DR.ABDULLA MEHMETI: PSE DËSHTOJNË PËRPJEKJET PËR KRIJIMIN E FRONTIT TË PËRBASHËT TË OPOZITËS SHQIPTARE NË MAQEDONI?!

Tetovë, 13. 10. 2016: (Çirakëve të deridjeshëm në politikë nuk mund t’u besohet ndërtimi i shtetit me koncept të ri) – Në këtë fazë të zhvillimit, pjekurisë dhe ngritjes së vetëdijes politike të shqiptarëve, aspak nuk është çudi pse subjektet e reja politike nuk mund të rreshtohen në një front të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe krijimin e një strategjie afatgjatë për zhbllokimin e pengesave për avancimin e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni.
Nuk është e paqartë edhe arsyeja pse këto subjekte politike vazhdimisht luajnë në kartën e bashkimit të tyre në një front të përbashkët, e nga ana tjetër, praktikisht asnjëra prej tyre deri më sot nuk ka arritur të afrohet më tepër se me njërin nga subjektet tjera të reja politike të shqiptarëve.
Askush nuk mund të ushqejë iluzione se subjektet e reja politike të shqiptarëve e kanë ndërtuar profilin e vet jashtë shablloneve të përcaktuara më parë nga qarqet vendimmarrëse të politikave globale në vend dhe që e kanë siguruar besueshmërinë tek faktori ndërkombëtar.
Me këtë rast duhet patjetër ta përkujtojmë faktin se, shumica e subjekteve të reja politike të shqiptarëve janë fraksione të dala nga ish amzat e tyre partiake, ndërsa liderët e tyre kanë qenë bartës të funksioneve të larta në organet e pushtetit, ose organet drejtuese të partive nga të cilat kanë dalë ato, nga po ato subjekte politike që e sollën vendin në këtë krizë politike.

Kush mund të shpresojë në një zgjidhje më fatlume nga subjektet e reja politike të shqiptarëve, nëse i beson rregullit kryesor për marrjen e përgjegjësive me interes të lartë shoqëror e kombëtar, kur dihet fakti që asnjëherë çiraku nuk mund ta bëjë punën e ,,mjeshtrit” që ia ka mësuar zanatin dhe se, askush nuk mund ta besojë pafajësinë e një politikani, përderisa ai është mashtruar disa herë më parë nga ,,mjeshtrit” më të mëdhenj të politikës shqiptare në Maqedoni?!
Zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, të caktuara të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti, do të japin shumë përgjigje në lidhje me shqetësimin tonë, se me këtë sjellje dhe papërgjegjësi asgjë e re nuk mund të arrihet në skenën politike dhe në interes të avancimit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.
Edhe më tej, faktori ndërkombëtar llogaritë e veta për tejkalimin e krizës politike aktuale në vend i kryen përmes marrëveshjeve mes subjekteve politike të cilat deri më sot kanë qenë në pushtet, të cilat janë përgjegjëse për krijimin dhe thellimin e krizës politike në vend.
Për aq më pak, duhet të besohet se ndonjëra nga partitë politike të bllokut maqedonas do të sigurojë klimë të re më të përshtatshme për vënien në rend dite dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore për avancimin e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni, zbatimin e barazisë së plotë të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përfshirjen e drejtë dhe proporcionale të shqiptarëve në të gjitha institucionet e shtetit, duke marrë parasysh situatën aktuale se, ka institucione me përgjegjësi të lartë shtetërore ku shqiptarët nuk janë të përfshirë as simbolikisht, jo më të marrin pjesë në organet drejtuese të tyre.
Çështjet e dorës së dytë, siç janë, përfaqësimi i shqiptarëve nga subjektet e reja politike, në vend të subjekteve të cilat deri më sot i kanë përfaqësuar shqiptarët në organet e pushtetit; përfshirja më e gjerë e shqiptarëve në institucionet e shtetit, parlament, qeveri, ministri, ndërmarrje shtetërore dhe publike; punësimi pa kritere i shqiptarëve në frymën e marrëveshjes së Ohrit, për ,,përfaqësim të drejtë dhe proporcional” të tyre, që Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit e ka shndërruar në ent për punësim; përkushtimi për zgjidhjen e disa çështjeve dytësore, jo edhe e çështjeve kryesore të cilat janë gjeneratorë të krizës së vazhdueshme në vend, nuk sigurojnë zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme edhe afatgjatë të çështjes së shqiptarëve në Maqedoni.
Opsionet e propozuara deri më sot nga subjektet e reja politike, se do të angazhohen për federalizimin, konfederalizimin, kantonizimin e Maqedonisë dhe të ngjashme, madje as opsioni aq shumë i fryrë, për bashkim kombëtar të të gjithë shqiptarëve, në rrethanat aktuale mund të jenë vetëm një mjegullnajë për ndrydhjen edhe të mëtejshme të vullnetit politik të shqiptarëve në Maqedoni. Pse? Sepse asnjëri nga këto opsione nuk mund të shtrohet në tavolinën e bisedime dhe të trajtohet seriozisht edhe nga faktori ndërkombëtar, pa zgjidhjen e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni. Ky status është i përcaktuar me Kushtetutën aktuale të Maqedonisë si status i PAKICËS KOMBËTARE, i cili u nënshtrohet konventave ndërkombëtare për pakicat, me standardet e njohura ndërkombëtare që i garantojnë këto të drejta për pakicat. Në këtë aspekt, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e mos ratifikimit të këtyre konventave nga Parlamenti i Maqedonisë, kur bëhet fjalë edhe për garantimin e të drejtave të pakicave, siç është rasti me statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni.
Pavarësisht që dikush mund të mendojë se, në prag të zgjedhjeve parlamentare të radhës ky qëndrim mund t’u sjell poenë politik partive që janë aktualisht në pushtet; se mund të zgjojë pakënaqësi ndër anëtarët dhe simpatizuesit e subjekteve të reja politike, e ndjej për obligim moral dhe përgjegjësi që t’i bëj publike qëndrimet e mia për këto çështje, në interes të përgjithshëm të shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoni, por edhe për shkak të rrezikut për ngulfatjen e çështjes shqiptare në këtë fazë të rëndësishme historike të zhvillimit të saj.
Përderisa gjendja vazhdon të jetë e këtillë, siç është sot, skena politike shqiptare në Maqedoni do të mbetet edhe më tej livadh pa të zot për ta kullotur gjithfarë gomarësh nga Shtipi dhe Strumica.
Niveli, edukata, stili im dhe shkalla e përgjegjësisë për çështjet me interes të përgjithshëm, nuk më lejojnë t’i trajtoj këto çështje duke përmendur dhe etiketuar subjekte të veçanta dhe udhëheqës të këtyre subjekteve. Megjithatë, opinioni lexues e ka të qartë se kujt i adresohen këto vërejtje dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi në të ardhmen për dështimin e sigurt në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Maqedoni dhe përgjithësisht në mjegullimin e mëtejmë të procesit të natyrshëm për zhvillimin e betejave politike për sigurimin e statusit që duhet ta gëzojnë shqiptarët në këtë shtet, me tendenca që në të ardhmen të kërkohen edhe zgjidhje të tjera më fatlume në interes të përgjithshëm kombëtar, duke mbajtur vazhdimisht llogari për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe sigurinë ndërkombëtare, pa të cilin përkushtim nuk do ta sigurojmë mbështetjen ndërkombëtare, sidomos të aleatëve të natyrshëm të kombit shqiptar.

Tetovë, 12 tetor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura