GJOKË DABAJ: MIDIS NJERËZISH TË MIRË, NË NJË DITË TË KEQE

Durrës, 10. 07. 2012 – Miku im, Sheradin Berisha! Po dua këtë herë të të rrëfej një përjetim timin tepër tronditës. Në fisin tim (në atë pjesë që jeton në rrethinë të Ulqinit, sepse fisi im është shumë i shpërndarë), na u vetëvra një djalë. Udhëtuam natën. Mbërritëm në të gëdhirë, për të marrë pjesë në hidhërimin e madh. Një natë më parë kishin ardhur aty për ngushëllime më shumë se 1000 vetë. “Ka ardhur krejt Ulqini.” Kështu thoshin të afërmit tanë. Duhej pritur në radhë, për të hyrë në dhomën ku bëhej homazhi.
Edhe në ditën kur do të bëhej varrimi, erdhën ngushëllues pa mbarim. Ishin shumica shqiptarë. Myslimanë edhe katolikë. Një pjesë e tyre, gjithashtu shqiptarë, vinin edhe prej Tivarit. Por kishte edhe malazezë, kish myslimanë sllavishtfolës, që ne u themi goranë, kish madje edhe ndonjë sërb apo sërbe, vendosur në bregdetin tonë që në kohën e Jugosllavisë. Erdhën kryetarë e përfaqësues të partivet e organizatavet shqiptare, si dhe përfaqësues të sportit, sepse i ndjeri pat qenë edhe trjaner në klubet sportivë të Ulqinit. Ishte, pra, një ditë mordi, e ngjashme me shumë të tjera që po i ndodhin sot etnitetit tonë, Kombit tonë, në të 4 anët e Dheut.

……………………………………

Fotogaleria nga Shestanit. Më gjerësisht vizitioni portalin:
http://shestani.weebly.com/index.html

_________________________________

Mua më ngarkoi familja e të ndjerit për të mbajtur fjalimin e përmortshëm. Ndonëse me shumë vështirësi, sepse njeriu nuk di ç’të thotë në të tillë raste, e sajova fjalimin tim, duke u munduar të flas sa më shkurt. E lexova fillimisht shqip, në shqipen letrare, jo dialektore, pastaj, për luajalitet dhe për shkak se aty gjendeshin shumë njerëz që nuk dinin shqip, e lexova të njëjtin tekst edhe në sllavisht.
Në minutat mbas kësaj pjese të cermonisë, shumë prej pjesëmarrësvet m’u afruan dhe shprehën një lloj miratimi të veçantë lidhur me fjalën që pata mbajtur. U vinte mirë. Edhe në mbyllje të ceremonisë mortore, kur ne rrinim në rresht, vija re në sytë e tyre një lloj shkëlqimi të posaçëm. Po ashtu, edhe te shtërngimi i dorës më dukej se kish një lloj përmbajtjeje domethënëse, një lloj përzemërsie të veçantë. Pati madje edhe nga ata që më thoshin, s’di për ç’arsye, “të ngiattë Zoti jetën”.
Tani kam 2 a 3 ditë që rri e mendoj për ata njerëz. Janë njerëz të mirë, por janë thuajse krejtësisht të braktisur. Shkollat, disa i kanë shqip, por disa jo. Edhe kishën dhe xhaminë, disa i kanë shqip, këta të Ulqinit, ndërsa të tjerët, ata të Tivarit, ndonëse janë shqiptarë, edhe kishën, edhe xhaminë i kanë në gjuhë të huaj. Të vetmit institucione që i bashkojnë këta njerëz, janë lindjet, fejesat, dasmat dhe mordet. Por, në ata evenimente, ata janë thuajse përherë të përzier, sepse e tillë është përbërja dhe i tillë është shteti. Nuk themi se ka gjë të keqe, kur secili e ruan atë të vetën, por e keqja, e pakëndshmja, madje, po të mendosh më thellë, tragjikja, vjen kur vë re që një pjesë e shqiptarëvet nuk po e ruan të vetën.
Në këtë mord, psh kish nga ato gra që, ndonëse janë me përkatësi shqiptare, krejt shqiptare, pa asnjë përzierje, e qanin të vdekurin në gjuhën sllave. Kjo dukuri tashmë nuk shpreh harmoni midis etnivet. Kjo dëshmon nënshtrim të njërit etnitet ndaj tjetrit.
Një tjetër rast, dukuri gati sarkastike, që duhet shënuar, është ai i një plaku gati 90-vjeçar. Ai është njëri prej kundërshtarëvet më të dalluar të shqiptarizmës në rrethet e Tivarit. Megjithatë, në ritin mortor nuk u shpreh dot, nuk mundi të shprehet në gjuhën sllave, por foli shestanisht, dmth shqip: “O i mjeri unë për ty!” Ky plak, doemos, duhej të kish qenë më i mençur në jetën e tij dhe duhej ta ruante gjuhën dhe traditën e vendit në të gjithë aspektet, jo vetëm në një formulë mortore.
Prandaj, mendoj unë, edhe sytë e pjesëmarrësvet shqiptarë, edhe ai shtërngimi i veçantë i duarvet, shprehnin dhe kërkonin, qoftë edhe prej meje, për të bërë diçka. Ata kanë nevojë të ngutshme për një institucion me tipare qartësisht kombëtarë, i cili të vihet, jo kundër, por përkrah kishës, xhamisë dhe shkollës, aty ku ato funksionojnë në gjuhën shqipe, dhe, atje ku predikimi fetar dhe mësimi në shkolla bëhen në gjuhë të huaj, ky institucion ta plotësojë boshllëkun e krijuar. Kjo, m’u duk mua, ishte puna më e ngutshme që i duhej ofruar asaj popullsie. Punë e ngutshme, në të cilën duhet të marrë pjesë jo 1 apo 2 eksponentë të atdhedashurisë, por, që të gjitha pjesët e vetëdijshme të Kombit tonë, të organizuara sa më mirë të jetë e mundshme. Shumica e atyre njerëzve, as që e përdorin internetin. Edhe në e përdorshin, kushedi se në ç’adresa e në ç’kanale e hapin. Televizionet i shikojnë, por edhe ata i hapin sipas prirjevet përkatëse partiake kryesisht në gjuhën në të cilën i kanë kryer shkollat. Një mundësi për t’u mbledhur diku, për të dëgjuar muzikë thjeshtë shqiptare, për të parë e dëgjuar ngjarje e reportazhe nga vise të ndryshëm të Atdheut tonë, për të folur vetëm shqip e për të lexuar vetëm shqip, i duhet dhënë, i duhet krijuar asaj popullsie. Përndryshe, atë pjesë të Kombit tonë s’e pret tjetër, veçse rrëgjimi dhe ngushtimi i pandalshëm. Unë nuk them që jeta atij djali do të ishte shpëtuar pa tjetër, nëse aty do të ekzistonte një predikatore lokale e Përkujdesjes Gjithshqiptare. Por pohoj me bindje se shumë jetë shqiptarësh, e midis tyre ndoshta edhe e tija, do të mund të shpëtoheshin.
Pata rast të bisedoja me një bashkëmoshatarin tim, shok fëmijërie. Fran Kolaj e quajnë. Frani i Pjetrit Kols Sims prej Lukiqit. Ai më tha: “76 familje të Shestanit, të shpërndarë gjithandej nëpër botë, janë sot në shuarje e sipër, sepse nuk kanë trashëgimtarë.” Mua më shkuan mornica nëpër trup. Krahina e Shestanit s’ka pasë kurrë më shumë se 2000 banorë. Gjithë historia e kësaj krahine është një histori e pafund tragjedish, renditur njëra pas tjetrës. Por kjo që po më thoshte Frani, është një KATASTROFË e mirëfilltë. Sa të tilla KATASTROFA, individuale, familjare dhe krahinore, po ndodhin sot në Kombin tonë?!
Shpirti m’u copëtua për djalin që na iku në mënyrë krejt të pajustifikueshme, por pikëllimi m’u mbështoll edhe më keq rreth gjoksit, për krejt atë rini, e cila po zhbëhet dhe po tjetërsohet në nënyrë po aq të pajustifikueshme, sa edhe vetasgjësimi i atij djali. Të tillë, në thelbin e vet, shqiptarë të mirë, por në ditën e tyre më të keqe, të rrëzikuar, si në jetë, edhe në identitet, ka sot disa milionë anembanë botës. Është koha për ta mbledhur veten, për t’u përqëndruar, për t’u koncentruar, dhe për të bërë të paktën aq sa mund të bëjmë.

…………………………………….

VESHJE TRADICIONALE

……………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura