DR.JAKUP KRASNIQI: A THUA MERKELI (ME MUSTAFËN) FOLI VETËM PËR DIALOGUN E GJYKATËN? NUK BESOJ! ( + SHTOJCA … )

 Prishtinë, 01. 07. 2015 – Nuk mund t’i besoj, asaj që na u servirë nga mediat tona, se Kancelarja e vendit më të zhvilluar të Evropës dhe të Botës, Trari kryesor i shtëpisë së njohur me emrin Bashkimi Evropian, Kryeministrit të Kosovës, kryeministrit të vendit më të ri e më të prapambetur ekonomikisht të Evropës, vendit me mundësi të mëdha për zhvillim ekonomik, si me resurse njerëzore, tokësore e nëntokësore, të mos i fliste për zhvillim e punësim, për rend e ligj, por të përqendrohej vetëm në çështjen e dialogut, kompromisit e Gjykatës Speciale. Kjo është çështje për mos besim?! Ajo e di se problemi kryesor i Kosovës nuk është dialogu me ata që nuk janë të interesuar për dialog dhe as Gjykata Speciale e cila nuk do t’i përmbush pritjet e disa qytetarëve tanë (siç nuk i kanë përmbushur as pararendësit e saj)?!
Unë besoj që Kancelarja gjermane, edhe në Konferencën për shtyp më shumë e ka mbrojtur interesin e Kosovës, sesa kryeministri ynë, i cili ishte tepër i kompleksuar me bisedimet për Gjykatën Speciale, se me ato komplekse ishte nisur para se të shkonte në Bruksel e në Gjermanin Federale. Ndërsa ai do të duhej të përqendrohej në çështjet më substanciale të vendit për çka dhe e ka marrë përgjegjësinë, për të qeverisur me vendin. Do të duhej të përqendrohej:
– në problemet ekonomike,
– për investime gjermane në energjetikë,
– për punësimin e njerëzve të ri,
– për sigurinë e stabilitetin,
– për rendin e ligjin,
– për lëvizjen e lirë dhe diversionin serb (politik e ekonomik) në Kosovë, si rrezikun kryesor të paqes në rajonit tonë.

Kryeministri ynë, në Konferencën për shtyp u përqendrua në tri çështje për të cilat kishte folur në Bruksel, si dialogu, kompromisi (që është i gatshëm ta bëjë) dhe Gjykata Speciale (kjo do të ishte bërë sikur të varej prej atij dhe partisë së tij). Që të tria këto çështje, për qytetarët e Kosovës nuk janë kurrfarë prioriteti pasi varen kryekreje nga politikat e Beogradit, i cili nuk e ka prioritet normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, mbase as me Bashkimin Evropian. Ata si duket alternativë të parë e kanë Rusinë, por dëshirojnë që të nxjerrin sa më shumë përfitime (ndihma) nga BE-ja. Ata, bisedimet në Bruksel janë duke i shfrytëzuar për t’i shtyrë qeveritarët e Kosovës jo në kompromise, por në komprometim. A ishte pritja nga Kancelarja për duetin nga Kosova, një lloj karremi për ketë?!
Prioritete për Kosovën janë:
– Zhvillimi ekonomik,
– sundimi i ligjit,
– politikat fiskale,
– investimet në energjetikë,
– në miniera e bujqësi,
– punësimi,
– arsimi,
– shëndetësia,
– lëvizja e lirë e qytetarëve etj.
Këto janë çështje me prioritet për qytetarët e vendit që e qeverisin dueti, Mustafa e Thaçi. Por, si duket ata nuk e kanë hallin e Kosovës, prandaj nuk folën për prioritetet e saja, por e kanë hallin e tyre, ku ata po mbesin në gjithë ketë hallakamë?!
Prandaj kanë bërë prioritete të tyre:
– Dialogun e Gjykatën Speciale?!
Prandaj këtu i kanë orientuar gjithë energjitë e fuqitë e tyre politike. Gjendja politike, ekonomike e sociale nuk ua lejon ketë komoditet!
Mashtruesit e qytetarëve të Kosovës (në zgjedhje) po mendojnë se e gjithë Bota, e sidomos ajo demokratike i han foret e tyre?!

=====================================

– SHTOJCË NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG, SH.B –

ҪKA FOLËN NË KONFERENCËN ME GAZETARË KANCELARJA MERKEL DHE KRYEMINISTRI MUSTAFA?
Pashtriku.org, 01. 07. 2015 – Dje (më 30 qershor 2015) në Berlin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është pritur me nderime shtetërore nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Pas ceremonisë ushtarake dhe intonimit të himneve, kryeministri Mustafa dhe Kancelarja Merkel janë takuar në Zyrën e Kancelares Federale. Në takimin ndërmjet Kryeministrit Isa Mustafa dhe Kancelares Angela Merkel, ku ishin të pranishëm edhe Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i jashtëm Hashim Thaçi, Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, shefja e stafit e kryeministrisë, Vlora Dumoshi dhe shefi i kabinetit, Sokol Havolli, është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për proceset në Kosovë, për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Pas takimit, Kancelarja Merkel dhe Kryeministri Mustafa kanë mbajtur një konferencë për medie.
Më poshtë mund t’i lexoni fjalët hyrëse të kancelares Merkel dhe kryeministrit Mustafa në konferencën për medie:

Fjala hyrëse e Kancelares Angela Merkel, para gazetarëve

Të nderuara zonja dhe zotërinj.
Gëzohem që mund të përshëndes sot në Berlin, Kryeministrin kosovar, Isa Mustafa. Ne si Republikë Federale e Gjermanisë jemi ndër vendet e para që e kanë njohur Kosovën. Sot, janë mbi 100 shtete që tashmë kanë realizuar njohjen e Kosovës. Ne tërë kohën që nga njohja e Kosovës përpiqemi që proceset politike para së gjithash përkitazi me Serbinë të normalizohen ashtu që vërtetë të mund të themi që i gjithë zhvillimi merr një drejtim të mbarë.
Ne për momentin jemi përsëri në një fazë interesante, ku zhvillohen edhe pika të tjera të bashkëpunimit me Serbinë dhe të bisedimeve me Serbinë. Kryeministri sapo vjen nga Brukseli dhe unë natyrisht i dëgjova përparimet që mund të arriheshin në këtë kontekst. Disa probleme ende nuk janë zgjidhur. Ne ishim të të njëjtit mendim që bisedat përkatëse duhet të zhvillohen me intensitet të lartë, sepse natyrisht vazhdimi i kësaj çështjeje është i rëndësisë së madhe si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën përkitazi me përafrimin në Bashkimin Evropian. Përkitazi me Kosovën këtu bëhet fjalë për Marrëveshjen e Asociimit. Përkitazi me Serbinë bëhet fjalë për hapjen e kapitujve. Pas pak ditësh unë vetë do të udhëtoj në Serbi. Për këtë arsye pastaj jepet edhe mundësia që të flitet edhe një herë me përgjegjësit serbë.
Natyrisht jemi preokupuar në radhë të parë edhe me situatën në Kosovë në tërësi dhe kemi analizuar edhe gjendjen ekonomike. Këtu do të ketë edhe një takim të kryeministrit me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane. Para së gjithash duam të veprojmë duke mbështetur, kur bëhet fjalë për prodhimin e energjisë. Këtu bëhet fjalë për oferta tashmë ekzistuese të Bilfinger-it, për të aftësuar eventualisht një termocentral me qymyr dhe me këtë të përgatisim edhe më shumë stabilitet në furnizimin me energji.
Kryeministri e ka bërë të qartë, se edhe në fushën e bujqësisë dëshirohen të arrihen përparime. Andaj për këtë arsye kam propozuar edhe një takim të ministrave tanë të bujqësisë që këtu të zbulohen mundësi të kooperimit. Sepse të gjithë e dimë: Në Kosovë papunësia është shumë e lartë dhe pikërisht për njerëzit e rinj duhet të krijohet një perspektivë. Kemi edhe disa lande që bashkëpunojnë me Kosovën në fushën e arsimimit profesional. Edhe në lidhje me këtë kemi biseduar për mundësi të mëtejme të bashkëpunimit.
Këtë po e them edhe para sfondit të numrit shumë të lartë të refugjatëve nga Kosova në Gjermani që nga viti 2014, dhe unë këtu dua edhe të përsërisë, se gati se nuk ka kurrfarë gjasash për të marrë miratimin si azilkërkues në Gjermani. Kjo do të thotë, se ne dëshirojmë të punojmë në atë që njerëzit e rinj në Kosovë të kenë mundësi më të mira që atje ta konceptojnë të ardhmen e tyre. Kërkesat për azil në Gjermani në masë të madhe s’kanë gjasa për miratim.
Ne pastaj biseduam edhe për situatën në rajonin e Kosovës: rreth bashkëpunimit me Serbinë, situatën në Maqedoni por edhe për situatën përkitazi me shtetet e tjera të Ballkanit. Ju e dini, se në analogji me Konferencën për Ballkanin Perëndimor do të zhvillohet një konferencë e tillë edhe në Vjenë, në gusht. Në ndërkohë ka ndodhur shumëçka: U hartuan projekte të infrastrukturës me Komisionin, të cilat i lidhin edhe vendet, e edhe në fushën e shkëmbimit të të rinjve ka përparime. Ne kemi një interesim të lartë që me perspektivën evropiane të të gjitha vendeve në rajon të forcohet edhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve. Në këtë kuptim edhe një herë mirëserdhët përzemërsisht dhe faleminderit për bisedën!
***

Fjala hyrëse e kryeministrit Isa Mustafa, para gazetarëve

Faleminderit shumë zonja Kancelare.
Unë vërtetë e falënderoj Kancelaren për kohën që ka ndarë dhe për një bisedë shumë përmbajtjesore dhe miqësore të cilën ne e kemi pas sot, për shumë probleme që e preokupojnë Kosovën, por edhe për aspiratat tona që ne të jemi pjesë e familjes evropiane, pjesë e Bashkimit Evropian dhe të përmbushim të gjitha kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ne po bëjmë përpjekje t’i zgjidhim problemet e brendshme të cilat i kemi në Kosovë. E njoftova edhe Kancelaren Merkel për këtë. Kemi mjaft probleme me papunësinë e madhe, me nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik, me nivelin e lartë të varfërisë, me strukturën jo adekuate ekonomike, me papunësinë strukturore të cilën ne akoma po e bartim si pasojë e tranzicionit ekonomik që e kemi, dhe të bilancit tregtar që e kemi mjaft të keq. Jemi të interesuar që të kemi një përkrahje më të madhe ekonomike nga Gjermania, sepse kemi shumë njerëz tanë në që punojnë në Gjermani për një kohë të gjatë, të cilët i kanë ndihmuar zhvillimit ekonomik të Kosovë me remitencat e tyre dhe po ashtu kemi pas një përkrahje, ndër përkrahjet më të mëdha të çdo vendi nga Gjermania, qoftë në investimet e drejtpërdrejta që kanë ndodhur në Kosovë, qoftë në asistencën për zhvillimin ekonomik, sidomos të objekteve infrastrukturore të cilat janë të rëndësisë themelore të zhvillimit tonë.
Unë i shpreha falënderimet tona Kancelares lidhur me iniciativën e saj rreth programit, përkatësisht projekteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat tani kanë hyrë në një rrugë shumë të rëndësishme të zgjidhjes të problemeve të tyre infrastrukturore, të cilat do të ndikojnë edhe ne standardet e këtyre projekteve, por edhe në lidhjen që këto vende do ta kenë ndërmjet vete me ç’ rast do të racionalizohet komunikacioni dhe do të racionalizohen edhe shpenzimet e këmbimeve ekonomike që do të bëhen mes tyre.
Ne po zhvillojmë dialogun me Serbinë, jemi në një fazë të rëndësishme të këtij dialogu. Natyrisht se dialogu nuk është i lehtë, është një vend ku ne do të bëjmë kompromise dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta. Zhvillimi i këtij dialogu ka krijuar një relaksim të marrëdhënieve me Serbinë dhe të integrimit të komunitetit serb në shoqërinë kosovare dhe në zgjidhjen e problemeve të tyre. Në proceset e ardhshme jemi të interesuar që sa më shpejt të nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asocim, në mënyrë që të fitojmë të drejtën për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Dhe po ashtu kemi nevojë që vendi ynë pas përmbushjes së të gjitha kritereve teknike që janë paraqitur para nesh, të fitojë liberalizimin e vizave në mënyrë që qytetarët tanë të kenë mundësi të qarkullimit në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, ashtu siç qarkullojnë edhe qytetarët e tjerë. Ju faleminderit.
***
Në vijim shikoni një përmbledhja nga vizita e Kryeministrit Mustafa në Berlin dhe takimet me Kancelaren Merkel:

Për më tepër shikoni këtu:
Pressestatements von Bundeskanzlerin Merkel und dem Ministerpräsidenten des Kosovo, Mustafa:
http://www.bundesregierung.de/Webs/Breg/DE/Mediathek/Einstieg/mediathek_einstieg_livestream_node.html?id=1395316

***
Lexoni këtu:
Pressekonferenz von Bundeskanzlerin Merkel und dem Ministerpräsidenten der Republik Kosovo, Mustafa:
http://www.bundesregierung.de/Content/DE/Mitschrift/Pressekonferenzen/2015/06/2015-06-30-merkel-mustafa.html

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura