DR.LEDIAN DROBONIKU: PUNA ISHTË NDER!

Tiranë, 21 shtator 2017: Shumë popuj kanë vlerësuar punën dhe njerëzit punëtorë.
Thënia e popullit shqiptar se “puna është nder” është një ndër këto perla, sepse rrok thelbin e Njeriut. Sigurisht thëniet popullore janë fryt i eksperiencave shekullore dhe jo shpikje momentale të “filozofëve” të facebook-ut.
Populli kishte kuptuar se vetëm me anë të punës njeriu mund të realizohej i plotë. Puna përmbledh në vetvete shumë aspekte, si inteligjenca, lodhja, durimi, përqendrimi, respekti, sakrifica, energjia, raportet me tjetrin, me natyrën, etj. Një njeri i tillë mund të krijojë familje, të jetë i dobishëm dhe i respektuar në komunitet. Kjo s’do të thotë, që komuniteti përfshin vetëm njerëzit punëtorë, ai ka dhe dembelë, hileqarë e matrapazë. Por epiteti “njeri me nder” i atribuohej vetëm njeriut të punës.
Po sot, a mund të afirmojmë të njëjtën gjë?
Përderisa shtrojmë këtë pyetje, kuptohet që diçka ka ndryshuar në vetëdijën shoqërore shqiptare.
Shumica e njerëzve mund të përgjigjej se: “kështu erdhën kohërat”.
Ky artikull synon të shkojë përtej kësaj përgjigjeje kamomil.
Kjo lloj përgjigje nuk rehaton dot shpirtin e shqiptarëve me rroga mjerane apo atyre miliona të papunëve, në një vend ku ka kaq shumë punë për të bërë.

Situatat shoqërore nuk janë kurrë natyrore, si çdo regjim synon ti paraqesë, por fryt i raporteve të caktuara të pushtetit. Po kështu dhe puna si shumë të drejta të tjera, nuk janë natyrore. Të drejtat nuk rriten në pemë, por janë fryt i raporteve konfliktuale në një shoqëri të përbërë nga individë me nevoja dhe interesa të ndryshme. Disa nga këto interesa janë më të rëndësishme se të tjerat dhe meritojnë një mbrojtje të veçantë nga shoqëria e organizuar në shtet. Një nga këto të drejta, është pikërisht ajo e punës, sanksionuar jo vetëm në Kushtetutat kombëtare por dhe në karta ndërkombëtare.
Por tashmë është evidente, se regjimi i instaluar në Shqipëri është ngritur kundër frymës së Kushtetutës dhe të drejtave sankionuar në të. Kasta e tranzicionit nuk dështoi vetëm në vendosjen e një demokracie autentike, por në radhë të parë të garantimit të të drejtave themelore të Njeriut.
Neni 3 i Kushtetutës shqiptare, vendos në qendër të saj dinjitetin e Njeriut. Kjo nënkuptonte krijimin e një sistemi që lejonte realizimin e Njeriut dhe potencialeve të tija të bllokuara apo shpërdoruara nga regjimi komunist. Më në fund puna do dilte prej gjendjes skllavëruese, si e përshkruan Hannah Arendt (animal laborans), e do mundësonte një jetë më të mirë e jo thjesht për të mbijetuar. Puna bëhet e drejtë vetëm kur ajo vishet me garanci juridike që i lejojnë titullarit të saj (punëtorit) një jetë dinjitoze, rrogë të mjaftueshme, fuqi negocimi, mbrojtje prej arbitraritetit, orare, kushte dhe pushime sanksionuar e mbrojtur nga institucinet shtetëore dhe sindikatat.
Pas rënies së regjimit, shqiptarëve iu “hanin duart për punë” dhe filluan të punonin e hedhur të gjitha energjitë e tyre me biznese, bujqësi, ndërtime etj. Pasuria filloi të krijohej dhe të shpërndahej në mënyrë kapilare ndër shqiptarë. Kjo filloi të shqetësonte kastën se po ndjente se po humbiste monopolin ekonomik e bashkë me të atë politik. Sikur mos të mjaftonte deindustralizimi i vendit, shkatërrimi i sektorëve strategjikë, kasta sajoi fenomenin e piramidave duke i bërë reset ekonomisë dhe kursimeve të shqiptarëve. Mijëra investitorë, qytetarë dhe intelektualë braktisën vendin. Shqipëria humbi impulsin fillestar. Kurse kasta hodhi rrënjët e sundimit për dekadat në vazhdim. Ky sundim nuk mund të bëhej pa kontrolluar krijimin e pasurisë dhe shpërndarjen e saj në territor. (shih me gjeresisht artikullin -> http://levizjashqipon.org/lajme/pse-ska-pune/ )
Modeli që zgjodhi kasta për sundim, sigurisht nuk mund të bazohej tek puna. Puna dhe talenti janë atribute që nuk garantojnë akumulim të pushtetit, por qarkullim të tijin. Ndryshe nga kapitali apo prona, këto atribute nuk trashëgohen por fitohen gjatë jetës falë talentit dhe sakrificës të çdokujt. Kuptohet që ata që kanë trashëguar pasuri, fillojnë dhe e humbasin hovin për të punuar, studiuar apo rrezikuar. Këtë hov e plotësojnë shtresat e tjera në një mobilietet dhe dinamizëm të shoqërisë.
Pra ndryshe nga feudalizmi, nuk ka statuse të përjetshme por mobilitet të pasurisë dhe emancipim të gjithë shoqërisë. Kjo është teza liberale, e cila përmirësohet me tezat sociale, ku i jepet çdokujt mundësia reale (dhe jo vetëm potenciale në një garë të ndershme) për tu realizuar e kontribuar për komunitetin, pasi jeta është vetëm një dhe pabarazia nuk duhet të jetë aq të thella sa të rrezikojnë dinjitetin e Njeriut. Por kasta post-komuniste¿ nuk zgjodhi as tezën liberale dhe as sociale që kishin emancipuar shoqëritë perëndimore. Si shpjeguam më sipër, këto teza nënkuptojnë dinamizmin dhe jo ngurtësimin e pasurisë dhe pushteteve.
Jo!
Kasta zgjodhi të instalonte një feudalizëm të ri, pagëzuar me emrin “neoliberizëm”, ku nuk ka qarkullim të pasurisë por ngurtësim të privilegjeve dhe pushtetit. Pra pasuria nuk do krijohej me anë të punës, studimit, sipërmarrjes, riskut, solidaritetit, konkurrencës, por me anë të spekullimit, korrupsionit dhe shantazhimit, ne një qark vizioz.
Ndërsa impianti industrial varrosej, vendi kthehej në koloni importi. Kështu pengohej jo vetëm prodhimi por sigurohej dhe grumbullimi i të gjithë kapitalit në pak duar të monopolistëve dhe kastës së tranzicionit. Kuptohet që ky model nuk u shpik nga Nomeklatura post-komuniste. Tani kishim dalë nga izolimi dhe duhej mbështetja e forcave globalitariste. Si çdo model, (Washington Consensus dhe terapia shock) ai u importua dhe zbatua me bekimin e lobeve neoliberiste, që shtinë në dorë, sektorët strategjikë të kombit, duke filluar nga bankat, naftën, minierat, portet, aeroportet, telekomunikacionin etj. Dhe dihet një ekonomi ngritur mbi monopole ka nevojë për oligarki politike, që të garantojë vijimin e status quo-s.
Nëse minon ekonominë e prodhimit nga shinat e saj natyrore, prodhon papunësi të gjerë. Dhe në fakt ajo ndodhi, eksod biblik i gjysmës së popullsisë duke braktisur dhe depotencuar territorin.
Sigurisht kjo papunësi dhe varfëri do të prodhonte një pakënaqësi dhe rezistencë në masat e gjera. Kjo duhej evituar me çdo kusht.
Në këtë mënyrë, kasta nuk importon vetëm modelin e strukturës ekonomike, por dhe modelin e sovrastrukturës neoliberiste. Sovrastruktura apo ideologjia që do mbante në këmbë këtë sistem barbar, nuk konsiston në fshehjen e problemeve, si ndodhte në regjimet e tjera totalitare.
Jo!
Sovrastruktura neoliberiste, është shumë herë më e sofistikuar falë dhe kontributit të mediave dhe aplikimit të psikologjisë kolektive. Ajo nuk fsheh dot realitetin por e përmbys atë, ku viktimat bëhen përgjegjës dhe çmontimi i të drejtave quhen reforma.
Nuk ke gjetur një punë të mirë? Kjo ndodh sepse nuk je përpjekur mjaftueshëm! Je dembel! Nuk ke shpirt lideri! Nuk je kompetitiv! Kështu, punësimi nga një problem struktural kthehet në një problem personal. Induktimi i vetëfajësimit bën që masat mos ta shohin më problemin tek sistemi por tek vetvetja në një konkurrencë pa shpresë mes të mjerëve. Ideologjia neoliberiste arrin që luftën vertikale mes punës dhe kapitalit, ta trasformojë në beteja horizontale të të fundit me të parafundit.
Nëse puna pra, nuk shërben më të për pasur një jetë më mirë, ajo nuk duhet të mbrohet por të denigrohet. Ata që sigurojnë ende jetesën me punë duhet të trajtohen si gjynaqarë, si të paaftë, kokëpalarë, mbeturina të kombit. Vendin e tyre duhet ta zënë modelet e kastës që pasurohen me gjithçka përveç punës.
Qarku mediatik, klanet e topet pranë pushtetit bombardojnë përditë shqiptarët, duke shitur si “suksese” stilin e jetës së grave apo fëmijëve të politikanëve, gjyqtarëve, monolistëve që shëtisin nëpër botë me luks të shfrenuar. Po ashtu nuk sheh kurrë një emision që promovon një njeri punëtor, një intelektual, por personazhe si Sallaka, Mamaqa, Çana apo femra që realizohen me lakuriqsinë e tyre banale. Krijimi i antimodeleve toksike infekton në palcë aspiratat e çdo shqiptari për tu realizuar me mund e djersë. Duke i shtuar kësaj dhe rolin kancerogjen të krimit, llotos, prostitucionit, arrin të devijosh tërësisht energjitë e rinisë nga puna tek iluzioni i fitimit të shpejtë e pa meritë. Edhe miti i sipërmarrjes private është iluzion në një ekonomi të kapur. Nga ana tjetër nuk ndërtohet ekonomia me parukeri, bare e byrektore. Mund të investosh sa të duash, por kur ekonomia është e bllokuar, paraja e përqendurar, rrogat afrikane, biznesi yt është i dënuar me vdekje pa lindur. Nga ana tjetër nëse masat nuk besojnë tek puna si e vetmja mënyrë për realizimin e tyre, si mund të presësh që ata do e mbrojnë atë. Emblematike në këtë sens është afirmimi i Bertrand Russell “Njeriu që ka turp nga puna e tij, nuk mund të ketë respekt për vetveten”
Si thamë më lart, denigrimi i punës nuk ndodh vetëm në Shqipëri por dhe në ato vende që eksportojnë këtë model neoliberist. Një debat të tillë në Angli, ka shkaktuar libri i Owen Jones “Chavs – The demonization of the working class”. Rihedhja në qarkullim i darvinizimit social, ku të pasurit janë të zgjedhurit e evolucionit, krijon premisat ideologjike për të denigruar punëtorët dhe të margjinalizuarit e shoqërisë.
Ka filluar kështu kundër/revolucioni i elitave ndaj të gjitha atyre të drejtave të qytetarëve dhe punëtorëve që u kurorëzuan me shtetin social.
Restaurimi i privilegjeve, dikur përmbysur me Revolucionin Francez, ka filluar të ndodhë hap pas hapi, duke manipuluar masat si “reforma” të nevojshme e të paevitueshme. Nuk është më shteti që garanton të drejtat e qytetarëve që e përbëjnë atë, por tregu në një garë globale me dinosaurë globalë. Një ndër konceptet e neologjizmit neoliberist është dhe “fleksibiliteti” (apo flexcurity) në punë, duke krijuar iluzionin e sa më shumë oportuniteteve për të rinjtë. Richard Seneth, (tek vepra “Njeriu fleksibël”) arrin të çmontojë këtë përrallë të neoliberizmit, duke analizuar se gjendja e punëtorit nuk u përmirësua por u përkeqësua me fleksibilitetin dhe pasigurinë e këtij kapitalizmi të përqendruar por jo të centralizuar. Figura e punëtorit, mbrotjur prej Kushtetutës, Kodit të Punës dhe sindikatave, zëvendësohet me “ hommo precarius” (prej latinishtes, ai që lutet=pregare), i cili endet nga një punë në tjetër, pa u stabilizuar kurrë ekonomikisht dhe familjarisht. Nga ana tjetër duhet fantazi për të bindur një të ri se puna fleksibël është më e mirë sesa një punë e sigurtë, me afat të sigurtë e me rroga të vendosura nga kontratat kolektive. E megjithatë Fabrika e së Vërtetës ka arritur të bindë jo vetëm punëtorët por dhe intelektualët e sapo çelur nga katedrat neoliberiste, se puna nuk është më vlerë por thjesht një mall.
Ky restaurim i mendësisë feudaliste, ku pasuria krijohej me anë të rentës sesa me punë, është përmbysje e Revolucionit Francez dhe fitoreve për emancipim realizuar këto shekuj.
Në konfuzionin e parafabrikuar, pak njerëz e dinë se nuk ishte Marksi, por baballarët e Liberalizmit si Smith apo Locke, që theksonin se burim i pasurisë është vetëm puna. Po ashtu dhe kapitalizmi industrial kishte në qendër të tij Punën, në formën e borgjezisë së prodhimit që investonin kapitalin, teknologjinë e ndërmerrnin riskun bashkë me punën e punëtorëve. Ky lloj kapitalizmi industrial martuar me shtetin social (welfare state) krijoi pasuri e mirëqënie për popujt e Perëndimit.
*****
Fatkeqësia e Shqipërisë, është se nuk importuam këtë model kapitalizmi industrial, por atë neoliberist ose financ-kapitalizëmin spekullativ. Në bazë të kësaj disonance konjitive, çdo kritikë që i bëhet kapitalizmit aktual, kasta e denigron si relike komuniste. Mendimi unik neoliberist, nuk pranon asnjë kritikë, duke denigruar çdo tezë apo studjues si komunist, fashist, populist, konspirativ etj (jo shumë ndryshe nga totalitarizmi që provuam 45 vjet).
Në fakt, ky lloj kapitalizmi (ekonomi e përzier private+publike) u mbështet dhe u zbatua pikërisht nga liberali Keynes dhe zbatua nga ShBA dhe të gjitha vendet perëndimore. Në bazë të teorisë së Keynes, faktori kryesor në ekonomi nuk është paraja por puna dhe prodhimi real. Vlerën e parasë së një kombi e përcaktojnë aftësitë e tij të prodhimit, pra mobilizimi material e shpirtëror i energjive të tija. Paraja është më shumë mjet shkëmbimi, për të vënë bashkë faktorët prodhues në vend. Nëse ajo përqendrohet në pak duar e nuk qarkullon, trupi i një vendi (banorët dhe territori) “nuk furnizohen me gjak” dhe indi social atrofizohet.
Pra, duhet që krijimi i pasurisë kombëtare të mirëshpërndahet për të gjithë ata që kontribuojnë për krijimin e saj (ndryshe nga modeli neoliberist trickle-down). Kështu, rritja e rrogave në përputhje me rritjen e prodhimit, nuk është vetëm e moralshme, kristiane apo socialiste por e shëndetshme ekonomikisht. Rrogat e larta të punëtorëve lejojnë zgjerimin e konsumit dhe kërkesës agregate. Nga ana tjetër meraku i çdo prodhuesi, nuk janë aq shumë taksat sesa, mundësia që ai të shesë prodhimet e veta duke siguruar fitimet. Ky ishte modeli fordist, i cili shihte punëtorin edhe si konsumator të prodhimit të tij. Për këtë gjë rrogat duhet të ishin në ato nivele që të siguronin shitjen e tyre. Në këtë mënyrë pasuria qarkullon duke u zgjeruar gjithmonë e më shumë.
Por nëse pasuria qarkullon, ata që humbasin peshë janë elitat financiare dhe bankat. Vepra e famshme e Thommas Piketty analizon pikërisht se rritja e nivelit të rrogave duhet të jetë më e lartë sesa ajo e interesit të kapitalit. Pra fitoje më shumë po të punoje sesa të përfitoje interesa parazitare nga kapitali. Në këtë mënyrë krijohet shtresa e mesme e cila lejon funksionimin e demokracisë, duke mbajtur larg ekstremet, pra presionin e pakicës super të pasur dhe asaj të varfër (si parashikonte dhe uronte Aristoteli për një sistem politik të qëndrueshëm).
Si në çdo fushë tjetër edhe në politikë ishte gjetur një ekulibër mes publikes dhe privates, mes demokracisë dhe tregut, mes lirisë dhe barazisë, sepse disa sektorë i mbulon më mirë shteti dhe disa të tjerë privati. Kështu kemi lulëzimin e shtetit social (welfare state) i cili nuk bëhej pengesë për ekonominë e tregut, por rregullonte deformimet e tij në ekonominë dhe jetët e çdo qytetari brenda një shteti që garantonte të drejtat themelore të Njeriut. Pra, u pa qartë që Demokracia funksionon vetëm nëse ka një shtet social që kuron interesin e përgjithshëm dhe jo vetëm një pakice. Politikat e vendit vendoseshin dhe kontrolloheshin demokratikisht nga populli dhe jo nga lobet e brendshme apo ndërkombëtare.
Kuptohet që edhe ai sistem kishte të metat e tij të kritikueshme nga shumë studjues sepse krijoi fetiçizmin e njeriut me mallin duke asfiksuar raportet humane. Megjithë këto kritika, sistemi arriti të krijonte një mirëqenie të zgjeruar, ndryshe prej parashikimeve të Marksit. Por ky i fundi kishte patur te drejte kur kishte parashikuar rikthimin e elitave.
Rënia e perdes së hekurt 1991, do të thoshte dhe rënia e një sistemi eko-politik alternativ ndaj kapitalizmit. Shumë prej të drejtave akorduar popujve perëndimorë u realizuan dhe për ti mbajtur larg prej influencës së ideologjisë komuniste. Ajo çfarë u përshëndet nga të gjithë popujt dhe intelektualët (emblematik fundi i historisë prej Fukujamës) si fillimi i një ere të re të demokracisë dhe lirisë, në fakt shënoi fundin e eksperiencës së 30 viteve të lavdishme të shtetit social dhe ekonomive keynesiane.
Elitat dhe lobet e kapitalit, nuk kishin më kujt ti druheshin prandaj mund të realizonin financ-kapitalizmin, një regjim të ri konceptuar nga Hayek e Friedman, pagëzuar si “neoliberizëm”. Çdo lëshim që iu ishte bërë këto dekada klasës punëtore duhet të përfundonte duke rivënë punën dhe demokracinë nën kontrollin e kapitalit. Kaluam kështu nga hommo oeconomicus në hommo indebitatus. Atë çfarë deri dje punëtorët e blinin me rrogat e tyre, tani do e blinin me kredi pasi niveli i rrogave jo vetëm që nuk rritej por po ulej kudo. Si pasojë, fitimi i pasurisë krijohej vetëm me anë të kapitalit që riprodhohet në vetevete sesa me anë të punës. Shteti humbi kontrollin mbi kapitalin dhe kudo borxhi publik dhe privat shtohej, e bashkë me to, intersat që punëtorët duhet ti paguajnë me taksa e tarifa. Pasuria po derdhej nga poshtë lart e jo e kundërta. Si pasojë 1% kontrollon burimet e 90% të popullsisë. Shtresa e mesme filloi të shpërbëhej dhe emargjinalizmini i shoqërisë, konfliktet sociale apo ato botërore të shtoheshin frikshëm.
Por kujdes, në këtë mënyrë, nuk goditen vetëm punëtorët por dhe borgjezia prodhuese. Pasuria nuk krijohet më p-m-p (para-mall-para) si kritikonte Marks, por akoma me keq, p-p-p (para-para-para). Pra filloi të krijohej një shtresë parazitare, që bënte para nga paraja (industria financiare) pa marrë as mundimin e punëtorit por as dhe riskun e sipërmarrësit. Kjo lloj aristokracie financiare i ngjan pikërisht asaj feudale, latifondistëve që jetonin me interesin parazitar mbi pronën, dhe jo prodhimin dhe sipërmarrjen kapitaliste.
Kuptohet qartë që nëse financa kontrollon ekonominë (mjetet për realizimin e qëllimeve) kontrollon gjithashtu dhe shtetin, median, akademinë e gjithçka që ushtron pushtet mbi masat.
Jetojmë pikërisht në këtë epokë, pavarsisht se pushteti i vërtetë fsheh fytyrën dhe metabolizon ideologjinë si natyrore me programe mediatike e ojf të kudondodhura. Demokracia është boshatisur, vota është një lojë e kotë, sepse vendimet janë të njëta pavarsisht votës kozmetike të popullit. Shteti nuk është gjë tjetër, veçse një levë që përdoret nga elita ndërkombëtare dhe kukllat e tyre në pushtet.
Ja përse beteja për afirmimin e së drejtës së punës, është një luftë për Demokraci dhe Sovranitet Kombëtar. Raportet mes kapitalit dhe punës janë të ndryshme nga një shtet në tjetrin, prandaj dhe zgjidhja e këtij konflikti bëhet brenda çdo shteti në të mirë të një ekonomie që siguron mirëqënie të përgjithshme e jo privilegje për një pakicë.
Fitoret e klasës punëtore nuk u fituan në rrafsh ndërkombëtar, por vetëm brenda shtetit-komb, pasi vetëm aty mund të krijohet solidariteti mes punëtorëve. Prandaj globalizimi, nuk është aleancë e punëtorëve dhe e qytetarëve të thjeshtë, por aleancë e elitave financiare që i shpëtojnë kontrollit demokratik dhe vendosin për fatet e miliona njerëzve. Globalizimi është antiteza e demokracisë, për faktin e thjeshtë sepse ne kete planet, nuk ka një popull (demos) global por shumë popuj që duhet te vendosin të vetëqeverisen secili në shtetin e vet me kulturën dhe burimet që i ka falur Zoti.
Vetëm kur secili popull të kontrollojë demokratikisht shtetin dhe interesat e tij, mund të ndërtohet një globalizëm i drejtë, si Keynes kishte parashikuar me një monedhë ndërkombëtare neutrale dhe barazi shkëmbimesh apo ashtu si uron nobelisti Stiglitz. Një shtet është i fortë vetëm kur qytetarët e tij janë të fortë dhe e kontrollojnë demokratikisht atë.
Vetëm kur popujt (e jo elitat) të kontrollojnë demokratikish shtetet dhe ekonomitë kombëtare, do i jepet fund luftrave, përmbysjes së qeverive dhe kolonizimeve.
“Deri sa luftën do e shpallë elita, nuk ka koinçidencë mes atyre që vendosin e atyre që rrezikojnë jetën. Ja pse duhet demokracia!”, deklaronte Thomas Paine në përgjigjen e tij ndaj skeptikut Edmund Burke mbi Revolucionin Francez.
Kush lufton për të drejtën e Punës, lufton për Emancipim, Demokraci e Shqipëri!
Ata që shpikin beteja të tjera, “punojnë për mbretin e Prusisë” me vetëdije apo pavetëdije…
Dr.Ledian Droboniku – Aktivist dhe Bashkëthemelues i Lëvizjës ShqipON

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura