DR.JAKUP KRASNIQI: PËRPJEKJET PËR UNITET NË ‘QPK’ DHE OPERACIONI ‘SHIGJETA’ (Pjesa e dytë)

Prishtinë, 30 prill 2019: Për këtë formë të organizimit nuk kishim bërë ndonjë përgatitje serioze. Sigurisht që kishte të meta dhe dobësi, por edhe ishim të vetëdijshëm se për bashkëkombësit tanë, (që ishin mësuar me standardin jetësor të perëndimit, nëse ata nuk do të ishin paraprakisht të ndërgjegjshëm se ku po shkonin dhe pse) ndonjë kusht jetësor për të qenë në qendrat stërvitore nuk do t´ua krijonim. Nga shteti dhe ushtria shqiptare kemi pasur shumë ndihma, por për punët tona ne nuk kemi qenë sa duhet të përgatitur. Këtu na kanë munguar përvoja, gjegjësisht njerëzit me përvojë. Madje ne fare nuk kishim bërë përgatitje paraprake për një masë të tillë. Ne nuk kishim kohë për të pritur, që t´i merrnim të gjitha masat përgatitore. Veprimet tona duhet të ishin të shpejta dhe të vendosura. Efektet e tilla nuk mbetën pa u vërejtur nga faktori relevant ndërkombëtar.

Në kohën kur Kosova po boshatisej nën trysninë e bandave serbe, kur partitë politike dhe liderët e tyre ose ishin ikur me popullin duarthatë ose ndonjëri ishte bërë lodër e politikës se Millosheviqit, SHP i UÇK-së i jep kompetenca Kryeministrit që kishte dalë nga Marrëveshja e Rambujesë, z. Hashim Thaçi, që ta formojë Qeverinë e Unitetit Kombëtar të Kosovës, që u quajt QPK, (1) për t´u bërë zëdhënëse e interesave të popullit shqiptar të Kosovës. Qeveria e Përkohshme e Kosovës e dalë nga Marrëveshja e Rambujesë dhe lufta, e krijuar në Malet e Berishës, sigurisht që nuk ishte zgjidhja më e mirë, e as në qeveri u zgjodhën më të mirët, por në ato çaste tepër të vështira për kombin – ishte zgjidhja e vetme.
Qeveria e Përkohshme e Kosovës nuk ishte qeveri e ndonjë partie, para se gjithash ishte qeveri e dal nga lufta, nga gjaku dhe mbi bazën e një Marrëveshjeje që edhe ajo kishte aromën e gjakut. Lufta e gjaku ishin faktorët kryesor që dërguan deri në Rambuje e Paris Delegacionin e Kosovës. Ata që vazhdonin të jetonin e të luftonin në Kosovë, në emër të popullit dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i përshëndesnin dhe përkrahnin aksionet luftarake të Aleancës Veriatlantike mbi objektivat e infrastrukturën armike. Në këto përshëndetje të sinqerta me nderim të veçantë falënderoheshin: Presidenti i SHBA – Bill Klintoni, Kryeministri i Britanisë së Madhe – Toni Bler, Kryetari i Francës – Shiraku dhe udhëheqësit e Lartë të NATO’s -Solana dhe Klark.
Në këto rrethana, mjaft të vështira për popullin dhe vendin tonë, u shkrova letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s z. Solana dhe Komandantit të NATO-s për Evropë, z. V. Klark dhe gjithë shteteve të NATO-s. Në letër thuhej:
“Lufta në Kosovë ka marrë përmasa të gjëra. Populli i Kosovës përmes përfaqësuesve të vet politikë me kërkesën dhe përkrahjen e BN, BE e SHBA, pranoi dhe përkrahu Marrëveshjen Kalimtare të Rambujesë dhe e dha firmën në dokumentin përfundimtar, për paqe e vetëqeverisje demokratike në Kosovë. Regjimi kriminel i Beogradit jo vetëm që nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen, por ka ndërmarrë një fushatë shfarosëse të popullit të Kosovës. Populli i Kosovës dhe Ushtria e tij Çlirimtare ka përshëndetur dhe përkrahur aksionet e organizuara të NATO-s në caqet dhe objektet ushtarake serbe, por, edhe përkundër kësaj, terrori dhe masakrat serbe kanë marrë përmasa të paparashikueshme. Andaj në emër të popullsisë civile, grave, fëmijëve e pleqve, të dërgoni në Kosovën e djegur e të përgjakur, forcat tokësore të NATO-s ose të armatosni UÇK-në, të dërgoni ndihma humanitare, të jepni ndihmën tuaj të çmuar e vendimtare. Shpresojmë dhe besojmë se komanda e lartë e NATO-s, personalitetet udhëheqëse me ndikim siç jeni JU, kanë njohuri të mjaftueshme për krimet e shkatërrimet që po kryen makineria vrastare e Millosheviqit, e cila meriton ndëshkim meritor dhe të vendosur. Besojmë se ndihma dhe përkrahja Juaj do të vendosë paqen dhe do të krijojë kushte për rikthimin e jetës normale në Kosovë. Shpresojmë se ndihma e juaj do të jetë vendimtare për shpëtimin e popullit të Kosovës nga dhuna, terrori dhe masakrat serbe. Ju përshëndesim dhe Ju falënderojmë për ndihmën dhe përkrahjen që po i jepni popullit të Kosovës (2) “.

Tiranë – Rogner, 2 prill 1999: Jakup Krasniqi dhe Xhavit Haliti në konferencën me gazetarë.

Kur e shkrova këtë letër, pra më 30 mars 1999 ende isha zëdhënës i SHP të UÇK-së. Nga bashkëkombësit tanë në botën Perëndimore kërkohej një mobilizim i përgjithshëm ushtarak e financiar. Bashkëkombësit njoftoheshin se tani në Kosovë po funksiononin: QPK-ja me kryetar Hashim Thaçin dhe SHP i UÇK-së. Kurse të tjerët kudo ku paraqiteshin thuhej në këtë deklaratë politike të SHP të UÇK-së, janë matrapaz e kriminel që kanë minuar e sabotuar luftën për liri, që kanë ndihmuar armikun në tragjedinë kombëtare.
Po në këtë kohë në një konferencë për gazetarë, të organizuar në Tiranë, kisha sqaruar se: Fushata e spastrimeve etnike në Kosovë nuk është e nxitur nga sulmet e NATO-s, por kjo bëhet sipas planeve e memorandumeve serbe. Liderët serbë, shumë kohë para lufte edhe para viteve ´90 kanë deklaruar se 200.000 shqiptarë do t´i përzënë përtej Bjeshkëve të Nemuna. Opinioni politik është i njohur me këto gjëra. E sqaroja këtë për opinionin e gjerë, se ne disa qarqe të caktuara evropiane, kishte filluar të flitej se spastrimi etnik që po bënte Serbia ishte pasojë e bombardimeve të NATO-s. Me këtë qëndrim qarqe të caktuara, që edhe tani janë avokatë të regjimit kriminel të Milosheviqit, mundohen ta maskojnë qëllimin e vërtetë të luftës gjenocidale serbe – spastrimin etnik të Kosovës. (3)
Gjatë kësaj kohe i kam pasur edhe dy-tri takime me „ministrin“ e mbrojtjes Halil Bicin, selia e të cilit ishte në Laprakë. Dhe po të ishte njeriu formalist, ka pasur rrezik të bindet se aty paska njëfarë „ministrie“ të mbrojtjes. Shkoja, edhe pse nuk kisha shpresë se do të arrija diçka, pasi edhe shumë herë para meje ishte biseduar për ta arritur ndonjë marrëveshje. Në ndonjë rast edhe është arritur ndonjë marrëveshje, por çdo gjë ka mbetur në letër, asgjë nuk është jetësuar. Megjithatë edhe unë kam shkuar. Herën e parë kur kam shkuar në Laprakë, me veti kam pasur Burim Marmullakun (Dervishin), gjersa aty ishin një mori njerëzish të zyrave. Formova bindjen se në mesin e atyre njerëzve kishte djem të mirë që dëshironin bashkimin, por jo aq shumë për të luftuar sa për t´i ruajtur postet që kishin në hierarkinë ushtarake të Bicajt. Ndonjëri aty po rrinte, sigurisht edhe për shkak të ardhurave që po merrte, por kishte që ishin të bindur në „ndershmërinë“ e punës që po kryenin. Të ata njerëz asnjëherë nuk pashë gatishmërinë për luftë çlirimtare, sikur nuk pashë as shqetësim për situatën e krijuar në Kosovë. Ata ëndërronin vetëm postet që do t’i merrnin në Kosovën e lirë. (4)
Pas dy tri dite në një restorant të Tiranës jemi takuar sërish me Halil Bicin. Kemi biseduar për mundësitë e bashkimit dhe të inkuadrimit me të gjitha mjetet që kishin në dispozicion në luftën çlirimtare. Ai, duke dashur të më lëvdoj mua e të m‘i shajë shokët, e ngriti çështjen e një Deklarate politike të SHP të UÇK-së, ku Bukoshi e stafi i tij shpalleshin kriminelë. Për t´i treguar se as unë s´mund të jem më i mirë se shokët e mi të luftës, i them se atë deklaratë e kam shkruar unë. Së bashku me Halil Bicin ishte dhe një Ramë Maraj, „shef“ i sigurimit të Kosovës në Shqipëri?! Megjithatë e lamë që të nesërmen të shihemi në Laprakë. Kur u ndamë vërejta se ai me vete kishte marrë një suitë të tërë, ndërsa unë kisha shkuar vetëm me Burim Murmullakun. Në orën e caktuar, përsëri unë vet i dyti shkoj të nesërmen në Laprakë. Në bisedime ishte mjaft i pasigurt. E pyeta, nëse ishte i gatshëm të hynte në Kosovë me njerëzit e tij, se qëndrimi në Tiranë ishte bërë i pakuptimtë. Kosova ishte në flakë të luftës. Sikur nuk shihja ndonjë dëshirë për luftë, ndoshta i mjaftonte posti i „ministrit“ në Laprakë. Në fund ia kam parashtruar disa kërkesa, dhe më ka thënë se do t´i shqyrtojë me Bukoshin.
Ishin këto kërkesa:
Të pranonin programin e UÇK-së, të njihej QPK, t‘i nënshtrohej komandës së SHP të UÇK-së, t’i respektonin Rregulloret e UÇK-së, me njerëzit e tij të hynin në Kosovë dhe
selia e tij në Tiranë t´i dorëzohej Ministrisë së Mbrojtjes së QPK-së. (5)
Jemi përshëndetur, sigurisht duke pasur pak shpresë se do të realizohej ajo për çka biseduam. Ka pasur edhe ndonjë përpjekje me ndërmjetësim të Shqipërisë, por kanë përfunduar kështu pa sukses.
Gjatë qëndrimit në Tiranë jam takuar me kryeministrin e Britanisë se Madhe, Toni Blerin, (6) me kryeministrin e Holandës, (7) me MJ të Norvegjisë z. Volebek, me të ngarkuarin e OSBE-së në Shqipëri z. D. Everts. Po ashtu kam pasur disa takime në ambasadën amerikane në Shqipëri. Në të gjitha takimet, kudo që kam mbajtur, kam falënderuar për përkrahjen që na është dhënë, për bombardimet e NATO-së dhe kam kërkuar intensifikimin e tyre. Kudo kam kërkuar ndërhyrjen tokësore të trupave të NATO-s ose heqjen e embargos për UÇK-në, kam kërkuar një përkrahje më të madhe politike për QPK-në si dhe një zgjidhje politike për Kosovën, që do të mbështetej në vullnetin e popullit – me referendum. Ne të gjitha takimet të huajt kanë kërkuar që faktori shqiptar të jetë i bashkuar. U kam thënë të gjithëve se ne ka kohë që kemi treguar gatishmëri dhe kemi dhënë shembuj konkretë se jemi të gatshëm për bisedime dhe për bashkim. Dhe këtë e bëjmë për interes të popullit dhe të ardhmërisë së tij. Luftën as s‘e kishim nisur dhe as po e bënim për vete, por e bënim për çlirimin e Kosovës, për pavarësinë e saj. Me Dan Evertsin jemi takuar më shpesh, dhe një takim apo dy, i kemi pasur së bashku me prof. Rexhep Qosjen. Në këto takime është biseduar dhe mundësia e afrimit me LDK-në. Ne kemi treguar gatishmëri dhe për këtë janë ngarkuar Sabri Godo dhe D. Everts, që të bisedojnë me përfaqësues të LDK-së, që kryesisht gjendeshin në Maqedoni dhe priteshin të vijnë në Shqipëri. Unë kam kërkuar që bisedimet të jenë publike për opinion, në mënyrë që opinioni i gjerë të njihet se kush vërtet po e pengon bashkimin. Edhe Sabri Godo edhe miku nga Evropa kanë bërë përpjekje të mëdha për të arritur një bashkim të faktorit shqiptar. Dhe më në fund janë bindur se ku qëndron pengesa e bashkimit të faktorit shqiptar. Më në fund ka ardhur një delegacion i LDK-së në Tiranë. Me kujdesin e Meriman Brahës me delegacionin e LDK-së të përbërë nga nënkryetari: Naim Jerliu, Milazim Krasniqi, Fadil Hysaj, Fatmir Sejdiu etj., në banesën e Merimanit kemi bërë një bisedë mjaft konstruktive. (8) Por kush dhe pse ndikoi që këto bisedime mos të zhvilloheshin më tej nuk më është e qartë.
Një gjë dihet, pas takimit që do të kenë me PD-në, gjërat marrin kahen e padëshirueshme. Veç të tjerave në atë bisedë anëtarët e LDK-së kanë treguar pakënaqësi të dukshme me kryetarin e tyre I. Rugovën dhe me ndonjë zotëri apo zonjë që ua kishte rrëmbyer kompetencat e partisë, siç shpreheshin ata. Këtu aludohej para se gjithash në znj. Edita Tahiri. Gjithashtu është biseduar edhe për mundësinë e dërgimit të kandidatëve të tyre për në QPK. Ata patën kërkuar që mos t´i nënshtrohen seleksionimit. (9) Iu thash se për këtë çështje mund të merremi vesh, në fund të fundit për kandidatët tuaj përgjegjësinë e merr LDK-ja. U ndamë duke shpresuar se më në fund anëtarët e kryesisë së LDK-së do të vendosnin me kokën e tyre. Fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu, por ndonjëri nga ata më vonë u larguan nga radhët e saj. LDK-ja vazhdoi rrugën e bojkotit e të dëmtimit të faktorit shqiptar. Avokat i vijës së fortë të LDK-së në këtë takim është paraqitur Fatmir Sejdiu. Edhe Shaban Braha është angazhuar shumë për bashkimin e faktorit shqiptar. Dikush sikur kishte marrë kushedi nga kush për obligim për të penguar, bojkotuar e sabotuar bashkimin e faktorit shqiptar. Dhe shqiptarëve iu kushtoi kjo si gjatë luftës ashtu dhe pas saj. Sigurisht, grushtin më të rëndë këtyre bisedimeve mjaft konstruktive do t‘ua japë dalja e Rugovës ne Itali. Ndoshta ishte e rastit kjo lojë e Milosheviqit, por shqiptarëve të Kosovës kjo u kushtoi shumë. Gjatë kësaj kohe kam pasur takime të ndryshme. Mjaft të përhershme i kam pasur takimet me përfaqësuesit e ndryshëm të SHBA, me atë të ambasadës së SHBA në Shqipëri, të KDOM-it dhe me diplomatin L. Rosin (dy herë në Tiranë). Ky i fundit në një rast na pat siguruar se SHBA-të nuk heqin dorë nga pesë kërkesat e NATO-s për Kosovën dhe se SHBA-të nuk prejudikojnë statusin politik të Kosovës. Pra, SHBA-të do të respektojnë vullnetin e popullit të Kosovës. (10) Në të gjitha takimet kemi parë vendosmërinë e SHBA për të vazhduar sulmet e NATO-s deri në tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova. Krejt këto premtime patëm mundësi t´i shohim të realizuara.
Në Tiranë dy herë kemi biseduar me përfaqësuesit e MVK-së. Herën e dytë jemi takuar me udhëheqësin e tyre V. Vokerin, mikun e madh të shqiptarëve, i cili i pari me guximin intelektual e njerëzor tha: „Në Reçak është bërë masakër mbi popullsinë civile!“ Ishte vlerësim ky, që bëri kthesën e madhe në bashkësinë ndërkombëtare. Bota e perëndimit fillon të merr hapa konkret për të dënuar krimin e organizuar shtetëror serb që po ushtrohej në Kosovë. Vokeri përjetë do të mbetet mik i madh i popullit shqiptar. QPK, pas luftës e shpalli Qytetar Nderi të Kosovës.
***
Mobilizimi Ushtarak po shkonte mirë, madje shumë më mirë se që kishim menduar. Nga Shqipëria e kishim një mbështetje morale dhe profesionale mjaft të madhe. Kuadro të Shqipërisë kishin treguar gatishmëri të madhe për t´na ndihmuar në aspektin profesional. Në Shqipëri vëreja se sa të papërgjegjshëm kishim qenë ne kosovarët gjatë viteve të „demokracisë“, dhe s´kishim arritur t´i nxjerrim disa gjenerata të oficerëve të shkolluar, qoftë edhe me kurse të ndryshme. Kështu gjatë muajit prill 1999 në Shqipëri u krijuan dy qendra stërvitore, ku ushtronin nga 3000 e më shumë ushtarë. Të gjithë ushtarët, pak me vonesë, por ata u armatosën. Pedagogët ishin të Shqipërisë, kurse stërvitjet qenë shumë të suksesshme. Ato edhe nga të huajt u vlerësuan lart. Në një ushtrim taktik, me armë zjarri, ku ushtarët tanë treguan sukses shumë të mirë, një oficer i huaj do të thotë: „ nuk do të doja të isha ushtar serb para shenjëtarëve të tillë“. Ishte vlerësim për djemtë tanë që kishin ardhur nga vendet e ndryshme të Evropës, dhe aty kishte edhe nga SHBA-të, të cilët formuan Batalionin “Atlantiku” (11).
Në radhët e këtij batalioni kishte shqiptarë të gjitha viseve shqiptare. Batalioni Atlantiku ishte Shqipëri në miniaturë. Nga këta ushtarë përbëheshin dy Brigadat e Pashtrikut, që do të organizohen e komandohen nga Fatmir Lima e Bislim Zyrapi, kurse një pjesë tjetër vazhdimisht ka shkuar në luftimet e Koshares. Këto brigada nuk do ta arrijnë qëllimin edhe për faktin se UJ do të nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës.
Pra, shikuar realisht, lufta që është zhvilluar në bazë të operacionit „Shigjeta“, që është shtrirë nga Koshara në Pashtrik, i ka pasur të gjitha mundësitë që në këtë fazë të luftës të bartë barrën kryesore të luftës (12).
Koha qe e shkurtër për ndonjë sukses të dëshirueshëm, por edhe armiku pati aty forca të koncentruar. Si duket nga drejtime të ndryshme armiku ishte i njoftuar për planin tonë të luftës. Ndoshta jo të gjithë ata që vinin ishin miq të çështjes sonë, por edhe në radhët tona sigurisht që kishte mjaft të infiltruar nga radhët e armikut.
Operacioni „Shigjeta“ është aksion i përmasave të mëdha, më të mëdha që ka marrë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ky operacion është ndihmuar dhe nuk ka mundur të realizohet pa ndihmën e shtetit e ushtrisë shqiptare. Pa marrë parasysh përmasat e suksesit të këtij operacioni, i rëndësishëm është fakti se ushtarët tanë hynë në tokën e Kosovës dhe filluan aksionin e spastrimit të terrenit nga minat dhe bandat serbe dhe i shkaktuan humbje të mëdha njerëzore e materiale. Në Shqipëri vazhdohej me përgatitjen e forcave të reja. Bota po e shihte këtë vendosmëri dhe po bindej se shqiptarët ishin të vendosur për rrugën që kishin zgjedhur dhe kishte qarqe që po frikësoheshin nga forcimi ushtarak i shqiptarëve. Në këtë aspekt ndihmoheshin edhe nga klane të caktuara shqiptare, të Kosovës e të Shqipërisë.
(FUND)
______________
Referencat:
1 Deklarata e Kryeministrit për formimin e QPK-së, 2 prill 1999,
2 Jakup Krasniqi: Letra dërguar SP të NATO-s dhe komandantit të saj, z. Vesli Klark, më 30 mars 1999.
3 Jakup Krasniqi: Pas një stervitje të ushtarëve të ardhur nga Bota perëndimore, fillimi i majit 1999,
4 Jakup Krasniqi: Nga një takim me Halil Bicajn në Tiranë.
301 Jakup Krasniqi: Pesë kërkesat për Bicajn dhe Bukoshin në selinë e „Ministrisë“ së mbrojtjes në Laprakë të Tiranës.
5 Rexhep Qosja: Tronditja e shekullit II ; „Toena“, Tiranë, 2000, f. 89-90.
6 Po aty, faqe 168- 169.
7 Rexhep Qosja: Tronditja e shekullit –I-; “Toena”, Tiranë- 2000, f. 246.
8 Jakup Krasniqi: Nga biseda me aktivistët e LDK-së në shtëpinë e Meriman Brahës nëTiranë.
8 Jakup Krasniqi: Nga biseda më diplomatin amerikan z. Lary Rosin në Tiranë.
9 Deklaratë e një oficeri mik, për ushtarët e UÇK-së.
10 Plani i Operacionit “Shigjeta” ( Arkivi I UÇK-së).

—————————-
20 vjet më parë!
DR.JAKUP KRASNIQI: LUFTA NË KOSHARE DHE PASHTRIK (PRILL – QERSHOR 1999) Pjesa e parë
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8710
_________________
Ibrahim Rugova 1999 – Shtepia e rrethuar nga serbet – Takimi me Slloben – Rikthimi ne Kosove
https://www.youtube.com/watch?v=Jtp7PxN3Kfw&fbclid=IwAR05A-ne4zV2hpDx6xCwVE9hkbk6AlRukBpwfIDbEFWE0d3GfamgDNkcpek

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura