DR.JAKUP KRASNIQI: A ISHTE MOSZHVILLIMI EKONOMIK NË VITIN 2014 PASOJË E BLLOKIMIT INSTITUCIONAL?!

Prishtinë, 09. 01. 2015 – Këto ditë disa ekspertë të ekonomisë moszhvillimin ekonomik në vitin 2014 e ndërlidhën me bllokimin disamujorë të krijimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira. Paksa e habitshme kjo, në fakt, e paqëndrueshme. Nuk e mbroj moskrijimin e institucioneve, duke qenë se “vonesa” më së paku i është dashur Kosovës, sikundër që ka pasur shumë mundësi që ajo të mos ndodhte. Por, shtrohet pyetja: a e ka Kosova këtë nivel të zhvillimit ekonomik shkaku i bllokadës institucionale gjashtëmujore? Vështirë të besohet. Sidomos nga secili njeri që, gjatë gjithë këtyre viteve, i ka ndjekur zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë. Epo, si mund të thotë ndonjë ekspert i ekonomisë, se cili apo cilat projekte ekonomike kanë qenë të planifikuara dhe kanë mbetur pa u realizuar gjatë atyre gjashtë muajve? Kjo do të thotë, të mos e adresosh problemin aty ku duhet. Konsideroj se i vetmi “projekt”, që është vonuar dhe nuk ka ndonjë pasojë për qytetarët tanë, për “vonesën” e ndodhur, nuk është i natyrës ekonomike, por i natyrës politike – krijimi i Gjykatës Speciale dhe vazhdimi i bisedimeve të Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë. Ndonjë projekt ekonomik me peshë nuk hezitoj ta them se nuk më kujtohet. Ndoshta dikush mund të aludojë, bie fjala, për Autostradën apo Brezovicën. Por, duke anashkaluar aludimet, problemet duhet t’i kërkojmë më larg, shumë më larg. Ato, sigurisht që nuk janë krejt të paqarta, me skena e prapaskena nga më të ndryshmet, të qëllimshme e të paligjshme varësisht optikës së “ekspertëve” të “rastit” apo të “porositur”.
Shoqëria e organizuar në Kosovë, nëse vërtet do t’i kapërcejë vështirësitë ligjore dhe ekonomike, duhet t’i identifikojë, njëkohësisht dhe t’i “skanojë” mirë e mirë, me emër e mbiemër, shkaktarët e kësaj gjendje “të krijuar”. Me mashtrime, servilosje, yryshe të korruptuara dhe vajtime nuk kapërcehen problemet e grumbulluara ekonomike. Asnjë mossukses i shoqërisë shqiptare, pra, jo vetëm të Kosovës, nuk mund të lidhet vetëm me vitin 2014, aq më pak me 5-6 muajt e “bllokimit” institucional. Vështirësitë që janë grumbulluar në Republikën tonë, mund të kapërcehen vetëm me një vizion të qartë e të përgjegjshëm, me dije e planifikim, me punë e përkushtim, me djersë e sakrificë, me dashuri e vendosmëri, me synimin kulmor: për të ndryshuar gjendjen ekonomike në vend. Këto që sapo i thashë, duhet të udhëhiqen nga institucionet e shtetit, të cilat, nëse nuk drejtohen nga njerëzit që e duan këtë vend (më shumë se egoizmat meskine), që kanë dije menaxhuese të planifikimit e vendosmëri në vendimmarrje, të zhvillimit e të stabilizimit ekonomik e shoqëror, nuk mund të thuhet se janë kryer obligimet institucionale, qytetare dhe kushtetuese. Asnjë punë në jetë, fizike a intelektuale qoftë, nuk kryhet si duhet pa e zotëruar mirë dhe pa përkushtim dhe ndërgjegje qytetare e kombëtare. Prandaj, nëse institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, të shtetit që u krijua nga të gjithë, duhet patur synim zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.

(NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 1000 FJALË)

Ky zhvillim duhet filluar sa më parë:
1. Me menaxhimin e pasurisë njerëzore. Pasurinë njerëzore e kemi një fat e përparësi që duhet shfrytëzuar. Gjatë gjithë këtyre viteve të lirisë e të pavarësisë, me ketë pasuri në Kosovë është menaxhuar tepër keq. Në vend që punës t’ia gjenim njeriun e duhur, u është gjetur puna njeriut abuzues të stilit “kam një punë, që s’kërkon punë”(!). A ka mundësi që vendi të zhvillohet me njerëzit e tillë, të cilët krekosen pa fije turpi se kanë zënë një punë të tillë (dhe ku tjetër, pos në institucionet e shtetit!), ku, rrjedhimisht “nuk bëjnë asgjë”! Derisa vlen konstatimi i qëndrueshëm se “puna është burimi i pasurisë se kombeve”, siç thoshte Adam Smith-i qysh para më shumë se dy shekujve. Vendosja e njerëzve të duhur në vendet e duhura është domosdoshmëri, aq më tepër nëse këtij vendi ia dëshirojmë zhvillimin e përparimin. Deri tani shumë gjëra janë bërë si nuk është dashur. Gjërat duhet ndryshuar, por me kë dhe si, kjo është çështja!
2. Me privatizimin. Me njerëzit e duhur, me të cilët është dashur që të bëhej një formë e privatizimit të pasurisë kombëtare (publike apo shoqërore), me politika të studiuara e të planifikuara mirë. Ne, procesin e privatizimit e kemi filluar me njerëz që kurrë nuk kanë ditur ç’është qeverisja, përveç bërjes së misionarëve apo militantit. Me qëllimin parësor që privatizimi t’i jepte një hov zhvillimit ekonomik, i cili do të rigjeneronte vende pune. Duhet pranuar, tek ne procesi i privatizimit nuk e ka arritur asnjërin efekt, veç një pasurimi të kriminalizuar, nga i cili janë pasuruar grupe njerëzish të lidhur me disa qarqe politike (u thënçin politike!). Këtij privatizimi, të kryer deri më tani, medoemos duhet t’ia bëjmë një rivlerësim profesional. Këta që janë në qeverisje për ndarjen e “tortës”, vështirë do ta bëjnë këtë.
3. Me menaxhimin e telefonisë mobile. Me menaxhimin që i është bërë PTK-së, në mënyrë të veçantë telefonisë mobile, gjatë gjithë këtyre 15 viteve, tregon një papërgjegjësi të shkallës së lartë dhe e cila nuk është bërë siç thuhet “për sy të zi”, si në kohën e menaxhimit nga ndërkombëtarët si dhe më pas nga vendorët. Së këndejmi kjo ndërmarrje publike kërkon që t’i bëhet një auditim mikst (i përzier), vendor e ndërkombëtar, sidomos që nga koha kur është filluar me operatorin e dytë (mobil) dhe më pas, si janë krijuar “kopilët” operatorë. Këto veprime Valën e kanë bërë të pavlerë për cilindo blerës serioz.
4. Me menaxhimin e kapaciteteve energjetike. Edhe menaxhimi i kapaciteteve energjetike është treguar gjithashtu tepër i papërgjegjshëm, nga të gjitha qeveritë e pasluftës, vendore e ndërkombëtarë, sidomos kapaciteteve prodhuese të thëngjillit të linjitit. Sigurisht që gjatë viteve të shkuara, Kosova nuk ka pasur investim më të mençur sesa investimi në ngritjen e kapaciteteve energjetike (në termocentrale). Investimet në energjetikën tonë përveç që do të rigjeneronin vende pune, do të prodhohej energji edhe për tregun e rajonit, por edhe do të krijonin mundësi edhe për investime të tjera zhvillimore në Republikën tonë.
5. Me menaxhimin e tokave bujqësore. Jemi dëshmitarë të menaxhimit tejet të keq gjatë këtyre viteve të administrimit të tokave bujqësore. Madje në ketë plan nuk kemi pasur fare politika të administrimit të kësaj pasurie kombëtare. Kosova është shembulli më i keq i mundur sesi nuk duhet të shfrytëzohet toka bujqësore. Këto politika duhet të ndryshohen sa më parë, pasi investimet në bujqësi, agrikulturë e blegtori janë më të përballueshme për buxhetin e shtetit. E shteti, çuditërisht, pak është kujdesur për prodhimin vendor.
6. Me industrinë ndërtimore. Një segment i rëndësishëm i këtyre viteve ka qenë industria e ndërtimeve, e cila po të menaxhohej si duhej do të ishte një burim i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik. Sidomos po të menaxhohej mirë kjo industri në qytetet kryesore (më të mëdha) të Kosovës. Kjo industri i ka ndihmuar pak zhvillimit, por i ka ndihmuar shumë pastrimit të parave të pista (te korrupsionit të madh) të këtyre viteve.
7. Me pasuritë nëntokësore. Kosova është mjaft e pasur me pasuri nëntokësore (me minerale). Edhe në këtë fushë kemi një menaxhim jo të mirë, por ka ende mundësi për korrigjim e mirëmenaxhim në ketë sektor të rëndësishëm të ekonomisë, por ekzistojnë të gjitha predispozitat, që edhe kjo pasuri kombëtare të keqpërdoret, siç është keqpërdorur edhe pjesa tjetër e pasurisë kombëtare. Ta shpëtojmë të shpëtueshmen! Nëse nuk e ndryshojmë qasjen e menaxhimit të pasurive kombëtare, Kosova do të mbetet një portë e hapur për dyndjen e vazhdueshme te qytetarëve të saj!
Te përfundojmë. Kosova ka pasuri të shumta kombëtare, por nëse nuk ka një vullnet politik nga politikbërësit për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj pasurie, perspektiva e Kosovës do të jetë e zymtë, mbase e pashpresë dhe faji nuk mund t’u mbetet vetëm politikanëve, pasi ata janë pasqyra e shoqërisë sonë. Nëse shoqëria jonë ua lejon pak politikanëve të keqmenaxhojnë me pasurinë kombëtare, atëherë kush duhet të jenë mbrojtësit e kësaj pasurie? Mos ata shpëtimtarë hipotetikë do të vijnë nga Marsi, apo alienë, duke mos u përqendruar vetëm në marsianë, për të na shpëtuar nga të “padijshmit” apo abuzuesit e politikës qeverisëse? Fundja, të mos realizohet ajo e famshmja “prit gomar deri të del bar”…

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

……………………………………………………………….

SHTOJCË E PËRGATITUR NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG

KUSH JANË BARTËSIT E KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR NË KOSOVË, QË IA KANË ZËNË FRYMËN ZHVILLIMIT EKONOMIK…?!
Të gjitha burimet – korrupsionin dhe krimin e organizuar e përkufizojnë si shpërdorim të pushtetit publik për përfitime personale, duke filluar nga mitmarrja në administratën publike, për të vazhduar me marrëveshjet e fshehta në prokurorimet publike me tendere për veprimtari të ndryshme ndërtimi, përvetësimi dhe abuzimi i fondeve publike nga të gjitha nivelet e pushtetit, reketimi, kontrabanda me cigare, derivate të naftës…, dhe shitja e aseteve kombëtare siç janë: PTK, KEK-u, TREPҪA etj. etj.. Rrjedhimisht mund të thuhet se: të gjithë ata që janë në pushtet dhe merren me këto veprimtari publike, cilësohen si të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar! Duke u bazuar në një dokumentar prej 7 pjesëve ’KORRUPSIONI DHE KRIMI I ORGANIZUAR NE KOSOVE’, del qartë se, të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë, në bashkëveprim me konsulentë të koorporatave të niveleve të ndryshme ndërkombëtare, si dhe mentorë e oligarkë tjerë që vepronin në kuadër të UNMIK-ut, EULEX-ut, UNDP, Agjensionit Kosovar për Privatizim etj.etj., janë bastion i krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Kosovë…!!!

Për ta mësuar këtë histori trishtuese, në vijim ju ftojë ta shikoni dokumentarin:
“KORRUPSIONI DHE KRIMI I ORGNIZUAR NE KOSOVË” (7 pjesë):

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura