MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARËT, NASER HAJRIZI DHE ASLLAN PIREVA (30)

Pashtriku, 7 janar 2020:
7.4 Naser Hajrizi
I lindur më 7 korrik 1962 në Vrellë të Magurës.
Maturant i Shkollës së Mesme Elektroteknike në Prishtinë
.
I edukuar në një familje patriotike të Strofcit të Vushtrrisë, e cila ishte shpërngulur nga atje për të jetuar një kohë në Vrellë të Magurës dhe kur Naseri ishte vetëm shtatë vjeç, e vendosur në Prishtinë. Nga loza e të atit ai merrte shembull në jetë një varg veprimtarësh dhe dëshmorësh të lirisë së atdheut, kurse nga ajo e nënës, në Gradicë të Drenasit, ishte i njohur veprimtari i hershëm i çështjes së Kosovës, xhaxhai i saj, Milazim Hyseni, i dënuar më 1949 me shtatë vjet burg, si pjesëtar i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare.
Naser Hajrizi që në moshën 12 vjeçare angazhohej nga veprimtarë të Grupit Revolucionar të Kosovës për bartjen dhe ruajtjen e materialeve konspirative.
Më 1980, pas një pune intensive përgatitore që kishte bërë me Jahir Hajrizin, ai hyn në radhët e organizuara, duke pasur pranë dhe të përgatitur mirë një grup të rinjsh, si Asllan Pirevën, nga Prishtina, Sylë Loshin, nga Padalishta e Drenicës, Isuf Hajrizin nga Hajvalia etj. Ky grup i të rinjve vepronin kundër pushtuesit nëpërmjet propagandimit të ideve të lirisë dhe me shpërndarje të literaturës e shtypit klandestin. Ndonëse i ri si maturant, Naseri i furnizonte me literaturë dhe me shtypin klandestin edhe profesorët e vet, si Ahmet Qeriqi, Zenun Gjocaj etj., me të cilët shqyrtonin mundësitë e organizimit ilegal.

Naser Hajrizi ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë. Më 2 prill 1981 ai dhe Asllan Pireva ishin organizatorët e demonstratave të shkollarëve të Elektroteknikës. Dyert e shkollës atë ditë ishin mbyllur, por nxënësit dolën nga dritaret. Në përleshje me kordonin policor, Naseri plagoset por masa demonstruese marshon drejt qytetit (Shkolla ndodhej afër parkut Gërmia, në periferi të Prishtinës). Ai shkon në familjen e Adem Kurteshit, lidh plagën dhe pasi i zë kolegët, vihet në ballë të demonstratës në qendër të qytetit. Pas ndërhyrjes së forcave serbe, demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte në sheshin midis Bankës Popullore (Sot Kryeministria) Shtëpisë së Mallrave dhe Postës, të cilit i prinin Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Dy të rinjtë, rreth orës nëntë paradite, ranë dëshmorë me flamurin lart dhe me moralin e pathyer të luftëtarëve të lirisë. Mbi ta shtinë me armë zjarri, oficerë ushtarakë të vendosur në objektin e Bankës Popullore të Kosovës.
Në shenjë nderimi një rrugë e Prishtinës mban emrin e tij.
7.5 Asllan Pireva
U lind më 1 tetor të vitit 1961 në Prishtinë, në një familje të persekutuar e liridashëse.
I ati i Asllanit, Shahin Pireva, ishte vetëm shtatë vjeç kur më 1920 forcat pushtuese serbe e dogjën tërë fshatin e tij, Prapashticën dhe masakruan gra e fëmijë e pushkatuan mbi 80 burra. Familja e tij, që mezi i kishte shpëtuar shfarosjes, e braktisi fshatin dhe u vendos në Tugjec të Dardanës deri në vitin 1966, kur shpërngulet në Prishtinë.
Asllani i vogël, që sapo i kishte vdekur e ëma, filloi klasën e parë në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, për të vazhduar pastaj mësimet bashkë me shokun e tij të idealit, Naser Hajrizin në Qendrën e Mesme Arsimore “Miladin Popoviq” në Prishtinë.
I ati i Asllanit u tregonte shpesh fëmijëve të vet për masakrën e Prapashticës më 1920, por edhe për vuajtjet e tij në kampet fashiste të përqendrimit gjatë viteve 1941-1945, të cilat kishin ndikuar fuqishëm në shpirtin dhe mendjen e dëshmorit të ardhshëm të lirisë.
Asllani ishte angazhuar në Lëvizjen Kombëtare, nëpërmjet Naser Hajrizit, me të cilin kishin formuar një rreth të gjerë veprimtarësh të rinj. Në Kryengritjen e vitit 1981, Asllani dhe Naserin do t’i gjeje kudo bashkë në aksione dhe demonstrata.
Asllani dhe Naseri, më 2 prill 1981, rreth orës nëntë para dite, ranë dëshmorë me flamurin lart dhe me moralin e pathyer të luftëtarëve të lirisë.
VIJON …
__________________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARIN KADRI OSMANI, 1937 – 2012 (29)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9488

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura