DR.EMIN KABASHI: POPUJT QË NUK LUFTOJNË PËR LIRI, ZHDUKEN

Pashtriku, 6 tetor 2020: Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë, 2008)
* Një sprovë për studimin e Lëvizjes kombëtare në Kosovë.
* Veprimtaria ilegale dhe mundësitë e ndikimit në shtresat e ndryshme të popullit.
* Karakteri çlirimtar i veprimtarisë ilegale të grupeve.
* Rrethanat historike në të cilat vepruan grupet ilegale dhe jeta e brendshme e popullit shqiptar të Kosovës.
* Demonstratat e vitit 1968 dhe hyrja në rrugën e luftës së armatosur.
* Demonstratat e vitit 1981- zë i artikuluar i lëvizjeve për liri në Evropën e asaj kohe.
* Vrasja e demonstruesve –shenjë e ardhjes së luftës çlirimtare të shqiptarëve të robëruar, si veprim legjitim historik.

***
Çështje të metodologjisë së shkrimit
Vepra voluminoze e Mehmet Hajrizit, përveç të tjerash, dëshmon për dy anë të metodologjisë që ka ndjekur autori në hartimin e saj. Së pari, ai e thotë vetë se të shumtën e herëve nuk ka bërë analizimin, shqyrtimin dhe komentimin e të dhënave të shumta, qoftë të dokumenteve burimore për lëvizjen ilegale të këtij grupi, qoftë të burimeve të tjera, por ka ofruar dëshmi në mënyrë që lexuesi në mënyrë të pavarur të gjykojë për tërësinë dhe shtrirjen e çështje për të cilat ka folur autori. Do të thotë, autori nuk ka ngurruar të sjellë sa më shumë fakte të dorës së parë, duke besuar se vetëm ato bëjnë të vërtetën historike, për të cilën ndoshta asnjë fushë e dijes nuk ka nevojë më shumë se sa historia jonë, kudo që të jetë shkruar, andej apo këndej kufijve të Shqipërisë politike.
Së dyti, Mehmet Hajrizi në veprën e tij, duke u marrë me ngritjen, punën 12 vjeçare dhe shuarjen e grupit, i ka krijuar vetes hapësirë të merret edhe me çështjen e Kosovës, si edhe me çështjen e pazgjidhur shqiptare, por edhe me rrethanat historike nëpër të cilat kishin kaluar jo vetëm rrafshet historike të këtyre dy pjesëve të të njëjtit komb, por edhe ato me përmasë ndërkombëtare. Kjo qasje i ka mundësuar autorit të shqyrtojë burime të ndryshme historike, të dorës së parë dhe të dorës së dytë, të marrë nëpër duar lëndë arkivore të disa fushave të ndryshme të dijes, të sistemojë lëndë dhe dokumente shkrimore dhe lëndë të mbamendjes, që hapin shtigje të tjera mundësish edhe në planin e interpretimit, por edhe në planin e gjykimit. Sido që të jetë, vepra e Mehemt Hajrizit dëshmon për këmbënguljen në dokumentimin dhe argumentimin e materialit shkrimor që ka sjellë në këtë vepër.

– Mehmet Hajrizi –

Lexuesi mund të mendojë se shtruarja e tërë kësaj lënde historike kapërcen caqet e përkufizimit të temës, por pasi të shfletohet dhe të lexohet materiali, mund të bindet se ka një ecuri të natyrshme të mbarështimit të lëndës, e cila i ka dhënë dorë të krijojë një vepër origjinale në planin e shqyrtimit të një pjese të historisë sonë, ose të shkruar me ngarkesa ideologjike, ose të heshtur fare. Mendoj se kjo është njëra prej meritave themelore të kësaj vepre dhe të autorit të saj, z. Mehmet Hajrizi.
Një sprovë për studimin e Lëvizjes kombëtare në Kosovë
Duke u marrë me të dhënat e bollshme, kryesisht të dhëna burimore për veprimtarinë e organizatës në fjalë, autori ka arritur të krijojë një sprovë të mirëfilltë shkencore për studimin e mëtejmë të historisë sonë kombëtare në përgjithësi, si dhe të një pjesë të kësaj historie që ka të bëjë me jetën e brendshme të popullit shqiptar të Kosovës, në veçanti.
Ngase, siç shihet edhe nga kjo vepër, periudha të tëra të jetës së brendshme historike të popullit shqiptar të Kosovës, janë parë vetëm nga një anë e saj, nga ajo që quhet histori zyrtare, ose thënë më saktë, nga ajo qasje e shkrimit të historisë, e cila ka folur vetëm për rrethanat e jashtme dhe pasojat që kanë pasur ato rrethana për jetën historike të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera jashtë kufijve të Shqipërisë politike.
Vepra e Mehmet Hajrizit dëshmon katërçipërisht se me historinë tonë, jo vetëm ka ndodhur diçka e dhunshme, por edhe me shkruesit e saj ka ndodhur një shpëlarje truri, që ishte karakteristikë e shkrimeve ideologjike, gjë që ka ndikuar aq negativisht në krijimin e bërthamës së dijes kombëtare në fushën e historisë. E dihet tashti më kaherë, historia e një populli nuk është fushë e e zbulimeve teknologjike, që të mos hetohet prania e përmasës kombëtare të pjesëmarrësve nëpër ngjarje të caktuara.
Veprimtaria ilegale dhe mundësitë e ndikimit në shtresat e ndryshme të popullit
Vetëm popujt e robëruar që bëjnë përpjekje për lirinë e tyre, kërkojnë rrugë, mundësi dhe mënyra për të manifestuar kërkesat e tyre. Prandaj, ato janë të ndryshme,varësisht nga rrethanat historike në të cilat jeton akëcili popull. Rrjedhimisht, edhe për popullin shqiptar të Kosovës, këto rrethana historike, nëpër të cilat bëhej përpjekje për të vënë në lëvizje kërkesat për liri dhe barazi, ishin të ndryshme. Mirëpo, siç u tha më sipër, për këto rrethana dhe për ndërvarshmërinë e tyre me faktorë të tjerë, rajonalë, evropianë dhe botërorë, është folur dhe është shkruar vetëm për jetën e jashtme historike, pra vetëm për manifestimin e tyre të kushtëzuar nga këta faktorë të jashtëm dhe nga këto rrethana të jashtme.
Vepra e Mehmet Hajrizit mëton të shpalojë edhe jetën e brendshme historike të këtyre veprimtarive ilegale, duke e shkrirë atë në tërësinë e jetës historike të popullit shqiptar, pa marrë parasysh ndarjet e dhunshme nga kufijtë politikë që kishin caktuar qendrat vendosjes. Prandaj, autori e ka dhënë më të plotë se kushdo tjetër deri tashti, edhe mundësinë e ndikimit të kësaj veprimtarie ilegale në jetën e brendshme të shtresave të ndryshme shoqërore të popullit shqiptar të Kosovës.
Karakteri çlirimtar i veprimtarisë ilegales shqiptare
Duke u mbështetur në të dhëna burimore të jetës dhe të veprimtarisë së këtij grupi, por edhe të grupeve të tjera ilegale, autori ka vërtetuar karakterin çlirimtar të veprimtarisë së tyre, përkundër ngarkesave ideologjike që mund të kishin, përkundër emërtimeve që ishin pjellë e rrethanave kohore dhe historike, përkundër propagandës së madhe që bënte edhe pushtuesi ynë, ish- Jugosllavia dhe ish- Serbia, si dhe përkundër ndikimit që kishte kjo propagandë antishqiptare te rrethe të caktuara të politikës që bëhej në Kosovë, por aq më keq, edhe të shkrues të ndryshëm për rrjedhën historike të këtyre ngjarjeve. Andaj na duket e drejtë mënyra si e ka konceptuar autori edhe rrjedhën e ngjarjeve të demonstratave të vitit 1968, edhe të atyre të vitit 1981, por edhe ndërlidhjen e tyre me ngjarjet që sublimuan me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mendoj se kjo mënyrë e qasjes e ka shpëtuar autorin nga njëanshmëria e shtruarjes së çështjeve, të cilat në shtresimin e tyre, kapërcejnë jo vetëm veprimtarinë e grupeve ilegale, por edhe përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës, ngase janë çështje me përmasë kombëtare.
Rrethanat historike në të cilat vepruan grupet ilegale dhe jeta e brendshme e popullit shqiptar të Kosovës
Duke u marrë me veprimtarinë, me rrethanat e brendshme dhe të jashtme në të cilat zhvillohej veprimtaria e këtij grupi të ilegales shqiptare, autori ka shpaluar, në njërën anë, rrethanat historike në të cilat vepronte kjo ilegale, kurse në anën tjetër, ka shpaluar më bindshëm se askush tjetër deri tashti, edhe jetën e brendshme të popullit shqiptar të Kosovës në këto periudha kohore. Duke krijuar raporte të këtilla ndërvarëse në planin e shpalimit të kësaj veprimtarie, autori ka mundur të prekë edhe çështje të kërkesave të këtyre grupeve, që të studiuara shkoqur nga jeta e brendshme e popullit shqiptar të Kosovës, duken si veprime anarkike, të paorganizuara, apo në rastin më të zakonshëm, ashtu si i cilësonte propaganda politike e asaj kohe, si veprimtari e grupeve të vogla armiqsh të brendshëm. Mendoj unë, shtresimi i saktë i këtyre anëve të veprimtarisë së ilegales shqiptare, i ka dhënë dorë autorit që të projektojë saktë edhe kërkesat e jetës së brendshme historike të kësaj pjese të popullit shqiptar, të shpaluar përmes veprimtarisë së ilegales shqiptare të Kosovës.
Demonstratat e vitit 1968 dhe hyrja në rrugën e luftës së armatosur
Kësisoj, prandaj, duket e natyrshme mbajtja e demonstratave të vitit 1968, që siç e ka cilësuar saktë autori, në njërën anë kishte rritur iluzionet se do të realizohej bërja e republikës, që ishte njëra nga kërkesat themelore të demonstruesve, kurse në anën tjetër kishte sforcuar iluzionet e atyre pushtetarëve shqiptarë që mendonin dhe vepronin, thuajse u ishte rrënuar hisja e baballarëve të tyre, apo u ishte marrë e drejta e tyre për të qenë shtetas të ish-Jugosllavisë.
Qoftë vetëm për shpalimin e këtyre iluzioneve, përmes fakteve dhe burimeve të dorës së parë, që ka sjellë autori, trajtimi i ngjarjeve të vitit 1968, veçmas i kësaj pjese të jetës së brendshme historike të popullit shqiptar të Kosovës, del origjinal dhe del për herë të parë i shqyrtuar në këtë mënyrë.
Demonstratat e vitit 1981- zë i artikuluar i lëvizjeve për liri në Evropën e asaj kohe
Një pjesë të madhe të veprës së tij, autori Mehmet Hajrizi i ka kushtuar ngjarjeve të vitit 1981, rrjedhimisht Demonstratave historike të këtij viti. Duke lënë anash mëtimin e autorit që të gjejë rrafshe ngjashmërish me lëvizjet e tjera, në ish-Jugosllavi, apo gjetiu në vend të ndryshme të Evropës, duke lënë anash argumentet që ka marrë nëpër duar për të krijuar një pasqyrim real të rrethanave dhe të kohës së atyre ngjarjeve, duke lënë anash aspekte të ndryshme të shqyrtimeve që u kanë bërë historianët këtyre ngjarjeve dhe këtyre rrethanave, autori ka konstatuar me të drejtë se demonstratat e vitit 1981, përveç të tjerash, ishin artikulim i kërkesave për liri, në kuadër të Evropës së asaj kohe, e cila ende nuk kishte vesh për të dëgjuar kërkesat për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera të ish-Jugosllaisë, në një anë, si dhe ishin ngjarje që kishin krijuar shenjat e kujtesës historike me përmasë kombëtare, të cilat pas një çerek shekulli, me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të bëheshin pjesë e vënies në rendin e ditës të çështjes shqiptare, e cila ende është e pazgjidhur, apo e cila po merr përmasë të zgjidhjes por nëpër rrugë të tjera historike, nga të cilat është krijuar. Një fakt mbetet i pa ndryshuar, që e konstaton edhe vepra e autorit Mehmet Hajrizi:
Çështja shqiptare, si çështje me peshë evropiane, ishte krijuar pas luftërave shumë të përgjakshme, andaj edhe ishte venë në skenën e historisë për t’u zgjidhur, po ashtu pas luftërash çlirimtare shumë të përgjakshme. Qoftë vetëm për këtë qasje të drejtë ngjarjeve të vitit 1981 dhe përmasës së tyre kombëtare, kjo vepër e Mehmet Hajrizit, jo vetëm kapërcen qasjen dhe trajtimin e veprimtarisë së një grupi të ilegales shqiptare, por bëhet një analizë e suksesshme e tërësisë së jetës së brendshme historike të popullit shqiptar të Kosovës, pa të cilën nuk mund të shkruhet drejt dhe tërësishëm historia e popullit shqiptar në përgjithësi.
Prandaj, mund të thuhet, vrasja e demonstruesve, vjen e bëhet shenjë e ardhjes së luftës çlirimtare të shqiptarëve të robëruar, si veprim legjitim historik, që realizohet përmes Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dy fjalë për gjuhën e veprës
Unë e kam lexuar në dorëshkrim veprën Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, të Mehmet Hajrizit, por mund të them me përgjegjësi: Se, autori ka përdorur një gjuhë të qartë, të rrjedhshme dhe mendimet i ka formuluar shqip. Se, autori mendimet dhe përkufizimet për të gjitha çështjet që ka trajtuar ka përdorur një gjuhë, ku mendimet dhe përkufizimet janë dhënë të sakta dhe të qarta. Se, autori ka përdorur një fjali të zhdërvjelltë në planin e mbarështimit të lëndës, gjë që i ka mundësuar të jetë plotësisht i kuptueshëm. Se, në fund, gjuha e kësaj vepre të autorit ka shpëtuar nga ajo ngurtësia e formulimit për të dhënat dhe burimet shkencore, andaj lëngu gjuhësor e bën të komunikueshme veprën për të gjitha shtresat e lexuesve.
Prishtinë, Më 25. 4. 2008

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura