DR.MIXHAIT POLLOZHANI: KALAJA E GRAZHDANIT – NË DIBËR

Tetovë, 29. 09. 2014: Nëse ka qenë qytet apo kastrum, nëse është quajtur Dioboros apo Deyfrakos dhe nëse është rrënja e toponimit Dibër, janë enigma që duhet t’i zgjidhin arkeologët, por një gjë duhet pranuar se, gjatë periudhës së antikitetit të vonë kalaja e Grazhdanit ka qenë qendra e të dy dibrave. Preokupimet e mia mbi kalanë e Grazhdanit janë më të hershme, por kuptohet se ato më shfaqeshin në kontekste të ndryshme. Sa e sa herë kisha menduar të shkruaja diçka për këtë kala, por nuk e gjeja dot as motivin e as frymëzimin. Megjithatë, ata morën trajtën e duhur një muaj më parë, pra një ditë pranvere të bukur, të këndshme, por edhe frymëzuese.
Atij fund maji, bashkë me miqtë e mi arkeologë, prof. Luan Përzhita, njëherësh edhe drejtor i Institutit Arkeologjik të Tiranës dhe Fitni Dalipi, gjatë një vizite të paplanifikuar më në fund e pashë nga afër Kalanë e Grazhdanit. Përderisa po shëtitnim përgjatë mureve rrethuese, më bëhej më e kuptueshme pse arkeologu Ivan Mikulçiq, e mbështet mendimin se qytetin e antikitetit ilir Uskana duhet kërkuar pikërisht te Kalaja e Grazhdanit. Profesori Mikulçiq, të njëjtën gjë ma kishte përsëritur edhe mua duke më thënë disa herë: “Vetëm Kalaja Grazhdanit ka hapësirë të mjaftueshme për të strehuar 10.000 banorë, prandaj aty duhet kërkuar Uskanën”. Profesori im i nderuar kishte të drejtë sa i përket madhësisë sipërfaqësore të kalasë, por jo edhe për supozimin e tij, sepse kontesti historik dhe arkitektonik nuk përputhën me një gjë të këtillë.
Por, sidoqoftë, ajo që dua ta theksoj në veçanti ka të bëjë me kënaqësinë time të dyfishtë, sepse jo vetëm që e vizitova kalanë e Grazhdanit, por ciceron e kishim profesorin Luan Përzhita, i cili për disa vite rresht ka zhvilluar hulumtime arkeologjike në këtë lokalitet. Të gjitha ato rrëfime dhe përshkrime që i kisha dëgjuar sa e sa herë nga kolegu i nderuar, Përzhita, por edhe shpjegimet e hollësishme aty brenda territorit të pafund të kalasë, tash më shfaqeshin si në prizmin tredimensional. Pra, për të qenë më të qartë, sigurisht që në rrënojat e saj nuk ishte Uskanën e penestëve, por pa mëdyshje aty e pashë kalanë më të madhe jo vetëm në Shqipëri, por mbase edhe në Ballkan dhe më gjerë. Bashkë me madhështinë e asaj kalaje, pash një pjesë të historisë, qytetërimin e një faze të caktuar, si dhe pretendimet e përjetësimit të një perandorie. Pa çka, nëse ky projekt nuk arriti përjetimin e njëmendtë të funksionit të tij!

Kalaja e Grazhdanit nga ajri.

Përshkrimi gjeo-topografik
Gjeografë, historianë e studiues të ndryshëm që nga lashtësia janë marrë me krahinën e Dibrës, duke e trajtuar qoftë si qytet, si krahinë ose edhe si nën-krahina së bashku, por ajo që i ka dhënë emër më shumë ndër të tjera, është edhe Kalaja e Grazhdanit. Kjo kala e cila ndodhet në veri të pellgut të Dibrës, pothuajse e ndan mu në mes rrugën që lidh dy qytetet, Peshkopinë dhe Dibrën e Madhe. Më saktë, kjo kala është vendosur në fushën e fshatit Grazhdan, që i bie në perëndim të malit të Deshatit, në veri përshkohet nga përroi Kamenicës, kurse në jug nga përroi i Bresnicës.
Kalaja ka një pozitë të rëndësishme strategjike, e cila e kontrollon rrugën përgjatë Drinit të Zi, që e lidh atë me dy arteriet më të rëndësishme rrugore transballkanike të periudhës romake: Via Egnatian në jug dhe Via Lissus – Naissus në veri. Rëndësia e kësaj pozite rritet edhe nga fakti se ajo ndodhet në pikëtakimin e provincave të Epirit të Ri, Macedonia Secunda, Prevalitanisë dhe Dardanisë.
Kalaja e Grazhdanit shtrihet mbi një terren të rrafshët dhe zë një sipërfaqe prej 34 hektarësh. Muret e saj kanë gjatësi 3.500 metra dhe përforcohen nga 44 kulla në formë të ndryshme të vendosura në largësi nga 40 deri më 80 m larg njëra-tjetrës. Qyteti ka pasur tre porta të mbrojtura nga dy kulla anësore secila. Lartësia e ruajtjes se mureve aktualisht arrin deri në 1.5 m, kurse, gjerësia e tyre arrin nga 2.8 – 3.2 m. Muret janë ndërtuar me gurë lumi dhe llaç gëlqeror. Porta jugore, me përmasa 14 x 9 m, përfaqëson një model te hyrjes me dy porta. Duke u nisur nga këto dimensione, me të drejtë mund të thuhet se kalaja e Grazhdanit është monumenti më i madh i antikitetit të vonë në Shqipëri, mbase dhe në Ballkan. E themi këtë jo vetëm për madhësinë e këtij monumenti, e cila për kah sipërfaqja mund të krahasohet me Butrintin, Bylisin dhe qendra të tjera antike, por kjo qendër ka rëndësi sepse supozohet se pikërisht ajo në antikitet ia ka dhënë emrin krahinës së Dibrës.

– Kalaja e Grazhdanit –

Historiku i hulumtimeve
Kalaja e Grazhdanit viteve të fundit është kthyer befas në vëmendjen e specialistëve të arkeologjisë. Meqenëse ky monument prej shumë vitesh është lënë në heshtje, pothuajse gati ka mbetur i panjohur për publikun e gjerë. Shënime interesante mbi këtë kala kanë lënë edhe disa personalitet të ndryshme. Kjo është pasqyra e historikut të gjurmimeve në këtë kala. Ky monument bëhet i njohur në literaturë nga udhë-përshkrimi i bërë nga Johan George Von Han, i cili mund të konsiderohet si studiuesi i parë serioz i kalasë së Grazhdanit. Në librin e tij “Udhëtim nga Danubi në Drin” (1863) ai ka shënuar se territori ku është ndërtuar kjo kala njihet me emrin “shehër”, duke hedh mendimin se aty duhet të ketë pasur një “qytet të rëndësishëm dhe të lashtë”, i cili ishte rrënuar me dhunë dhe nuk ishte rindërtuar përsëri në të njëjtin vend. Ai, gjithashtu, ka njoftuar se në kohën e tij shiheshin pa vështirësi muret e banesave të brendshme të qytetit.
Konsulli rus në Shkodër, I. S. Jastrebov, ka shkruar se kalaja e Grazhdanit nuk ka qenë as qytet e as kala, por “një koloni e vjetër romake, një municip ose një karavansaraj (stacion rrugor) në rrugën Egnatia për në veri”. Kalanë e Grazhdanit para Luftës së Dytë Botërore e ka vizituar edhe shkrimtari dibran, Haki Stërmilli, i cili e ka konsideruar si fortifikim mesjetar “të periudhës skënderiane plot ngadhënjime”
Interesi i mirëfilltë i arkeologëve shqiptarë mbi këtë kala shfaqet pas vitit 1950, kur edhe vizitohet nga prof. Hasan Ceka, i cili i pari e daton si ndërtim i periudhës së vonë antike. Diç më vonë, në vitin 1963, me vendim të Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, është shpallur monument kulturor. Ndërkohë kah mesi i viteve të ’70-ta të shekulli i kaluar, arkeologu Apollon Baçe e bën planimetrinë e parë të kalasë së Grazhdanit, duke sjellë kështu të dhënat të reja lidhur me madhësinë dhe sistemin e fortifikimit të saj.
Pas një heshtje disavjeçare, në vitin 1982 – me hapjen e rrugës automobilistike, dalin në sipërfaqe disa varre me objekte mesjetare. Kjo pat imponuar një ekspeditë të shpejtë, për të parë se cila ishte gjendja e monumentit. Pas kësaj kohe monumenti i është nënshtruar shkatërrimit si rezultat i gërryerjeve natyrore, gjë që çoi në humbjen e një pjese të murit të anës veriore. Ndërkaq gjatë viteve 1986-1990 nga Instituti i Monumenteve të kulturës janë ndërmarrë punime për pastrimin e mureve nga vegjetacioni i zhvilluar, por edhe kjo ndërhyrje nuk ka zgjatur shumë. Në vitet 2000-2004 në këtë kala janë kryer gërmime në trasenë e murit dhe në të dy hyrjet kryesore të saj për saktësimin e planimetrisë ekzistuese.
Qytet apo kastrum
Ndonëse studiues të ndryshëm kanë hedhë mendimin se kalaja e Grazhdanit ka elemente urbane të qytetit, megjithatë nga ajo që shihet mund të thuhet se ajo përbën një fortifikim të tipit kastrum, i cili asokohe ka shërbyer si llogor (bazë) për ushtrinë romake. Në pikëpamje kronologjike, ajo i referohet fazës së parë të veprimtarisë së fortifikimeve të Perandorisë Romake në provincat ballkanike, që lidhen me fundin e shek. III dhe fillimin e shek. IV ose me harkun kohor që fillon me Dioklecianin (284-305) dhe vazhdon me Licinin (308-324) dhe Konstandinin (324-337).
Ky përfundim rrjedh nga teknika e ndërtimit të mureve mbrojtëse, që sipas arkeologut Adem Bunguri analogjitë e sistemit të saj fortifikues mund të bëhen me atë të kastrumeve të Skampinit, Vigut, Bushatit e Paleokastrës. Por, gjithsesi, mungesa e të dhënave më të plota arkeologjike, numizmatike ose epigrafike për të argumentuar plotësisht mendimin e mësipërm, e lënë të hapur mundësinë e një datimi më të ngushtë. Kastrumi i Grazhdanit, për përmasat shumë të mëdha të tij, mund të konsiderohet si një kastrum i madh, me funksione kryesisht ushtarake.
Një ndërtim i tillë gjigant është konceptuar nga ekspertët ushtarakë të Romës si një bazë e fuqishme ushtarake në brendësinë kontinentale të provincave ballkanike. Krahasuar me kështjella të tjera legjionare, duke u mbështetur vetëm në sipërfaqen e madhe të kësaj kalaje, rezulton se aty mund të sistemohej një garnizon i madh romak, i përbërë nga 2 legjione ose rreth 10.000-12.000 trupa ushtarake.
Ata janë mbajtur aty të gatshëm për çdo emergjencë përballë rrezikut të sulmeve gote. Një ndërtim i përmasave të tilla tregon rëndësinë e madhe që kishte për perandorinë romake rruga e Drinit të Zi dhe rajoni i Dibrës në përgjithësi, në kontekst të provincave të tjera ballkanike të Perandorisë Romake.
Sistemi i fortifikimit
Sistemi i fortifikimit të kalasë së Grazhdanit kryhet gjatë fundit të shekullit III dhe fillimit të shek. IV. Ky përfundim rrjedh nga teknika e ndërtimit të mureve mbrojtëse dhe analogjitë e sistemit të saj të fortifikimit me atë të kastrumeve të kësaj periudhe në Shqipëri. Kjo është periudha e jetës më intensive të qytetit të Grazhdanit. Në pikëpamje arkeologjike ajo konfirmohet nga fragmentet e shumta të enëve të gjetura në sipërfaqen e tij,
Në pjesën qendrore të hapësirës së brendshme të kastrumit të Grazhdanit ruhen gjurmë të godinave shoqërore ose ushtarake të periudhës së vonë antike, si të godinave civile të banimit, kapanoneve të ushtarëve, termave publike, të çezmave (fontanave), pusit etj. Ato janë të orientuara sipas një plani ortogonal, gjë që është përcaktuar nga kryqëzimi në kënd të drejtë i dy rrugëve kryesore të tij. Rruga I, e quajtur “Livanivi” (cardo maximus) bashkonte dy hyrjet kryesore të kalasë, atë jugore dhe atë veriore, ndërsa rruga II (decumanus maximus), e quajtur “Çelebia” përshkon qytetin mespërmes nga hyrja lindore e kalasë, deri në parcelën fundore brenda murit perëndimor.

Largësia midis kullave, e ashtuquajtura kurtinë, nuk është e njëjtë dhe duket se ka qenë e kushtëzuar nga faktorë topografik e ushtarakë, të rëndësishëm për kohën (rrezja e veprimit të shigjetës, forca goditëse e balistave, thyerja e terrenit, kthesat e murit, si dhe nevoja e një mbrojtjeje më të fuqishme në hyrjet). Kështu, largësia maksimale e kullave në terren të sheshtë për murin verior është 40-58 m dhe për murin jugor 40- 43 m, ndërsa në këndet e mureve dhe thyerjet e relievit ajo ulet deri në 35-40 m.
Kalaja ka tre porta, dy në të njëjtin aks, veri-jug, dhe një në anën lindore të saj. Vendosja e dy portave kryesore të kalasë në të njëjtin aks, sipas stilit të ashtuquajtur via principalis, përbën një tipar dallues të fortifikimeve romake të tipit Kastrum. Secila nga portat mbrohej nga dy kulla në formë të germës “U” të vendosura në të dyja anët e tyre. Kjo mënyrë e mbrojtjes së portave është karakteristike për kastrumet që i përkasin gjysmës së pare të shekullit IV. Porta jugore e kalasë së Grazhdanit përfaqëson një model klasik të hyrjeve me dy porta. Midis tyre krijohet një oborr të brendshëm katërkëndësh të fortifikuar të tipit propognaculum, që shërbente si qendra e fundit e asgjësimit të sulmuesve.
Porta lindore e kalasë, që shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1000 m2, gjendet ngjitur me rrugën e sotme nacionale, te vendi i quajtur „kisha”. Sipas pohimeve të arkeologut Luan Përzhita, kjo portë përbën hyrjen më monumentale jo vetëm të kalasë së Grazhdanit, por edhe të të gjitha fortifikimeve të antikitetit të vonë në Shqipëri. Porta, që ka një gjerësi prej 28 metrash, mbrohet nga dy kulla në formë „U”-je me gjatësi 24 metra dhe hapësirë të brendshme 9. 2 metrash, midis të cilave krijohet oborri i fortifikuar i dyfishtë, i jashtëm dhe ai i brendshëm, dhe përbën tipin propognaculum
Periudha e vonë antike
Gjatë viteve 70-ta dhe 80-ta të shekullit të kaluar bëhen përpjekje për lokalizimin në këtë kala të qyteteve ilire të Draudakumit, Uskanës ose qytetit të periudhës romake të Dobërit, ndërkohë që studiuesit pranojnë si kohë të ndërtimit të mureve të saj rrethuese periudhën e vonë antike. Mendime për këtë kala kanë shprehur studiuesit Hilmi Sadikaj, Skënder Anamali, Gjerak Karaiskaj, Kristo Frashëri etj. Mungesa e gërmimeve kishte krijuar një kontradiktë në mendimin arkeologjik nga mospërputhja në kohë e mureve rrethuese të kalasë dhe qytetit të supozuar ose kastrumit të mbrojtur prej tyre, e cila po zgjidhet gradualisht nga gërmimet e reja që po kryhen në këtë kala.
Dihet që vendbanimet ose kalatë janë vazhdimësi e jetesës së mëhershme. Kështu ka ndodhur edhe me kalanë e Grazhdanit, brenda rrënojave të së cilës hasen gjurmët e lashtësisë së rrethit të Dibrës. Aty gërshetohet parahistoria me qytetërimin ilir, helenizmi me kulturën romake, për të arritur te hiatusi i mesjetës së hershme. Periudha qytetare ilire (shekulli IV-I p.e.s.) përfaqësohet me gjurmë më të hershme, e cila njihet ende shumë pak. Objekte të kësaj periudhe janë gjetur në fshatrat Grazhdan dhe Herbel të kësaj rrethine, që përfaqësojnë vendbanime ilire me karakter fshatar të shek. III-II p.e.s. Ndërkohë që në muret e fortifikimit të kalasë së Grazhdanit janë gjetur të ripërdorura një numër i madh blloqesh kuadratike, të cilat i përkasin periudhës helenistike.
Në periudhën e hershme romake (gjatë shek. I-III) në territorin e kalasë së Grazhdanit duket se krijohet një qendër banimi me fizionomi qytetare. Arkeologjikisht kësaj periudhe i takojnë disa fragmente enësh të tipit terra sigilata, një monedhë bronzi e Filipit Arab (244-249), një numër i madh blloqesh kuadratike, një pilaster guri, si dhe i ashtuquajturi “stadium” i qytetit.
Dioboros apo Deyfrakos
Lidhur me emrin antik të këtij fortifikimi tani më po kundërvihen dy mendime të studiuesve të ndryshëm shqiptare dhe të huaj. Mendimit të disa studiuesve i bashkëngjitet edhe Luan Përzhita, i cili supozon se kalaja e Grazhdanit do të mund të identifikohej me fortesën Deyfrakos, toponim ky nga cili duhet të rrjedh edhe etimologjia e emrit të sotëm të krahinës Dibër. Lidhur me këtë problem ekzistojnë edhe disa pikëpamje tjera. Njëra prej tyre është ajo e përfaqësuar nga Hilmi Sadikajt, Kristo Frashëri dhe Apollon Baçe, të cilët në këtë kala i shikojnë rrënojat e qytetit antik të Dobërit, që – sipas tyre – prej këtij toponimi rrjedh edhe etimologjia e emrit të krahinës së Dibrës. Ndërkohë arkeologu Adem Bunguri është i mendimit se emri antik i këtij qyteti duhet kërkuar në guitën e Hieroklit të periudhës së Justinianit (të shekullit VI ), të hartuar për nevojat e nëpunësve shtetërorë, që shkonin me shërbim në provincat e ndryshme të Perandorisë Romake. Lidhur me këtë problem, Bunguri mendon se nga emri i qytetit Dioboros të guitës së Hieroklit rrjedh lirisht varianti fonetik i trajtës së sotme të emrit Dibër. Nëse është quajtur Dioboros apo Deyfrakos, kjo është enigmë që duhet ta zgjidhin studiuesit, por një gjë duhet pranuar se në periudhën romake kalaja Grazhdani duhet të ketë qenë qendra e të dy Dibrave.
Grazhdani mesjetar
Gjatë periudhës së mesjetës së hershme vendbanimi tkurret dukshëm dhe kthehet në një qendër fshatare arbërore. Karakteristikë për këtë periudhë është varfëria dhe thjeshtësia e qeramikës. Duke filluar nga shek. XI një pjesë e vendbanimit kthehet në varrezë, kur si rrjedhojë porta lindore e kalasë kthehet në nekropol. Nekropolet e këtilla kanë qenë karakteristike për kulturën e hershme shqiptare, të njohur me emrin kultura e Komanit.  Kërkimet arkeologjike të mëtutjeshme në këtë kala shpresojmë se do të sjellin të dhëna të reja dhe do të ndriçojnë më tej aspekte të ndryshme të jetës së këtij monumenti të rëndësishëm të brendësisë kontinentale të Shqipërisë lindore, për ta kthyer atë në një qendër tërheqëse të turizmit arkeologjik në këtë rajon. Ndonëse përpjekjet e prof. Luan Përzhitës, që Grazhdani të vizitohet nga publiku ishin të pasuksesshme, kjo, megjithatë, nuk do të thotë se një gjë e këtillë nuk do të realizohet në një të ardhme tjetër.
– Dr. Mixhait Pollozhani, profesor i Historisë së artit në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

———————————————–

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

OHRI – QYTET I DRITËS
Në vazhdim shikoni dokumentarin “OHRI – QYTET I DRITËS”, i realiuzuar nga Reshat Kamberi, ndërsa flasin studiuesit: Mixhait Pollozhani dhe Agron Biba:

——————————————–

(Ilustrimet i përgatiti pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura