugosllavëve, përveç veprimeve tona si Legatë, ajo kërkon një punë propagandistike masive me pjesëmarrjen e organeve qendrore të propagandës e konkretisht propozojmë: 1) Të demaskohen edhe më tej veprimet kriminale të jugosllavëve si për nxitjen e emigrimeve ashtu për demaskimin e propagandës së tyre në radhët e kosovarëve kundër RP të Shqipërisë. Për këtë qëllim, të shtypen edhe broshura me format të vogla, në gjuhë të thjeshta që të jenë të kuptueshme për kosovarët dhe të mos shkruhet vendin ku janë botuar. Në këto broshura të flitet kundër Ballit Agrar, Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Kosovës, për regjimet e kaluara që nuk benë gjë për Kosovën kur ata kishin fuqinë në dorë, e tjera. Kjo jo vetëm për demaskimin e tyre, por edhe në raste se nuk flitet kundra tyre, njerëz si: Qazim Prodani me shokë janë gati të thonë se këto broshura i ka botuar Balli Agrar. 2) Me qenë se Radio Tirana, kudo këtu në Turqi dëgjohet shumë mirë, do të ishte mirë të krijohej një emision për kosovarët në Turqi e Kosovë, ashtu siç bëhet për shqiptarët e Amerikës, ku nëpërmjet këtyre programeve, të demaskohen veprimet kriminale të jugosllavëve, të vihen më tepër këngë popullore të Kosovës e të Malësisë së Veriut. Ky do të ishte një mjet shumë efektiv për tërheqjen e kosovarëve, për edukimin dhe ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjave kombëtare, dashurisë për RP të Shqipërisë dhe të shtimit të urrejtjes për grupet e emigracionit reaksionar. Si rrjedhim, këto veprime do të pengojnë akoma më shumë masat e emigrimit, asimilimit dhe shkombëtarizimit të jugosllavëve ndaj masës shqiptare në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Gjithashtu, këto do të influencojnë pozitivisht edhe në masën kosovare në Turqi. 3) Nga masa shqiptare kosovare, përfshi dhe emigrantë politikë që gëzojnë besimin politik, të nxiten e të dërgohen këtu në rrugën e vizitorëve apo turistëve që të propagandojnë në interes të vendit tonë e kundër jugosllavëve. 4) Me njerëzit që do të vijnë si vizitorë e turistë, të bëhet një parapunë parapërgatitore si për qëndrimin ashtu dhe për propagandën që duhet bërë, etj.

(VIJON)

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura