DR.HELTA HEBA: KONTEKSTI SOCIAL DHE PËRKTHYESI NË KOMUNIKIMIN NDËRKULTUROR

Tiranë, 05. 05. 2016: Komunikimi ndërkulturor është shumë delikat dhe kërkon jo thjesht një përkthim gjuhësor mes entiteteve apo kulturave të përfshira në komunikim. Studiuesja e shkencave të komunikimit, Holta Heba nga Universiteti Europian i Tiranës, shkruan se është e domosdoshme që kultura vetë të përkthehet, të bëhet e perceptueshme dhe e kuptueshme. Ajo sjell një mori shembujsh se si elemente të caktuara kulturore apo të antropologjisë dhe sociologjisë kulturore mund të përkthehen për kulturat e tjera.
***
Saktësia e përkthimit dhe interpretimit në komunikimin ndërkulturor është një element parësor në shkëmbimin e mesazheve mes dy apo më shumë kulturave. Kur flitet për saktësi në përkthim, domosdoshmërisht duhet të vihet në plan të parë saktësia për gjetjen e ekuivalencës apo korrespondencës së duhur në komunikimin e dy identiteteve të ndryshme. Kjo saktësi është totalisht në dorën e përkthyesit, por jo vetëm. Të përkthyerit saktë lidhet me rolin e përkthyesit në këtë komunikim por edhe me njohjen e elementeve jogjuhësore, si dhe kontekstit social ku ndodh procesi. Dihet se komunikimi ndërkulturor është arritur të realizohet nëpërmjet shkencës së përkthimit, pasi është e qartë se pa këtë shkencë shkëmbimet ndërkulturore nuk do të mund të ndodhnin. Nuk mundet kurrsesi që të mësohen të gjitha gjuhët e botës. Që me krijimin e jetës njerëzore është dashur të komunikohej mes komunitetesh të ndryshme përkthime dhe interpretime verbale e joverbale. Komunikimi ndërkulturor mbështetet ngushtësisht te përkthimi dhe interpretimi, të cilët janë dy mjete tepër të domosdoshme për krijimin e urës së kalimit të mesazhit me kuptim, nga njëra gjuhë në tjetrën dhe nga njëra kulturë në tjetrën. Përkthimi është një ndër fenomenet më të lashta gjuhësore. Ai është parë si zgjidhje e nevojshme që solli numri i madh i gjuhëve nëpër botë në kohën kur njerëzimi sapo kishte nisur të shtrihej gjerësisht në planetin e quajtur Tokë. Përkthimi ka një meritë të veçantë në komunikimin ndërmjet dy folësve që flasin gjuhë të ndryshme dhe që kanë kultura të ndryshme. Merita lidhet me shkëmbimin e fjalëve që mbartin kuptim dhe transmetimin e saktë të mesazhit ndërmjet dy bashkëbiseduesish apo mes dy identiteteve të ndryshme me traditë, kulturë dhe zakone jo të njëjta.

Në komunikimin ndërkulturor, gjatë procesit të përkthimit, përkthyesit, i lihet dorë e lirë në përzgjedhjen e fjalëve, për të përshkruar konceptet nga gjuha burim në gjuhën shenjë, por kjo dorë e lirë lejohet vetëm duke i qëndruar gjithnjë besnik kuptimit. Një rol të rëndësishëm luan dhe konteksti social, pasi përkthyesi duhet të jetë i vëmendshëm për të dalluar se për cilën kulturë po përkthen dhe është gjithnjë në gatishmëri për të gjetur parametrat e duhur gjuhësorë dhe kulturorë, me qëllimin e vetëm, realizimin e komunikimit. Punën e përkthyesit nuk mund ta bëjë çdo njeri që di dy gjuhë. Përkthyesi duhet të jetë një njohës i mirë i gjuhës dhe kulturës së gjuhës burim dhe gjuhës shenjë. Gjithashtu, përkthyesi duhet të jetë domosdoshmërisht edhe një njohës shumë i mirë i kontekstit social, të cilin përkthen apo interpreton. Në komunikimin ndërkulturor, puna e përkthyesit nuk mund të mbetet vetëm në ekuivalencën linguistike, pasi në këtë mënyrë rrezikohet shumë përcjellja e mesazhit me kuptim. Dërguesi transmeton sinjale te marrësi. Për një njeri që nuk e njeh gjuhën – burim të mesazhit, këto sinjale nuk gjejnë kuptim, prandaj është e domosdoshme ndërhyrja e përkthyesit, i cili përveçse arrin t’i përvetësojë, i kthen në fjalë me kuptim për marrësin e mesazhit. Si e bën ai këtë? Sigurisht duke gjetur parametrat e saktë verbalë dhe joverbalë, si dhe duke llogaritur domosdoshmërisht edhe kohën apo kontekstin social ku ndodh përkthimi. Duke patur parasysh të gjithë elementet e mësipërme, përkthyesi duhet të jetë gjithnjë i mprehtë që të realizojë një komunikim të arritur. Ai duhet të njohë jashtëzakonisht mirë gjuhën dhe kulturën e gjuhës burim dhe mjaft mirë gjuhën dhe kulturën e gjuhës shenjë. Gjithashtu duhet të njohë mjaft mirë edhe periudhën apo kontekstin social për të cilin përkthen. Nuk mund të anashkalohet edhe gjendja e brendshme apo bagazhi konjitiv i vetë përkthyesit.
Si arrihet të gjendet fjala e duhur në momentin e duhur?
Sigurisht që nuk është një vështirësi e madhe për një përkthyes profesionist, por në situata të ndryshme, vështirësia mund të bëhet edhe e mundshme apo në një shkallë të lartë.
Kjo gjë ndodh zakonisht gjatë përkthimeve kulturore të traditave apo zakoneve të një populli apo përditshmëria ose zhargoni popullor i një identiteti të caktuar. Një shembull i përkthimit të saktë të një realiteti social në Shqipëri është dhe ngrënia e pilafit me paçe që bëjnë shumë shqiptarë gjatë udhëtimeve të tyre të gjata. Si mund t’i shpjegosh një të huaji, për shembull se në Shqipëri është bërë e udhës që kur njerëzit nisen për pushime në jug, në disa ndalesa gjatë rrugës, ndalojnë për të ngrënë paçe e pilaf? Në kulturën popullore apo le ta quajmë në traditën e kontekstit social të tanishëm të shqiptarëve, ngrënia e pilafit me pak paçe sipër është i domosdoshëm për mbledhjen e stomakut, në mënyrë që të mos ndjesh përzierje gjatë një udhëtimi të gjatë. A mundet ta kuptojë këtë një francez, mëngjesi i të cilit gjatë një udhëtimi të gjatë është vetëm një briosh dhe një gotë qumësht? Situata e sipërpërmendur lidhet ngushtësisht me faktin se realitete të ndryshme përkthehen sipas situatave të ndryshme. Sigurisht që një përkthyes e ka të thjeshtë të përkthejë gjithçka përshkruhet më sipër me termin “ushqim”. Por nëse do të duhej një përkthim më i imtësishëm, përkthyesi është i detyruar të shpjegojë në detaje përdorimin e këtij ushqimi apo pse frekuenca e përdorimit të këtij ushqimi gjatë udhëtimeve dhe shpeshtësia e lokaleve që servirin këtë ushqim është e një shkalle të lartë. Atij i duhet të përkthejë duke shpjeguar në mënyrë që mos të krijohen keqkuptime apo moskuptime në komunikim, sepse jo më kot një komunikim i arrirë ndërkulturor realizohet vetëm atëherë kur ekziston kuptimi. Dihet se perëndimori që mund të ketë ardhur për të vizituar jugun e Shqipërisë nuk është i detyruar të prishë traditën e tij të të ushqyerit në mëngjes apo gjatë udhëtimeve, por nëse do të dojë të përshtatet me kulturën që po viziton, përse mos ta provojë. Theksohet termi përshtatje, pasi gjithnjë kur përmendet komunikimi, është e ditur se brenda tij ka një marrëveshje të zëshme apo të pazëshme, të shkruar ose jo, të thënë apo të pathënë me fjalë dhe veprime, me qëllimin e vetëm komunikimin e saktë. Një shembull tjetër që tregon se sa i saktë dhe i mprehtë duhet të jetë përkthyesi në komunikimin ndërkulturor është edhe përkthimi apo interpretimi i situatës në rastin e një vdekjeje në Shqipëri. Një indian, i cili përjeton situatën e vdekjes së dikujt në Shqipëri. Sigurisht që gjëja e parë që do ta bëjë të pësojë një shok kulturor është veshja e grave me të zeza, pasi dihet që fenomeni i zisë në Indi përjetohet nga njerëzit në veshje me të bardha. Ndërhyrja e një përkthyesi të aftë që njeh mirë dy kulturat komunikuese, do të bëjë të mundur që indiani të kuptojë se i njëjti fenomen që në gjuhën dhe kulturën shqiptarë shprehet me të zeza, në gjuhën dhe kulturën indiane shprehet me të bardha. Shkalla e vështirësisë në shpjegim do të jetë edhe më e madhe nëse indiani nuk do të jetë i pranishëm në të ashtuquajturën vaki, por thjesht një lexues i një vepre shqiptare ku po flitet për fenomenin e vdekjes dhe gjithë ritualin e saj. Katastrofike do të ishte rasti, nëse indiani krejt papritur shfaqet në këtë vaki me veshjen e tij sipas zakoneve indiane. Do të shkaktoheshin keqkuptime nga të dyja palët që do të ishin në proces komunikimi. Do të kishte gjithçka përveç komunikimit të arrirë. Do të shkaktoheshin, keqkuptime vetëm nga moskuptimi. Ky i fundit do të ishte derivues i një përkthimi apo interpretimi të pasaktë të situatës së caktuar. Sigurisht në këtë rast, përkthyesi është i detyruar të shtojë dhe të shpjegojë qoftë edhe duke përdorur thonjëzat apo kllapat shpjeguese se ngjyra e zezë në kulturën dhe traditën e shqiptare shpreh dhimbje dhe ngjyra e bardhë shpreh gëzim dhe hare. Ndryshe nga kultura indiane, ku këto ngjyra përdoren në situata të kundërta. Mprehtësia e përkthyesit dhe gjetja e ekuivalencave dhe korrespondencave të sakta në përkthimin e kontekstit social të caktuar, e ndihmon indianin të kuptojë vërtet situatën, por ndihmon edhe realizimin e përcjelljes së mesazhit me kuptim nga njëri identitet në tjetrin. Një gjuhë e përdorur jo mirë dhe jo saktë nuk do të mund të transmetojë asgjë të kuptimtë. Në një komunikim është e rëndësishme përcjellja e mesazhit më me kuptim nga një kulturë në tjetrën, ku në kanalin e mesazhit nga mesazhmarrësi te mesazhdhënësi, një rol tepër të fuqishëm luan përkthyesi dhe konteksti social në të cilin ndodh komunikimi. Komunikimi ndërkulturor nuk realizohet vetëm duke u përkthyer kodi gjuhësor, por edhe ai kulturor, si dhe duke u marrë parasysh fakti se në cilin vend dhe në çfarë periudhe po ndodh shkëmbimi i mesazhit.

___________
Dr. Holta Heba Universiteti Europian i Tiranës.
Ka mbaruar studimet universitare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, me titull “Përkthyes dhe interpret” dhe mban gradën “Doktor i shkencave” në Shkencat e Komunikimit. Aktualisht është e angazhuar në Departamentin e Komunikimit dhe marrëdhënieve publike, si dhe mban postin e Sekretares së Përgjithshme në të njëjtin institucion. https://www.youtube.com/watch?v=0B2F0V6RToY

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura