DR.ERMIRA YMERAJ: ANTI-HEROINË APO HEROINË FEMRA KONGOLIANE?

Shkodër, 20 shtator 2019:

 

 

 

 

Për sesionin shkencor “ROMANI SHQIPTAR (1990-2010)”,
“JAVA E ALBANOLOGJISË”
Dr. Ermira Ymeraj
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës
[email protected]

Anti –heroinë apo heroinë femra kongoliane?
Argument: “Shthurja” e variantit tradicional në ndërtimin e heroit letrar femër te Kongoli, ka të bëjë me përthyerjen e disa entiteteve brenda të njëjtit personazh, që sjell “copëzimin” e figurës së protagonistit. Kemi vënë re se personazhi nuk mbushet me tiparet e heroit letrar tradicional, me atribute identitare për t‟u kthyer në një heroinë të qëndrueshme. Përkundrazi, autori i ndërton heroinat nëpërmjet atributeve asnjanëse e negative. Femrat kongoliane kategorizohen nëpërmjet: mungesës së guximit, forcës, trimërisë, janë mbartëse të veseve të tilla si: egoizmi, padija, fanatizmi, mbartëse të atributeve negative, si amoraliteti, lakmia, apo atributeve neutrale, si konfuzioni, vetë-urrejtja, etj. Antiheroi në letërsi mund të jetë personazh kompleks, i vështirë në dekodifikim, pasiv, i ftohtë emocionalisht, etj., ndaj edhe mund të konsiderohet si “hero” i dështuar ose i shëmtuar. Duke parë këtë ndryshim të konceptit të personazhit mund të pyesim: Heroinë apo antiheroinë femra kongoliane?
Fjalë kyçe: shturja, hero, anti-hero, dukuri psikike, e shkuara traumatike.

Heroi është një krijim i artit narrativ dhe çdo traditë narrative identifikon heroin e vet në ngjyrat e veta nacionale. Endokosmosi i heroinës së Kongolit është afër konceptit të Alen Rob-Grije për personazhin: ai është njeri që mendon, që ndjen, që sheh, që ekziston në hapësirë dhe kohë, që kushtëzohet nga pasionet e veta. Po ashtu nuk është larg konceptit të heroit sipas Bahtinit: heroi, nuk duhet të jetë trim, as në kuptimin epik, as tragjik të kësaj fjale. Ai duhet të ketë cilësi pozitive e negative, të larta e të ulta, komike e serioze, duhet të paraqitet jo si i përfunduar e statik, por si personazh që shfaqet, ndryshon e edukohet nga jeta. Në narratologji,
heroi është ai për të cilin flitet, nga i cili nisemi për të reflektuar dhe kuptuar botën që e rrethon, duke hyrë në endokosmosin e tij dhe duke e bërë atë, të arsyetojë mbi indokosmosin. Edhe pse romanin shqiptar të pas 90-ës, do të mund ta konsideronim si roman i çlirimit tematik, artistik dhe estetik, prapë do të mund të themi se në disa raste, ai u ndërlidh me idetë e socrealizmit, që kufizonte dukshëm tematikën, duke shfaqur kështu rrudhjet e veta artistike si dhe ndryshime në horizontin e receptivit dhe në kategorinë e personazhit.
Përballë larmisë së madhe të personazheve, të kësaj periudhe, mendojmë se vihet re, gjithnjë një vijë ngjitëse nga njëri drejtim, rrymë, formacion stilistik, fenomen letrar, rrëfimtar a periudhë letrare. Në këtë kënd, edhe personazhi letrar femër, zë një vend shumë të rëndësishëm. Kategoria e këtij personazhi, me funksion të heroinës problematike, më pak përshkruese, interpretuese, apo mbi-interpretues, shfaqet si shenjë e paradigmës së romanit të Kongolit, duke përcjellë një seri të tërë supozimesh, veçanërisht në aspektin e analizës psikologjike.

Fatos Kongoli

Heroina fiction e Kongolit, në çdo kohë, karakterizohet dhe identifikohet në laboratorin e tij krijues. Kështu, duke e konsideruar karakterin si një krijesë që vjen prej logjikës së krijimit të universit krijues të autorit, vërehet se ai, ndërton modele të ligjësuara nga vetë jeta e përditshmëria reale e pafundme dhe e mundimshme . Heroina – femër e Kongolit, është aksi i fikcionit, me anë të të cilit e masim shkallën e vërtetësisë dhe të autenticitetit. Karakterizimet e heroinës janë të qarta, bartësi i rrëfimit na tregon shenjat e dallimeve të gjendjes civile, gjinisë apo të shtresës sociale. Kongoli pikturon portrete femërore, bën analiza psikologjike që e portretizojnë si karakter, shpesh nënkuptohen me konotacione që i referohen vetvetes , apo përmes kombinimit narrativ të diskursit social dhe të marrëdhënieve shoqërore, të cilat në mënyrë të tërthortë plotësojnë njohuritë tona mbi personazhin.
Kongoli e përqendron vëmendjen në ndodhitë e botës që ai ka krijuar përreth heroinës . Ai i jep personazhit një identitet, të cilin dëshiron ta bëjë të besueshëm dhe të rëndësishëm. Përshkrimi psikologjik i brendshëm, zbulon të kaluarën e një karakteri, zbulon mendimet e tij, sintetikisht, për të organizuar një tablo të detajuar.
Kurse nga aspekti fizik, personazhet femra paraqiten me një trup e me tiparet e veta karakteristike të zgjedhura, piktoreske, por edhe në aspektin e detajeve të veçanta që mund të sugjerojnë tipare. Nga aspekti moral, Kongoli fokusohet në shprehjen e ndjenjave , është i interesuar të depërtojë në manifestimet e tyre, tek shfaqja e fytyrës, dukja e buzëqeshjes, vështrimi i syve apo në gjeste të rëndësishme. Kongoli futet në brendësisë e femrës, dramës e traumës së saj, përditshmërisë e shëmtisë. Ata përfaqësohen përmes dukurive psikike të tilla si: depresioni, frika, ankthi; karakterizohen nga paqëndrueshmëria emocionale ose shterpësia e brendshme. Heroinat e Kongolit pasqyrojnë qenie njerëzore që vuajnë nga paranojat si shenja të “humbjes” ato janë pasive.
Personalitetin e personazhit – hero, e vendos tek një individ i veçantë, duke e bërë atë një kopje të vetme a një specie sociale. Nga aspekti social, femra kongoliane, paraqet një mjedis, një veshje, një vend pune, një status gjuhësor, një ideologji, një etnitet etj. Kështu, ajo bëhet një tip me një tipologji të pasur, ajo lëviz nëpër dy kohë të ndryshme, pa përjashtuar kontekstin psikologjik, social dhe historik, brenda rrjedhës së zhvillimit të përgjithshëm të letërsisë.
Heroina kongoliane, lëviz brenda tranzicionit dramatik të shoqërisë shqiptare, ajo është jo heroikja pas 90 – ës që tregon historinë e kësaj kohe .
Në këtë kontekst, kategoria e personazhit femër është një karakter, një portretizim, më pak se një karakter historik, ajo shfaqet si funksion i ekzistencës.
Në modernitetin e tij, mendojmë se Kongoli, ka thyer kufijtë tradicionalë të formësimit të personazhit – hero. Heroina e tij, ka cilësitë e veçoritë e saj në karakter, në natyrën e saj psikologjike e enigmatike me përmasa të pakufishme. Me këto heroina pasurohet përvoja njerëzore si qenie shoqërore, shpirtërore, ajo, zgjerohet e thellohet edhe si personazh letrar, duke zgjeruar lirinë e shprehjes, në veprimtaritë të saj të pakufishme humane e shoqërore dhe të shfaqjeve të pasura psikologjike e shpirtërore.
Ky personazh, duke u zgjeruar, duket se nuk i ruan lidhjet me karakterin tradicional të letërsisë, po në fakt nuk e ka humbur asnjëherë identitetin e saj, ajo formësohet e forcohet si identitet letrar e artistik. Ajo nuk është heroina historike, po është një personazh kulturor në përgjithësi, i përket shtresave të ndryshme, për nga intelektualiteti, është heroina e rëndomtë, që tregon historinë e një kohe, që vazhdon ende me emëruesin dëftor të tranzicionit shoqëror. Në kohën e britmave të brendshme, ajo merr guximin, të vetidentifikohet.
Kjo heroinë, synon të shqiptojë të vërtetën, në këndin e filozofisë së jetës, në këndin personal, si subjektivitet krijues, edhe atëherë kur ndodhet përballë një dhune të egër psikologjike dhe poshtërimi deri në neveritje të brendshme. Vetdhunimi e dhuna e ushtruar, lë padyshim kuptimin e interpretimit të letërsisë, si luftë ku përballet heroina me anti heroinën .
Anti – heroina – heroinë, humbëse, e pashërueshme, ëndërrimtare, e dobët, me vese, e mbyllur, është e boshatisur nga vlerat e “personazhit me forcë individuale”. Ajo i ngjet anti-heroit të Kamy-së, merr jetë, fiton qytetarinë e ekzistencës së gjithëpranishme perëndimore. Në kontekstin kulturor, tipi i heroinave me përmbajtje anti-heroine, të refuzuar nga shoqëria, synojnë njohjen dhe mbrojtjen, në zona të qytetëruara ende refuzuese dhe mospranuese. Ato janë anti-heroina pa mburojë, që zgjohen përherë me dhimbje, në korridoret e punës, në rrugë, në shtëpi, nuk flasin shumë, që kanë gjithmonë diçka për të harruar e që nuk ia dalin dot, ato janë nën ndikimin e filozofisë ekzistencialiste ku shfaqja e personazhit përballë realitetit zëvendësohet me shfaqjen përballë zhdukjes. Kjo do të thotë, se kjo “heroinë”, me peshën e vet kuptimore, emocionale e “intelektuale”, përfaqëson një qenie me një psikikë të brishtë, që tkurret, zvogëlohet e humbet, gjersa metamorfozohet në një qenie të ndyrë a të shëmtuar. Janë “heroina” skizofrene, që ushqehen nga burime të shumta, e para është frika, që merr jetë nga e shkuara, dhe imazhit dhe marramendjes, që sjell me vete një shoqëri, që e konsumon individin, qenien. Parashqevia është heroinë funksionale.
Kemi një personazh femëror në rolin e narratorit dhe protagonistes. Ky personazh vjen nga shtresa e “njerëzve të humbur” pasi kanë kaluar përvoja traumatike, e vuajnë me dhimbje një ekzistencë pa kuptim dhe pothuaj pa motive bindëse për ekzistencë, ku mendimi i vetëvrasjes është më i rëndë se vetë vrasja. Ajo është e vetmuar, në aspektin fizik dhe shpirtëror. Nuk ka familje dhe është e izoluar. Ndjehet inferiore ndaj të tjerëve dhe si e tillë është e përjashtuar. Nuk ka ndonjë formim fetar apo kulturor. përveç kësaj vuan nga ndjenja se është e shëmtuar edhe fizikisht, vuan nga fakti se ushqen një prirje seksuale të panatyrshme ndaj gjinisë femërore. Për shkak të këtyre problemeve ajo ka një shkallë të ulët vetëvlerësimi, si një qënie në shkallën zero të zhvillimit mendor. Ndryshe nga personazhet e tjerë ajo e ka shumë të zhvilluar ndjenjën e solidaritetit dhe të përkujdesjes për të tjerët. Por edhe këto janë shenja të një reflektimi absurd të ekzistencës dhe neverisë ndaj jetës. Shpesh ato burojnë nga përvoja traumatike që ka pësuar personazhi nga e kaluara: vdekja e Anës, mikës së saj nga një plumb qorr, përdhunimi nga një bandë meshkujsh si dhe vrasja e dy vëllezërve në ngjarjet e vitit 1997, pastaj jeta e mbyllur në vilë duke iu shërbyer dy pleqve të vetmuar dhe të sëmurë, duke parë shkatërrimin e përditshëm të jetës dhe të fizikut të tyrte etj. Pra, vërtet shumë prej meditimeve dhe reflektimeve të personazhit afrojnë me meditimin ekzistencialist mbi absurdin e ekzistencës, por shkrimtari në vijimësi ka preferuar që këto reflektime e meditime t’i motivojë edhe përmes rrethanës sociale-politike të ngjashme me realitetet e tranzicionit shqiptar. Ky tip personazhi është viktimë e dukurive që përshkuan tranzicionin e vitit 1997, nuk është thjesht njeriu, qenia moderne me dilema dhe dyshime ekzistenciale, por qenia e dhunuar barbarisht, e tronditur në thellësi të identitetit të saj aq sa jeta është e neveritshme për të. Një pjesë e mirë e rrëfimit është një retrospektivë mbi përvojat traumatike të së kaluarës, përvojë e cila eklipson jetën e tashme të personazhit. Parashqevia, femra me prirje seksuale të panatyrshme që pëlqen seksin me femrat dhe meshkujt. Në këtë aspekt Kongoli tenton të sjellë në vëmendje ‘personazhin e përjashtuar” dhe ‘të përsekutar” për shkak të këtyre prirjeve. Në shoqërinë shqiptare kjo kategori e njerëzve jo rrallë bëhet objekt i paragjykimeve dhe sulmeve, siç ndodh me Parashqevinë e cila për shkak të marrëdhënies që kishte me Anën, pas vdekjes së saj megjithëse nuk kishte asnjë faj ajo bëhet objekti i një përdhunimi kolektiv nga një bandë që prihet nga vëllai i Anës. Në rrëfimin e saj mbi jetën e çiftit të pleqve që banojnë në vilë kemi disa motive: pleqëria, sëmundja, vdekja, solideariteti dhe përkujdesja ndaj njerëzve të moshuar etj. që e thellojnë mendimin mbi ekzistencën, kuptimin apo absurdin e saj. Në fatin e dy pleqve Parashqevia sheh absurditetin e ekzistencës njerëzore, përballë fotografisë së martesës së tyre ajo konstaton dhe vuan hap pas hapi shkatërrimin e fizikut njerëzor, humbjen e dinjitetit fizik të trupit dhe pastaj vdekjen e tyre.
Marrëdhëniet e saj në dy plane: njerëzore e jonjerëzore, ndihmojnë në krijimin e një shumësie anti-heronjsh. Parashqevia në raport me Dirinën shfaq dimensionin e shëmtuar të neverisë fizike dhe të lakmisë seksuale. Në raport me Rajmondën të motrën, shfaq dimensionin e unit tragjik, me fat të paracaktuar. Parashqevia në raport me Adamin thellon dimensionin anti-heroik. E vdekur shpirtërisht po e gjallë fizikisht, në shtëpinë e pleqve, ajo mbyllet në kutinë e dilemave ekzistencialiste që ushqehen sa nga kriza sociale, aq dhe nga kriza e komplekseve të subkoshiencës. Deformimet me origjinë psikologjike dhe shoqërore, e detyrojnë atë të shkojë drejt Adamit duke shuar impulset lesbike. Edhe në romanin Lëkura e qenit, Marga, Liza, Dolora, Lori Morava, rrotullojmë botën e personazhit, e ndërtojnë dhe e shembin atë. Heroina me mungesë stabiliteti emocional, me pamundësi për të dashuruar, me bjerrja morale dhe shpirtërore që lidhen ngushtësisht. Kongoli, eksploron identitetin e heroinës, përmes perceptimit ndjenjësor, deri në neveritjen e vetvetes. Çdo heroinë dëshmon për hapësirat e ngushta të jetës ku frymon individi i përndjekur nga e shkuara e tij, deri në shfaqjet skizofrenike të mjedisit shoqëror ndaj vesit të heroinës. Kjo heroinë halucinante e lidhur me botën e vogël të së përditshmes, të së zakonshmes, shfaq përvojën e vet nën një terror psikologjik e bosh që veç e tkurr dhe e mbyll në guaskën e saj, duke mbetur larg në kohë, e duke përjetuar Hadin e vet tokësor. E zënë në kurth, me liri të kufizuar, patetike, e shëmtuar, e rëndomtë, e ndrydhur, e urryer, e përdorur, me procese lëvizëse që nisin në ndërgjegje, uni i heroinës veçse përçapet mes dyzimit, fatalitetit, lidhjeve arbitrare të dëshirave dhe zgjedhjeve, duke u kthyer në një heroinë me deformim patologjik, që merr jetë në vetëdijen narrative të vetë personazhit.
Me heroinën e Kongolit, “tronditet” skema hierarkike e vlerësimit mbi personazhin që vjen si trashëgimi e të kaluarës letrare. Kjo “tronditje” shihet në dy aspekte dhe në dy estetikat krijuese, (moderniste dhe postmoderniste).
________________________
DR.ERMIRA YMERAJ: NARRATIVA AUTORIALE …
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=9056

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura