Shkup, 23. 05. 2013 – (Branisllav Sinadinoski: “Josif Bageri, rilindësi, poeti dhe publicisti i madh shqiptar”, Bashkësia për Kulturë, Art dhe Shkence, ”Josif Bageri “Shkup, 2013) – Besoj se të gjithë tashmë jemi koshientë se viteve të fundit kemi një rizgjim të vetëdijes etnike të shqiptarëve ortodoksë në Republikën e Maqedonisë dhe kjo është bërë pikërisht falë angazhimit të këtij konstelacioni qeveritar, që sigurisht duhet të përshëndetet. Pas një kohe të gjatë të lënë në harresë, që pasoi edhe me asimilim viteve të fundit janë botuar disa libra dhe janë bërë disa aktivitete kulturore që i kanë kthyer në gjirin e shqiptarëve të Maqedonisë edhe shumë shqiptarë ortodoksë që për vite ishin lënë në harresë. Natyrisht, emri më emblematik i kësaj bashkësie shqiptarësh në Maqedoni është Josif Bageri, një rilindës dhe poet që vazhdon ta mbajë gjallë edhe sot frymën atdhetare te shqiptarët e Maqedonisë.
Para nesh kemi një vepër të rëndësishme që lidhet me këtë emër rilindës. Është fjala për studimin e Branisllav Sinadinoskit “Josif Bageri, rilindësi, poeti dhe publicisti i madh shqiptar”, ku autori i tij vë në spikamë një kërkesë tek intelektualët me një lutje se tani, si duket, ka ardhur koha që t’i rivlerësojmë veprat e shkrimtarëve të traditës, jashtë gëzhojës së konjukturave ideologjike, politike apo krahinore.
Edhe pse këtë pishtar të arsimit, ideolog, publicist, poet e kishin harruar për një kohë të gjatë, tani ai vjen dhe futet nën qiellin e historisë sonë, me shkëlqimin e tij më të plotë. Dhe, tani më nuk mund të harrohet, sepse ai i ka në qendër të vëmendjes shqetësimet e njeriut të tij, në veçanti, dhe të njeriut, në përgjithësi, të njeriut që është i rrahur mes erërave të absurdit dhe revoltës, kundruall një realiteti të hidhur, me kuptim, që qenia njerëzore t’i shmanget karakterit negativ dhe t’i prezantojë ato vlera që shquhen për vizionin e një botë të freskët dhe të dëlirë, shënjuese për kohën dhe hapësirën në të cilën ai jetoi dhe veproi.
Autori Sinadinoski, një bashkëqytetar i Josif Bagerit, po ashtu me rrënjë të vjetra shqiptare ortodokse, me përkushtim bën ndriçimin e veprimtarisë së Josif Bagerit, si dhe ndriçimin e luftërave shekullore të shqiptarëve, sidomos të rekasve, por flet edhe për bashkëpunimin me popujt e tjerë për mbijetesën e tyre.
Pushtimi i gjatë turk, bullgar e serb, si dhe reformat e ndryshme që bënin të huajt, por edhe përpjekjet e shqiptarëve, përkuan me fëmijërinë e rininë e hershme të Josif Bagerit, të cilat lanë mbresa në jetën e Josifit dhe u rrënjosën thellë në ndërgjegjen e tij, ndërsa më vonë do të rrënjosen thellë në ndërgjegjen dhe shpirtin e Josif Bagerit dhe ai do të luftoje deri në fund për realizimin e idealeve të shqiptarëve. Andaj me të drejtë autori Sinadinoski veprën e ndërton mbi të gjitha ngjarjet dhe luftërat që e shoqëruan popullin shqiptar, duke filluar nga vendi amë, Shqipëria, e duke na dhënë shënime mbi prejardhjen e shqiptarëve, shpërnguljen e shqiptarëve në periudha të ndryshme, lidhjet etnografike midis ilirëve dhe shqiptarëve, si dhe për përhapjen e krishterimit dhe organizimin e territorit të sotëm shqiptar. Pastaj ndalet në Lidhjen e Prizrenit, në Kongresin e parë dhe të dytë të Manastirit, Kongresin e Elbasanit, si dhe në bashkëpunimin e shqiptarëve me maqedonasit, por i trajton edhe luftërat ballkanike e shkon deri në formimin e shtetit të pavarur shqiptar të vitit 1912.
Josif Bageri gjatë gjithë jetës mbeti një ndër figurat më të pastra atdhetare. Angazhimi i tij ishte në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, në ruajtjen e gjuhës, në afirmimin e kulturës, arsimimin e të rinjve në gjuhën shqipe dhe në ruajtën e tërësisë tokësore shqiptare.
Autori Sinadinoski e trajton Josif Bagerin si poet, i cili nëpërmjet strofave të tij dëshiron ta qartësojë frymën çliruese të jetës së tij dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Bagerin nuk e pengojnë besimet fetare, por i pengon mosnjohja e tyre. Ai vetë kështu shprehet: “shumë herë më vjen vaje edhe ngushtohem kur shof se na, binjt e një ame dhe vëllazërit e një xhaku jemi dajtun në çdo turli fesh, te, cilët na kanë ba te, pafatshëm.” Dhe, për ketë gjendje fajëson pushtuesit, por edhe Vatikanin dhe fanariotët.
Autori në libër na prezanton shpirtin e vrarë të poetit rekas, i cili shikon se si gjuha e bukur shqipe po zëvendësohet me gjuhët e huaja dhe kombi shqiptar po humb, andaj me gjithë shpirtin e sakrificës angazhohet duke dhënë shpresë për një Shqipëri të lirë, ku gjuha e bukur shqipe do të dëgjohet kudo duke shpresuar në hapjen e shkollave shqipe.
Josif Bageri, si punëtor i thjeshtë i vegjëlisë shqiptare patriotike në mërgim, krahas kontakteve me njerëz revolucionarë, me patriotë e me progresistë të kohës, por edhe si publicist i shquar, në qendër të vëmendjes së tij e ka pasur luftën për pavarësinë kombëtare shqiptare, për të cilën u shqua veçmas. Kështu në organet e shtypit shqiptar të atyre viteve gjejmë të botuara plot vjersha e artikuj me frymë të fuqishme kombëtare.
Josif Bageri, ashtu siç thekson autori i librit, ia kishte vënë vetes për detyrë që gazeta e tij të jetë një tribunë e vërtetë e çështjes kombëtare. Autori Sinadinoski, nëpërmjet citateve të nxjerra nga shkrimet e ndryshme nga shtypi, na jep një dëshmi patriotike revolucionare, jo vetëm nëpërmjet gojës e zemrës së Josifit, por të popullit tonë. Gjatë gjithë periudhës historike e veprimtarisë së tij në funksion të lëvizjes sonë, ai ka shprehur në faqet e shtypit përpjekjet e popullit shqiptar dhe luftën e tij për çlirim kombëtar.
Duke shfrytëzuar faqet e gazetës që e udhëhiqte Josif Bageri, autori me mjeshtri ka bërë përzgjedhjen e lajmeve dhe ngjarjeve që ndodhnin në Shqipëri në kuadrin e lëvizjes kombëtare. Krahas këtyre aspekteve, pjesa kombëtare në artikujt dhe shkrimet e Bagerit del në pah edhe në qasjet ndaj çështjeve gjuhësore, arsimore dhe politike, sidomos për ngjarjet në Shqipëri, të cilat janë botuar nëpër faqet e shtypit, që dëshmojnë për zgjerimin që kishte marrë lëvizja çlirimtare e popullit shqiptar në atë kohë. Në këtë mënyrë, ashtu si organet tjera të shtypit të kohës, ai ka ndihmuar për ta bërë të njohur Shqipërinë dhe popullin shqiptar si komb të lashtë e me tradita, për rritjen e krenarisë sonë kombëtare në atë kohë kur armiqtë përpiqeshin të shtrembëronin ekzistencën historike të popullit tonë.
Libri në fjalë përmbyllet me një shtojcë dokumentesh mbi programin e komiteteve të fshehta të lëvizjes çlirimtare kombëtare prej vitit 1908: programin kombëtar të Kongresit të Manastirit, Elbasanit, si dhe programin e Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare për Autonominë e Shqipërisë nga qershori i vitit 1909.
Në fund duhet thënë se studimi i zotit Sinadinoskit është një kontribut i çmueshëm i studimeve të historiografisë tonë kombëtare, andaj më lejoni ta përgëzoj për këtë vepër, t’u uroj për kontribut të rëndësishëm dhe ta inkurajoj që edhe në të ardhmen të vazhdojë të na sjellë vepra të këtij profili.