DR.MIRELA OKTROVA: ‘KUSH TË RREH, TË DO…!’

Tiranë, 3 qershort 2017: Shoqëria që sapo festoi me zulmë 1 Qershorin është një komunitet ku dashuria ndaj fëmijës manifestohet si dhunë – kryesisht si dhunë psikike, por jo rrallë edhe si dhunë fizike. Më së shumti fshehurazi dhe individualisht, por jo rrallë edhe hapur dhe masivisht.
Kategori të tëra fëmijësh, rriten nën dhunë dhe po nën dhunë zhvillojnë deformime të rënda trupi dhe personaliteti, të cilat i vuajnë tërë jetën… Lypës trotuaresh, me kockat e kalbura nga reumatizma dhe fëmijët e qytetit që shajnë me gjuhë analistësh, xhamalarës automjetesh me fëmijëri të tradhtuar dhe viktima të shpërdorimit seksual në internet, eksplorues plehrash arrogante të kamjes sonë të shkujdesur dhe obezë pavëmendjeje dhe papërgjegjësie prindërore…, nxënës të ngujuar dhe analfabetë funksionalë, fëmijë fshatarësh dhe fëmijë intelektualësh, talasemikë dhe të verbër, fëmijë me prindër, jetimë dhe fëmijë të braktisur…, djem dhe vajza, fëmijë të dëshiruar apo që jetojnë rastësisht…! Dukuria është po aq gjithëpërfshirëse, sa edhe veprimi i shprehjes popullore të sipërcituar. Ajo prek të gjitha llojet e marrëdhënieve të të rriturve me fëmijët, ndonëse pamjen e saj më të mprehtë e tronditëse e shfaq në marrëdhëniet prindër-fëmijë.
Raporti ynë me fëmijët reflekton paaftësinë tonë kolektive për të kuptuar se e ardhmja na sheh me sytë e fëmijëve tanë. Ndaj edukimi – tabuja e pashpallur e tranzicionit tonë – vazhdon të mbetet pre e autoritarizmit të prindërve, sipas motos “prindërit kanë të drejtë, kurse fëmijët kanë të drejtë të binden”, e cila gjeneron vetëm dhunë dhe depersonalizim.

– Dr.Mirela Oktrova –

Të fiksuar në “të drejtën” tonë, të kalcifikuar brez pas brezi, ne harrojmë se fëmijët nuk janë pronë, por dhuratë dhe po kështu duhen trajtuar dhe se e drejta jonë mbi fëmijët që lindëm mbaron me vendimin për t’i sjellë ata në jetë, megjithëse detyrimi ynë ndaj tyre jep shpirt në frymën tonë të fundit. Ne harrojmë se detyrimi ynë kryesor si prindër është t’u japim fëmijëve jo vetëm të ardhme, por dhe aftësinë dhe lirinë për ta jetuar atë. Pakkush ndër ne e kupton, se për këtë brezi i ri duhet lënë të jetojë dhe të orientohet pa ne, pa konceptet tona të vjetruara, pa komplekset dhe dyshimet tona, pa të metat apo gabimet tona. Ne, qytetarët e shekullit XX, me të kaluarën tonë totalitare dhe mendësinë më të prapambetur në kontinent, nuk mund të pretendojmë ta dimë botën më mirë se qytetarët e shekullit të ri, sfidat e të cilëve zënë fill me kompjuterin dhe mbarojnë me globalizmin. Të vlefshëm ne mund të mbesim vetëm nëse edukimi ynë bazohet në komunikim dhe në njohje – në njohjen e rrethanave shoqërore ku rriten fëmijët si edhe të konstitucionit shpirtëror të fëmijëve që rriten në to.
Po a bëjmë dot ne këtë?
Për t´u vetëverifikuar mjafton të pyesim veten, a e kemi rrahur ndonjëherë fëmijën tonë dhe kur kemi folur me të për herë të fundit, jo për ta qortuar, por për të mësuar se ç´mendon ai për veten dhe për ne, për familjen ku jeton dhe për jetën që bën, se ç´mendon ai për të ardhmen e për të shkuarën, se cilët janë idhujt dhe të neveriturit e tij? A e kemi pyetur ndonjëherë veten, se ç´jemi ne në sytë e fëmijëve dhe ç´mendojnë ata për të metat dhe gabimet tona? Sa prej nesh durojnë t´i qortojë fëmija, se kanë për turp të kërkojnë ndjesë dhe përpiqen të reflektojnë për këtë? Cili prej nesh e ka vënë në dyshim mënyrën e tij të edukimit dhe sa prej nesh e kanë konsultuar këtë me fëmijët e tyre?
Ai që rreh nuk do! Ai thjesht nuk di!
Karakteri i fortë dhe mendimi i pavarur nuk stimulohet me dhunë, por me respektim personaliteti. Po edukata e lirë nuk është as vetedukim. Të shmangësh edukimin autoritar do të thotë që fëmijës t´i përkushtohesh, të investosh më tepër kohë, më shumë durim e argumente dhe jo së fundi, më shumë para. Edukatë e lirë do të thotë ta lësh fëmijën të jetojë përvojat e tij, por dhe t´i ballafaqosh ato me të tuat; të njihesh me hallet e tij dhe t´i tregosh për të tuat, të mësosh për gabimet e tij dhe ta lësh të mësojë nga të tuat, të dëgjosh problemet e tij dhe t´i kërkosh mendim për të tuat, të mos e gënjesh edhe kur është fjala për jetën tënde private dhe të mos të të vijë zor të tregosh dobësi. Edukimi i personalitetit të lirë është një proces i vështirë dhe i pagarantuar, me gabime dypalëshe dhe respekt reciprok, një proces i gjatë këmbimesh të gjithanshme, i cili kërkon tolerancë dhe durim të jashtëzakonshëm – jo dhunë njëkahëshe, por përfitim dypalësh.
Këto ditë kur gjithçka thërret për ndryshim, po gjithkush thërret për poste, kur jepen premtime e shpresohet të çahen rrugë, kur njëkohësisht festohet dhe dhunohet, fëmijët sërish s’e dinë, në do të mësojnë t´i përfillin apo do t´i riharrojnë. Në një kohë kur shteti lufton të jetë shtet dhe edukimi vuan “traditën”, përfillja mund të fillojë si përgjegjësi individuale. Nëse secili prej nesh do të jetë më shumë edukator, me siguri që do të jetë më i vlefshëm si mësues, më njerëzor si intelektual, më i ndërgjegjshëm si punëtor, më i drejtpeshuar si personalitet, më i dashur si partner dhe më i përgjegjshëm si politikan.
Nëse bëhemi më të denjë për fëmijët tanë, do të jemi më të denjë për të ardhmen!
Nëse veten e shohim me sy fëmijësh, e dimë fort mirë ç’duhet bërë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura