DR.JAKUP KRASNIQI: PËR ATA QË VAZHDOJNË TA QUAJNË TERRORISTE UÇK’në

Prishtinë, 23. 06. 2015 – (Me shkas nga deklarimet e një deputeteje të Bundestagut, me origjinë turke) – Ka kohë që krejt padrejtësisht, pas pesëmbëdhjetë/gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po etiketohet me cilësorin “terroriste”. Në fillimet e saj UÇK-ja është quajtur terroriste nga një regjim, i cili në mënyrë sistematike, për dekada me radhë, kishte vepruar mbi bazën e një politike të planifikuar e të programuar për të ushtruar gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, që ishin të pushtuara nga ish-Federata Jugosllave. Pra, është quajtur terroriste nga një regjim që ushtroi gjenocid në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë dhe i cili regjim më të drejtë është luftuar nga e gjithë bota demokratike. Ndoshta për deputeten e Bundestagut me origjinë turke, terrorist është çdo shtet anëtar i NATO-s për shkak të antiamerikanizmit që e ka e majta ekstreme, por të quhet Terroriste Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pse bëri luftë çlirimtare kundër një regjimi barbarë, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja: çfarë vlerash shoqërore mbron ai orientim ideologjik në botën demokratike? Është një e vërtetë e madhe se shumica e popujve në botë kanë kaluar nëpër atë rrugë, madje edhe Turqia moderne e Ataturkut ka dalë nga një luftë e tillë! Një gjë më duhet të konfirmoj, jo vetëm një jetë, por edhe 500 jetë pas kësaj po t’i kishim, luftën çlirimtare për shqiptarizmin e rilindësve nuk do ta pushonim. E përsëris, vetëm për shqiptarizmin e rilindësve (themeluesve te kombit shqiptar) dhe për asnjë ideologji tjetër!

Berlin, 19. 06. 2015: Sevim Dağdelen, deputetja me origjinë turke e ekstremit të majtë (Die Linke) në Bundestagun Gjerman. “Die Linke”, ka 64 deputetë në Bundestagun gjerman me 631 deputetë!

………………………………………………………………..

Dikush fare lehtë mund të thotë, siç po thuhet nga brenda e jashtë Kosovës, se institucionet e Kosovës së pavarur e sovrane nuk po e luftojnë krimin e korrupsionin dhe fajtor për këtë na qenkan “komandantët e UÇK-së”, ose njerëzit, që më votën e lirë me origjinë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, na qenkan përgjegjës?! Unë nuk do t’i marr në mbrojtje qeveritarët e Kosovës të pas luftës, qofshin ata me origjinë ushtarake apo pacifiste (pasi të dy palët kanë qeverisur qe 15-16 vjet) dhe që të dy palët kanë qeverisur e bashkëqeverisur keq, madje do të thosha edhe tepër keq. Nga padituria dhe papërgjegjësia e tyre si dhe nga “prirja”e tyre për të qeverisur me njerëzit, me ekonominë dhe pasuritë e vendit na kanë lënë në pozita inferiore, mbase edhe mjerane. Por kjo nuk i jep askujt të drejtë, as në Kosovë, që nostalgjikëve të “bashkim vëllazërimit”e as të atyre jashtë saj, që të gjitha fajet e 16 viteve të pasluftës, t’i adresohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adresimi i problemeve me këtë thjerrëz apo optikë politike pa dyshim që është diagnostifikim i gabueshëm dhe pa asnjë dyshim “pacienti” nuk mund të ketë shërim! Pse po kërkohet me çdo kusht vdekja e pacientit? Kujt i duhet kjo?
Nëse njerëzit e veshur me fuqinë e pushtetit të dalë nga zgjedhjet e “lira”, të cilat ishin të menaxhuara nga komuniteti ndërkombëtar ( OSBE-ja evropiane), gjatë këtyre 15-16 viteve kanë qeverisur keq edhe me ligjet e “miratuara” (diktuara) nga ata (pra, ndërkombëtarët), atëherë cila është arsyeja që të gjitha fajet t’i adresohen vetëm Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mbylli historinë e saj më 21/22 qershor 1999? Ngjarjet, cilat do qofshin ato të ndodhura pas kësaj date, nuk mund t’i veshën UCK-së. Të gjithë e dimë, se në asnjë qeverisje, shumësia e qeveritarëve nuk ka qenë nga Lëvizja Kombëtare për Çlirim, përkundrazi shumica kanë qenë me origjinë tjetër! Madje as qeveria e sotme as nuk udhëhiqet dhe as nuk ka ndonjë numër të rëndësishëm që i përket asaj origjine. Në institucionet e sotme të Republikës së Kosovës, me origjinë nga UÇK-ja kemi vetëm Kryetarin e Kuvendit dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm.
Epo, ndërkombëtarë të nderuar, ky ka qenë vullneti juaj i realizuar nga Hashim Thaçi, të cilin e mbështetët pa hezituar edhe në bisedimet tepër të dëmshme të zhvilluara për tri e më shumë vjet në Bruksel. Bisedime që shtetin e Kosovës tashmë e kanë bërë goxha jofunksional. Në ato bisedime ia keni arritur që më pak se 5 për qind e popullsisë së Kosovës t’ia imponojë dhe t’ia dirigjojë jetën shumicës, të përbërë me më se 95 për qindtë popullsisë së Kosovës! Bisedime që Serbinë e kanë bërë hisedare të fuqishme të jetës institucionale dhe ekonomike të Kosovës përmes Listës Serbe!
– Çfarë demokracie është kjo dhe ku tjetër është e instaluar?
– Rrjedhimisht, a kemi një precedent të tillë diku gjetkë në rruzullin tokësor?
Nëse keni të bëni me krimin (politik e ekonomik), korrupsionin, trafiqet e ndaluara, me keq menaxhimin e pasurisë kombëtare te pas luftës, këtë e keni pasur mundësinë ta bënit gjatë gjithë këtyre viteve. Pse nuk e betë?
Së këndejmi, ne, luftëtarët e lirisë, të pavarësisë e të demokracisë nuk mund të pajtohemi, kur deputetë e zyrtarë të ndryshëm nga BE-ja e vlerave demokratike, UÇK-në e quajnë terroriste e në të njëjtën kohë bëhen mbështetës të regjimit kriminal të Millosheviqit, i cili ka udhëhequr e ushtruar gjenocid të programuar me qëllim të pastrimit etnik të Kosovës. Edhe ne, luftëtarët kombëtarë të Kosovës, sipas një analogjie të thjeshtë, këta njerëz mund t’i quajmë kriminelë e terroristë pasi mbështesin regjimin gjenocidal të Millosheviqit, pasi ata njerëz me origjinë politike të së majtës ekstreme, ishin mbështetës të tij edhe në kohën e bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Për ne shqiptarët liridashës e socialdemokratë nuk mund të jenë “terroristë” ata që ia vunë gjokset regjimit të Millosheviqit dhe “demokratë” ata që i mbështetën barbaritë e tij dhe iu kundërvunë botës demokratike, me SHBA-të në krye, pse po e luftonin regjimin barbar të tij. Ne nuk i quajmë ata terroristë dhe këtë nuk e bëjmë pse frikësohemi nga padrejtësia ngado që mund të vijë ajo, se padrejtësitë e mbështetura në forcën e kërbaçit, të “ligjit” e të gjyqësisë shoviniste i kemi përjetuar për pothuajse një shekull, por pse jemi njerëz të gatshëm për çdo flijim, nëse ai flijim është në interes të kombit e të atdheut.
Shkurt, gabohen të gjithë ata që mendojnë se sulmet e koordinuara, të brendshme e të jashtme janë të drejtuar vetëm kundër disa individëve që dje ishin pjesë e UÇK-së?!
***
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Deputetja gjermane me origjinë turke, e ekstremit të majtë (Die Linke), Sevim Dağdelen, më 19 qershor 2015 në seancën e Bundestagut gjerman ka lëshuar akuza të rënda në adresë të UÇK-së, kur u diskutua zgjatja edhe për një vit e mandatit të trupave të KFOR’it gjerman në Kosovë.Ajo e ka kundërshtuar dërgimin e trupave gjermane jashtë vendit, duke i bërë thirrje parlamentit që të kthejë Gjermaninë te politika neutrale dhe paqësore. Sevim Dağdelen ka thanë se Bundeswehr-i gjerman ka qenë për 16 vjet në Kosovë, e sipas saj, nuk ka arritur asnjë nga objektivat që ka pasur. Me këtë rast ajo ka sulmuar ashpër UÇK-në dhe ish-liderët e saj që tash drejtojnë qeverinë e Kosovës, të cilët, sipas saj, kanë lidhje me sulmet e fundit “terroriste” në Maqedoni dhe vendet fqinje. Më tej, deputetja gjermane ka pyetur se si është e mundur që pars syve të ushtrisë gjermane dhe trupave të tjera të NATO-s, Kosova të bëhet ndër rajonet prej nga më së shumti dalin ekstremistë islamikë për ISIS në Irak e Siri. Fjalimi i saj, i ndëprerë prej duartrokitjeve të deputetëve të majtë në Bundestag, por edhe nga kundërshtimet e një deputeti, ka vazhduar më tej me deklarimet se Kosova është kthyer në një strehë të varfërisë të Europës. “Njerëzit atje, po e kundërshtojnë sistemin thellësisht të korruptuar”, tha ajo. Sevim Dağdelen ka shkuar edhe më tej, mes kundërshtimit të një deputeti nga SPD, ajo ka cituar deklaratën, që sipas saj ka bërë ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, njiherit deputet i SPD, se bombardimi i Jugosllavisë ishte i paligjshëm nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar.
Sevim Dağdelen, në faqen e saj zyrtare, e boton të plotë fjalimin e mbajtur para deputetetëve të bundestagut:
Lexoni këtu:
Kfor: Zurück zum Völkerecht
Plenarrede von Sevim Dağdelen am 19.06.2015 im Deutschen Bundestag
http://www.sevimdagdelen.de/de/article/4014.kfor_zurueck_zum_voelkerecht.html

Për më tepër shikoni Videon: 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura