DR. JAKUP KRASNIQI: KOSOVA, KY VEND I FORTË, I PASUR DHE AQ I RI I EUROPËS

Prishtinë, 27. 02. 2015 – Duke njohur historinë e Kosovës, nga fillimi i shekullit XX, nuk është e vështirë të kuptohet se konstatimi i nxjerrë në titull është më se i saktë. Të dhënat evidente do ta dëshmojnë saktësinë deri në fund të këtij shkrimi. Kosova deri në vitin 1912 i zhvilloi disa luftëra kundër Perandorisë Osmane, ndërsa pas këtij viti i zhvilloi një sërë luftërash kundër serbëve dhe serbo-jugosllavëve, më saktë, Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, gjithë deri në vitet 1927-1928, duke përjetuar humbje të mëdha njerëzore, materiale, deri dhe shpërnguljet masive për në Anadoll të Turqisë, një tendencë kjo e spastrimit etnik. Qëllimi i qartë se duke shkaktuar vrasje, shpërngulje e duke mbjellë vdekjen kudo në Kosovë, qe planifikuar zhbërja e shqiptarëve nga dheu, të cilin e banuan denbabaden si dhe për ta ndryshuar tërësisht përbërjen etnike të saj. Shqiptarët e Kosovës edhe pse në kushte të vështira i mbijetuan politikës shoviniste serbe, e cila jo pak herë mes dy luftërave botërore e kishte aplikuar masën më çnjerëzore të tokës së djegur me zjarrvëniet e shumë fshatrave e qyteteve. Këto që i kishin përjetuar shqiptarët e Kosovës atyre viteve, në kontinentin e Europës nuk i kishte përjetuar askush tjetër veç shqiptarëve. Prandaj askush nuk mundet ta mohojë faktin se shqiptarët e Kosovës ishin më të fortit, së këndejmi, më të qëndrueshmit e Europës.
Shqiptarëve iu premtua në luftë antifashiste, duke besuar thellësisht e verbërisht madje se pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit do të bashkoheshin me Shqipërinë, siç ekzistojnë dokumentet e nënshkruara e zeza mbi të bardhën. Fashistët e krijuan një Shqipëri përtej asaj londinezes, e cila ishte e destinuar të humbiste pasi nuk mund të njihej nga Aleanca Antifashiste, pjesë dhe kontribuese e së cilës ishin edhe forcat partizane shqiptare. Por as fashistët e as komunistët nuk kishin qëllim krijimin e Shqipërisë së shqiptarëve etnikë. Pas Luftës së Dytë Botërore, përkundër marrëveshjeve që duheshin ratifikuar, Kosova përsëri u aneksua nga Jugosllavia e Titos dhe për 54 vjet të stërgjatë vazhdoi robëria e egër serbe e jugosllave, gjithë deri në qershorin e vitit 1999.

Kosova për 87 vjetët e sundimit të Serbisë, mbretërisë jugosllave, të Jugosllavisë së Titos e të Millosheviqit, jetoi jetën më të rëndë se të apartejdit të sanksionuar botërisht. Shqiptari i Kosovës gjatë 33 viteve të krajlëve të Serbisë, nga të cilat tri ishin të fashizmit italian e gjerman, përjetoi ndjekje e përndjekje të ndryshme nga njerëzit e pushtetit sipas një skeme terrori shtetëror për ndryshme substanciale në terren, përjetoi pra vrasje nga më të dhimbshmet dhe shpërnguljen për në Turqi, të planifikuar konform planeve e elaborateve qoftë të para Luftës së Dytë Botërore, qoftë pas saj. Drejtësia, barazia, e parulla të tjera ishin thjesht demagogji diktatoriale. Qëllimi i gjithë kësaj politike, siç pohonte Vasa Çubrilloviqi, ishte ta shndërronte Kosovën në tokë serbe, ashtu siç kishin bërë me Shqipërinë e Toplicës, e cila ishte shndërruar tashmë në tokë serbe. Gjatë gjithë kohës që e kemi në shqyrtim, për asnjë kohë nuk pushoi represioni i pushtetit, i administratës dhe i xhandarmërisë serbe mbi shqiptarët si ndaj atyre të qytetit, po ashtu edhe të fshatit. Taksat ishin të çdo natyre, qëllimi i të cilave ishte mbjellja e pasigurisë, detyrimi për t’i lëshuar shtëpitë e katanditë e tyre. Me gjithë këto masa të egra, shqiptarët në kontinuitet e ruajtën shumicën e popullsisë së Kosovës.

Sipas akademikëve serbë, “fajin” për këtë disfatë serbe e kishte gruaja, apo thënë me kryefjalën e duhur, nënën shqiptare, e cila lindte, e lindte.
Nuk ka dyshim se këtu qëndroi e qëndron forca e shqiptarëve të Kosovës!
Politikat e Tito-Rankoviqit, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, pakicat kombëtare nuk i shihte si pasuri, por si pengesa nga të cilat duheshin të liroheshin. Kësisoj këta “vëllezër” binjakë politikat e tyre i orientuan drejt mbjelljes së pasigurisë për punë e jetë normale, duke i lënë hapësirat e qëndresës shqiptare pa investime, pa arsim e shëndetësi. Këtyre “pakicave”, siç i diskriminonin edhe teorikisht, duke qenë se shqiptarët numerikisht ishin “pakica” më e madhe, s’i mbetej tjetër rrugë pos ikjes. (Ç’koinçidencë me të sotmen, e migrimit gjoja ekonomik dhe të paperspektivë!) Edhe pakica hungareze shikohej me mosbesim për shkak të afrisë që kishte me Hungarinë. Këtë të fundit ia arritën ta mbizotërojnë, ndër të tjera edhe me martesa të përziera, kolonizimin e fushave pjellore, ndërrimin e përbërjes së popullatës pas dëbimit të folksdojçerëve, etj.) prandaj me një egërsi të veçantë ju sulën shqiptarëve, të cilët për 54 vite ishin “delja e zezë” në Serbi e Jugosllavi. Gjatë gjithë periudhës 54 vjeçare, në federatën jugosllave shqiptarët ishin numerikisht më të përndjekurit, sikurse edhe burgjet anembanë Jugosllavisë ishin të mbipopulluara me të burgosur shqiptarë. Në anën tjetër, trojet e shqiptarëve ishin më të prapambeturat, më të pazhvilluarat dhe më të plaçkiturat. Sidomos plaçkiteshin pasuritë e tyre tokësore e nëntokësore, si thëngjilli i linjitit dhe pasurit e shumta të Trepçës dhe të mineraleve të tjera anekënd Kosovës. Një përndjekje të veçantë, duke kulmuar me burgosje e vrasje të panumërta, shqiptarët e përjetuan në vitet e sundimit të Millosheviqit. Shqiptarët, përveç të tjerash, u përzunë nga jeta politike e publike. Shqiptarëve u mbeten vetëm dy rrugë: ajo e ikjes nga trojet stërgjyshore dhe e luftës së armatosur. Nga Kosova ikën mbi 400.000 shqiptarë, ndërsa shumica e mbetur përqafoi luftën e armatosur. Kjo e bëri gjithsesi edhe më të fortë Kosovën.
Pra, në përfundim të mileniumit të dytë, Kosova e bëri edhe një luftë, tashmë të organizuar, me aleancën më të sinqertë dhe më domethënëse, me NATO-n, një luftë që rezultoi me mbi 13 mijë viktima të martirizuara për lirinë dhe shtetësinë e sotme. Por edhe me mbi 200.000 shtëpi dhe ekonomi familjare të shkatërruara. Ekonomia kombëtare pat humbje të pallogaritshme. Kosova i mbijetoi edhe këtij holokausti të egër. Kosova me ndihmën (aleancën) ndërkombëtare e mundi edhe makinerinë vrastare të Millosheviqit. A nuk është kjo edhe një dëshmi tjetër se Kosova ime, Kosova jonë, ishte e fortë! Sepse të fortë qenë vetë qytetarët e saj.
Fortësia e Kosovës dhe e qytetarëve të saj nuk përfundon këtu, ajo vazhdon më tutje.
Pas luftës çlirimtare Kosova jonë e përjetoi edhe administrimin ndërkombëtar, përjetoi politika herë-herë të paqarta dhe tejet të ngadalshme të mëkëmbjes ekonomike e zhvillimore. Përjetoi një qeverisje të brishtë, të mos them të keqe, e cila u tolerua mbase për faktin e vetëm se po ndodhte pas çlirimit nga Serbia! Kosova nuk qe në ditët e saja më të mira derisa bëri edhe kompromiset me Planin e Presidentit Ahtisari, që kulmuan me shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Me këtë sikur shpresohej e besohej se do të bëhej mirë, kur një ditë do të lirohej nga administrimi ndërkombëtar.
Së këndejmi, Kosova dhe qytetarët e saj përjetuan edhe sundimin e disa komandantëve, të cilët në vend që të vazhdonin kontributin për zhvillimin e vendit në të mirë të qytetarëve, ata u kujdesën për pasurimin e tyre personal. Pasuria kombëtare u keqprivatizua. Kosova nuk fitoi as zhvillim e as punësim të shpresuar e jo pak të premtuar. Si nga ndërkombëtarët, si nga partitë politike që qeverisën e bashkëqeverisën, madje herë-herë edhe me koalicione të panatyrshme. Kjo gjendje e pashpresë, pas një qeverisje të tillë, edhe pas pavarësisë, më saktë, shtatë vjet pas saj, populli ynë (të mos çuditemi!) po e kërkon shpresën jashtë atdheut. Me këto shpërngulje shqiptarët po rinojnë edhe vendet e BE-së.
Duke e njohur mirë historinë e Kosovës, e cila ka parë e jetuar shumë padrejtësi, ajo dhe populli ynë do të gjejë forcë dhe energji të reja për të ndryshuar gjendjen në të mirë, me perspektivë meritore. Sepse, pas bisedimeve të Brukselit, po përjeton kërkesa të reja e të padenja shoviniste nga Beogradi për copëtim e gllabërim të pasurisë së saj. Ky agresion i ri i Beogradit karshi qyqarllëkut të politikës sonë duhet të kanë një fund. Përse Kosova dhe populli i saj i pafajshëm duhet t’i përjetojë të gjitha këto padrejtësi të ushtruara nga politikat pushtuese e shfarosëse të Beogradit, të “kalkulimeve” të miqve ndërkombëtarë dhe të zhvatësve vendorë dhe t’ju bëjë ballë, duke qenë si përherë e fortë dhe me një qëndresë të paparë?! Sigurisht, sepse Kosova ka forcë e energji për t’i kapërcyer edhe këto padrejtësi politike e juridike! Kosovës i duhet një politikë e re që instalon demokracinë, ligjëson lirinë dhe krijon perspektivën zhvillimore për jetë të dinjitetshme për çdo shtetas të saj!
***

NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG, SH.BERISHA
Velikosrbski krvolok Vasa Čubrilović – htio pobiti Albance

VASA ҪUBRILOVIQ: ‘DËBIMI I SHQIPTARËVE’ – 1937 (pjesë nga elaborati)

HAPE: https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=2072
***
IVO ANDRIQ: PROJEKTI I ZHDUKJES SË SHQIPTARËVE (1939)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=992
***
1912: Pamje të burgosurve shqiptarë nga Kosova të cilët dërgohen në Beograd…

Pamje të rralla të Prishtinës dhe Gjakovës – në vitin 1912.

Pamje tmerri nga Shkodra, nga rrethimi serbo-malazez 1912/13.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura