DR.LAVDOSH AHMETAJ: AMBICIET POLITIKE TË ESAD PASHË TOPTANIT

Vlorë, 09. 04. 2013 – Elasticiteti i Esadit reflekton në mënyrë mjeshtërore përmes një politikë të paparagjykimtë dhe pragmatiste, në shërbim të ambicies së tij politike, e vërtetuar përmes dokumenteve të kohës, të cilat vërtetojnë kontaktet politike të pashait shqiptar me Uillsonin. Kështu, kontakti i parë zyrtar i Esad Pashës me diplomacinë amerikane është arritur në korrik të vitit 1918, shprehur nëpërmjet një letre që Esad Toptani i dërgonte diplomatit amerikan, i cili akuzonte politikisht Ismail Qemalin, si bashkëpunëtor të xhonturqve, ndërsa për Princ Vidin shprehet se ai nuk e njihte mentalitetin dhe zakonet e popullit shqiptar. Njëherësh, shprehej për shërbimet që u kishte bërë aleatëve dhe kontaktet e afërta që kishte mbajtur me ta, dhe disa herë i referohej faktit që ai kishte siguruar tërheqjen e ushtrisë serbe përmes Shqipërisë Veriore dhe evakuimi i saj nga Korfuzi ishte tërësisht vepër e tij. Ndërsa shprehej për arritjen e tij në Korfuz si stacion prehës për forcat ushtarake serbe, ishin të interesuar francezët dhe këtë detyrë më vonë e morën përsipër italianët në marrëveshje me aleatët. Për ta konceptuar më konkretisht çështjen në fjalë, është e nevojshme ti referohemi gazetës greke “Ethnikos Qirix” nё shtator 1918, se Esad Pasha ishte mik i aleatёve, luftonte nё Maqedoni me shqiptarët e tij tё patrembur përkrah anglo-francezëve, “i urrente austro-gjermanёt dhe dëshironte njё Shqipëri konstitucionale qё tё marrё brenda shqiptarët e vërtetë tё Maqedonisё serbe, pa trazuar popullsitë e huaja tё krishtera”[1]. Duket se kjo gazetë i bёnte një shërbim tё dyfishtë: nё njёrёn anё inspironte ambicien politike tё Esad Pashёs, ndërsa nga ana tjetër ishte njё mbështetje e pikëpamjeve tё Venizellosit, tё shprehura nё seancën e 24 shkurtit 1919 nё Konferencën e Paqes.[2] Pikëpamje, e cila insistonte në konceptimin politik të etnisë ortodokse, e cila jetove në jug të Shqipërisë. Parë në këtë pikëpamje, mendoj se midis politikës esadiste dhe asaj të Venizelloit kanë një interferim politik, për t’i shërbyer raportit të tyre politik.

Ismail Qemali dhe Esad Pashe Toptani

Ndërsa studiuesi kroat, Haris Silajxhiçit, shpjegon në punimin e tij shkencor “Shqiptarët në Arkivat e Uashingtonit” se qeveria e Esad Toptanit në Selanik, ishte përkrahur politikisht prej Francës, Serbisë dhe Greqisë. Për rrjedhojë, pas shpalljes së protektoratit italian në Shqipëri, ai protestoi tek qeveria e SHBA, duke deklarua, se ishte i gatshëm, nën mbrojtjen e Anglisë, Francës, SHBA dhe Serbisë, të rivendoste marrëdhënie të mira me Italinë, duke besuar pa rezerva tek pulitka e presidentit Uillson në Ballkanin e trazuar nacionalist.
Ndërsa nga ana tjetër politike, Esadi, në një intervistë dhënë gazetës së Selanikut “L’Opinion”, e krahasonte veten me Sherif Huseinin e Arabisë, të cilin turqit e dënuan me vdekje, duke thënë se gjithë propaganda e perandorisë osmane ishte drejtuar kundër tij. Përkrahja që ai i kishte dhënë Vidit duket se e kishte vendosur në një pozicion politik të pafavorshëm përballë rrymës promuslimane në Shqipërinë e Mesme, gjë që do të thoshte se ai jo vetëm kishte humbur mbështetjen në Shqipërinë e Mesme, por njëherësh ishte armiqësuar dhe konsiderohej tradhtar, në spektrin politik të fundamentalizmit mysliman shqiptar. Pra, po ta shohim në spektrin ideologjik të politikës esadiste, duket se reflekton një demagogji politike, e cila shfaq synime të pastra pragmatiste, filozofi e cila funksiononte në vitet që jemi duke revokuar, në mënyrën më origjinale të mundshme.
Si për ta argumentuar pragmatizmin e Esad Pash Toptanit, është e nevojshme t’i referohemi studiuesit të mirënjohur arbëresh Anselmo Lorekios, i cili nëpërmjet gazetës “La Nacione Albanese” i drejtonte Esad Toptanit, nё tetor 1918, shpjegonte se ai nuk ishte një mysliman konservator përderisa kishte pranuar aleancën me katolikun e Mirditës, Preng Bib Dodën. Ky i fundit deklaronte se pranonte autoritetin e Esad Toptanit “për të shpëtuar Shqipërinë nga anarkia dhe kaosi që e kishte përfshirë atë”[3]. Lorekio i drejtohet gjeneralit që të mbajë fjalën, të cilën e kishte deklaruar në gazetën e Romanjes, lidhur me qëndrimin e tij ndaj fuqive europiane; ai duhej të ishte më i matur dhe më i kontrolluar në veprimet e tij ndaj tyre, në mënyrë që “këto lëvizje të ishin në funksion të çështjes kombëtare”[4].
Politikisht, Esad Toptani reflekton një ambicie politike interesante derisa në prill të 1919 arriti të takohej me Uillsonin, takim pas të cilit Uillsoni i kishte kërkuar që ai të paraqiste një memorandum për çfarë u bisedua, gjë të cilën ai e bëri. Gjatë bisedës, Esadi kishte vënë në dukje se kishte luftuar në anën e aleatëve për ato parime që kishte shpallur Uillsoni dhe më e pakta që ai kërkonte nga ky takim me presidentin ishte Shqipëria e vitit 1913. Njëherësh kërkonte që SHBA-të të pranonin mandatin mbi Shqipërinë, duke shprehur besimin absolut të shqiptarëve tek Uillsoni.
Reflektime politike, pas takimit me Uillsonin
Pas këtij takimi politik, reflekton Telford Eriksoni, i zemëruar me Uillsonin, për takimin me Esadin, shkruante: “Esadi nuk kishte qenë në Shqipëri prej vitesh dhe nuk përfaqësonte askënd përveç vetes”.
Ndërsa, Mis Durhami në një letër, që nëpërmjet shërbimit informativ britanik kishte arritur deri në Departamentin amerikan të Shtetit, e akuzonte Esadin se kërkonte ndarjen e Shqipërisë, në mënyrë që pastaj vetë të udhëhiqte një pjesë të saj (Shqipërinë e Mesme). Këtë gjë e vërtetonte sipas saj edhe dorëzimi i Shkodrës, më 1913. Ajo deklaronte se asnjë nga anëtarët e Shoqatës Anglo-Shqiptare nuk e mbështesnin Esadin. Këtë e argumentonte me faktin se “e kishte ndjekur që nga viti 1919, dhe kishte arritur në përfundimin se ai nuk kishte pasur mbështetjen e shqiptarëve”.
Po ashtu, edhe Filipsi, i cili i jepte deklaratë delegacionit amerikan, vinte në dukje se vetëm duke e penguar Esad Toptanin që të mos merrej me çështjen shqiptare, mundej që të arrihej bashkimi i Shqipërisë. Sevasti Dako i shkruante Robert Lasingut, duke akuzuar Esad Toptanin, si një njeri pa skrupull që kishte si synim ndarjen e Shqipërisë. Uiliam Haurdi, sekretar i Fondit për Ndihmën ndaj Shqipërisë, shkruante se kishte takuar në dhjetor të vitit 1915, Esadin së bashku me agjentët e tij për shtypin dhe se pati përshtypjen se kishte takuar “dy dhelpra dinake”.

Selanik, 1916: Esad Pashë Toptani në mesin e oficerëve serbë!

Ambasada në Londër përgjigjej se Esadi ishte person “i cili kthen nga frynte era”, duke shtuar se nuk ishte kundër aleatëve dhe se kryekomandanti i përgjithshëm i trupave angleze në Selanik kishte hedhur poshtë mundësinë e njohjes së qeverisë së Esadit në Selanik. Ndërsa ambasada amerikane në Paris përgjigjej se qeveria franceze e shikonte Esad Toptanin si të parëndësishëm, për pasojë kishte tërhequr edhe përfaqësuesit e saj pranë qeverisë së Esad Toptanit. Ai nuk kishte mbështetje në Shqipëri, por ishte ai që kishte mundësuar tërheqjen e trupave serbe nëpër Shqipëri nga Korfuzi.
Duke u nisur nga dëshmitë e sjella më sipër, mund të arrijmë në përfundimin se delegacioni amerikan në Paris kishte në dispozicion mjaft dokumente që e ulnin autoritetin e Esadit dhe qëllimet e tij politike, por për arsye të ndryshme mund të thuhet se këto qëllime ishte e vështirë të përcaktoheshin, ndërsa shkaku i dashamirësisë së Uillsonit ndaj Esadit, që si pasojë kishte sjellë njohjen si përfaqësues i Shqipërisë politike në Konferencën e Paqes në Paris, atribut të cilën Esadi e kishte fituar përmes lëvizjeve politike midis aktorëve politik botëror, të cilët ishin faktor vendimtar në politikëbërjen globale. Parë në këtë kontekst, është interesante nga pikëpamja politike, shkolla që Esadi ka lënë në gjurmimet historike shqiptare. Si për ta përmbledhur shkrimin, mendoj se ideja doktrinare e Makiavelit është ende aktuale që historia është shkenca e politikës, me sa duket, nga gjasat e gjurmimeve historike rasti politik i Esad Toptanit nuk i shpëton gjykimit doktrinar makiavelist, pa u futur në analizën nëse Toptani është makiavelist ose jo, sepse një analizë e tillë kërkon një shkrim tjetër, i cili duhet t’i nënshtrohet një gjykimi më të gjerë mediatik.
*) Autori është Rektor i Universitetit – “Pavarësia”, Vlorë.
_______________
[1] – Gazeta “Kombi” 16 tetor 1918, f. 3 “Esad Pasha përparon” (Ky artikull ishte marrë nga gazeta greke “Ethnikos Qirix”).
[2] – Nё parashtresёn e tij Venizellos operon me argumente tё ndryshme, aty gjejmё edhe digresione historike, edhe konsiderata strategjike e gjuhёsore, edhe tё dhёna statistikore. Por siç thoshte edhe vetё, tё gjitha argumentet e tjera zbehen pёrballё kriterit fetar. Baza e arsyetimit tё tij ishte feja. Elementi themelor i identitetit tё njё kombi ёshtё ndёrgjegjia kombёtare. Por pёrsёri ёshtё feja ajo qё pёrcaktonte kёtë ndёrgjegje. Nё kёtё rend idesh Venizellos e shikon edhe zhvillimin historik tё Shqipёrisё sё Jugut si njё konflikt midis muslimanёve dhe tё krishterёve. (Arben Puto, “Historia Diplomatike e Çёshtjes Shqiptare 1878-1926”, f. 286-287, Tiranё 2003).
[3] – AQSH, v. 1897-1924.Fondi Lorecchio, D. nr. 5, fl. 300.
[4] – AQSH, viti 1897-1924.Fondi Lorecchio, D. nr. 12. Fondi Anselmo, fl. 234.

=====================================

Esad Pashë Toptani në Selanik, 1916

……………………………………….

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura