DR.JAKUP KRASNIQI: ADEM JASHARI – MISIONARI ҪLIRIMTAR I KOSOVËS

Pashtriku.org, 07. 03. 2014 – Këto ditë marsi, të simbolikës së pranverës, Kosova po qëndron gatitu në përkujtim të emrit, jetës, veprës dhe rënies heroike të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij të madhe dhe gjithë dëshmorëve të kombit. Ata, ashtu siç ishin bashkë, ranë në altarin e lirisë, për t’u bërë vetëdijshëm kurbanë në themelet e saj dhe për të mos vdekur kurrë. Rënjet e Mëdha askund në Botë nuk harrohen, as shekujt nuk mund ti mbulojnë me velon e harresës, ne shqiptarët nuk guxojmë të harrojmë aktin e madh të flijimit të Jasharëve Legjendar. Te gjithë njerëzit që jetojnë nën qiellin e kësaj toke, pinë e han bukën e këtij dheu dhe frymojnë ajrin e kësaj hapësire, duhet të përkulën me pietet para kësaj rënie të madhe dhe rënieve gjithë andej nepër Kosovë.
I lindur dhe rritur në një ambient luftarak dhe kryengritës, që i kishte dhënë aq vlera historisë së rezistencës së popullit tonë kundër pushtuesve, i edukuar në një familje me tradita patriotike, në krye të së cilës ishte Shaban Jashari, mësues i dritës e diturisë, i brumosur me idetë e lirisë, që nga Skënderbeu, rilindësit e mëdhenj dhe luftëtarët e lirisë nëpër breza, Adem Jashari ishte personaliteti i duhur, për t’u bërë simboli, jeta, gjaku e forca e rezistencës së armatosur të Kosovës në kapërcyell të shekullit të kaluar.

Adem Jashari është dhe do të mbetet përjetësisht i gjallë,

sepse ideali i tij nuk do të vdesë kurrë!

* * *

Fundi i vitit 1997 dhe fillimi i vitit 1998, shënojnë intensifikimin e veprimeve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ballë të të cilave printe vetë komandanti Adem Jashari. Pagëzimin e zjarrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari e kishte bërë vite më herët, por forcat pushtuese, me gjithë përpjekjet e ethshme nuk kishin arritur të ndalonin marshimin dhe rritjen tmerruese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 5 mars 1998, vetëm pak ditë pas goditjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi forcat serbe në Likoshan e Qirez dhe vetëm një muaj e gjysmë pas desantit serb mbi familjen Jashari, tre muaj nga shfaqja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e diçka më shumë se shtatë vite nga habertarja çlirimtare e Formacionit të armatosur të Adem Jasharit, regjimi pushtues i kriminelit Milosheviq, i bëri rrethim të hekurt familjes Jashari në Prekazin e legjendave të trimërisë shqiptare. Duke e trajtuar me të drejtë si zemrën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, strategët ushtarakë serbë projektonin madje edhe zhbërjen e vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet të vrasjes së jasharëve legjendarë. Por ata nuk e kishin mësuar të vërtetën e madhe historike të verbuar nga shovinizmi i egër i tyre se ideali nuk vritet me plumba e as me terror, por rritet në gjak lirie. Rënia heroike e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dhjetëra familjarëve të tij, nuk qe fundi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por fillimi i masivizimit e i mobilizimit të saj. Kombi ynë u bashkua rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falë flakadanit të ndezur në Marsin e Adem Jasharit.
Misioni që historia i kishte ngarkuar Adem Jasharit nuk ishte vetëm të luftonte pushtuesin e të therorizohej bashkë me familjen për lirinë e Kosovës, por me rënien e tyre të ngrinin në këmbë, siç e ngritën një popull të tërë, për të luftuar sipas amanetit të Komandantit deri në fitore. Komandanti legjendar e kishte parë i pari këtë fitore, prandaj valëviti flamurin e saj të përgjakur, për t’u dhënë bashkatdhetarëve të vet zemër, besimin e shpresën, optimizmin e vendosmërinë dhe guximin për ndeshjen finale. Si nga një bekim hyjnor, Kosova nxori nga gjiri i saj legjendën e gjallë që i dha dritë rrugës së lirisë dhe fitores së Davidit kundër Goliatit.
Gjaku i jasharëve bëri lumin e Rubikonit të Kosovës, mbi të cilin nuk do të kthehej as do të shkelte Ushtria jonë Çlirimtare. Brezat e këtij vendi, si atëherë edhe sot e gjithmonë, do të jenë përtej atij lumi dhe në mbrojtje të lirisë e të idealeve të larta e fisnike të komandantit legjendar, Adem Jashari. Ngado që të nisesh për të shkuar në nderim të 17 shkurti 2008, të Pavarësia e Kosovës, të gjitha rrugët të çojnë në Prekazin e Adem Legjendarit.
Në këtë kuptim, komandanti Adem Jashari është dhe do të mbetet përjetësisht i gjallë, sepse ideali i tij nuk do të vdesë kurrë, sepse atdhedashuria e tij deri në sakrificën supreme do të kultivohet brez pas brezi, sepse guximi i tij, i trashëguar nga lavditë e shekujve të kombit tonë do të përshkojë edhe shekujt e ardhshëm, si një porosi e shenjtë dhe detyrim atdhetar për çdo brez shqiptaresh. Emri i Adem Jasharit dhe i Kosovës janë njësuar dhe nënkuptojnë njëri-tjetrin. Ata jetojnë bashkë, si simbole flamuri betejash ngadhënjimtare.
Emri, personaliteti dhe figura e ndritur e Komandantit Legjendar – Adem Jashari janë dhe do të mbeten burim edukimi patriotik i brezave të pambarim të Kosovës dhe frymëzim e mobilizim për të ardhmen e lirë e sovrane, demokratike dhe në zhvillim të vazhdueshëm e të gjithanshëm të Atdheut tonë të shtrenjtë.
Ne përfaqësuesit dhe politikanët e popullit tonë, sot e nesër, duhet të mësojmë kokunjur nga jeta e Adem Jasharit, nga vepra dhe nga vlerat morale, politike e kombëtare që përfaqësonte. Ideali i lartë i Adem Jasharit duhet të mbisundojë interesat meskine e përfitimet personale, nderi e guximi i tij, duhet të qëndrojnë mbi ligësitë e shpirtit dhe frikën qyqare politike, vetëmohimi i tij për interesin e përgjithshëm, duhet t’i mundë shpirtin e ngushtë e egon e sëmurë. Adem Jashari na mëson si ta duam Kosovën, si t’i qëndrojmë besnikë interesit madhor të saj, si t’i japim çdo ditë diçka nga vetja jonë, dhe jo të marrim e të zhvatim prej saj, na mëson se vetëm me virtyte të larta njerëzore mund të fitohen, jo vetëm betejat çlirimtare, por edhe ato shtetndërtuese, progresiste e prosperuese të vendit tonë të shumëvuajtur.
Lavdi e përjetshme komandantit tonë legjendar, Adem Jashari!
Lavdi familjes Jashari, që u flijua në altarin e lirisë!
Lavdi dëshmorëve të kombit!

– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura