SHEMSI RECICA: PËRBALLJE BRENDASHQIPTARE NË KONFERENCËN E RAMBUJESË NË FRANCË (shkurt – mars 1999) (II)

Pashtriku.org, 18 korrik 2018:
QEVERIA – MOLLË SHERRI BRENDA DELEGACIONIT SHQIPTAR
Gjatë kohës, sa kishte zgjatur Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, në Rambuje dhe në Paris të Francës, formimi i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, në njërën anë, dhe formulimet e tekstit të marrëveshjes së Rambujesë dhe nënshkrimit të saj, në anën tjetër, ishin aq të ndërlidhura dhe aq të kushtëzuara me njëra-tjetrën, brenda Delegacionit shqiptar, sa mund të thuhet se zvarritja e PO-së shqiptare, për Marrëveshjen e Rambujesë, përveç të tjerash, ka qenë e lidhur edhe me mospajtimet brenda Delegacionit tonë, heterogjen dhe kontraverz, për (mos)formimin e Qeverisë së përkohshme të Kosovës.

***
Parisi, në krahasim me kështjellën e mbyllur të Rambujesë, ku Delegacioni shqiptar dhe ai serb mbaheshin në “izolim“ të plotë, ishte krejtësisht i hapur. Në holin e hotelit “Sofitel“ të tij, mund të bisedohej me secilin anëtar të Delegacionit shqiptar, vetëkuptohet në qoftë se ekzistonte dëshira e ndërsjellë, me përjashtim të dr-ve Rugova dhe Bukoshi, që ishin vetizoluar në dhomat e tyre të gjumit dhe nuk kontaktonin me asnjeri, dhe të Thaçit, që, në atë ndërkohë, nuk dukej në holin e atij hoteli.

Rambuje, 23 shkurt 1999: Nënshkrimi i marrëveshjes për formimin e qeverisë së përkohshme. (Nga arkivi i kryeredaktorit të pashtriku.org, Sh.Berisha)

Nga bisedat me anëtarë të Delegacionit shqiptar të Rambujesë, mund të nxirrej ky përfundim: Formimi i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, krahas formulimeve të tekstit të marrëveshjes së Rambujesë dhe nënshkrimit të saj, ishin dy çështjet më të mprehta, brenda Delegacionit shqiptar;
Gjatë kohës, sa kishte zgjatur Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, në Rambuje dhe në Paris, këto dy çështje kanë qenë aq të ndërlidhura dhe aq të kushtëzuara me njëra-tjetrën, brenda Delegacionit shqiptar, sa mund të thuhet se zvarritja e PO-së shqiptare, për Marrëveshjen e Rambujesë, përveç të tjerash, ka qenë e lidhur edhe me mospajtimet brenda Delegacionit tonë, heterogjen dhe kontravers, për (mos)formimin e Qeverisë së përkohshme të Kosovës.
Përveç grupimeve formale politike-ushtarake, UÇK-së, LBD-së, LDK-së dhe grupit të “të pavarurve“, të njohura për opinionin shqiptar e më gjerë, brenda Delegacionit shqiptar, faktikisht kanë ekzistuar tri grupime joformale:
– UÇK-ja dhe LBD-ja, si një grupim, që ishte për krijimin me çdo kusht të Qeverisë së përkohshme të Kosovës;
– grupimi tjetër, me dr-të Rugova dhe Bukoshi në krye të tij, sipas të cilit “Kosova i kishte institucionet e veta: presidencën, qeverinë dhe kuvendin ekzistues“, prandaj s’kishte nevojë për formimin e një qeverie të përkohshme; dhe
– grupimi i tretë, rreth Prof. Aganit, me më pak ndikim brenda Delegacionit tanë, që e arsyetonin domosdoshmërinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë-Parisit, pavarësisht nga formimi apo mosformimi i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
***
Mospajtime brenda Delegacionit shqiptar, për formimin e Qeverisë së përkohshme, kishin arritur pikën kritike ditën e parafundit të Konferencës së Rambujesë-Parisit. Atë ditë, grupi që ishte PËR formimin e Qeverisë së përkohshme, kishte kërkuar nga anëtarët e Delegacionit shqiptar që ta nënshkruanin Marrëveshjen për formimin e Qeverisë së përkohshme, para se të nënshkruhej Marrëveshja e Rambujesë dhe nënshkrimin e kësaj të fundit e kishin kushtëzuar me nënshkrimin e të parës.
Dr. Rugova, nga ana tjetër, nuk e kishte pranuar kërkesën e grupit Thaçi dhe, ishte larguar, i pakënaqur, nga mbledhja e Delgacionit shqiptar. Pas largimit të tij, mbledhja ishte ndërprerë, për të vazhduar të nesërmen, para nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë.
Atë pasdite dhe gjatë paraditës së të nesërmes, në fytyrat, në lëvizjet dhe në bisedat e, pothuaj, të gjithë anëtarëve të Delegacionit shqiptar, në holin e hotelit “Sofitel“ të Parisit, vërehej shqetësimi, nervozizmi dhe pakënaqësia për mosmbarëvajtjen e punëve, brenda Delegacionit tanë.
Të nesërmen, pra ditën e fundit të Konferencës së Parisit, para nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, Delegacioni ynë e kishte vazhduar mbledhjen e tij, të ndërprerë një ditë më parë.
Më vonë ishte bërë e ditur se anëtarët e delegacionit ishin marrë vesh për formimin, pas një jave, të Qeverisë së përkohshme të Kosovës, por në mbjedhje nuk kishte marrë pjesë dr. Rugova.
Edhe anëtarët e grupit të tretë joformal, rreth Prof. Aganit, i kishin pakënaqësitë e tyre kundrejt grupimeve Thaçi dhe dr. Rugova. Sipas tyre, brenda Delegacionit shqiptar, gjatë gjithë kohës sa kishte zgjatur Konferenca për Kosovën, në Rambuje dhe në Parisë, Thaçi dhe njerëzit e tij, kishin kontaktuar më shumë me zyrtarë të lartë të Shqipërisë, sesa me anëtarë të Delegacionit shqiptar. Njëjtë kishin vepruar edhe dr. Rugova dhe njerëzit e tij. Edhe ata kishin kontaktuar më shumë me të huajt sesa me anëtarët e tjerë të Delegacionin shqiptar.
Pra, gjatë gjithë kohës së mbajtjes së Konferencës ndërkombëtare për Kosovësn, në Rambuje dhe sidomos në Paris, (mos)formimi i Qeverisë së përkohshme, ishte mollë sherri dhe grindjeje ndërmjet dy grupimeve joformale politike-ushtarake, përkatësisht grupimeve Thaçi-Rugova, përbrenda Delegacionit shqiptar.
Qeveria e përkohshme e Thaçit, siç dihet, kishte mbetur mollë sherri dhe grindjeje, ndërmjet thaçistëve dhe rugovistëve për një kohë të gjatë, edhe pas Rambujesë, edhe gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe, madje, edhe pas çlirimit të Kosovës.

(FUND)

_______________________________
SHEMSI RECICA: PËRBALLJE BRENDASHQIPTARE NË KONFERENCËN E RAMBUJESË NË FRANCË (shkurt – mars 1999) (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7866
***
SHEMSI RECICA: PËRBALLJE BRENDASHQIPTARE NË KONFERENCËN E RAMBUJESË NË FRANCË (Shkurt – mars 1999) (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7870

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura