DR.HOLTA HEBA: SI PO KOMUNIKOJMË / MEDIA TRADICIONALE DHE MEDIA ONLINE

Tiranë, 07. 05. 2016: Media elektronike, përveç se i dha fund medias mekanike, bëri të mundur që vetë informacioni të marrë disa karakteristika të reja. Karakteristika kryesore lidhet me faktin se vetë informacioni mund të zhvendoset me shpejtësinë e dritës ose të zërit. Mediat elektrike nuk njohin distancat. Kjo lloj medieje realizon komunikimin interaktiv, ku mesazhdhënësi dërgon një mesazh te mesazhmarrësi dhe ky i fundit i jep përgjigjen mesazhdhënësit në çast.
Në ditët e sotme, mediat tradicionale si gazetat, radiot dhe televizionet tashmë të pavarura dhe të politizuara, informacionin që shpërndajnë për publikun e gjerë e kthejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shërbimin e partive politike.
Mediat tradicionale janë shitëset dhe krijueset e informacionit, i cili pasi blihet, konsumohet nga konsumatori në një periudhë të paracaktuar nga kjo lloj medie. Komunikimi politik, kulturor, artistik dhe i biznesit në Shqipëri tashmë ka ndryshuar. Publiku masiv është i tejngopur nga informacionet e këtyre mediave masive. Raporti i shpërndarjes së informacionit në audiencë tashmë ka ndryshuar. Informacioni i fushave të ndryshme që shfaq media, nuk i drejtohet vetëm një audience të vetme masive, por shumë audiencave të ndryshme. Publiku e zgjedh vetë lajmin apo informacionin që kërkon të ndjekë dhe nuk është më i detyruar të gëlltisë lajme të gatuara posaçërisht për të. Në këtë lloj komunikimi të ri mediatik, publiku mund të përzgjedhë informacione nga shumë media dhe burime të ndryshme në varësi të interesit dhe informacionit që kërkon të konsumojë. Mediat tradicionale përcaktojnë kohën se kur konsumatori mund të tërheqë informacionin dhe në një farë mënyre janë ata që përcaktojnë axhendën e ndjekjes së lajmit nga publiku. Informacioni i gazetës konsumohet nga publiku i interesuar në kafen e mëngjesit apo në edicionet e mëngjesit, ku lexohen titujt kryesorë të gazetave. Lajmet kryesore të ditës shfaqen në orare të caktuara. Më të shikuara nga publiku konsumator janë lajmet e orës 19:00 dhe 20:00 në stacione televizive të ndryshme. Gjithashtu, përcaktimi rubrikave apo i llojeve të informacionit është i mirorientuar nga drejtuesit e mediave masive. Konsumatori i medias tradicionale paguan për të blerë informacionin dhe mesazhmarrësi i medias tradicionale nuk mund të jetë një bashkëbisedues i atypëratyshëm.

(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Vitet e fundit në Shqipëri janë shtuar shumë edhe mediat që janë 100 % informative si: ABC News, Ora News, Top News, News 24, A1 Report. Këto media, janë më të lakmuara për “t’u gllabëruar” nga politika, pasi shumica e programeve të tyre janë informative dhe mund t’i shërbejnë 24 orë në 24 qëllimit të tyre për të ndikuar publikun, sidomos në periudha parazgjedhore, por edhe në çdo periudhë kohe, pasi partia ose koalicioni në pushtet do të synojë gjithmonë pasqyrimin (mundësisht hiperbolizimin) e sukseseve të vërteta ose jo qofshin, si dhe partitë opozitare synojnë të vënë në dukje të metat e partisë në pushtet, në mënyrë që të shtojë numrin e elektoratit të tij. Ndërkohë mediat online, apo mediat e internetit, ndryshe nga mediat tradicionale kanë një informacion të bollshëm dhe të pacaktuar për sa i përket periudhës kohore të konsumimit. Konsumatori i informacionit të kësaj lloj medieje nuk është i detyruar të ngujohet para kutisë elektrike me valë elektromagnetike për të konsumuar komunikimin e parapërgatitur nga mediat. Mediat online mundësojnë përditësimin e informacionit në çdo kohë dhe në çdo mjedis të mundshëm. Nuk është e nevojshme që konsumatori të presë me minuta të tëra informacionin dhe e gjen atë falas kudo ku në ajër ka wireless. Mesazhmarrësi i medias online kthehet në një bashkëbisedues i momentit. Marketingu i politikës, artit biznesit dhe kulturës ka ndryshuar me mediat online. Mediat klasike ndihen të rrezikuara nga mediat e reja online, të cilat janë shumë më të shpejta edhe më pranë konsumatorit. Edhe Shqipëria ashtu si të gjitha vendet e botës po ndryshon komunikimin politik me ndryshimin e mediave klasike në media të reja online. Konsumatori i mediave online është i përditësuar me ngjarjet e realitetit në çdo moment të ditës. Me anë të laptopit apo telefonave celularë dhe rrjeteve wireless, apo paketave të internetit fare pak të kushtueshme, ai mjaftohet me një “klik” dhe zgjedh të komunikojë me këdo, në çdo kohë. Publiku i ditëve të sotme nuk ka nevojë të ngujohet para televizionit. I ulur në tren, stol, radhë pritjeje te mjeku apo edhe duke ecur, mund të zgjedhë të ndjekë çdo lloj informacioni që do. Nuk është më media hartuesja e programimit të ndjekjes së informacionit, por vetë kërkesa e publikut konsumator që përcakton atë çka duhet të ofrojë media e re e teknologjizuar. Drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive politike, artisët apo bizneset nuk kanë nevojë të shpenzojnë shumë për marketingun e tyre. Tani mjafton të kenë një faqe në internet me simpatizantë apo kuriozë të informacionit online dhe marketingu realizohet drejtpërdrejt. Rritja e besueshmërisë tek elektorati nuk varet më nga fjalimi që kërkon disa elemente për të qenë bindës. Për sa i përket artit të të folurit në publik, është e qartë se gjuha e përdorur në mediat tradicionale është një gjuhë krejt e ndryshme nga ajo e përdorur në mediat online. Në komunikimin me mediat tradicionale, fjalori i përdorur është tepër i përzgjedhur. Në këtë lloj medie, mesazhdhënësi mendohet mirë për një skicë të saktë të fjalimit me një fillim, me një organizim të pjesës kryesore të fjalimit dhe me një fund që duhet të zgjojë vëmendjen dhe interesin e audiencës. Në komunikimin online, gjuha e përdorur duket se është më e thjeshtë dhe rreket të bëhet më atraktive për dëgjuesin duke folur me zë të ulët gati në pëshpëritje, ashtu sikurse vepron një mik apo friend në Facebook. Në mediat online, individi që kërkon të promovohet apo të promovojë e ka më të thjeshtë komunikimin me audiencën, pasi nuk duhet të kujdeset për intonacionin, apo gjuhën e trupit që duhet të përdorin gjatë fjalimeve apo propagandave që duhet të realizojë për audiencën që qëndron përballë tij. Përveç kësaj, dëgjuesi i mirë i medias tradicionale është kthyer në një bashkëbisedues të mirëfilltë. Audienca masive e medias tradicionale ka ndryshuar numrin në aspektin morfologjik, duke u kthyer në një audiencë në numrin njëjës. Në mediat online, audienca jo vetëm dëgjuese kthehet dhe në një bashkëbiseduese, duke kërkuar nga mesazhdhënësi çdo informacion apo detaj të mesazhit. Ndër të tjera, kjo lloj audience nuk mbetet vetëm një mesazhmarrëse që feedback-un e komunikimit e jep me vonesë. Ajo sugjeron dhe u kthen përgjigje ideve, propagandës, marketingut aty për aty. Media online e mundëson këtë gjë. Audienca e mediave online reagon menjëherë. Kjo lloj audience nuk ka kohë të lexojë dhe dëgjojë fjalime të gjata, përndryshe do të mjaftohej me leximin e gazetës. Kuptimin e mesazhit të politikanit e merr nga fjalitë e drejtpërdrejta falë rrjeteve sociale ku përzgjedh të bëhet pjesë. Audienca e medias online bëhet më interaktive në komunikim, megjithëse mesazhin e merr të copëtuar. Duke hyrë në një komunikim më të afërt me audiencën, individi që promovohet apo promovon futet qetësisht në jetën e tij të përditshme. Ai nuk e bën marketingun si një folës publik, por si një bashkëbisedues i thjeshtë i rrjetit social. Marketingu në Shqipëri ka ndryshuar sepse me krijimin e mediave online edhe vetë raporti midis medias dhe konsumatorit ka ndryshuar. Informacioni është drejtuar drejt një audience të vetme dhe audienca nuk është më vetëm një dëgjuese e mirë. Ajo reagon shumë herë dhe shumë më shpejt. Me mediat tradicionale komunikimi i ngjan një referati, ku audienca është thjesht dëgjuese, kurse me mediat online ky komunikim është kthyer në një bashkëbisedim mes dy bashkëbiseduesish me të drejta të barabarta të të shprehurit. Gjithsesi, komunikimi në fushën e artit, politikës në Shqipëri ka filluar t’i kombinojë të dyja llojet e mediave, duke përdorur avantazhet e të dyjave. Përdorimi i medias tradicionale dhe medias online rrit mundësinë e komunikimit midis individit që kërkon të promovojë dhe audiencës. Sot, breza të ndryshëm po komunikojnë në forma të ndryshme.
_________________
Dr. Holta Heba, Universiteti Europian i Tiranës.
Ka mbaruar studimet universitare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, me titull “Përkthyes dhe interpret” dhe mban gradën “Doktor i shkencave” në Shkencat e Komunikimit. Aktualisht është e angazhuar në Departamentin e Komunikimit dhe marrëdhënieve publike, si dhe mban postin e Sekretares së Përgjithshme në të njëjtin institucion.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura