DR.AVZI MUSTAFA: VLERA MËSUESIT NUK KA MASË

Shkup, 5 mars 2019: “Në shoqërinë e ardhshme personalitet kryesor do të jetë mësuesi e jo gjenerali” F. N. BABEUF
Veçoritë e profesionit të mësuesit

Siç është e njohur në historinë e pedagogjisë, thelbi i profesionit të mësuesit është edukimi dhe arsimimi i nxënësve. Puna e tij në sferën e edukimit dhe arsimimit paraqet një aktivitet me përgjegjësi kulturore dhe shoqërore, duke pasur parasysh qëllimet e larta që duhet t’i realizojë në zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit dhe në aftësimin e kuadrove. Thirrja mësues nuk është e lehtë ashtu siç mendon dikush. Ky profesion është plot e përplot me vështirësi, i ndërlikuar dhe i përgjegjshëm. Çdo njeri nuk mund të jetë arsimtar i mirë nëse nuk posedon virtyte dhe aftësi, siç janë: qëndrueshmëria, këmbëngulësia, zhdërvjelltësia, dituria, kreativiteti, entuziazmi, dashuria e vërtetë ndaj profesionit etj.
Sipas pedagogut dhe reformatorit të madh J. H. Pestaloci, mësuesi duhet të dijë çka i duhet nxënësit, çka e lartëson, çka e nënvlerëson, çka e motivon ose çka e demotivon atë.” Ai lypset t’í dojë nxënësit, se duke i dashur ata do të fitojë edhe dashurinë e tyre, hapjen e zemrës së tyre…”. Se vetëm në këtë mënyrë mund ta gjejë rrugën e vërtetë. Për ta arritur këtë qëllim mësuesi, krahas përgatitjes solide të arritur gjatë studimeve në aspektin shkencor, gjithsesi duhet të ketë edhe përgatitje didaktike dhe pedagogjike. Të gjithë studentët që mbarojnë ndonjë grup të drejtimit arsimor nuk do të thotë se të gjithë kanë edhe përgatitje adekuate për të dhënë mësim.

Mësimdhënia është shkencë edhe art
Sepse mësimdhënia është profesion, zanat, art dhe shkencë.
N
ëse është art, atëherë mësimdhënia kërkon frymëzim, intuitë, talent e kreativitet. Nëse është shkencë, atëherë mësimdhënia kërkon njohuri dhe aftësi, që me të vërtetë mund të mësohet.
Mësuesi, sipas mendimit të psikologut amerikan Silberman, duhet t’i posedojë edhe këto cilësi: “Për të qenë i sigurt, mësimdhënia sikurse praktika mjekësore është shumë art, ajo kërkon ushtrime të talentit dhe të krijimtarisë. Po ashtu sikurse mjekësia, është gjithashtu, ose duhet të jetë shkencë. Për këtë ajo përmbledh një repertor teknikash, procedurash dhe aftësish, që duhet të studiohen sistematikisht dhe të përshkruhen, e kështu të transmetohen dhe përmirësohen. Mësuesi i madh, sikurse doktori i madh, është ai që e shton krijimtarinë dhe frymëzimin te ky repertor bazë ”. Krahasimi i mësipërm është plotësisht i qëlluar.
Mësimdhënia së pari bazohet në shkencat paradigmatike dhe në përvojat e shumta, të cilat është vështirë të gjitha të kualifikohen si profesionale. Gjithashtu duhet të shihet edhe një karakteristikë që rrallë ndonjë mësues i referohet – ajo është edhe një pavarësi e kufizuar. Me të kërkohet që çdoherë të vendoset një baraspeshë ndërmjet të gjitha elementeve që e kushtëzojnë pavarësinë, si p. sh. pushteti nëpërmjet planprogrameve, teksteve shkollore, administratorëve dhe udhëheqësve të shkollave. Mësuesi duhet të jetë përgjegjës i shumëfishtë jo vetëm për njohuritë, por edhe ai duhet të ketë përgjegjësi edhe për atë ndodhë në punën e tij.
Cili është roli i mësuesit?
Rolet dhe përgjegjësitë e mësuesit janë që ta përgatisin nxënësin për jetë, prandaj shëmbëlltyra e tij është vënë në rolin e sjelljes, në rolin e një pozicioni shoqëror, në rolin e mësimdhënësit, në rolin e përcaktimit të objektivave në përputhje me lëndën që zhvillon, në diagnostifikimin e nxënëseve, në vlerësimin e njohurive, në rolin e këshilltarit e të administratorit, në rolin e zhvillimit profesional, në rolin e ndikuesit, në rolin e kërkuesit, në rolin e animatorit, në rolin e askelatorit; ai është njëkohësisht edhe burim njohurish, mbështetës, terapeut, etj.
Profesioni i mësuesisë është profesion me një përgjegjësi të madhe shoqërore. Me të drejtë pedagogët klasikë kanë thënë se: “Thirrja mësues është thirrja më e bukur, por njëkohësisht është edhe thirrja më e rëndë”.
Çka përmban teksti i betimit të mësuesit
Është njohur se çdo thirrje (profesion) i ka specifikat e veta, por profesioni i mësuesisë, në krahasim me të tjerët, është më i ndërlikuari, në të përgjegjësia është më e madhe, sepse është profesion që punon me lëndë të gjallë. Prandaj, pas betimit të Hipokratit që vlen për profesionin e mjekut, po ashtu edhe mësuesi e ka betimin e vet, të cilin në vitin 1966 për nevojat e UNESKO-s e përpiloi R. Dottrens. Teksti i këtij betimi solemn është:
“Do ta kryej detyrimin tim me ndërgjegje dhe krenari. Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do t’i harroj që për fatin e tyre edhe vetë mbaj një pjesë të përgjegjësisë.
Do ta mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit.
Kolegët e mi çdoherë do të jenë edhe miqtë e mi.
Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjithave të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim.
Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nderë”.
Ky betim gjithsesi deri tani nuk është realizuar me punësimin e parë, por betimi ka ngelur në vetëdijen dhe përgjegjësinë e vetë mësuesve. Ndërkaq me keqardhje mund të konstatojmë se shumica e mësuesve gabimisht janë orientuar për këtë profesion. Shumë prej tyre nuk i japin rëndësi punës së tyre dhe bile këtë punë e shohin si punë të dorës së dytë.
Dashuria ndaj profesionit të mësuesisë jep edhe rezultate konkrete
Të jesh i dashuruar në punën e mësuesisë dhe të japësh diçka për të, t’ia kushtosh tërë jetën, të përjetosh lëvdata dhe nderime të gjeneratave e gjeneratave të nxënësve dhe popullit të tij, të cilët me simpati të sinqertë dhe falënderim të ngrohtë njerëzor e kujtojnë mësuesin e tyre – vallë a thua ka gëzim më të thellë njerëzor se shpërblimi më i madh, se gëzimi dhe shpërblimi që përjeton njeriu që e ka mbushur jetën me punë për mirësinë e popullit të vet. Prandaj bukuria dhe simpatia e profesionit të mësuesisë është vënë re që moti nga “mësuesit e ndërgjegjes”, të cilët me rastin e pensionimeve kanë deklaruar “Sikur të ishte e mundur ta filloj jetën përsëri, unë përsëri do ta kisha zgjedhur këtë profesion”
Për fat të keq
Duke e pasur parasysh madhështinë dhe fisnikërinë e profesionit të mësuesit, kemi përshtypje se shumë pak kuptohet ky profesion nga ata që përcaktohen për të. Këtë profesion shumë kush e injoron. Së pari këtë profesion më fisnik nuk e motivon shoqëria (shteti), që ka si pasojë që nxënësit më të mirë të mos orientohen; së dyti në këtë profesion te shumica mungon shëmbëlltyra morale dhe cilësitë e karakterit; së treti ai, i cili e ka kryer këtë profesion nuk mendon në përsosjen e mëtutjeshme të tij profesionale, por mendon më shumë në ndërrimin e profesionit sepse i është i përbuzur si një vegël pa vlerë.
Ai sot është i nëpërkëmbet nga shteti, partia, sindikata, nxënësi, prindërit atë askush nuk mbron, por atë e faksojnë për çdo reformë që nuk ka sukses.
Vetëdija qytetare në kohën e sotme ende nuk ka arritur që ta vlerësojnë rolin e madh të mësuesit në ndërtimin e një shoqërie të drejtë .Se sa rëndësi ka mësuesi më mjafton të citoj thënien e filozofi kinez Konfuci i cili thotë se “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk kanë masë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura