DOKUMENTI ARKIVOR – 1949: KIM FILBI DHE KGB I SPIUNUAN DIVERSANTËT SHQIPTAR

Pashtriku.org, 23 mars 2017: (Në vend të replikës me ish-oficerin e Sigurimit, Mark Dodani – nga Thanas Mustaqi)
Më 15 mars 2017, në të përditshmen DITA, ish-oficeri dhe shkrimtari i Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, këmbëngul se Kim Filbi nuk ka dhënë asnjë ndihmesë në dështimin e operacionit të përbashkët të shërbimeve sekrete, britanik dhe amerikan.
Dodani shkruan mes të tjerave: “Më qesharakë akoma bëhen ata soj kundërshtarësh deri në armiqësi me përdorimin e një farë Kim Filbi. Nuk pushuan “së lehuri” nëpër gjithfarësoj mediash elektronike dhe të shkruar, teh më teh botës, që paskësh qenë ai, tradhtari Kim Filb, i cili paskësh shkaktuar dështimin e asaj strategjie dhe taktike të anglo-amerikanëve, të cilët përmes Banditizmit Politik do të përmbysnin Shqipërinë e asaj periudhe historiko-shoqërore.

Kim Philby (1912 – 1988)

Është e njohur tanimë, që Kim Filbi, ishte vërtetë tradhtari i madh, shumë i rrezikshëm kundër Mbretërisë së Britanisë së Madhe; aq sa ishte hero po aq i madh në shërbim të KGB-së sovjetike, por ndërkohë ishte krejtësisht i paqenësishëm për Shqipërinë… CIA-SIS, u detyruan të shpikin alibira të gjithëfarsojshme.
Alibia e përdoruar me emrin e tradhtarit të tyre Kim Filb, nuk është asgjë tjetër veçse përpushja si gështenja në prush për të justifikuar dështimin katastrofik, të turpshëm që pësuan në duel me kundërzbulimin dhe zbulimin heroik të shërbimeve informative sekrete të Sigurimit të Shtetit Shqiptar”.
Po botojmë në gjuhën shqipe dokumentin e nxjerrë nga arkivat e ish-KGB-së. Ky fakt përgënjeshtron pretendimet e Enver Hoxhës dhe funksionarëve të ish-Sigurimit shqiptar të Shtetit se Filbi nuk ka dhënë asnjë kontribut apo informacion në dështimin e operacionit të përbashkët britanik-amerikan “Valuable”.
STALIN: “DESANTËT TË ASGJËSOHEN PARA SE TË ZBARKOJNË NË TOKË!”.
Për 30 vjet Kim Philby furnizoi Moskën me informacionin më sekret, ku për afro 10 vjet – nën kërcënim real për jetën. – Duke qenë personi i dytë në shërbimin sekret britanik (gati sa s’u bë kreu i tij!), i projektuar për të kapur spiunët sovjetikë, në thelb, Philby ishte vetë i tillë. Është njeriu i vetëm në botë, që ka marrë dy dekorata të përjashtueshme reciprokisht, nga ana e konkurrentëve të drejtpërdrejtë: në vitin 1945 – urdhrin e Perandorisë Britanike nga duart e vet mbretit George VI, kurse më 1947 – urdhrin e Flamurit të Kuq me porosi të Stalinit. Të dy dekoratat – për merita në spiunazh!
Pikërisht në sajë të Philby-t shumë operacione të rëndësishme sekrete të shërbimeve speciale britanike dhe amerikane pësuan dështim të turpshëm. Për shembull, hedhja e diversantëve në Shqipëri. Në vitin 1949 CIA dhe SIS vendosën të hiqnin qafe Enver Hoxhën mundësisht në mënyrë elementare – duke zbarkuar nga ajri njerëz të armatosur.
Informacioni për këtë ra në duart e Philby-t. Pasi lexoi raportin e tij sekret, Stalini theksoi me lapsin famëkeq blu: “Desantët të asgjësohen para se të zbarkojnë në tokë!”. Urdhri u ekzekutua fjalë për fjalë [sipas https://rg.ru/2011/11/18/filbi-site.html].
FILBI: “NUK NDIEJ KEQARDHJE PËR VRASJEN E DIVERSNATËVE NË SHQIPËRI!”
Agjentit të KGB-së, mitikut Kim Filbi, nuk i bëhet vonë për vdekjet e shkaktuara në Shqipëri gjatë desantimit të diversantëve shqiptarë. Ai e përligj këtë spiunim të viktimave me faktin se “ata që e menduan dhe e planifikuan këtë operacion, gjithashtu, si dhe unë, mundësonin gjakderdhje për qëllime politike”.
Kim Philby (1912-1988) ishte një nga drejtuesit e zbulimit britanik, komunist, agjent i zbulimit sovjetik që nga viti 1933, kur u rekrutua gjatë studimeve në Kembrixh.
Në vitet 1949-1951 drejton misionin e ndërlidhjes në Uashington, ku vendos kontakte me drejtuesit e CIA-s dhe FBI-së dhe koordinon veprimet e përbashkëta të SHBA dhe Britanisë në luftën kundër kërcënimit komunist.
Ai njoftoi Sigurimin e Shtetit mbi zbarkimin e parë nga deti në tetor të vitit 1949, të përgatitur nga shërbimi sekret britanik, mbi planet e kalimit të kufirit në verën e vitit 1950, mbi desantimin parashutist të përgatitur nga CIA në nëntor 1950.
Gazetari i mirënjohur australian-anglez Filip Najtli (Phillip Knightley) ka qenë i vetmi gazetar perëndimor që ka mundur të intervistojë spiunin e famshëm të KGB-së, në Moskë, në vitin 1988, pak kohë para se të vdiste. Ka shkruar librin “Philby, KGB Master Spy”. Ja fragmenti i intervistës kur flitet për Shqipërinë.
Filip Najtli: Ju nuk ndieni kurrfarë brerje të ndërgjegjes për vdekjet e njerëzve, vdekje që i shkaktuat ju, për shembull, me operacionin shqiptar? (në periudhën fundviti 1949-fillim-viti 1950, Kim Filbi koordinonte operacionin e përbashkët të shërbimeve sekrete amerikane-angleze për depërtimin e agjentëve për realizimin e rebelimit kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës. Filbi njoftoi për këtë operacion KGB-në dhe agjentët gjatë desantimit në tokë u kapën rob dhe u pushkatuan – shënim i autorit të intervistës Filip Najtli).
Filbi: Nuk ka pse të ndiej keqardhje. Po, unë, luajta rol përcaktues në minimin e planit të hartuar nga Perëndimi për organizimin e një masakre të përgjakshme në Shqipëri. Por ata që e menduan dhe e planifikuan këtë operacion, gjithashtu, si dhe unë, mundësonin gjakderdhje për qëllime politike. Agjentët, që ata dërguan në Shqipëri, ishin të armatosur dhe të vendosur për të kryer akte sabotimi dhe vrasje. Prandaj nuk ndiej keqardhje, që ndihmova në asgjësimin e tyre, – ata e dinin se ku po shkonin. Mos harroni se unë kohë më parë gjithashtu u implikova në likuidimin e një numri të konsiderueshëm hitlerianësh, duke dhënë kështu kontributin tim modest në fitoren mbi fashizmin.
Faksimile e dokumentit të Komitetit të Informacionit të qeverisë sovjetike të 23 shtatorit 1949, ku bëhet e ditur se është informuar për zbarkimin më 24 shtator të dy grupeve parashutiste në Shqipëri. E dhëna iu kalua Mehmet Shehut.
I shklasifikuar
Tepër sekret
Shokut Stalin I.V.
Shokut Molotov V.M.
Rezidenti i KI-së* në Londër natën e 23 shtatorit të këtij viti raportoi me telegraf se ai nga agjenti që punon në __________ ________(është censuruar teksti nga shklasifikuesit e dokumentit origjinal – Th. M.) mori njoftime se organet e zbulimeve të SHBA dhe Anglisë [razvedyvatel’nyye organy SSHA i Anglii] së bashku kanë hartuar planin e veprimtarive minuese kundër Shqipërisë, të quajtur operacioni “Valuable”**.
Ky plan parashikon zbarkimin në Shqipëri të grupeve diversioniste-kryengritëse, të kompletuara nga emigrantë-fashistë shqiptarë, me detyrë të ndihmonin në Shqipëri në pranverën e vitit 1950, “lëvizjen partizane” kundër qeverisë së Enver HOXHËS.
Për realizimin e planit, në ishujt e Maltës dhe Korfuzit u organizuan baza për përgatitjen e këtyre grupeve. Natën e 18 shtatorit të këtij viti, dy grupet e para, të përbëra nga pesë veta secili, u hodhën në territorin e Shqipërisë. Hedhja e dy grupeve të tjera është caktuar natën e 24 shtatorit. Po përgatiten edhe disa grupe, të cilat, ka gjasa, do të transportohen në Shqipëri gjatë këtij viti.
Të dhënat për hedhjen e grupeve diversioniste-kryengritëse natën e 24 shtatorit, iu transmetuan nga ne nëpërmjet këshilltarit tonë të fshehtë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë sh. GLAZKOV*** Memed (Mehmet) Shehut (në atë kohë ministër i Brendshëm 1 tetor 1948-23 korrik 1954) për marrjen e masave përkatëse.
1. Savçenko
24 shtator 1949 Nr. 3309 / C
Konfirmuar. Nënshkrimi 25.10.49

__________________________
Shënime të autorit të shkrimit
* Inicialet rusisht për “Komitet Informatsii” – Komiteti i Informacionit pranë Këshillit të Ministrave të ish-Bashkimit Sovjetik, nga viti 1949 pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, emri i zbulimit të jashtëm sovjetik në vitet 1947-1951. U krijua më 30 maj 1947.
** Në origjinalin rusisht “operatsiya “Tsennaya””, shqip “operacioni “I vlefshëm””, anglisht “Valuable”.
*** Kolonel Mihail Froloviç Glazkov (1906-1963). Karriera: nëntoger i SSH (Sigurimi i Shtetit) 23.04.37; toger i SSH 28.04.41; major i SSH 11.02.43; nënkolonel i SSH 04.10.44; kolonel 28.02.50; me shërbim në Shqipëri 8.1947-6.6.1950; përfaqësuesi KI-së pranë Ministrinë së Punëve të Jashtme të BRSS në Shqipëri 6.6.1950-9.1951, dekoruar në Shqipëri me Urdhrin e Lirisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura