RAMIZ LUSHAJ: KUR SHQIPËRIA KA MË SHUMË VOTUES SE BANORË TË SAJ?!

Tiranë, 08. 06. 2015 – 1. Kushtetuta, neni 45 i saj, përcakton se kush quhet votues: “Çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë dhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhet”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, muajin e kaluar, sipas të dhanave të Ministrisë së Brendshme, flet për 3.164.859 votues në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, INSTAT, institucioni shtetëror me ekspertizën ma të lartë për të dhanat për popullsinë e Shqipërisë, dokumenton se më 1 janar 2015 vendi ynë numëronte 2.893.005 banorë. Përndryshe: CIA, në korrik 2014, në librin e fakteve, publikon një shifër tjetër për Shqipërinë: 3.020.200 banorë.
E para: Si është e mundur që Shqipëria të ketë 271.854 votues ma shumë se popullsia e saj e publikuar nga INSTAT, ndërkohë që numri i të larguarve nga Shqipëria është 46.413 banorë, numri i imigrantëve në Shqipëri është 28.367 banorë, shtesa natyrore vjetore e popullsisë është 15.104 banorë?!
E dyta: Një përllogaritje, në se popullsia e Shqipërisë është 2.893.005 banorë (sipas INSTAT) tue pasë parasysh se mbi 800 mijë banorë të saj janë nën moshën 18 vjeç, atëherë del se vendi ynë ka 2 milionë votues, që do të votojnë në 4.932 qëndra votimi në 12 qarqet. Atëherë, si dalin mbi 1.200.000 votues ma tepër?!

2. Në Zgjedhjet Parlamentare 2013, sipas të dhanave të KQZ (të bazuara në ato të Ministrisë së Brendshme), ishin 3.271.885 votues të rregjistruar. Këtë shifër, me termin “votues”, KQZ e paraqet dhe në raportin e vet vjetor të shkurtit 2014 para Kuvendit të Shqipërisë. Votues kemi ma shumë se banorë (!) Sivjet, në Zgjedhjet Lokale të qershorit 2015 janë mbi 100 mijë votues ma pak?!
Çka ndodhi?
Në 5.008 qëndra votimi në të gjithë Shqipërinë u gjetën vetëm 1.749.358 fletë votimi në kutia. Përndryshe: 53.47%e votuesve. Pra, ne, kësisoj, sipas këtyre praktikave zyrtare, etj., shkojmë nga një palë zgjedhje tek tjetra me një pjesmarrje të ulët në votime. E, pastaj, lideri i pozitës, Edi Rama, mburret për 1 milionë shuplaka, që ndoshta janë afër çerekut të popullsisë së Shqipërisë, etj.?!
3. Shqipëria, si rrallkund tjetër në botë, në Kushtetutë, bash te neni i parë i saj, pika 3, flet për ato që i kemi vënë në përbaltim gjithmonë: “zgjedhje të lira, të barabarta”, tue i lanë tek i 14-eti nen i saj – Gjuhën, Flamurin, Hymnin Kombëtar, etj. Neni 45, tek Kreu III “Liritë dhe të Drejtat Politike”, flet për shenjtërinë e votës si “vetjake, e barabartë, e lirë, e fshehtë”, po në elektoriada shqiptare ka arritë dhe të vidhet, dhe të shitet e të blihet, etj.
Nisur nga ky detyrim kushtetues duhet që Shteti Shqiptar, me organizmat e veta: INSTAT, MB, KQZ, etj.,të argumentojnë e të flasin hapur para popullit e elektoratit shqiptar, para ndërkombëtarëve: Sa është popullsia reale e Shqipërisë?! Sa është numri real i votuesve në Shqipëri, si fjala vjen, në Elektoriadën e 21 Qershorit 2015?! Kush di ma mirë le të flasin ma qartë, ma shumë, ma shpejt, ma saktë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura